MILOSAO

Trajta uji

12:24 - 13.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Poezia, nga Demir Gjergji

Sa shpirtra pa trupa mbi botë!
Sa trupa pa shpirtin nën tokë!
Gëzo, shpirti im, që ke një bujtinë,
Vallëzo, trupi im, dëshmo Gjithësinë!
‘17
UDHËTIME…
-Parabolë-
Toka lundron orbitës së vet,
Në Tokë, kontinenti, drejt qendrës ngarend,
Përmes kontinentit treni po nget,
Vagonëve te trenit karroca rrëshqet,
Uloku mbi karrocë ik ëndrrës – kometë.
Ku do të ndalet Toka,
Ku do të ngecë Evropa,
Trenit ku do t’i mbyllet porta,
Ku do të mbërrijë karroca,
Ulokun ku do ta lërë forca,
Përmbysur mbi ëndrrën e vet!?

PAMJE PËRTEJ SHIUT
Shihet shiu,
Lëkundet si dantellë e vjetër.
Bie gjithkund,-
Shigjetë që s’ra në shenjë kurrë.
Flaka e diellit
Dhe hijet, dhe etjet,
Tani, –
Më larg se ti.
Pamjet përtej,
Janë kurmi yt që vishet,
Me mall e vetmi,
Kurmi yt,
Gjah i shenjuar
Nga heshtat e syve të mi.

MBRETËRESHA
E MBRËMJES
-Përrallëz-
Lë fronin dhe mbretërinë e vet,
Me 700 mbretër dhe po aq skllevër,
Pamjet plaken papritur përreth,
Asaj i falen njomështitë e verës.
Pranon pa mëdyshje çdo nder e dhuratë;
Stërkalat sythave, përshpirtjet e borës,
Dhe del nga mbretëria e vet kryelartë,
Me varg luleshqerrash në vend të kurorës.
Mbi vyshkjen gjirit, pak pudër-polen,
Në hirin e shpirtit ca farëza mbijnë,
Mbretëresha e mbrëmjes pas erës po rend,
Si lodër fëmije lë pas mbretërinë.

VJESHTË VJENEZE
-Vals-
Një vejushë vej-e-vjen nëpër Vjenë,
Ca zonjushë e kujtojnë, disa zonjë.
Nëpër vjeshtë zonja shfaqet si refren,
Teksa vajzë endet qiejve me avionë.
Gjeth e gjurmë nëpër sheshe ngashërejnë,
Udhë e Qumështit nëpër kozmos sos në hon…
Një vejushë vjen e vete nëpër Vjenë.
Violina më kot harkun e kërkon…
Vjenë, vjeshtë 2014

HYJNESHA
Erosi erdhi, eremit më gjeti.
“Më dërgoi Venusi të të them,
Se puna e tij kaq ishte…
Përsose më tej hyjneshën Venerë!”
Po ç’mund të bëja unë, eremit i mjerë,
Më shumë se Venusi bëri në qiell?!
Veçse te buza t’i mbillja një puthje,
Veçse te jeta t’i shtoja ca muzgje,
Veçse te ashti t’i ndizja një flakë,
Veçse te shpirti t’i hapja nje plagë,
Veçse te syri t’i pikja një lot,
Veçse te fryma t’i zgjoja një oh,
Veçse së thelli t’i hapja një brengë,
Ta gdhendja pastaj statujë në mermer,
Ta bëja të rronte në shekuj të tjerë.

U BINDA…
U binda, se e kuqja është prush i së kuqes,
Nga buzët e tua në kurthin e puthjes.
U binda, se e kaltra është qiell i së kaltrës,
Nga frymëmarrja jote në flatrat e fjalës.
U binda. se e gjelbra është lojë e së gjelbrës,
Nga prania jote në hon të mungesës.
U binda, se e zeza është zi e së zezës,
Nga braktisja e vetes në mes të harresës!

NATË SHTRATI
– “Moj Pashone, moj shigjetëll,
Ike natën, më le vetëm” –
(Këndonte im atë)
Shigjetlla zhvishet nëpër gurë,
Si vetëtima tej në re,
Vështrimin tim e vesh lëkurë,
Dhe fshihet bashkë me të në dhé.

ZERO
Në rrethin e mbyllur të zeros,
Si brenda lëvozhgës së vezës,
Një epos flirton me një eros,
Për tjetër shpjegim të Gjenezës.

