SPORT

Armand Duka: Nuk e di në do të rikandidoj. Kreu i FSHF-së është i dyzuar për të ardhmen e tij

09:46 - 04.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Jeton SELIMI




A ka frikë Armand Duka? Kjo është pyetja që shumica e protagonistëve të futbollit shqiptar, por edhe mediet dhe futbolldashësit, po bëjnë në këto ditë nëntori, kur lufta për kreun e FSHF-së ka nisur më shpejt se kurrë. Në medie janë përmendur emra deputetësh si kandidatë të mundshëm kundër Dukës për zgjedhjet e marsit, ndërkohë që kritikat ndaj tij kanë shtuar ethet (sidomos nga Partizani dhe Flamurtari). Presidenti aktual i FSHF-së, gjithsesi, nuk e jep veten. I stërvitur me pyetjet e gazetarëve dhe presionin, në intervistën ekskluzive të dhënë për “Citynews” ai shprehet se sulme ka pasur, por jo me bazë të fortë. 55-vjeçari, i cili ka një dekadë e gjysmë që mban fronin (pa më të voglën metaforë) e futbollit shqiptar, praktikisht pranon se do të rikandidojë dhe se pret kritika nga të gjitha palët. Ai flet edhe për trajnerin Kristian Panuçi, çështjen e gjyqtarit Lorenc Jemini dhe jep argumentet kryesore në favor të tij para zgjedhjeve të marsit.
Rezultatet e Kombëtares me Kristian Panuçin nuk kanë qenë pozitive në Eliminatore, por tashmë po vjen miqësorja me Turqinë. A jeni i bindur nga aftësitë e tij?
Për trajnerin jam shprehur edhe në bilancin e Eliminatoreve në një bisedë që zhvilluam me mediet. Them se në katër ndeshjet me të në stol skuadra më ka bindur dhe jam i kënaqur. Madje, në ato katër ndeshje meritonim ndonjë pikë më shumë.
Thuhet se e keni zgjedhur vetëm se nuk ka kërkuar pagë të lartë.
Jo, nuk ekziston aspak çështja financiare. Mua më bindi grinta e tij për të kthyer nervin e skuadrës së Evropianit, që kishte vdekur pas paraqitjes sonë në fazën finale të “Euro 2016”-s.
Po për gjyqtarin Lorenc Jemini, ç’mund të na thoni? Ai pretendon se kurrë nuk mori një përgjigje zyrtare për largimin e tij dhe tani është dorëzuar. Si qëndron e vërteta?
Për Jeminin mendoj se sektorët përkatës kanë komunikimet e tyre me gjyqtarët dhe jo vetëm me Jeminin. Në rastin konkret, ai ka qenë i pezulluar nga komisionet në pritje të një vendimi tjetër. Një çështje e tillë nuk e di pse ka marrë një kamuflim kaq të madh mediatik.
Kalojmë te tema më nxitëse e këtyre javëve, zgjedhjet për kreun e FSHF-së. A do të rikandidoni në mars?
Kjo është një pyetje që i përket mbase një momenti tjetër. Duhet të kem kontaktet me komunitetin e futbollit, anëtarët dhe pastaj do të marr vendimin tim.
Dakord, por do të doja një përgjigje më të prerë.
Mendoj se në momentin më të përshtatshëm do të njiheni edhe me vendimin tim. Ju siguroj se do të bazohet tërësisht nga vullneti i anëtarëve për të vazhduar bashkëpunimin e mëtejshëm.
Nuk po bëj “trimin”, sidomos, sepse së fundmi jeni sulmuar më shumë se kurrë. Ndiheni nën presion?
Ju i quani sulme, por në shumicën e rasteve janë më shumë amplifikime pa një bazë të vërtetë. Në situata të tilla, në prag të vitit zgjedhor, e pranoj se nuk është se kanë munguar. Unë jam shumë i hapur për çdo kritikë të shëndoshë në aspekt të punës së FSHF-së, madje çdo gjë e tillë është produkt i një analize të mëtejshme.
A druheni se do të ndërhyjë politika, siç ka ndodhur edhe më përpara? Përfliten dy deputetë si kandidatë kundër jush.
Jam i prirur të besoj se politika do të vazhdojë të jetë pranë futbollit në aspektin e investimeve, por edhe atë të mbështetjes ligjore. Për çdo emër që del dhe që kërkon të garojë, edhe pse jemi ende herët dhe asgjë nuk është zyrtare, çdo gjë është e lirë dhe FSHF-ja do të respektojë kandidaturën e gjithkujt që kërkon të japë kontributin e tij.
Konfirmimin për rikandidimin e dhatë. Me çfarë argumentesh e mbroni veten për zgjedhjet?
Për zhvillimin e futbollit shqiptar argumentet janë të shumta dhe po ju përmend disa prej atyre që janë bërë fakt i kryer. E nisim nga ekipi kombëtar A, për të kaluar tek infrastruktura dhe investimet, rritja e numrit të tifozëve në stadiume, projektet e shumta për masivizimin dhe deri tek afrimi i fëmijëve me futbollin. Çdo vit e më shumë jemi më të pranishëm në çdo pjesë të Shqipërisë, me futbollin dhe projektet tona në të gjitha moshat.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.