KULTURË

Presidenti Meta vlerëson Besim Zekthin me dekoratën “Nderi i Kombit”

10:44 - 13.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi gjatë një ceremonie të zhvilluar në Teatrin Kombëtar, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” me rastin e 60-vjetorit të krijimit Ansamblin Popullor për kontributet e çmuara dhe interpretimet e shkëlqyera në më shumë se gjysmë shekulli, duke pasur një ndikim të jashtëzakonshëm, të ndjeshëm dhe të patjetërsueshëm në zhvillimin artistik e kulturor në mbarë vendin.

Për rolin e luajtur si ambasador i kulturës jashtë Shqipërisë, nëpërmjet përcjelljes së vlerave më të qenësishme të folklorit shqiptar e trashëgimisë sonë shpirtërore në të gjithë botën.

Gjithashtu Presidenti i Republikës çmoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” kërcimtarin, dhe mjeshtrin e valles popullore shqiptare zotin Besim Zekthi në vlerësim të kontributit shumëvjeçar si solist me nivel të lartë interpretativ dhe mjeshtëri të veçantë artistike të valleve shqiptare; për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin tek brezat e artistëve të rinj, si dhe për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore jashtë vendit.

Presidenti Meta në fjalën e mbajtur me rastin e kësaj ceremonie u shpreh:

“Të dashur miq,
Të dashur artisë,

Jam shumë i lumtur që ndodhem së bashku me ju për të ndarë emocione të veçanta në këtë festë të bukur me rastin e 60 Vjetorit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Folku shqiptar përbën një pasuri të jashtëzakonshme të kombit tonë. Ai është dalluar gjithmonë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike të tij.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore prej shumë kohësh është kthyer në një vatër të pashtershme e cila, e frymëzuar nga gurra popullore, ka përpunuar dhe ekzekutuar me cilësi të larta artistike e muzikore motivet e këtij thesari të madh, që populli ynë e transmeton me besnikëri brez pas brezi.

Ai ka spikatur jo vetëm në skenat shqiptare por veçanërisht me pjesëmarrjet e suksesshme në festivale të ndryshme në rajon, në Evropë, në Afrikë, në Azi e deri në Amerikë.

Në këto  festivale ndërkombëtare, Ansambli Popullor është vlerësuar me disa çmime si: “Çmimi i Parë” në Festivalin e Bursës, Turqi (1982), “Çmimi i Parë” ne Festivalin Ndërkombëtar, SHBA (1994), “Ansambli më i preferuar” në Festivalin e Kanadasë (1996), “Çmimin e Dytë Ndërkombëtar” në Festivalin Ndërkombëtar “Folk-Area 2000” në Shqipëri, “Çmimi i Dytë” në Festivalin “Harmonie Festival 2005” në Limburg të Gjermanisë etj.

Ansambli Popullor ka marrë gjithmonë vlerësime vlerësuese nga shtypi i huaj duke veçuar atë të Francës në vitin 1970, ku fitoi edhe “Gjerdanin e Artë” në festivalin e Dizhonit dhe sërish në 1980-n, duke e cilësuar shfaqjen e tij si “cikloni shqiptar”, që mahniti dhe la gojëhapur spektatorët dhe njohësit e shumtë të apasionuar pas muzikës popullore.

Emrat e kompozitorëve, drejtuesve artistikë, skenografëve, instrumentistëve, valltarëve dhe valltareve gjatë këtyre gjashtë dekadave janë të panumërt, dhe nuk do të mjaftonte gjithë mbrëmja për t’i përmendur një e nga, sepse vlerat, talenti dhe mjeshtëria në radhë të parë janë individuale por bashkërisht ju e shndërruat këtë Ansambël në një visar dhe krenari kombëtare!

Por sot do të veçoja një emër, besoj me mirëkuptimin tuaj, legjendën e Valles Popullore Shqiptare, Besim Zekthin.

I dashur Besim,

Të gjithë ne i kemi të ngulitura në kujtesën tonë interpretimet e tua mahnitëse të “Valles së Shqipeve” apo “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, kur vrulli i brendshëm të jepte krahë dhe të bënte të fluturoje pa u ndalur porsi një shqipe krenare.

Talenti i rrallë dhe mjeshtëria jote virtuoze interpretuese kanë qenë dhe mbeten jo vetëm shfaqje artistike të jashtëzakonshme, por edhe burim i pashtershëm frymëzimi për brezat e rinj të artistëve dhe valltarëve shqiptarë, dhe jo vetëm.

Kam kënaqësinë e veçantë që gjatë kësaj mbrëmjeje të bukur festive të vlerësoj me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” valltarin dhe koreografin e shquar, zotin Besim Zekthi dhe me rastin e 60-Vjetorit, Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.”

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.