OPINION

Fjalë e re në fjalorin e gjuhës shqipe: kanabizim

07:30 - 14.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Valbona Nathanaili

 

Aktualiteti i sotëm pasurohet vazhdimisht me ngjarje e dukuri, të cilat vite më parë do ishte e pamundur të përfytyroheshin. Përpjekja për t’i shpjeguar sa më qartë, si edhe dëshira për t’i identifikuar sa më thjesht, kanë çuar në lindjen e shumë fjalëve të reja. Vetëm gjatë këtyre dy viteve të fundit fjalori botëror është pasuruar me fjalë të tilla si “Fake News”, “Brexit” dhe “Post-Truth”. Secila prej tyre përmbledh një dukuri aq specifike dhe aq të ditës, aq të panjohur më parë dhe aq befasuese, sa nevoja për identifikimin e tyre ka qenë jo vetëm domosdoshmëri, por edhe një mënyrë e mirë për të ndërgjegjësuar një masë sa më të madhe njerëzish për pasojat e asaj që përfaqësojnë. Akoma, duhet theksuar fakti se të gjitha fjalët, propozuar sa më sipër, identifikojnë mënyra jo të sinqerta të sjelli, të shprehuri a të vepruari të grupeve të caktuara, të cilat duke shfrytëzuar përparësitë që të jep pushteti, paraja, teknologjia dhe informacioni, kanë përftuar privilegje me natyrë ekonomike e politike. Vendet e zhvilluara, kryesisht ShBA dhe Anglia kanë të drejtën të aplikojnë për të marrë autorësinë e këtyre fjalëve, por jo të koncepteve që përfaqësojnë, sepse duket sa janë të pranishme në mbarë botëror.

Por dukuri të ndryshme, karakteristike, kryesisht për vendet e botës së tretë, diktojnë nevojën për prezantimin e një fjale të re. Fillimisht po i referohem si shembull vendit tonë. Për një periudhë shumë të gjatë kohore, të themi prej dhjetë vjetësh, secila nga forcat politike që ka qenë në opozitë ka përdorur në mënyrë sistematike togfjalëshin “kanabizim i vendit”. Ky etiketim, pavarësisht llojit të opozitës që e ka përdorur, e majtë a e djathtë, gjithnjë ka referuar një dukuri negative, shoqërizuar me mungesën e pranisë së shtetit, ose të vullnetit të tij për të marrë masa në përputhje me legjislacionin në fuqi, po aq edhe me marrëveshje e protokolle ndërkombëtare. Duke marrë shkas nga sa më sipër, por në një shtjellim më të gjerë të këtij togfjalëshi, pak kohë më parë, kam iniciuar idenë e përdorimit të fjalës “kanabizim” edhe në rastin e universiteteve publike (shih një artikull po në këtë gazetë me një njëjtin titull). Por mendoj se ka ardhur koha jo vetëm për të dhënë një përkufizim të saktë se çfarë kuptojmë me “kanabizim”, por edhe për t’i dhënë statusin e një fjale me të drejta të plota, sikundër edhe fjalët, të themi “Atdhe”, “patriotizëm”, “integrim” etj.

Fakte

  1. Shumë vende të botës së tretë, në periudha të caktuara të historisë së ditëve të sotme, kanë qenë dhe janë në vëmendje të medias ndërkombëtare për shndërrimin e tyre në kultivuesin e furnizuesin kryesor, në nivel rajoni, pse jo edhe botëror, me droga të llojeve të ndryshme, në mënyrë ilegale. Klane të caktuara, etiketuar si mafioze, kanë në pronësi hektarë të tërë ku kultivohet kjo lloj bime, brenda të cilave shteti duket “i pafuqishëm” për të ndërhyrë. Në këto raste, të ardhurat në miliona euro, shkojnë për klanin, ndërsa shteti merr pjesën e tij të korrupsionit përfaqësuar, kryesisht, me zyrtarë të niveleve të ulëta. Një gjendje të tillë shteti shpesh e justifikon me varfërinë dhe e sheh si një zgjidhje për të shfryrë, deri në një farë mase, flluskën e varfërisë.
  2. Një dukuri e re që po vihet re në ditët e sotme, përsëri në vendet e botës së tretë, është zëvendësimi i rolit të klaneve që kultivojnë hektarë të tërë me kanabis në mënyrë ilegale me vetë shtetin. Shteti, në mënyrë të ndërgjegjshme, nëpërmjet disa strukturave specifike, përfaqësuar me njerëz të niveleve më të larta në hierarkinë shtetërore, lejon kultivimin e kanabisit në zona të caktuara, në mënyrë ilegale. Arsyetimi: një vend i varfër ka një vlerë shumë të vogël të shpenzimeve qeveritare. Përfitimi: të ardhurat në miliona euro, përdoren për të mbuluar shpenzime jo vetëm luksi e të mirash të tjera materiale, por edhe për të lobuar në organizata ndërkombëtare, blerë zyrtarë të huaj të akredituar në vend, për të qenë pjesë e aktiviteteve të shumta ndërkombëtare, për të sponsorizuar shkrimin e artikujve në media ndërkombëtare për lulëzimin e vendit, për të ndërtuar një imazh që nuk i përgjigjet realitetit, për të blerë zgjedhjet e ardhshme etj., etj. Një zgjidhje të tillë shteti shpesh e justifikon me nevojën për të shfryrë, në një farë mase, flluskën e varfërisë të shpenzimeve qeveritare.
  3. Zbulimi i shumë “skandaleve financiere”, që flasin për para të transferuara në ishuj financiarë nga shumë personazhe të politikës, biznesit a të kulturës, por lista është e gjatë, tashmë si në vendet në zhvillim, ashtu edhe në vendet e zhvilluara, kanë nxjerrë një të metë të madhe: shumë nga këto transaksione, që shpesh u referohemi si skandale, në fakt, janë bërë në përputhje të plotë me ligjet e vendit. Kjo tregon se ligj-hartuesit, kanë lejuar “kultivimin e parcelave të caktuara me kanabis” në ligj, që u mundëson këtyre njerëzve të transferojnë para me ndërgjegje të plotë, për të mbuluar shpenzime që në kushte të tjera nuk do ishin në gjendje t’i kryenin.

Të tre rastet e mësipërme mund të përmblidhen me një fjalë të vetme: kanabizim.

Fjalë e re: kanabizim

Në një kuptim specifik, kanabizimi është një strategji, projektuar dhe zbatuar nga grupe të caktuara, me synim rritjen e të ardhurave nga aktiviteti i paligjshëm i rritjes së kanabisit dhe të ardhurave “me reputacion jo të mirë”, duke deformuar funksionin e misionin e shtetit. Të ardhurat ilegale të përftuara falë kanabizimit, u japin këtyre grupeve pushtet ekonomik dhe politik, përtej atij që mund t’u atribuohej në kushtet e një demokracie të konsoliduar dhe të funksionimit normal të një shteti të së drejtës.

Në një kuptim më të përgjithshëm, kanabizimi është strategjia për të hartuar politika politike dhe ekonomike, në mënyrë të ndërgjegjshme, që rrezikojnë funksionimin normal të sektorit publik dhe bëjnë të cenueshme shumë të drejta që duhet të gëzojnë qytetarët e një vendi demokratik. Kanabizimi është një lloj rendi i ri, në të cilin e shpien shtetin pushtetarë të papërgjegjshëm për rolin e misionin që kanë, si dhe për dëmin që i shkaktojnë vendit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.