EKONOMI

Të verbrit dhe paraplegjikët nuk marrin shtesat e pensionit. Kjo është një tallje e hapur për ne

11:03 - 31.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Voltiza DURO

Edhe pse kanë kaluar dy muaj, ende nuk është vënë në jetë vendimi për rritjen e masës së përfitimit për të gjithë ata që kanë status invalidi para dhe tetraplegjik apo të verbri. Sipas udhëzimeve të firmosura nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, të publikuara në Fletoren Zyrtare, vendimi duhet t’i shtrinte efektet që prej 1 shtatorit të këtij viti. Individët që gëzojnë statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, sipas udhëzimit të datës 3 tetor 2017, do të përfitonin 10.330 lekë të reja në muaj. Ndërkaq, për personat me statusin e të verbrit, masa e përfitimit do të shkonte 11.730 lekë, e po të njëjtën vlerë do të merrte edhe kujdestari i tij, sipas udhëzimit të botuar në Fletoren Zyrtare në 21 shtator të këtij viti. I raportuar edhe një muaj më parë nga “Gazeta Shqiptare”, ky problem vazhdon të mbetet po njësoj. Pra, për pagesat e muajit shtator dhe tetor, shtesat e pensionit që paracaktoheshin të hynin në fuqi që prej datës 1.09.2017 ende nuk janë hedhur në llogaritë e kësaj kategorie. Shuma totale e shpërblimit mujor për të verbrit ka qenë po njësoj si më parë, pra 11.500 lekë dhe shtesa prej 230 lekësh ende nuk është bërë reale. Në udhëzim nënvizohet se: “Për përfitimet nga statusi i të verbrit”, të ndryshuar, UDHËZOJ: 1. Masa e përfitimit për shkak të verbërisë, e përcaktuar në pikën 4, të vendimit nr. 277, datë 18.6.1997, të Këshillit të Ministrave, bëhet 11.730 (njëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e tridhjetë) lekë në muaj. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i të verbrit”. I pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, Shpëtim Memia, drejtues i degës së Shoqatës së të Verbërve në Tropojë, bën me dije për “GSH” se për muajin shtator ende nuk ka marrë asnjë masë përfitimi shtesë, ndërsa shpreson që shtesat të jepen për të dy muajt së bashku në nëntor. “Totali që mora në shtator ishte vetëm 115 mijë lekë të vjetra. Por, edhe sikur të ishte hedhur kjo shtesë, është qesharake. Është një tallje e madhe që po na bëjnë për vetëm 2300 lekë të vjetra. Këtë ‘nder’ që po na bëjnë, unë nuk e quaj dot shtesë pensioni. Por edhe këto lekë ende s’po i marrim, shpresojmë tani në nëntor”, – thotë Memia. Ndërkohë, Agim Gjonça një prej qytetarëve që gëzon statusin e invalidit, tregon se ditën e djeshme është drejtuar pranë postës për të tërhequr pagesën, por edhe për muajin tetor shtesat nuk janë bërë reale. “Kam 2 muaj që marr ende pagesën e vjetër, në një kohë që shtesat nuk e dimë se kur do na jepen. Trumbetojnë me të madhe, por asgjë reale”, – thotë Gjonça. Ndërkaq, në udhëzim citohet se: “Për përfitimet nga statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, UDHËZOJ: 1. Masa e përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të përcaktuar në pikën 4, të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 31, datë 20.1.2001, bëhet 10.330 (dhjetë mijë e treqind e tridhjetë) lekë në muaj. 2. Masa e përfitimit për kujdestarin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të përcaktuar në pikën 4, të vendimit nr. 31, datë 20.1.2001, të Këshillit të Ministrave, bëhet 10.850 (dhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë) lekë në muaj. Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga 1.9.2017″. Kategoritë e sipërpërmendura shprehen se që prej vitit 2010 nuk ka pasur më rritje reale të masës së përfitimit nga statusi që gëzojnë, por thjesht indeksim për të ruajtur po atë nivel pagese.


Agim Gjonça
“Rritja e pensionit, joreale”
“Ditën e djeshme jam drejtuar pranë postës për të tërhequr pagesën, por edhe për muajin tetor shtesat nuk janë bërë reale. Kam 2 muaj që marr ende pagesën e vjetër, në një kohë që shtesat nuk e dimë se kur do na jepen. Trumbetojnë me të madhe, por asgjë reale. Shteti prej kohësh shkel të drejtat tona”, – thotë Gjonça.


Indrit Losi
Shpresojmë t’i japin shtesat
“Shkova në fillim të muajit shtator të tërhiqja pensionin dhe mora vetëm 11.500 lekë të reja, e nuk pashë shtesën prej 2300 lekësh të vjetra që është bërë. Shpresojmë shumë që të na i japin në nëntor. Por, dua të theksoj faktin se që prej vitit 2010 nuk kemi parë asnjë rritje reale të masës së përfitimit tonë”, – tregon Losi.


Musa Bashmilli
Nuk kam marrë asnjë shtesë
“Pas apelit që bëra në ‘Gazeta Shqiptare’, arrita të mbledh ndihma dhe borxhe dhe të operohem. Tashmë mund të orientohem paksa për të lëvizur. Ndërsa për rritjen e pensionit, shpresoj që t’i marr në nëntor nga data 6 ose 7. Në shtator nuk kam marrë asnjë pagesë shtesë, kështu që ende jemi në pritje”, – shprehet Bashmilli.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.