Kulturë

BOTIMI / “Flutura mes gjinjve”, paralele mes Mira Meksit e Borgesit

13.11.17 gsh.al

Shpëtim DODA

Tregimi në poetikën e Mira Meksit. “Flutura mes gjinjve” përmbledh tregime dhe novela pjesa më e madhe e të cilave botohet për herë të parë, ndërsa pjesa tjetër është botuar nëpër organe të ndryshme letrare, dhe është i treti vëllim i zhanrit të tregimit që Mira Meksi i sjell lexuesit të saj. Fjala është për tregime dhe novela të shkruara në kohë të ndryshme, çka tregon mjaft qartë se, ndonëse gjatë një periudhe njëzetvjeçare i është kushtuar fuqishëm romanit, Mira Meksi nuk ka hequr kurrë një herë dorë nga tregimi.
Nuk mund të ndodhte ndryshe, kujtojmë. Në rastin e poetikës së krijimtarisë letrare të Mira Meksit, tregimi shfaqet “rrjedha” e tematikave dhe ideve që herët apo vonë përfundojnë në “detin” e romanit. Kështu, sa për të sjellë një shembull, tek Porfida – Ballo në Versailles, apo “E kuqja e demave”, ndeshemi me shtjellimin, zgjerimin dhe thellimin e jo pak tematikave dhe ideve që tek “Mali i shpirtrave” dhe “Buzë të panjohura gruaje” apo novela “Ballo në Versailles”, feksin në trajtë shkëndijimesh, përvojash, përjetimesh, ndjesish a reflektimesh në lidhje me jetën, vdekjen, kohën, hapësirën, psikën njerëzore, identitetin, tjetrin, kujtesën, harresën, traditën, erosin, dashurinë, përdytësimin, lirinë, shkrimësinë, të vërtetën, realen etj. Madje, në këtë drejtim, personazhet që mbartin dhe përcjellin thyezimet ekzistenciale në fjalë, pavarësisht ndryshimit të mjedisit dhe emrit, shpalosin tipare fizike e psikike mjaft të ngjashme, mend si të bëhej fjalë për diçka të kushtëzuar e të diktuar nga vetë ideja që mbartin dhe përcjellin (krh. zonjën plakë të Flokëkuqja e Parisit me Doña Victória-n e E kuqja e demave; përkthyesen e Mali i shpirtrave me Porfidën e Porfida – Ballo në Versailles dhe me Teutën e E kuqja e demave; përkthyesen e Emri absolut me dr. Aronin e Porfida – Ballo në Versailles). Prej këndej, besojmë se del mjaft qartë në pah se në rastin e poetikës së Mira Meksit tregimi nuk shfaqet kurrsesi një oaz shplodhës pas një udhëtimi të gjatë dhe të lodhshëm në detin e tallazitur të romanit; përkundrazi, krahas aspektit letrar, në poetikën e Mira Meksit tregimi kryen natyrshëm një funksion poetik të dyfishtë: 1.) funksionin mnemotik, duke ruajtur si nga brenda një pështafi shkëndijimet, përvojat, përjetimet, ndjesitë dhe reflektimet e lartpërmendura; 2.) funksionin e seminarium-it, e fidanishtes, duke kultivuar ato ide, ndjesi, përvoja apo reflektime që herët a vonë do të tharmojnë brumin dhe atmosferat e romanit apo romaneve të mëpasmë. Mjafton të sjellim si shembull tregimet “Flutura mes gjinjve” dhe novelën Pa zemër në kraharor. Pavarësisht se e shohin dritën e botimit tani, një lexues i mprehtë nuk e ka aspak të vështirë të kuptojë se koha e shkrimit të tyre përkon me kohën e shkrimit të romanit të fundit të Mira Meksit, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë; tema qendrore është e njëjtë, dashuria njerëzore dhe misioni i epërm: Jorikoja kërkon sublimimin e poezisë së saj, piktorja e re sublimimin e dashurisë së vërtetë, ndërsa Teuta të prijë Ilirinë nëpërmjet çlirimit të hyjnores që gjallon brenda saj së bashku me njerëzoren. Edhe fundi i tyre është i njëjtë: të treja kanë një përfundim tragjik, ia blatojnë jetën dhe dashurinë trupore përmbushjes së misionit të tyre përkatës; madje Joriko dhe Teuta përmes të njëjtit mekanizëm: vetvrasjes.
