KULTURË

IN MEMORIAM/ LASGUSH PORADECI në ditarë e letërkëmbime të panjohura

10:15 - 27.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira Nikolli

Në një ditar ai shënonte me datë çdo takim, çdo mendim, çdo emocion. Në një prej fletëve shënon: “Sot, takova Moikom Zeqon. Pagoi ai. Pimë fërnet Branka”. Fërneti qe ruajtur që nga koha e luftës në turizmin e qytetit, e për ta porositur të dilte nga qilarët e nëndheshëm kur strukeshin kujtimet e moteve të tjera, duhej të ishte vetëm Lasgushi. Në dorë mbante konen e tij, në dorën tjetër shkopin dhe i thërriste drejtorit të turizmit, një gotë fërnet nga ai. “Ju të rinjtë shkruani vargje, por poeti jam unë”, e thoshte, por pa mendjemadhësi. E kishte bindje dhe kishte të drejtë.

***

Në 30 nëntor 2017 mbushen plot 30 vjet nga vdekja e Lasgush Poradecit. Ishte 88 vjeç dhe kishte lindur në 27 shtator 1899, 1 vit para se të hynte shekulli i ri a para se të mbyllte sytë Naim Frashëri. Moikom Zeqo, vëren se jeta e Lasgushit është shumë e çuditshme. “E denjë për penën e Stefan Cvajgut që ka qenë mjeshtër për të përshkruar jetë të tilla të trazuara”.

Lasgushi,-thotë Zeqo,-ka lindur në një familje atdhetare. Babai i tij ka qenë njeriu që hapi shkollën e parë shqipe në Pogradec, menjëherë pas asaj të Korçës. Ka qenë familje intelektuale dhe ai është rritur në këtë atmosferë, atë të librave shqip. Më 1909 shkolla në Pogradec mbyllet, dhe Lasgushi ende i mitur, në moshën 10-vjeçare detyrohet të shkojë për të vazhduar një gjysmë gjimnazi, në Manastir në Maqedoni në gjuhën rumune. Pas këtij dyvjeçari, kthehet në Pogradec dhe shkon me dëshirën e babait, në një lice fretërish francezë në Greqi. Nga mosha 16-vjeçare deri në moshën 20-vjeçare ka qenë në Athinë, ku ka mësuar frëngjisht, greqisht e ka lexuar poetët e mëdhenj francezë, si Bodlerin. Moikom Zeqo thotë se ka parë edhe përkthime nga Bodleri, dhe dorëshkrime poezish në frëngjisht.

LASGUSHI NË RINI

Njohës i shqipes, rumanishtes, frëngjishtes, greqishtes, Lasgushi në moshën 18-vjeçare ishte poliglot.

I ati i vdes dhe i ndërpritet ndihma nga ana ekonomike. Lufta e Parë Botërore është në të mbaruar dhe ai e gjen veten të sëmurë nga tuberkulozi i kockave, një sëmundje që e ka torturuar gjithë jetën. Me nismën e vet, ai shkon dhe takon Sofia Schlimanin, gruan e famshme greke të Henrik Shlimanit, zbuluesit të Trojës dhe kulturës Mikenase(kërkimin për Trojën e pat nisur vetëm nga çfarë kishte thënë Homeri). Pas vdekjes së të shoqit, ajo kishte ngritur një sanatorium, një pavijon i të cilit, ishte pa pagesë, vetëm për të varfrit. “Lasgushi është takuar me Sofinë dhe ky i ka bërë shumë përshtypje asaj. Ka jetuar dy vite në Sanatorium pa pagesë”.

Në moshën 20-vjeçare, shkruan poezitë e para dhe bën vizatimet e para. Pas kësaj moshe, në Bukuresht nis studimin për pikturë ndërsa ndjek edhe shkolla të tjera, si Konservatori i Muzikës, i Drejtësisë, i Letrave. Më 1924 merr një bursë nga qeveria e Fan Nolit për të studiuar gjermanistikë dhe lingusitikë në Grac të Austrisë.

Më 1933, është ndër të parët shqiptarë që doktorohet me një tezë që ka të bëjë me Emineskun. Ndërkaq, ka botuar poetikë më 1933 dhe më 1937- të dytin me ndihmën e Mitrush Kutelit. Me kthimin në Shqipëri, Lasgushi emërohet si profesor i bukurshkrimit dhe vizatimit.