SHTRAT I TRADHTUAR
Brenda mureve, perdeve, qelqeve të blera prej Tij,
Futur lëvereve të lara prej teje,
Mbi shtratin e shtrenjtë, mbërthyer nga Ai,
Qeshja me buzët e tua,
Qaje me lotët e mi,
Nën dritën e një abazhuri,
Dhe hijen e Atij burri.
Të zhvishja me ankth, të puthja me frikë.
Hyja nëpër ty e klithja:
Po sikur të vijë!?
Po sikur të vijë!?…
Të nesërmen mbrëma, nën trupin e rëndë të Tij,
Qaje me lotët e tu, kyçur syve të mi:
”Ah, të ishte Ai! Ah, të ishte Ai!”

JAM UJI
Jam uji dhe pres të më falesh!
Më pe, brymë lulëzova kristalesh,
Më le, shkëmb u trupëzova në akull,
Më erdhe, reve u ngrita si avull,
Më fole, mbi ty u shkunda shi,
Më pive, lumë vërshova te ti;
Nëpër kurm, i ngrohtë, nëpër shpirt si lot!
Jam uji, që mos qofsha!
Uji,
Në trupin e burrit prej bore!

SHKRUMB
Ishte ajo verë me larva dielli
Shumëzuar nëpër limfë e klorofilë,
Nëpër ujë, gurë e shpirt.
Peshqit ndizeshin në lumë,
Shpendët digjeshin në flur.
Ajo verë, kur fara në mitër ndjehej sëmurë.
Prisja uratën e ditëlindjes prej teje,
Ajo shtrihej me hirin gjithkund…
Larvat e diellit vallëzonin me trimuf!
Ishte ajo verë, sterrë si asnjëherë.
Farat prisnin hapin tënd t’i zgjonte nën shkrumb.

GUSHT I NGUSHTË
Vapë ishte, dielli përpiqej të digjte më kot.
Thatë ishte, pylli hijen e kishte kullotë.
Pluhur ngrihej, syri i stinës kthjellohej në lot.
Zhurmë bëhej, ariet e blerta shtegtonin me zogjtë.
Dhembje kishe, e qeshura ime të dilte për zot.

GËNJESHTËR
Kështu si rrëshqanen ditët e gjata:
Andej me ndajnata, këtej me mandata,
Po vijmë të shihemi sërish si dikur,
Të bindur se nuk do të gjendemi kurrë!
Kështu si shkokëlohen ditët e vogla:
Andej gogla-gogla, këtej popla-popla,
E kotë ta lemë takimin për mot,
Më mirë po puthemi e ndahemi që sot!

KTHIMI I
KRYELUFTËTARIT
-Motivuar nga “Gjeorgjikat” e Virgjilit-
Armët i dorëzova,
E zhvesha parzmoren,
Nuk më premton koha,
Të festoj fitoren.
Gradat e karrierës,
Po i shqep nga supet.
Fushën e betejës,
Ta plugoj më duhet.
I zbraz prej urrejtjesh,
Me grurë i mbush grushtet.
Është kohë mbjelljesh,
Jo lakmish për bustet.

KOHA E KARENINËS
Një kohë dimërore të qepej nga pas,
Të bëhej lëkurë, të vishej fustan.
Gjithkund të kanosej: “Do të të vras!”
Gjer erdhi t’u bë qefin e temjan.
Ç’ishte ky hekur gulçues, i rëndë
Mbi mishin dhe eshtrat e tua fildish?!
Mbi fluturën e frymës ç’deshi kjo gjëmë?!
Ti shkove te vdekja, pa ditur se ç’ish!
Të ishte kjo kohë digjitale atëherë,
Mbase diçka do të mbetej prej teje!
Dhe vetë Tolstoji, me mjekrën në erë,
S’do qante mbi penën që shkruante pa leje!
Ose të ishe një Anë e sotme,
Për shembull, kjo që po shkon para meje,
Një vjershë do ta nisja, që ty të të mbronte,
Vetëvdekjes t’i ikje, kur kokën ta ktheje.

MBYTJA E PYLLIT
-Kronikë në tri kohë-
I. Vjeshtë:
Pylli,
Me thundrën e ujit në fyt,
Dha frymë.
U mbyt!
II. Verë:
S’di ç’perëndi
E deshi ujanën për tjetër batërdi.
Pylli fatzi
Qan hijen e tij.
III. Erë tjetër:
Ky peshk,
Nga gropat e syve të ketrit skelet,
Thërret
Vdekjen e vet!

