KULTURË

PANAIRI I 20/ Libri në krizë, tirazhi prek fundin me 200 kopje. Petrit Ymeri: Bibliotekat duan libra, jo tulla

10:48 - 14.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Fatmira Nikolli




Duket se libri shqip ka prekur fundin. Disa tituj botohen në 200 kopje e ndërsa shitjet kanë rënë e mbështetja financiare mungon, botuesit vit pas viti bëjnë publike shifra të frikshme. Vetë botuesit ngrenë duart, e pavarësisht politikave mbështetëse duket se situata vetëm shkon drejt përkeqësimit. Disa emra të njohur të editimit kanë gjetur rrugë alternative për të mbijetuar duke e kaluar librin në plan të dytë. Për hir të mbijetesës, titujt janë hera-herës të dobët, përkthimet po ashtu, ndërsa shpërndarja i drejtohet kryesisht Tiranës. Parë në imtësi, fusha e librit gjendet gjithnjë e më shumë në ngushtim.
Petrit Ymeri, kryetar i shoqatës së botuese tha dje se, “tani botojmë libra me 200 kopje, kurrë nuk ka ndodhur kjo deri tani. Nuk kemi pasur asnjë rast të tillë, tirazhi ka qenë mbi 500 kopje. Këto janë tirazhe provë. Është një situatë jo e mirë kjo, edhe nuk na vjen mirë që e themi”. Pavarësisht nga situata jo fort e begatë e jo fort e shëndetshme që ka shoqëruar këtë periudhë në sektorin libror, ku kemi rënie të numrit të titujve të botuar, por edhe rënie të tirazheve, Ymeri tha se botuesit vërtet janë mobilizuar për t’i shërbyer dhe për t’i kënaqur kërkesat dhe shijet e lexuesve, por edhe ato pritshmëri, që tashmë janë bërë të zakonshme, për të dhënë vepra me cilësi, përkthime me cilësi, paraqitje sa më të mira të librit dhe të bëjmë politika promovuese për të tërhequr e ndihmuar leximin.
Shifrat e pamundësisë
Kreu i Shoqatës së Botuesve tha se edhe këtë vit kemi, si çdo vit, afërsisht 96-97 subjekte që marrin pjesë në panairin e librit. “Pjesa dominuese janë nga Shqipëria. Janë rreth 20 botues nga Kosova, paraqiten në masën më të madhe në stendën e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ku ka edhe disa botues, e institucione që janë veçmas.
Ajo që është e rëndësishme është se kemi botues nga Maqedonia e Mal i Zi, që nuk botojnë vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën tyre, atë sllave. Gjatë këtij panairi, që nis të mërkurën në mëngjes në orën 9.00 (ceremonia në orën 11.00 paradite) në sallën ovale.
Ymeri tha se salla nuk është kërkuar shumë, ndoshta nuk kanë shumë tituj të rinj, ose druhen pak nga pagesa për sallën. Premtoi se të shtunën, ditën e dhënies së çmimeve, ka disa risi, ku do të shtohet numri i vlerësimit, pra i çmimeve. “Për këtë vit kemi vetëm një mbështetje financiare, vetëm nga Ministria e Kulturës, nga asnjë institucion tjetër, as nga ndonjë kompani”, tha Ymeri.
Një nga temat e panairit janë përkthyesit e rinj, si të nxiten ata, përmes një uorkshopi e përveç përkthyesve të konfirmuar, janë edhe një grup të rinjsh të talentuar. Panairi nuk ka të ftuar specialë, por të gjitha shtëpitë botuesve do sjellin autorët dhe përkthyesit e tyre. “Jo ne si organizatorë. Ne nuk kemi fonde për to, pasi kemi pasur mbështetje vetëm nga Ministria e Kulturës. Bashkia e Tiranës nuk ka denjuar të na kthejë asnjë përgjigje, ndërkohë që kemi bërë aplikime qysh në fillim të vitit dhe asnjë përgjigje. Kjo do të thotë se Bashkia e Tiranës refuzon të mbështesë panairin e librit”, tha kreu i shoqatës së botuesve.
Ai shtoi se Bashkia e Tiranës është duke vënë tulla nëpër biblioteka. “Biblioteka është libri, jo tulla. P.sh te lagja 9 është një bibliotekë që është rikonstruktuar disa herë, ndërkohë që ka qenë një nga bibliotekat më të mira në Tiranë. Ato fonde të shpenzohen për të blerë libra, që nuk mund t’i blejë kryetari i bashkisë. Po mbushen Bibliotekat e Tiranë me Daniel Still. Të shpallen tendera publikë, e të mbushen bibliotekat me libra. Nëse mendojmë për lexuesin, duhet të bëjmë tendera transparentë, të hapura, për furnizimin e bibliotekave publike të qytetit”.
Një jubile me probleme
Panairi sivjet është i veçantë, pasi është vit jubile. Ymeti tha nuk është market, por panair libri. “Libraritë nuk janë market. Nuk krahasohemi dot me botën e madhe në të cilën nuk na qasin akoma. Ka disa panaire libri, profesionale që japin e marrin bisedojnë, bëjnë kontrata, të promovojnë etj. Më pas kemi panaire të tjera, duke nisur që nga salloni i Librit në Paris, deri te panairi Lajpcigut, që nga minuta e parë që hapet panairi dhe deri në minutën e fundit që mbyllet vetëm shiten libra. Siç është Frankfurti, është edhe Londra dhe në gjithë të tjerët shiten libra ku ka një qëllim: për të afruar lexuesin, sepse janë të gjithë aty, libri, autori, botuesi etj. Pra, edhe ne në këtë panair jemi të gjithë bashkë, takohemi, promovojnë, bisedojmë trajtojmë probleme, edhe flasim për nesër e të ardhmen. Kjo është një mundësi për t’u takuar të gjithë së bashku. Sigurisht që ana e tregut ka rëndësinë e vet, sepse ofron mundësi për lexuesin, me çmime më interesante”, shtoi ai. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme drejtuar ministrisë e qeverive, TVSH-ja e librit është ende më e larta, 20%, ndërkohë që në Evropë më e larta është 4%-6%. “Për ne është një TVSH absurde, sepse është 20% në blerje, 0 në shitje. Në përgjithësi, për sektorin e librit nuk ka mbështetje të qartë. Shumë e rëndësishme do ishte furnizimi i bibliotekave të shkollave dhe qyteteve, siç e ka i gjithë rajoni, për të cilën duhet të merret shteti. Ne vetëm ngremë zërin, por nuk mund të bëjmë gjë tjetër. Bibliotekat janë bosh”, u shpreh Ymeri para gazetarëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.