Intervista

Intervistë ekskluzive me ambasadorin, Selim Belortaja. Marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Kinës

10:54 - 02.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Nga Genc MLLOJA




Selim Belortaja, ambasadori i Shqipërisë në Kinë ka qenë vëzhgues i hollësishëm i Kongresit të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës. Por, si e ka parë ai këtë ngjarje, cilat janë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës, ato politike dhe ekonomike…? Në intervistën dhënë për gazetarin Genc Mlloja, ambasadori shqiptar në Kinë tregon gjithçka përtej asaj që duket.
Cilat do të nënvizoni si tipare të veçanta të këtij Kongresi të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës?
Ka disa të veçanta: së pari, ky ishte kongresi i shpalosjes së hapur, pa rezerva të fuqisë dhe potencialit të Kinës si shtet, si ekonomi e si model sistemi shoqëror deri dhe si forcë ushtarake. Për shumë e dekada, në planin ndërkombëtar, Kina ka mbajtur një profil të rezervuar pretendimesh lidhur me staturën e saj dhe fuqinë e saj. Ajo është mjaftuar të kthehet nga vetja, të përveshë mëngët, të kapërcejë stadin modest të zhvillimit dhe t’u japë zgjidhje problemeve më të ndjeshme në jetën e përditshme. Është përqendruar në reformat e brendshme dhe në mirëqeverisjen, në forcimin e ekonomisë, shkencës, teknologjisë, kulturës pa shumë zhurmë e pa deklarata të forta. Ndryshe ndodhi në këtë kongres. Xi Jinping tashmë i rikonfirmuar Sekretar i Përgjithshëm i PKK e dytë, ka të bëjë me vizionin dhe projektimin e së ardhmes. Ndryshe nga më parë, ky kongres vendosi piketa të mëdha e ambicioze afatgjatë. U piketuan stacione stadesh zhvillimi të shpejtë jo më brenda 5-vjeçarit, por brenda disa dekadash deri në 2050, me stacion të parë “zhvillimin e një Kine përgjithësisht të begatë” dhe pastaj ndërtimin e një Kine “të epokës së re” me objektiv avancimin e Kinës drejt “qendrës së skenës” që do t’i mundësojë “kontribut më të madh ndaj njerëzimit”. Synimi madhor afatgjatë -mbetet ripërtëritja e kombit kinez, “në mënyrë që ai të zërë vendin e merituar në familjen e kombeve”. Një veçori tjetër është konfirmimi i modelit të “Socializmit me karakteristika kineze”, si një model i suksesshëm dhe funksionues i demonstruar qartë në realitetin e zhvillimit të Kinës dhe ruajtja dhe forcimi i tipareve të tij në të ardhmen. Pastërtia morale e udhëheqjes, lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe përkushtimi absolut ndaj interesit e nevojave të popullit të thjeshtë mbetet një tezë themelore e nënvizuar fort nga kongresi. Ndërsa aspirata për një rol të ri proaktiv të Kinës në skenën globale ishte një tezë që përshkroi gjithë kongresin. Të gjitha këto shoqëruar me një paketë të gjerë direktivash më konkrete.
Dhe ndoshta e veçanta më e spikatur ishte jo thjesht rikonfirmimi i Xi Jinping si Sekretar i Përgjithshëm (këtë askush nuk e vinte në diskutim as brenda as jashtë Kinës), por çimentimi i staturës së tij si lider i veçantë me vizion, cilësi e dimensione të tjera udhëheqëse. Kjo kulmon me vendosjen e referencës mbi “Idetë e Xi Jinping për socializmin me karakteristika kineze për një epokë të re” -në statutin e partisë. Kjo gjë nuk ka ndodhur me kryetarët në detyrë – që nga koha e Kryetarit Mao.
Ajo që na ra në sy nga ndjekja prej larg e kongresit ishte interesi i madh i medias ndërkombëtare. Rrallë kemi parë pamje të tilla, me qindra reporterë që ndjekin çdo gjë me vëmendje të pazakontë.
Kjo ishte një tjetër veçori e këtij eventi që do të ketë jehonë afatgjatë.
