KULTURË

Rrëfimi i Zhitit: Nata e poetit disident rus në dhomën ku u vra Mehmeti dhe zv.kryeministri që ngriti dolli për prostitutat

11:52 - 01.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




“Ndiej nevojën e një rrëfimi, si në kishë, i gjunjëzuar para ikonës… së tim biri. Ai nuk do të më përgjigjet, e ka të pamundur tani… ah! Dhe e di, radhën do ta kishin çështje të tjera… që më therin shpirtin, por nuk do të hapja dot gojë, më ka ngrirë. Atëherë ky rrëfim do të jetë arsye për të folur, ndërkaq plotësoj edhe njërën nga porositë. Poeti sipas Atjonit. Mbase këtu duhet të mbetem”.

Nëpërmjet kësaj trinie përmblidhen këtu një sprovë e thukët, shoqëruar me brilante nga krijimtaria e Jevtushenkos, si dhe një përshkrim udhëtimi në vendin e tij me frymëzime nga andej, të përziera si rrallëherë në një libër. Ky takim dritëhijesh, që vazhdojnë dhe në të përtejmen, përbën një përsiatje për të kuptuar më mirë veten si një e vërtetë dramatikisht e bukur”, njofton botuesi për librin e ri të Zhitit. Diktatura, letërsia, prapaskenat politike, miqtë dhe “armiqtë” mbushin vizitën e “të ndaluarit”, Jevtushenkos, në Shqipëri.

Në morinë e rrëfimeve dhe mendimeve të Zhitit për sa më sipër, po shkëpusim disa faqe mbi raportin e Enver Hoxhës me artin dhe letërsinë, si e përdorte për qëllimet e veta, vizitën e Jevtushenkos në Tiranë dhe natën në vilën e ish-kryeministrit të vetëvrarë. Në rrjedhën e rrëfimeve, Zhiti shkëput edhe dy momente që e kanë lidhur me Edi Ramën artist dhe kryeministër; dikur në Lushnjë, kur Visari punonte në një fabrikë tullash dhe në kohën kur diskutohej emërimi i tij si ambasador i Shqipërisë në Vatikan.

 

PJESE NGA LIBRI

VILA E KRYEMINISTRIT

 

– Jam i pari shkrimtar rus që vizitoi Shqipërinë pas rënies së Murit të Berlinit, – kështu do të më thoshte Jevtushenkoja, jo pa mburrje, larg, në një vend të huaj e mbase ai ishte dhe shkrimtari i parë i huaj që, ndërsa perandoria komuniste binte, shkelte vendin tonë, por edhe i fundit, thashë me vete, kur diktatura ishte zëvendësuar me një qeveri teknike, mes varfërisë dhe kaosit. Më ngërtheu një si trishtim atëherë, kur lexoja lajmin e asaj vizite dhe s’ndodhesha në atdhe.

Ishte hera e parë që dilja jashtë vendit dhe po vazhdoja i trallisur një specializim gazetarie në Itali. Në Tiranë ishin shpërthyer portat e ambasadave dhe ishin dyndur njerëz që donin të iknin, ndërsa në portin e Barit kishin zbarkuar mijëra bashkatdhetarë të mi, me ato anijet fantazmë, të rrëmbyera, dhe në të gjitha stacionet kryesore televizive të botës jepeshin imazhe dramatike të këtij eksodi të pabesueshëm.

Nuk doja të kthehesha aq shpejt, por atje isha njohur me Edën dhe s’dija ç’do të bënim, asaj i qe dhënë e drejta të vazhdonte studimet universitare, i kishte me shumë qejf, megjithëse Amerika ishte ëndrra e saj, atje ku kishte të afërmit e arratisur që gjatë luftës dhe i vëllai i kishte ikur me eksodin, kurse unë, po të donte ajo, do të përpiqesha se mos vendoseshim në Itali, në Milano, se… asgjë nuk kishim të sigurt. Por unë s’isha ngopur ende me atdhe, me lirinë e tij dhe timen, të isha dhe unë pjesë e rimëkëmbjes. Është mirë të punosh për vendin tënd, më thoshin miq italianë, ti atje duhesh tani… Eh, duhej të vendosnim me Edën se ç’do të bënim.

Poeti Yevgeny Yevtushenko

Po ne s’kishim as shtëpi… Dhe Jevtushenkoja po na vinte për një vizitë. Jo, jo, i vinte Shqipërisë dhe unë s’do të isha aty. Më dukej si një padrejtësi që ia bëja vetes. Vinte ai, i ndaluari. Mirë dhe kështu, se ky që do të vinte, do të ishte Jevtushenkoja tjetër dhe jo ai imi i qelive të burgut. Gjithsesi duhej ta takoja. S’ka gjë, ja, do ta shihnin të tjerë. Po unë do t’i thosha që jam dënuar për ty, për poezitë e tua, por mbase ia thotë ndokush, shok imi…

…Më shumë u ngazëllye me Pazarin e Ri në Tiranë, qe çlodhur nga bezditë e pritjes zyrtare, zhurmat demokratike, nga tronditja që i kishte shkaktuar varfëria, “më e madhe se në Rusi”, kështu kishte thënë, të cilën e dinte më të varfrën në botë. Por ja që ka më të varfër se më të varfrit.

Këtë vend e paskan drejtuar kriminelë, iu kthye me mllef të qetë Londos. Në Pazarin e Ri kishte vajtur vetëm, herët në mëngjesin e freskët të atij dhjetori aq të butë. Shitësit e paktë kishin hapur mbi tezgat e lagështa prodhimet e stinës: patate, qepë, mollë, bulmet, më tej zogj, pula, mishra të varura. Gjindja e kishte njohur, po e thërrisnin në emër: Jevtushenko, Jevtushenko, çudi!.