Julio Cortázar-i, mjeshtër i madh i tregimit, pohonte vazhdimisht se tregimet i shkruante në një gjendje delirium-i të qashtër; gjurmët e kësaj gjendjeje i ndeshim vazhdimisht, në trajtë vegimesh apo feksjesh (“rastësi” apo “aksident”, i emërton Meksi), jo vetëm tek tregimet e këtij vëllimi, si Buzëqeshja e fundit e Beatriçes, Pa zemër në kraharor, La gringa, Befasi, Paqyrat e Bledës, Drakula në labirintin e tij, por edhe tek tregimet e mëparshme të Mira Meksit, si Mali i shpirtrave, Aksidenti, Emri absolut, Flokëkuqja e Parisit etj. I parë nga ky drejtim, në funksionin e tij prej seminarium-i, për Mira Meksin tregimi është hapësira e kultivimit poetik të elementit fantastik dhe neofantastik që ndeshim mjaft shpesh e dendur në thuajse tërë veprën e saj letrare, duke e përgënjeshtruar paq pohimin e Tzvetan Todorov-it tek Letërsia fantastike, sipas të cilit “psikanaliza e ka zëvendësuar (dhe, për rrjedhojë, e ka bërë të pavlerë) letërsinë fantastike”.
Duke mos qenë realitet paralel, apo botë paralele, e vetmja ligjësi që hasim mbizotëruese tek tregimet e Mira Meksit, është “rastësia”, “befasia”, “aksidenti” (krh. Befasi, Dashuri e fajshme, Verë në Firence, La gringa, Dashnorët e Venedikut etj); tek e fundit, gjithë sa i shpëton rregullit, kanonit, ligjeve. Për rrjedhojë, ndryshe sa vërejmë tek Borges-i dhe Cortázar-i, tek Mira Meksit elementi fantastik nuk e prek as formën, as ontologjinë e reales, por rendin dhe, mbi të gjitha, kuptimësinë e saj, në stofin e së cilës shpërfaqet si një gjurmë, duke u shpalosur si formë hapjeje drejt realiteteve (viz. shprehjeve të reales) të reja, para të cilave realiteti i përditshëm vijon të ruajë gjithsesi një natyrë dhe përmasë qartësisht të dallueshme.
Krahas sa më sipër, tek këto tregimet dhe novela të Mira Meksit spikat një tjetër element që meriton të sillet në vëmendje; shprehimisht, faktin që, krejt ndryshe nga Harold Bloom-i, Mira Meksi nuk e përjeton “të qenit e ndikuar” nga të mëdhenjtë e letrave si “makth”, por si diçka e pashmangshme, si diçka e domosdoshme dhe, mbi të gjitha, si një “bekim” të vlefshëm që e shpall haptazi, madje si një stafetë, qoftë tek përvetësimi i modelit të tregimit analitiko-hulumtues të lëvruar nga Borges-i, – çka përbën një risi në tregimin shqip, – qoftë përmes elementëve të larmishëm të ndërtekstorësisë, të pranishëm deri dhe tek titujt, siç shfaqet rasti i Pierre Menard-i i dytë autori i Kishotit dhe i Buzëqeshja e fundit e Beatriçes, të përvetësuar nga Borges-i, apo rasti i Dashnorët e Venedikut, i përvetësuar nga Charles Maurras, pa anashkaluar edhe rastet kur elementët në fjalë jepen në trajtë exergum-i (krh. Verë në Firence, Pierre Menard-i i dytë autori i Kishotit, Dashuri e fajshme, Drakula në labirintin e tij etj), të cilat synojnë që të orientojnë qoftë rrëfimin, qoftë leximin.
