LIFE STYLE

Vlera Lekaj: Infeksionet urinare, ja kategoritë më të prekura

14:55 - 30.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Voltiza Duro

Jemi në një periudhë të ndryshimit të klimës dhe virozat tashmë kanë trokitur. Stina e vjeshtës shoqërohet dhe me shfaqjen e infeksioneve të traktit urinar, duke shkaktuar një gjendje shëndetësore dhe fizike jo të mirë. Në një intervistë të dhënë për suplementin “Life pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja Vlera Lekaj tregon simptomat kryesore të kësaj sëmundjeje, mënyrat e diagnostikimit dhe kategoritë më të prekura. Gjithashtu, mjekja thekson se konsumimi i lëngjeve, racionimi i kripës e aktiviteti fizik janë hapat parandalues për infeksionet urinare.
Çfarë janë infeksionet urinare?
Infeksionet e traktit urinar mund të prekin rrugët e sipërme të tij, duke përfshirë veshkën dhe ureterët ose rrugët e poshtme të tij, vezikën urinare dhe uretrën.
Cilat janë simptomat që tregojnë se individi është prekur nga kjo sëmundje?
Shenjat dhe simptomat më të shpeshta të këtyre infeksioneve janë: urinim i shpeshtë, djegie ose dhimbje gjatë urinimit, dhimbje abdominale, dhimbje mesi si dhe turbullim i ngjyrës së urinës.
Shpeshherë të sëmurët ankohen për një periudhë të gjatë paraprirëse me dobësi trupore, dhimbje kyçesh e kockash, shenja, të cilat përngjajnë me shfaqjen e shumë infeksioneve të tjera në organizëm, duke shtyrë drejt hulumtimeve për të tjera probleme, ndërkohë që kemi një maskim të një infeksioni urinar.
Si diagnostikohet infeksioni urinar?
Infeksioni urinar zbulohet me një analizë të thjeshtë të urinës. Kështu që një dobësi trupore e zgjatur si dhe dhimbje e kockave mund të jetë një moment kur duhet të konsultoheni me mjekun tuaj.
Cilët persona janë më të predispozuar ndaj kësaj sëmundjeje?
Sigurisht që individët, të cilët kanë një predispozicion të caktuar, janë të prirur të preken nga infeksione urinare të shpeshta dhe të përsëritura, pra kronike. Imunodeficenca sigurisht është ndër problemet shëndetësore më të vështira, e cila të përball me infeksione të përgjithshme, të përsëritura ku ndër këto hyjnë dhe infeksionet urinare. Të sëmurët me diabet, gjithashtu, janë të ekspozuar përballë infeksioneve urinare të shpeshta.
A ndikojnë problemet me veshkat në infeksionet urinare?
Problemet me gurët apo grumbullimet kristalore në veshkë, shkaktojnë infeksione urinare kryesisht të rrugëve të poshtme, për shkak se lëvizjet e kristaleve përgjatë rrugëve urinare apo të gurit të veshkës, dëmtojnë mukozën e rrugëve të poshtme urinare duke dhënë dhe një shenjë tjetër, siç është urinimi me gjak.
Si mjekohet infeksioni urinar?
Në një rast të zakonshëm të një infeksioni urinar, pas vërtetimit të prezencës së tij me një analizë të thjeshtë urine, merret mjekimi i duhur, i cili konsiston në një terapi të ndërthurur me antibiotikë, e cila zgjat nga 7 deri në 10 ditë, vitamino-terapi si dhe çajra me përbërje bimore, të cilët ndihmojnë në pastrimin e rrugëve urinare dhe mund të merren dhe më gjatë, si terapi natyrale parandalimi të infeksioneve urinare në të ardhmen. Ndër çajrat më efektivë për pastrimin e rrugëve urinare janë ato me rrënjë hithre si dhe çaji i boronicës.
Po në rastet kur paraqitet më i rëndë, si bëhet mjekimi?
Jo gjithmonë infeksioni urinar kalon lehtë, shpesh herë mund të shfaqet rezistent që në thelb ka një shkaktar pathogen specifici, i cili kërkon një mjekim, po ashtu më specifik. Për të evidentuar pathogenin shkaktar në rastet e infeksioneve urinare rezistente, na duhet të marrim një urokulturë, pra të bëjmë një mbjellje të urinës. Ndër shkaktarët më të shpeshtë është bakteri Escheria Coli, i cili në vetvete ka një specifikë të qenit tepër rezistent dhe i vështirë për t’u çrrënjosur. Në raste të shumta rezistente ndaj mjekimit provohen terapi me lloje të ndryshme antibiotikësh.
Kur shfaqet i komplikuar një infeksion urinar?