Ndokush dhe donte t’i jepte ndonjë frutë, mollë a gjelin, ta përqafonte… Lavdia, njohja si kishin arritur deri këtu, me ç’magji? Një natë më parë e kishin parë në televizor, kishte dhënë një intervistë të gjatë dhe kaq mjaftonte për t’u miqësuar me të. Jemi me poetin disident, e nisi bisedën e saj gazetarja. As jam dhe as më duhet, i kishte mërmëritur Jevtushenkoja Londos, që do të përkthente… Ecte me hapa të gjatë përmes Pazarit të Ri dhe përshëndeste me dorë a duke tundur kryet leshradrejtë, që, edhe pse të rralluara, në ngjyrën gri të ditës, ia arrinin ballin.

Kështu po e përfytyroja. Diku dhe do të ndalej. Për aq sa donte, merrej vesh. Dhe do të zbërthente kopsat e xhaketës a do ta hiqte fare. S’është dimër ky këtu. Që e joshnin pazaret, kuptohet dhe nga poezia e tij “Pazari i Samarkandit”, e kisha sjellë në shqip, që kur isha student. I kishin pëlqyer dhe studiot e piktorëve në Tiranë, por sidomos buka thatë me djathë. Ma gjej, e dua patjetër, ndiej pështjellim në stomak. Më thanë se i kishte pëlqyer Jugu, deti… Jevtushenkoja kishte bujtur në “Bllok”, jo shumë larg vilës së diktatorit Enver Hoxha.

Ndoshta do të kishte dashur ta vizitonte, të shihte dhe telefonat, ku Stalini nga ferri e merrte për t’i dhënë porosi, por jo, ajo vilë ende mbahej mbyllur dhe e çuan të flinte në vilën e kryeministrit të (vetë)vrarë, të Mehmet Shehut. Janë interesante përjetimet e ndryshme në atë vilë misterioze. Zgjime natën, rënkime të përgjakura, ikje për të mos u kthyer më. E dija se atje kishin bujtur dhe të tjerë, me famë, pa famë, që kishin ardhur për vizitë në Tiranë. Nga ata që njihja unë, shkrimtarit nga Prishtina Adem Demaçi, i njohur për burgjet e gjata në ish-Jugosllavi, pas gjumit aty a mosgjumit, sikur iu trondit ca sindroma e mbetur e enverizmit, kështu m’u duk, si me tjetër ankth. Edhe Mentor Çoku, president i Unionit Islamik për Perëndimin në Romë, sikur donte të fliste për natën që kaloi aty. Në zë kishte një si triumf mbi jezitin.

Kurse shkrimtari-shkencëtar, argjentinasi me origjinë arbëreshe nga njëri gjysh, Ernesto Sabato, e refuzoi atë fjetje aty dhe kërkoi ta çonin në një hotel çfarëdo. Kujtoj piktorin Ibrahim Kodra, e shoqëroja unë si diplomat i Ambasadës sonë në Itali, por edhe si mik. Ne, pjesëtarët e grupit, u shpërndamë nëpër mjedise të ndryshme të vilës, por Mjeshtrit Kodra nuk i thamë që ndodhej pikërisht në dhomën ku vrau veten kryeministri, se me siguri do të zemërohej keqas si besëtytë që ishte.

Teksa endesha mesoreve aty, mundohesha të gjeja se ku mund të ishte tuneli i nëndheshëm nga duhej të kishte dalë vrasësi i kryeministrit. Po dhoma e djalit të tij të vogël, Bashkim Shehut, ku ishte? E njihja që atëherë, e doja edhe si shkrimtar, edhe si bashkëvuajtës, kishte një mirësi të pandryshueshme.

Qeshja kur më tregonte shkrimtari Ylljet Aliçka ndodhinë me aktoren Annie Girardot, bashkëshorten e aktorit italian Renato Salvatori, e ftuar nga Ministria e Kulturës. Kur kishin vajtur për ta marrë në vilën kryeministrore, që të vazhdonin programin, vizita a xhirime, nuk e di, ajo, e sapodalë nga dushi, me peshqirin e madh të hedhur mbi trup, kur i thanë për ta habitur nëse e dinte që kishte bërë gjumin e pasdites pikërisht në dhomën ku kishte vrarë veten kryeministri i vendit, qe habitur vërtet, madje tmerruar. Ashtu me peshqir, lakuriq, doli nga vila, vrapoi rrugëve e s’u kthye më. Dhe darka e përcjelljes së Jevtushenkos aty në atë vilë u bë.

Ishte dhe ambasadori rus. Patjetër dhe Dritëro Agolli, kryetari i shkrimtarëve shqiptarë. Kadareja kishte kërkuar azil politik në Francë. Zëvendëskryeministri i qeverisë teknike, gjysmë i dehur, kishte ngritur një dolli për poetët dhe prostitutat, dy kategoritë njerëzore ku ai kishte miqtë. Gjysma e darkëtarëve ishin gra, ulën kryet. Jevtushenkoja u bë më ironik.

Buzëqeshte ftohtë, përgjysmë. Të nesërmen në aeroport do t’i thoshte Londos se kishte marrë vesh që shqiptarët ishin të sëmurë. Nga se, e pyet Bardhi me shpoti të pakuptimtë. Nga marrëzia e protagonizmit, e madhështisë, ia ktheu Jevtushenkoja, se mbrëmë dëgjova gjithë ata ministra e shkrimtarë që thoshin, secili për veten e vet, se kishte sjellë demokracinë. /Panorama

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.