E megjithatë, kjo pikë gjykojmë se ka nevojë për një dritëhedhje sado të shkurtër. Më lart u shprehëm për “ndikimin”, i cili nuk është kurrsesi i barazvlefshëm me “plagjaturën”, dhe aq më pak me “kopjimin”. Përkundrazi, parë në këtë drejtim, mes Mira Meksit dhe Borges-it, i cili jo vetëm përmendet dendurazi (krh. Dashuri e fajshme, Drakula në labirintin e tij, The unending gift, Pasqyrat e Bledës), por jepet edhe si personazh në tregim (krh. Buzëqeshja e fundit e Beatriçes, tek ky vëllim, apo Aksidenti, tek Buzë të panjohura gruaje), ekzistojnë jo pak dallime, madje edhe kundërtì, qoftë edhe në ato raste kur tematika e tregimit është dukshëm, madje edhe shprehimisht, borgesiane, çka për Borges-in është e vetëkuptueshme, për aq sa është i vetëdijshëm se “është Odisea, e cila ndryshon sipas detit” (krh. Nubes), se është tematika, e cila ndryshon sipas kontekstit dhe qasjes interpretative (krh. Pierre Menard autor del Quijote), jo e anasjellta.
Këto rreshta nuk synojnë aspak të jenë një diktat, mënyrë apo recetë leximi e tregimeve të Mira Meksit, por një ftesë drejtuar lexuesit për të përjetuar leximtarisht dhe ad personam qoftë gjendjen e delirium-it të krijimit të saj artistik, feksjen e idesë, udhëtimin nëpër një mori kohësh e vendesh të njohura dhe të panjohura, reale dhe irreale, psikike dhe fizike, qoftë për të shijuar frytet e një “ndikimi” të perceptuar, përjetuar dhe shpallur si “bekim”. Porse, për të mos e lënë të shfaqet një pohim jetim, në këtë hapësirë mund të mjaftohemi të sjellim në vëmendje, telegrafikisht, disa dallime që vërejmë mes Mira Meksit dhe Jorge L. Borges-it. Kështu, për Borges-in, i ndikuar nga budizmi, njeriu i përshtatet fatfundësisë, një fryt i “përparësisë së llojit dhe hiçësisë pothuajse të përsosur të individit” (Historia de la eternidad), ndërkohë që tek tregimet e Mira Meksit njeriu nuk i përshtatet, por e krijon vetë fatfundësinë e tij (i vetmi përjashtim shfaqet Dashuri e fajshme); dhe teksa e krijon, ai ndërton hallkë pas hallke njerëzoren brenda tij, kryen shkëputjen nga bota e gjallesave dhe lartohet ontologjikisht, si të thuash, dhe jo siç ndodh tek Borges-i, i cili në Nueva refutación del tiempo shkruan: “… Koha është lënda prej të cilës jam gatuar. Koha është lumë që më zvarrit, por unë jam ai lumë; është tigër që më shqyen, por unë jam ai tigër; është zjarr që më shkrumb, por unë jam ai zjarr…”, ku përemri “ai”, ndërsa shenjon “largësinë”, “di-stantia”-n, synon të përcjellë një lëvizje qartësisht dhe thelbësisht teleologjike, e përforcuar nga një shprehje me nota të thekshme dëshpërimi: “Bota, mjerisht, është reale; unë, mjerisht, jam Borges-i.”.
Sakaq, ndërsa te Borges-i ndeshet vazhdimisht motivi i harresës frymëqëruese që lindej nga frigimi i përdytësimit (El despertar), ai i ëndrrës së jetuar nga askushi, i hiçësisë së përjetshme alla Schopenhauer, shkëlqimi i errët i të cilit i shfaqet shumë më tepër i pranueshëm sesa shfaqen vetë gjithësia, historia dhe ngarkesa e papërballueshme e Kujtesës, për Mira Meksin vlen e kundërta: Kujtesa, dhe vetëm Kujtesa shfaqet si frymëqëruese, vetëm ajo mund të kthehet në proces katarsik. Për këtë arsye, të tërë personazhet e Mira Meksit ngarendin vazhdimisht dhe me këmbëngulje të “kujtojnë”, të “rrëmojnë” (krh. Flokëkuqja e Parisit), apo “të gjejnë strehë” tek Kujtesa (krh. Befasi), madje, kjo mund të thuhet edhe për ato raste kur “harresa” ështe terapia më e mirë, një mekanizëm psikologjik që rreh të zhvendosë çaste apo ngjarje të cilat shndërrohen vetvetishëm në burim dhembjeje për individin, siç ka treguar më se një herë Freud-i, dhe siç shfaqet rasti i Violës tek Flutura mes gjinjve.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *