SPORT

Panuçi e ka me lojtarët: Të na tregonin për dëmtimet. Mbron Alijin: E mora, sepse jemi një familje

11:12 - 13.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Jeton SELIMI
Kristian Panuçi ka besim se Shqipëria do të bëjë një paraqitje të mirë në miqësoren e kësaj të hëne ndaj Turqisë në Antalia. Në konferencën për shtyp përpara kësaj sfide trajneri italian i kuqezinjve u shfaq i kënaqur me formën dhe impenjimin që kanë treguar futbollistët gjatë kësaj jave në stërvitje. “Kemi punuar mirë gjatë kësaj periudhe. Këto kanë qenë ditë intensive për ekipin. Kemi punuar në të gjitha aspektet, dhe jam i kënaqur me atë që djemtë kanë treguar në stërvitje, duke ditur se kjo është një periudhë e ngjeshur edhe me klubet e tyre. Dua të falënderoj futbollistët e mi të cilët janë treguar shumë profesionistë, kanë punuar me seriozitet të plotë dhe janë stërvitur mirë edhe pse bëhet fjalë vetëm për një ndeshje miqësore.” Strakosha, Basha dhe Latifi u larguan të dëmtuar nga grumbullimi i Kombëtares, por Panuçi e ka një përgjigje edhe për këtë. “Duhet të jemi profesionistë. Lojtarët e dëmtuar duhet të sjellin një rezonancë apo një EKO me vete. Mjeku i ekipit Kombëtar duhet ta vlerësojë nëse është i gatshëm për lojë apo jo. Federata në këtë rast ka vepruar në mënyrë profesionale. Strakosha ishte rast i veçantë, pasi këtë të enjte iu shfaqën probleme të vjetra të dëmtimit. Ndërsa kur pyesja Latifin, më përgjigjej se ishte mirë. Për Bashën kemi telefonuar stafin mjekësor të Barit, por askush nuk na është përgjigjur”. Edhe pse është pa skuadër teksa aktualisht stërvitet me Bazelin, Panuçi ka grumbulluar për miqësoren ndaj Turqisë Naser Alijin, futbollist të cilin trajneri e vlerëson shumë, madje kur pyetet për të është i gatshëm të përdorë edhe tonet e ashpra në drejtim të gazetarëve. “Këtu po flisni për Alijin. Para se të jemi skuadër, jemi familje, dhe duhet të mbështesim lojtarët edhe në ditët e tyre të vështira. Aliji është një lojtar i nivelit europian dhe ka qenë edhe më parë pjesë e grupit. Gjatë javës ka punuar shumë, edhe pse nuk është i gatshëm për 90 minuta lojë.”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.