Pas çlirimit punon pak kohë në Institutin e Shkencave dhe më pas ka qenë përkthyes deri në moshën 75-vjeçare, në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Aty ka përkthyer një numër të madh poetësh. Për Zeqon, disa përkthime janë të një niveli shumë të lartë, si për shembull Bërnsi, që për profesor Moikomin është një ndër më të mirat në gjuhën shqipe prej të gjitha kohërave e krahasueshme, vetëm më ‘Rubairat’ e Omar Khajam, përkthyer nga Fan Noli. Ka përkthyer Majakovskin, Adam Miskieviçin, Lermontovin apo Hajnen.

LIBRI
Moikom Zeqo tregon për “GSH” se po shkruan një libër bazuar sipas tij në një material të pabesueshëm arkivor, që është marrë nga arkivi personal i poetit. Ai falënderon publikisht dy vajzat, Kostandinën dhe Marien, që ia kanë bërë të mundur. Është mbështetur edhe nga materiale të botuara siç janë korrespondenca me Mitrush Kutelin, Asdrenin dhe korrespondenca që ka  me gruan e vet, Nafije Memën. E pabotuar prej këtyre, është korrespondenca me Eqrem Çabejn. Në vitin 2002, Zeqo pat botuar një libër-album me imazhe të vizatimeve e pikturave të Lasgushit, si edhe qe nismëtar i ekspozitës së atyre imazheve.

Kur e pyet Zeqon, se çfarë ka të panjohur nga ky material arkivor, thotë se të panjohurat janë shumë. “Lasgushi, ndryshe nga shkrimtarët e tjerë që kanë qenë të pakujdesshëm, për të cilët biografët kanë probleme, ai ka mbajtur ditarë të hollësishëm gati çdo ditë dhe ka shkruar tërë jetën e vet. Ditarët janë të pafund, ka shkruar çdo ngjarje që i ka ndodhur, çdo gjë që ka lexuar, çdo gjë që ka pasur, si reagim të emocioneve të veta”,-thotë ai. Shton se qëllimi i tij ka qenë të jepte një paraqitje më të plotë deri tani për figurën e Lasgushit, mbi jetën e tij, jo një biografi strikte e pedante, por të japë në përgjithësi jetën e tij të çuditshme. Një tjetër ndalesë e Zeqos ka qenë studimi estetik i poezisë së tij. “Për Lasgushin janë shkruar shumë libra. Janë dy llojesh, studimorë, siç është ai i Rexhep Qosjes që ka qenë ndër të parët”. Të parët libra studimorë, kanë qenë ata të Skënder Luarasit dhe Mitrush Kutelit, që e vlerësojnë shumë, por edhe studimi i një profesori, Krist Maloki, që boton një shkrim më 1938 me titullin “A asht poet Lasgushi Poradeci”. Edhe pse kërkon të kritikojë apoeteozën apo lavdinë e tij, të mbivlerësuar, nga dituria që ka, edhe ai është i magjepsur nga Lasgush Poradeci,- thotë Zeqo.

Për të, një vlerësim të saktë nga ana estetike e poezisë së tij, deri tani, sipas Zeqos, nuk ka. Shton se janë bërë më shumë komente, ndërsa për poezitë mistike, janë pak. Ka një frymë panteiste universale. “E sheh frymën mistike në çdo anë të jetës, është poeti më i madh mistik pas Naim Frashërit. Poemat e tij nga niveli artistik janë të nivelit europain, të pakrahasueshme. As (Alfond) Lamartini që ka një poemë të famshme për liqenin, a për figura të historisë së Francës nuk e ka nivelin kaq të lartë mistik sa Lasgushi”. Shton se ciklet e tij bazohen mbi parimin e therorësisë(sakrificës). E gjen atë te “Vdekja e nositit”, një poemë e jashtëzakonshëm simbolike. “Nuk është ‘Albatrosi’ i Bodlerit, sepse albatrosi është i fuqishëm në ajër jo në tokë, ndërsa Lasgushi e ka më të fuqishëm. Ai merret me pelikanin, që në dialekt i thotë nosit. Ka një metaforë të krishterë për të- sipas së cilës, ku i kishte të vegjlit të uritur, çan gjoksin dhe u jep mishin e vet zogjve të vet. Pra, ai është zogu që ushqen me mishtë tij të vetët”.

