KULTURË

ZBULIMET ARKEOLOGJIKE / Dalin në dritë rrënojat të shek.V dhe varreza të neolitit

10:15 - 21.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Fatmira NIKOLLI

 

E dhëna e parë ishte një toponim. Zona kodrinore buzë lumit njihej prej banorëve si bregu i hamamit. E megjithatë, gjithë ç’shihej ishte një shpat me bimësi të madhe e shkurre, që ngjiteshin kodrinës përpjetë. Në trasenë 38-metërshe për gjurmën e TAP në Fushë Peshtan të Beratit, arkeologët së pari pikasën një strukturë muri, që e identifikuan më pas si absidën e një kishëze, matanë një varr dhe gërmimet e mëtejshme zbuluan një “miniqytezë” bashkë me “agoran” e kalldrëmtë, që në shtrirjen e saj dëshmon shekuj historie. “Duke qenë se zona ishte identifikuar si zonë me potencial të lartë arkeologjik, TAP ndërmori një gërmim arkeologjik shpëtimi, përpara se ekipi i ndërtimit të gazsjellësit të hynte në këtë zonë”, thotë për ‘GSH’ Lorenc Bejko, një ndër arkeologët më të mirë në vend. Nga gërmimet arkeologjike doli në dritë një banesë komplekse e shtrirë në disa tarraca me disa faza të ndryshme historike. Kodrina e shkurreve nxori tanimë në dritë shtresëzime qytetërimesh, që tregonin për vijimësi jete në periudha të ndryshme. “Rrënojat më të vjetra i takonin periudhës së antikitetit të vonë, shek. V, nga ku dalloheshin disa ambiente për magazinimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Pranë këtyre ambienteve u zbuluan edhe rrënojat e një kishe të vogël të po kësaj periudhe dhe një sterë/cisternë për mbledhjen e ujit”, thotë Bejko. Është interesante të shohësh se si kohët ritakohen, ndërsa diku pranë gjurmës ku do kalojnë tubat e gazsjellësit, gjen tubacionet e vjetra të ujit. Bejko shton se mbi këto rrënoja, në periudhën osmane, në shek. 17-18 është ndërtuar një kompleks banimi shumë i madh, ku ndër të tjera mund të dallohet një banjë turke/hamam, i cili shërbente për këtë banesë. “Përveç ambienteve të banimit, u identifikuan edhe një sërë ambientesh ndihmëse dhe magazina. Mendohet se banesa i takonte një familjeje aristokrate të asaj periudhe”, thotë ai. Duke nisur nga rëndësia e këtij zbulimi arkeologjik, TAP vendosi të devijojë linjën e gazsjellësit dhe të ruajë të paprekur vendbanimin arkeologjik në fjalë, në hyrje të të cilit një tabelë njofton për zbulimin, ndalon hyrjen e të paautorizuarve. Siti në vetvete është i rrethuar dhe në disa raste arkeologët kanë punuar edhe me krijimin e kanaleve që shmangin erozionin gjatë shirave, duke qenë se pjerrësia është e madhe dhe zona kodrinore paraqet rrezik. Vendimi për devijimin e punimeve, i pasqyruar në faqen e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, u bë shkas për të kontaktuar TAP-in me zbulimin, çka çoi në një vizitë të një grupi gazetarësh në sit, për të parë nga afër punën e bërë dhe se si, ligji i trashëgimisë gjen një nga rastet më të mira të zbatimit jo vetëm në Fushë-Peshtan, por edhe më tej, siç tregohet nga zbulimet. Hyrja në sit shoqërohet me një “trajnim” të mirëfilltë dhe veshjet e duhura bashkë me një sërë masash sigurie, që i vlejnë sa sitit edhe vizitorëve të parë, kur ai ende nuk është gati të presë.

VARREZAT E NEOLITIT

Në kuadër të vizitës në Berat, ku aktualisht po punohet, Lorenc Bejko, Nevila Molla dhe Arbër Kadia paraqesin pothuaj gjithë zbulimet e dala në dritë në kuadër të punimeve për Gazsjellësin Trans Adriatik. Në çdo segment punimi ka pothuaj 20 monitorues, ndërsa para fillimit të punës janë bërë 35 studime paraprake për të shmangur që herët zonat me potencial. Raporte vëzhgimi, sondazhe, gërmime dhe në fund dokumentimi i të gjithave janë proces i përditshëm. Arkeologia Nevila Molla flet për dy varreza të dala në dritë në Korçë, një mesjetare e shekujve XIII-XIV me 150 varre dhe një prehistorike pranë Turanit në Korçë. Në këtë të dytën, mes skeleteve të dala në dritë, është edhe ajo e një “nuseje me diademë” – skeleti ka ende mbi kafkë një diademë, çka flet për një grua që i përkiste shtresës së lartë të popullsisë.

Në këto varre janë gjetur shigjeta, kama, qelq – sqaron Molla.

Jo tërësisht me shaka e pyes profesor Bejkon, nëse zbulimi e dalja në dritë e këtyre varrezave në zonën e Korçës do të ndryshojë kursin e historisë? Bejko qesh, dhe mohon.

“Këto zbulime na tregojnë se nuk ishte rastësi që zona u bë qendra politike e mbretërisë ilire. Qeramika kopjon modelin grek, ndërsa Turani paraqitet me rrjet të zhvilluar shkëmbimesh, ka qelibar që vjen nga Estonia për shembull”.

Zbulimi Dersnikut është ende më i rëndësishëm sipas Lorenc Bjekos. Bëhet fjalë për një zbulim që dëshmon për 6000 vite më parë. Pranë tij kishte një kanal drenazhimi dhe varret janë gjetur pak të dëmtuara, megjithatë, studimet e deritanishme flasin për dëshmi të rëndësishme të neolitit. “Kemi për herë të parë një fshat neolitik dhe kjo është një mundësi që na e jep TAP ta zbulojmë. Sepse ne arritëm që ta gërmonim të gjithë zonën, duke nxjerrë në dritë për shkak të përballimit të shpenzimeve nga TAP hapësira të mëdha dhe struktura të mëdha”.

Bejko shton se si Ballkan, kemi qenë lider kulturor në kontinent. “Nga këto popullsi indoeuropiane kanë gjenezën gjuhët tona, ka shumë dimensione. Ndryshon ekonomia – thotë Bejko – duke shtuar se atëherë lindi koncepti i pronës private, i familjes së organizuar, banesat janë të parat e organizuara. Bujqësia që gjejmë në Dersnik është fillimi i OMGJ, po këtu e ka fillesën në neolit, sepse filloi modifikimin, duke zbutur delen, derrin, dhinë, duke kultivuar grurin e drithërat, nisi të modifikohet”. Është histori interesante, sipas tij. “Është një zbulim i sapopërfunduar, nuk kemi bërë zhurmë për të ende. Nuk ka monumentalitet si zbulim, ka rëndësi për nga përmbajtja. Këtu nis jeta sedentare e shoqërisë. Në këtë rast kemi mundësi për herë të parë ta shohim në shtrirje të gjerë neolitin”, thotë Bejko.

 

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.