Vëmendja e jashtëzakonshme me të cilën u prit dhe u përcoll Kongresi i 19-të i PKK ishte e pritshme. Ajo flet, së paku, për tri-katër gjëra: 1. që Kina edhe nga analistët më skeptikë po shihet tashmë si një vend i fuqishëm me një shtet funksionues dhe qeverisje efikase. 2. se, edhe pse statistikisht raportohet si vend në zhvillim, pranohet nga të gjithë ekonomia kineze është superproduktive, konkurruese dhe sidomos dinamike. 3. se Kina është bërë padyshim një realitet jo vetëm i pranishëm, jo vetëm i rëndësishëm, por në shumë aspekte edhe dominues në skenën globale. Dhe së fundi tregon se lideri dhe Presidenti Xi Jinping është afirmuar tashmë plotësisht jo thjesht si figura më e fuqishme politike, por edhe si udhëheqësi me një personalitet të madh transmformativ.
Analiza mediatike ndërkombëtare është përqendruar më shumë në aspektin formal të përdorimit të termave kyçe të kongresit, të shpalosura sidomos në raportin gjithëpërfshirës të presidentit Xi Jinping, si hyrja e Kinës në një “epokë të re”, “ripërtëritje e kombit kinez”, “sukses i socializmit me karakteristika kineze”, ndërtimi i një shoqërie përgjithësisht të begatë”, Kina si “fuqi e madhe”, “rol qendror” në skenën ndërkombëtare, etj. Por unë mendoj se ato duhen parë në ballafaqim me realitetin e Kinës, potencialit dhe rolit të saj real sot. Dhe në se shihen kështu terminologjia është krejt normale.
Vendin kryesor në kongres, sidoqoftë e zinte raportimi i arritjeve të deritanishme të Kinës sidomos në fushën ekonomike e shoqërore, nga modernizimi teknologjik deri te zbutja e varfërisë. A nuk është kjo një tematikë ekzekutive më shumë se sa partiake?
Besoj, së paku, për ne shqiptarët për shkak të historisë, kjo situatë është krejt e kuptueshme. Partia Komuniste e Kinës nuk është thjesht një forcë ideore, edukuese dhe frymëzuese. Ajo është edhe motori edhe sistemi i drejtimit të shoqërisë kineze. Për një parti me rol të padiskutueshëm dominues në jetën e Kinës, në politikat zhvillimore të saj dhe në fund të fundit në sukseset e lexueshme të saj në shumë aspekte, është vështirë që raportimi dhe analiza e partisë të ndahet nga ajo e qeverisjes ekzekutive dhe arritjeve.
Kjo shkrirje duket qartë qysh nga titulli i raportit të Xi Jinping: “Garantimi i një fitoreje vendimtare në ndërtimin e një shoqërie përgjithësisht të begatë në çdo aspekt dhe përpjekja për triumfin e socializmit me karakteristika kineze për një epokë të re”.
Cilat janë disa nga arritjet kryesore të Kinës së sotme që u evidentuan nga kongresi?
Për këtë flasin më mirë shifrat. Një vend që edhe mes krizës globale arrin të ruajë ritmin 6-7% të rritjes ekonomike, me GDP që dyfishohet çdo 10 vjet, që për 5 vjet rresht ka hapur 13 milionë vende pune në vit (urban jobs), me 60 milionë njerëz të nxjerrë nga varfëria (linja e varfërisë sipas standardit të Kinës) në 5 vjet.
Me 300 milionë njerëz të shndërruar tashmë në “shtresë e mesme”, duke garantuar një treg të brendshëm kolosal, me aftësi eksporti të jashtëzakonshme e dominim të disa tregjeve, me burime natyrore e kapacitete njerëzore të pafund, nuk ka si të mos imponojë edhe vëmendje dhe respekt të posaçëm ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, duket që rezultatet përcillen mjaft mirë te çdo individ dhe qytetari kinez po ndjen epërsinë e rritjes, zhvillimit të shpejtë dhe si rezultat, punësimit dhe të ardhurave, po ndjen epërsinë e shërbimeve publike -që nga sigurimi shëndetësor e pagesa komode kudo nëpërmjet celularit e deri te “shared services”, si mjetet e larmishme të transportit me zgjedhje individuale.
A është çdo gjë rozë në Kinë, dhe sa e hapur është udhëheqja e atij vendi t’i evidentojë problemet që shqetësojnë segmente të gjëra të një popullsie prej 1.4 miliardë banorësh?
Sigurisht që vështrimet, vlerësimet dhe interpretimet ndërkombëtare janë të ndryshme. Sigurisht ka probleme të trashëguara e të zhvillimit. Por interesante është se vetë udhëheqja kineze në raport me problemet pranon të jetë mjaft realiste. Ajo nuk thotë se Kina nuk ka probleme. Përkundrazi udhëheqja pranon se edhe në bazën teorike nevojiten ndryshime. Një ndryshim i tillë ishte p.sh. ai mbi identifikimin e kontradiktës themelore në Kinën e sotme dhe nevojën për zhvillim të balancuar. Edhe më parë, vetë Xi Jinping, në disa fjalime të tij, përfshi atë në Seatle të ShBA vitin e kaluar i ka bërë prezent këto mungesa ekonomike e sociale që ende vazhdojnë të jenë prioritet. Edhe të ardhmen presidenti Xi nuk e pikturoi aspak si një fushë me lule.
Ai tha këto janë objektivat dhe ambicia jonë, por tha edhe se arritja e tyre në etapat 2021 dhe 2049 kërkon sakrifica të mëdha, punë të palodhur nga cilido e sidomos kërkon luftë të pareshtur kundër korrupsionit dhe devijimit nga misioni i qeveritarëve, partiakëve dhe drejtuesve.
Përmendët luftën kundër korrupsionit. A ka të dhëna se si luftohet ai në Kinë?
Është për t’u theksuar se ka transparencë në luftën pa kompromis kundër korrupsionit, e forcuar dukshëm nën udhëheqjen e Presidentit Xi dhe e hapur për opinionin e brendshëm dhe të huaj. Bie në sy se gjërat thuhen konkretisht.
Burime të ndryshme thonë se janë ndëshkuar mbi 1 milion zyrtarë të vegjël e të mëdhenj, se edhe nga Komiteti Qendror i PKK janë arrestuar 18 vetë ose 9% e gjithë KQ, e dënuar shumë ashpër deri tani 6 prej tyre. Raporti i Xi garanton se në luftën antikorrupsion nuk do të kursehet askush dhe se do të goditen pa mëshirë si “tigrat”, ashtu dhe “mizat” dhe “dhelprat”. Kjo luftë shihet si një parakusht i domosdoshëm për të garantuar qeverisje të moralshme, të dedikuar dhe arritjen e objektivave shumë të vështira e ambicioze.
Si Shqipëri, si duhet ta shikojmë këtë fazë të re në të cilën po hyn Kina sa i përket bashkëpunimit ekonomik kur dihet tashmë potenciali i madh i saj, por edhe ‘agresiviteti’ për të investuar në projekte të rëndësishme në Europë, sidomos në atë Lindore, por edhe në Ballkanin Perëndimor?
Mendoj se ne, shteti e qeveria shqiptare, duhet ta ndjekim me vëmendje këtë etapë të re të zhvillimit në Kinë dhe programin e udhëheqjes së re të dalë nga Kongresi i 19-të.
Kemi bërë shumë mirë që u jemi bashkuar platformave të rëndësishme të iniciuara nga Kina si “Një brez, një rrugë” dhe “16 + 1”. Por duhet dhe shumë punë konkrete. As nismat e mësipërme, as bashkëpunimi tradicional dypalësh nuk ofrojnë më “dhurata”.
Përfitimi prej tyre mund të vijë vetëm përmes modelit “win-win”- pra nëpërmjet planbizneseve e projekteve me interes të ndërsjellë. Jo thjeshtë për dy qeveritë, por edhe për operatorët e biznesit konkret.
Duhet ta marrim shumë seriozisht sidomos paraqitjen e paketave e projekteve të posaçme të përshtatshme për bashkëpunimin Shqipëri-Kinë. Kjo sigurisht nuk është një punë e lehtë, sepse Shqipëria nuk është më “vendi i parapërzgjedhur”. Ne duhet të konkurrojmë ashpër me të tjerët, me fqinjët tanë e përtej.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.