EKONOMI

Kanali në fshatin Stajkë të Shkodrës, vatër infeksioni. Banorët: Shëndeti ynë është në rrezik

09:36 - 06.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Voltiza DURO

Prej shumë kohësh banorët e fshatit Stajkë të Vaut të Dejës në Shkodër duhet të bashkëjetojnë përditë me mbetjet e hedhura në një kanal vetëm 50 metra larg shtëpive të tyre. Në një prononcim të dhënë për “Gazeta Shqiptare”, ata tregojnë të shqetësuar se kjo situatë e padurueshme është kthyer në rrezik për shëndetin e banorëve që jetojnë në ambientin përreth. “Prej 5 vitesh fabrika e peshkut që ndodhet afër fshatit tonë i depoziton mbeturinat në këtë kanal. E për më tepër nuk hedhin vetëm mbetjet e peshkut, por edhe shumë acide që janë kthyer në një rrezik për ne. Kemi frikë se mos fëmijët afrohen te kanali e marrin ndonjë sëmundje”, – shprehet i revoltuar njëri prej banorëve. Në fshatin Stajkë jetojnë mbi 2000 banorë, por më tepër nga kjo problematikë preken rreth 40 shtëpi, që ndodhen më afër këtij kanali, i cili është shndërruar në një vatër infeksioni. Familjet përreth tregojnë se para disa vitesh ky vend ka shërbyer jo vetëm për argëtimin e fëmijëve, por edhe si një burim për të kapur peshk. Por, sot nuk ka mbetur asgjë përveç mbeturinave, që nga momenti në moment mund të shkaktojnë ndonjë epidemi për banorët e zonës. “Më parë ne, te ky mini-liqen mund të laheshim, të kapnim peshk dhe fëmijët e kishin si të vetmin argëtim ku mund të luanin. Por tashmë ju mund t’i shikoni vetë plehrat që ka hedhur këtu fabrika e peshkut dhe stalla e derrave, që bëjnë biznes në këtë zonë. Peshqit nga acidet e mbetjet e shumta kanë ngordhur e shëndeti ynë është në rrezik. Kërkojmë sa më shpejt një zgjidhje nga institucionet përkatëse”, -tregon një tjetër banor për “GSH”. Mbetjet e depozituara në këtë kanal po shkaktojnë një erë të keqe e të padurueshme për familjet e Stajkës. Madje, ata që jetojnë rreth 50 metra larg kanalit tregojnë se shpeshherë duhet të mbyllin dyer e dritare që të mos e ndjejnë aromën e keqe. “Çdo ditë e më shumë kjo erë po na merr frymën. Është e padurueshme, na duhet të mbyllim dritaret sepse po helmohemi, vjen një erë e qelbur. Të vihen në lëvizje përgjegjësit dhe të na japin zgjidhje, sepse do sëmuremi. Është një problem shumë i madh dhe askush nuk po e vë ujin në zjarr”, – shprehet plot shqetësim një tjetër banor. Sipas tyre, fabrika e peshkut që ushtron aktivitetin në këtë zonë, shumë herë ka bërë pastrimin e pjesës së kanalit që është afër me godinën e tyre, por pjesa afër banorëve është lënë në mëshirë të fatit. Banorët e revoltuar u bëjnë thirrje instancave përkatëse që të marrin masat sa më shpejt të jetë e mundur për të zgjidhur përfundimisht problemin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.