BLUETOOTH

Rrëfehet modelja, Xheni Bushi: Ju rrëfej vështirësitë që ka modelingu në Shqipëri. Familja është qetësia dhe ilaçi i shpirtit për mua

10:08 - 28.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Egla XHEMALI

Atë jemi mësuar t’a shohim nëpër kopertinat e revistave më të njohura, në klipe dhe duke pozuar para aparatit fotografik si fotomodele. Xheni Bushi vjen në një rrëfim ekskluziv për suplementin “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”. Bukuroshja na tregon për momentin dhe ndjesitë e para kur ka bërë foto profesionale, për bukuritë e vështirësitë e modelingut. Na zbuloi detaje nga ftesa për t’u bërë pjesë e klipit “Bitchi Mesnatës”, si dhe na foli për lidhjen me familjen. Ajo thotë se e do shumë atë që bën e në këtë mënyrë ka arritur t’ia dalë mbanë gjithçkaje. Xheni pohon se e harron pjesën e vështirësisë dhe sheh vetëm të bukurën që i sjell puna. Sa i përket ftesës për të marrë pjesë në klipin e Alban Ramosajt, fotomodelja na tregon se gjithçka ka ndodhur rastësisht. Bushi nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen mund t’a shohim edhe në pasarela. E pyetur për lidhjen që ka me familjen, Xheni na rrëfen se ata janë të vetmit që i falin qetësi. Bukuroshja ka shumë plane për të ardhmen, na mbetet vetëm të presim që t’i zbulojmë ato.


Si je ndjerë në momentin kur ke bërë foton e parë profesionale?
Të them të drejtën, nuk kam fjalë t’a përshkruaj ndjesinë e asaj dite. Mund të them që një dëshirë e imja që e vogël, ndjeva që u bë realitet.
Sa e vështirë është të jesh fotomodele?
Çdo gjë ka vështirësinë e saj, por nëse me të vërtet dëshiron të jesh pjesë e modelingut, atëherë do dish t’ia dalësh mbanë.


A je e detyruar të mbash dietë?
Fatmirësisht unë nuk vuaj nga kjo pjesë, sepse sado ha, nuk shtoj në peshë. (qesh)
Mendon se ka moshë ky profesion?
Patjetër që ka edhe moshë, sepse shohim që çdo ditë po dalin fytyra të reja e të bukura.
Modelingu është po aq i bukur, sa edhe i vështirë. Ti vetë ku e sheh të bukurën dhe të vështirën?
Modelingu ka të bukurën dhe të vështirën, por unë personalisht e harroj pjesën e vështirësisë kur shoh të bukurën që më sjell.
Ndërkaq, të gjithë e njohin Xhenin si fotomodele, për çfarë studion?
Unë momentalisht studioj Infermieri të Përgjithshme. E di që do duket e çuditshme, pasi ndoshta nuk ka të bëjë me modelingun, por s’i dihet, do më duhet më vonë në të ardhmen.


Kush është fotografi shqiptar më i mirë?
Unë jam fotografuar nga Endrit Mërtiri dhe për mua ai është më i miri.
Je pjesë e videoklipit të fundit të Alban Ramosajt, si të erdhi ftesa? Njiheshe më parë me të?
Me Albanin kishte pak kohë që njiheshim dhe pjesa e ftesës ndodhi rastësisht. Ai ishte në kërkim të një vajze, e cila mund të luante rolin që kisha unë në klip dhe vendosi të ma besonte mua. Besoj se e ia kam dalë mbanë më së miri.


Në qoftë se do e ndalje kohën, cilin set do të doje të përsërisje?
Çdo set është i veçantë për mua dhe nuk dua të diferencoj ndonjërin prej tyre, pasi secili ka të veçantat dhe bukurinë e veta.
Xhenin do e shohim vetëm para objektivit, apo edhe në pasarela?
Të ardhmes nuk i dihet asnjëherë, gjithçka mund të ndodh. Mund të më shihni si para objektivit, ashtu edhe në pasarela. Do ia lëmë kohës.
Ndihesh më mirë kur të thonë je simpatike apo inteligjente?
Të jesh e bukur dhe të jesh inteligjente janë dy gjëra komplet të kundërta. Mendoj se bukuria pa zgjuarsinë është diçka boshe. Kështu që ndihem më mirë kur cilësohem si një vajzë inteligjente.


Sa e lidhur je me familjen?
Familja për mua është gjëja më e shenjtë që mund të ekzistojë në botë. Me familjen jam shumë e lidhur, janë e vetmja gjë ku gjej qetësi. Janë ilaç i shpirtit për mua.
A është në një lidhje dashurie Xheni?
A jam në një lidhje dashurie?! Preferoj që jetën private ta lë ashtu siç quhet, “private”.
Cilat janë planet e tua për të ardhmen?
Planet e mia për të ardhmen janë të shumta, por do i zbulojmë më vonë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.