Kryesore

EMRAT/ Lista e donatorëve të partive, ja kush dhuroi mbi 100 milionë lekë në fushatën elektorale të 25 qershorit

10:07 - 07.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Valentina MADANI

Donatorë të shumtë kanë dhuruar mbi 100 milionë lekë për partitë politike gjatë   fushatës elektorale të 25 qershorit, por në   të shumtën e rasteve janë fshehur identitetet e donatorëve. Open Data Albania, publikoi dje listën e donatorëve të partive politike, subjekte zgjedhore në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme 2017. Sipas Open Data Albania donatorët për vlera mbi 100 milionë lekë regjistrohen gjatë fushatës në një regjistër të posaçëm. Ata duhet të bëjnë pagesa vetëm në llogarinë bankare të çelura nga subjekti elektoral në një bankë të nivelit të dytë dhe të paracaktuar për dhurime zgjedhore. Kjo listë-regjistër konsiderohet si informacion me akses të përforcuar për publikun. Neni 90 i Kodit Zgjedhor, me titull “Regjistrimi i fondeve jo publike”, parashikon të drejtë të shtuar informimi, parashikuar përmes togfjalëshit “kurdoherë publike”.

Ky detyrim ligjor i subjekteve dhe njëkohësisht e drejtë ligjore e publikut, nuk është respektuar asnjëherë gjatë fushatave. Sipas studimit të Open Data, emrat e donatorëve të deklaruar zbardhen vetëm në procesin e ekspertimit kontabël të shpenzimeve elektorale, proces që pason gjatë në kohë fushatat zgjedhore. Lista e donatorëve partiakë është bërë e njohur për publikun vetëm në nëntor 2017, pra katër muaj pas përfundimit të fushatës. Publikimi i kësaj liste ka burimin te raporte financiare për fushatën, të dërguara nga partitë politike kryesore.

Këto raporte nuk kanë raporte auditimi të ekspertëve kontabël të autorizuar. Në raporte të mëhershme të auditimit nuk është zbardhur në asnjë rast një listë donatorësh sipas subjekteve apo shumave. Open Data Albania po zbardh listë tërësore të donatorëve për vlera më të mëdha se 100 000 lekë në fushatën zgjedhore 2017. Kjo listë ka 66 emra personash dhe subjektesh.

“Lista e donatorëve fushatë 2017”, përbëhet kryesisht nga individë dhe dy subjekte tregtare të regjistruara me NIPT. Janë vetëm katër subjekte elektorale që paraqesin informacion për donatorë në vlera mbi njëqindmijë lekë, konkretisht PS, LSI, Partia Aleanca Popullore për Drejtësi dhe Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar. Në total nga donacionet janë mbledhur nëntë milion e katërqind e pesëdhjetë e pesë mijë lekë. Nga të cilat partia në pushtet, nga donatorë për vlera mbi njëqindmijë lekë, ka mbledhur vetëm shtatëqind mijë lekë, partia LSI nga donator për vlera mbi njëqindmijë lekë, ka arritur të mbledhë shtatë milion e tetëqind e dyzet e pesë lekë.

Aleanca Popullore për Drejtësi deklaron vlerën katërqind e tetë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë lekë nga një firmë ligjore dhe Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar dhurimin prej pesëqind e një mijë lekë nga një shoqëri biznesi me përgjegjësi të kufizuar. Partitë deklarojnë që kanë marrë donacione edhe në vlera nën njëqind mijë lekë, donacione për të cilat nuk është dhënë identiteti i donatorit. LSI ka deklaruar si donacion edhe minutat e kohës televizive të llogaritura pa pagesë e të përfituara nga “Top Chanell”.

Kodi Zgjedhor parashikon disa rregullime me qëllim parandalimin e konfliktit të interesit për rastin e donatorëve partiakë. Këto parashikime zakonisht nuk janë pjesë e kontrollit institucional dhe nuk kemi një mekanizëm që ka tagër të bëjë kontroll të konfliktit të interesit për subjektet donator elektoral.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.