Përveçse rezistent një infeksion urinar mund të paraqitet dhe i komplikuar, në rastet kur shoqërohet dhe me infeksione të tjera.
Te meshkujt një infeksion urinar duhet përherë të merret si i komplikuar për shkak të shoqërimit në shumicën e rasteve dhe me uretrite apo prostatit. Si raste të tjera të infeksioneve urinare të komplikuara veçoj dhe shoqërimin e tyre me infeksione mykotike, që kanë shkak Kandidën, dhe si pasoje rekurenca e këtyre infeksioneve është e madhe. Femrat duhet të kenë sidomos kujdes, nëse shenjat e një infeksioni urinar persistojnë edhe pas mjekimit përkatës, të marrin në konsideratë prezencën e një infeksion mykotik.
Si mund të parandalohen infeksionet urinare?
Parandalimi i infeksioneve urinare duhet të ketë një vëmendje të veçantë te çdo individ. Konsumimi i lëngjeve të vazhdueshme, çajrat bimorë ndihmojnë organizmin të vetëpastrohet nga bakteret. Uji sigurisht është kryefjala, kur flasim për konsumim lëngjesh. Çdo person që të ketë hidratimin e nevojshëm duhet të pijë të paktën 2 litra ujë në ditë. Një dietë të posaçme duhet të ndjekin dhe individët që kanë gurë në veshkë apo grumbullime kristalesh. Ku racionimi i kripës dhe ushqimeve me nivele të larta të kripës është një domosdoshmëri për këto raste. Një këshillë praktike është edhe kujdesi gjatë dushit, ku nuk rekomandohet për shpëlarje të zonës intime, përdorimi i shampove, sapunëve apo përbërje të tjera me efekte irrituese. Për një trakt urinar pa probleme, duhet një punë e mirë e veshkës.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Pershendetje znj Vlera!
    E lexova me vemendie artikullin tuaj dhe kerkoj te ndaj me juve kete problem,Pas nje nderhyrje me ane te metodes tur-p ne rrugen urinare ne shba, e cila sipas mjekut ishte e thjeshte vetem zgjerim te rruges urinare, mbasi prostata ishte e vogel vetetn 26 cc, Pas nderhyrjes ne daten 25 korrik 2016 ne fillim te muajt gusht 2016 u shfaq infeksioni dhe sipas urokultures doli bakteria enterococ faekalis Prej gusht 2016 deri ne maj 2018 sipas porosise mjekut jam trajtuar me anti biotike dhe lengje caj etj.por infeksioni eshte i pranishem edhe sot ne trupin tim. Ne maj 2018 sipas urokultures eshte percaktuar nje baktere tjeter me emrin pseudomonas aeruginosa Ne kete rast kam dy pyetje e para a mund te ndryshoje bakteria pas nje terapije te gjate 20 muaj mjekohem per bakterjen enterococus faecalis dhe pas kesaj te dali pseudomonass aeruginosa?E dyta mjeku infeksionist ne shba me sugjeroj te bej nje kure 7 ditore duhe marre tre here ne dite me injeksion intravenos ne cdo tete ore,megjith koston e larte te kesaj kure rreth 1500 $ kur mora pergjigjen se kjo bakterie 100% shkatrohet dhe i kthehem jetes normale e pranova ta marr kete antibiotik e bera pas nje periudhe te shkurtes 1 mujore shqetsimi eshte i pranishem perseri, Urinoj cdo pese minuta dhe shum pak deri 50 ml pas urinimit.Urollogu per mos te shtuar me tej infesionin me ka sugjeruar te vet katerterizohem tre here ne dite prej muajt maj deri tani bej kete por eshte shume e bezdishme dhe ka kosto per ta bere Analiza e urokultures ne maj 2018 dhe e fundit 29.08.2018 me del se eshte e pranishme bakteria pneudomonas aaeruginosa 100000 per m/l urine.Theksoj se perpara nderhyrjes analizat periodike 6 mujore kane qene shume normale dhe skam pasur problem infeksioni asnjehere, vetem mbetje reziduale nga 200 ml deri 400 ml dhe per kete mu rekumandua nderhyrja e cila me ka sjelle probleme te medha shqetsuese Per keto pyetje desheroj nje pergjigje nga ana e juaj ne adresen e imellit.Ju faliminderit per cfar do te beni per mua Me respekt A.Shpuza pensionist

    Përgjigju ↓
  2. Pershendetje, desha nje pyetje nese ma mundesi un kam probleme me urinimin, ndodh ndonjeher duke urinuar me dalin disa copëza te bardha jan ngjitese sikur gel dhe kam shum spermen e dobet dhe ejakulimi shum i shpejt ju lutem me ndihmoni se cfare mund te kem. Ju faleminderit

    Përgjigju ↓