LINDJA E MITIT
-Baladë-
Eshtrat shkundin natë e baltë,
Ndjehen gjallë, bëhen bashkë,
Vishen prapë me mish e gjak,
Tok me shpirtin dalin jashtë.
Jetë e parë e luftëtarit,
Frymë e burrit, vrap i kalit,
Thellë nga agim i Arbrit
Nisen përmatanë varrit.
Kapërcen një breg, një lumë,
Gjurmë e kalit ngrin mbi gur.
Udhë e gjatë e vë në gjumë…
Zgjohet me një shpirt më shumë!
Një mal piedestal u ngrit,
Flokë e mjekër muzgu rrit,
Zë po lëshon e ngre stuhitë…
Një ditë veten e sheh mit.
Poshtë malit piedestal,
Befas shtanget, hapin ndal,
”Kush të jetë ky përballë,
Dhjetëfish sa unë mbi kalë?!”
Bronzi në pancir të rëndë,
Shpata, vetëtimë nën hënë.
Bardi vjen nga larg më këmbë,
Si në ëndërr nis një këngë:
“Të lumit na për ty, legjendë,
Që e ngjalle Skënderbenë,
Kryezot për mëmëdhenë,
Dhe nëse vërtet s’ka qenë!”

AJO QË M’U BË MALL
Pemë, që do të piqesh, kur unë s’do të jem,
Mal, që do të zbardhesh, kur dot nuk do të dal,
Det, që do të plakesh, mbi trupin tim pa jetë,
Yll, që do të ndritësh, kur sytë do t’i mbyll,
Brymë, që do të shfaqesh, kur s’do të kem më frymë,
Re, që shi do bini, kur do të fle nën dhé,
Udhë, që do të zgjatesh, pa të shkelur unë,
Në emër më thirrni, sado që s’do jem më…
Vallë do t’ju përgjigjet Ajo që m’u bë mall?

FRIKA
Peshku gëlltit shpejt e shpejt vezën e vet,
Zogjtë brofin në tufë me çerdhet ndër pendë,
Gjarpri kukëzohet me shpirtin në helm,
Dreri var brirët në degën e blertë,
Druri fshihet nën hijen e tij pa jetë,
Ajri te uji dhe uji te avujt gjejnë strehë,
Reja pezull ka shtangur në qiell…
Qeni, robi besnik i njeriut po leh:
Po vjeeeen imzooot, me armën e mendjes,
Që s’sheh ku e shkreh!

PENGU PA KTHIM
Xh!
Të rënë rëndë në inat,
Të gjallë, bashkë s’folëm gjatë.
Tani, që ti je shtrirë pa gojë.
Pa pasur sy, guxim e drojë
Pa pasur vesh të më dëgjojë,
Mbi trup të vë një dorëzonjë,
Pak dhé të hedh si për mburojë
Dhe pse për to s’ke më nevojë….
Me lot të ngrohtë mbi ty po flas…
Si plumbi loti shkrin mbi rrasë,
Si kripë në shpuzë fjala plas!
MJELLMËZA
Vetëm pa veten,
Detet s’ma shuajnë dot etjen…
Një mjellmëz sirenëz, lë ujin e vjen,
Zgjat qafën e bardhë, me sqepin më prek,
Hap krahët, shkund ujin dhe qullet me qiell,
Thërrime vetmie rreth meje çuket…
Mjellmëz, moj mjellmëz,
Ç’kurth t’i ngre ndjenjës?
Në ikje të jetës?
Vjen vala, merr mjellmën
Dhe prapa lë vjeshtën.
…Pa veten, jam vetëm!

ËNDRRA U BË

Pa zë e pa gjurmë,
Më erdhe në gjumë,
Si mjegull mbi lumë.
Ti, ëndërr mbi mua,
Unë, poshtë pa moshë.
… Mëngjesi u sos
Dhe dita u ngrys.
Muzgu djalosh,
Mbi ty, përmbys.
“Po bëhet ëndrra”,
Këndonte mbrëmja.

PËRMASA
– Dil, – i thashë fluturës, zgjuar në stomak.
– Dil e merr ca ngjyra botës, rretheqark! –
– Mos! – lutet insekti, – Bota, sa një grackë,
Përplasem e thahem caqeve të saktë! –
– Dil, – i them salmonit, që shtegon në gjak.
– Joo! – më lutet peshku,
Oqeanet jashtë,
S’janë as sa një vaskë!
Mbytem në të thatë,
Këtu hapet bota
Sa shtatë universe,
Ndonëse matet koha,
Me një jetë gjallese. –
– Dil, pra, ç’pret! – të thirra.
– Shih se ç’kaltërsi! –
Trembur dole ti…
Brenda, Gjithësia,
Terr në pus të zi!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.