LETRA, DITARË, KUJTIME        

Lasgushi, ka pasur për Moikom Zeqon, dy binjakë të mëdhenj shpirtërorë: Eqrem Çabejn dhe Mitrush Kutelin. Letrat më Çabejn, tregojnë se si këta donin të ndryshonin tërë kulturën shqiptare, se si donin ta bënin kulturën të nivelit europian. Kjo ka qenë ambicia e të dyve. “Vëllai i dytë shpirtëror është Kuteli. Unë nuk di në pesë shekujt e letërsisë shqipe, që nga Buzuku e deri më sot, duke përfshirë edhe shkrimtarët e sotëm- një pjesë e të cilëve nuk kanë fare letërkëmbim, nuk kanë as marrëdhënie njerëzore, se vetëm zihen e shahen- të kenë nivele kaq të larta epistolare. Lasgushi, Eqremi dhe Kuteli janë shkrimtarë të mëdhenj të epistolarit shqip. Janë shembuj se si mund të shkruhen letrat mes miqve të nivelit të lartë intelektual. Janë të nivelit të lartë europian e këtu unë jam ndalur gjatë, se si shkruanin ata”,-thotë Zeqo. Ka po ashtu edhe letrat me të shoqen, Nafijen, letra të bukura e të çuditshme,-thotë profesori.

Te letrat me Çabejn, kuptohet se janë dhe jetojnë si djem të kohës, visheshin njësoj, mendonin njësoj, janë pothuaj të binjakëzuar në shpirt dhe mendje. Flasin për kulturën, filozofët, flasin për të dashurat e tyre- janë njerëz tipikë europianë të viteve 1930.

Në libër, ai boton edhe disa shkrime të pabotuara të Lasgushit që lidhen me pikturën dhe poezinë si i mendon ai. Një tjetër gjë e re. Janë poezitë e pabotuara të përkthyera prej Lasgushit, shkruar nga Nikolaos Laneu.

RAPORTET ME REGJIMET DHE KUJTIMET ME TË

I pyetur pse ka qenë aq i tërhequr poeti, për Moikom Zeqon, Llazar Gusho ka qenë krejt indiferent në raport me regjimet në vendin tonë. “Është e vërtetë që gjatë pushtimit të Shqipërisë 1939-1944 anon nga antifashistët, sepse boton dy balada për dy dëshmorë të Luftës Antifashiste, Reshit dhe Nikolla Çollaku. Janë dy poema të gjata, por nuk ka pasur entuziazëm politik. Ai përgjithësisht ka qenë njeri i vetmuar. Jetonte 6 muaj në Pogradec e 6 muaj në Tiranë”.

Zeqo e ka njohur personalisht Lasgushin. 30 vjet prej ndarjes nga jeta të poetit, studiuesi që po përgatit një libër për të, kujton edhe takimet. “E kam njohur nga afër. Më vjen mirë që në ditarët e tij, unë jam mbase shkrimtari më i cituar”. E kujton si njeri të çiltër, por jo naiv. “Shumë i ditur. Lexonte pa pushim. E kam njohur kur lexonte Kantin. Kemi bërë edhe biseda për të, por jo biseda politike. Për poetët gjermanë të viteve 1939 kemi folur edhe për poetë të tjerë që ai ka përkthyer”. Kanë folur edhe për “Zambakët” e polakut Miskieviç, për fjalët e gjuhës sanskrite. Janë takuar për herë të parë më 1972, kur Zeqo ishte gazetar i “Dritës”, më pas e pat takuar në shtëpinë e tij, pasi Zeqo njihte bashkëshorten e tij Nafije Mema, që ishte nga Durrësi. Nafija, pat qenë pjesë e konkursit për abetaren duke marrë vendin e dytë dhe madje pat bërë edhe një libër se si mund të mësohet sa më mirë abetarja, duke pasur një qasje didaktike.

E pyes, si ishte në raport me të rinjtë. “Shumë i sjellshëm”,-kujton Zeqo. “Nuk kishte lidhje me poezinë e realizmit socialist. Nuk kishte vlerësim për poetët e shkrimtarët e realizmit socialist. Thoshte se ‘poeti jam unë, ju bëni vargje’. Fliste për Hanjnen e Gëten, tregonte ngjarje e lexime për poetët klasikë”. Mban mend që kanë folur edhe për Mikelanxhelon e Rafaelon, ai e pëlqente pikturën klasike, por jo për pikturën moderne, pasi vlerësonte thjeshtësinë.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Shume gjynah qe poeti dhe artisti i madh jetoi ne kohen e diktatures se eger komuniste ne Shqiperi
    Regjim shtazarak i cili ” me aftesite qe kishte ” , edhe nji grusht diamant, ne nji grusht hekur te ndryshkur e shendronte

    Përgjigju ↓