Kryesore

INTERVISTA/ Felaj: Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, si do zgjidhet ngërçi. “Tahiri”, ta zbardhin organet e drejtësisë

10:19 - 17.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Darina TANUSHI




Kryetarja e Komisionit parlamentar të Sigurisë, Ermonela Felaj deklaroi në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se shifrat e kriminalitetit në vend janë më të ulëta, por shqetësues mbetet trafikimi. Si ish-prokurore, Felaj shprehet se brenda sistemit të drejtësisë ka njerëz të ndershëm që e duan reformën dhe vetingun.

Ju tashmë jeni deputete e Kuvendit, ndërkohë që keni ardhur në politikë si prokurore e më pas edhe ministre. A mund të na veçoni se cila nga këto eksperienca është më mbresëlënëse?

Është pak e vështirë të thuash se cilat nga këto eksperienca të punës është më e mira apo më mbresëlënëse ashtu sikurse ju e thatë në pyetjen tuaj, por sidoqoftë të gjitha eksperiencat e punës janë të vlefshme në gjykimin tim dhe të gjitha kanë qenë shumë impenjative sa i takon punës që më është dashur të bëj në secilën prej tyre. Sigurisht që kam nostalgji për kohën kur punoja si prokurore, por Kuvendi i Shqipërisë dhe qenia deputete më kanë dhënë mundësinë që të mos shkëputem nga ligji për sa kohë aktiviteti i parlamentit është ligjbërja. Dhe në këtë kuptim mua profesioni im i parë, profesioni si juriste më ka ndihmuar që unë të mund të kryej detyrat që më janë besuar dhe më duhet të falënderoj qoftë kryeministrin Edi Rama, qoftë kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi dhe kryetarin e grupit Taulant Balla, për detyrën e fundit që më është dhënë për të drejtuar Komisionin e Sigurisë. Unë kam pasur edhe mbështetjen e tyre në çuarjen përpara të punëve në një komision që është ndoshta më pak i njohur për publikun në aktivitetet e veta, por ka një rol të rëndësishëm në ndjekjen e përgjegjësive të tij.

A ju duket e vështirë të drejtoni një komision të kësaj rëndësie, ku në shumicën e mbledhjeve flitet për çështje të sigurisë, çështje të sekretit shtetëror. Dyert herë pas here janë edhe të mbyllura edhe për gazetarët.

Unë jam në mandatin tim të tretë si deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Kam qenë anëtare e Komisionit të Ligjeve edhe anëtare e Komisionit të Sigurisë. Kështu që përpara se të isha kryetare e këtij komisioni e kam njohur punën në këtë komision pikërisht nga pozita e anëtares. Nga ana tjetër, nëse për dikë krijon një lloj kurioziteti të pasurit e raporteve me institucione të inteligjencës (disa prej tyre), për anëtarët e këtij komisioni nuk është e tillë. Sigurisht duhet të përmbushen disa kushte nga anëtarët e këtij komisioni për t’u njohur me sekretin shtetëror.

Ndërkohë nuk ka asgjë për t’u bërë kureshtarë se punë është edhe në atë rast, por njohja e publikut me këtë informacion është e ndaluar ose e kufizuar. Dhe të gjithë anëtarët e Komisionit të Sigurisë kanë detyrimin t’i përmbahen këtij detyrimi, të ruajnë atë pjesë të informacionit që përbën sekret. Nga ana tjetër, më duhet ta them jo pa një lloj dhimbjeje se te ne janë mësuar me përhapjen e gjërave që duhet të mbaheshin konfidenciale, duket sikur asgjë nuk përbën më sekret dhe për çdo gjë të konsideruar të tillë, pason pyetja: Pse kjo është sekret?! Në fakt, ka informacione të natyrës së tilla që janë të rezervuara, po sjell si shembull luftën kundër krimit më saktë institucione që janë të dedikuar në luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, krime që nëse nuk do të mbaheshin nën kontroll do ta cenonin seriozisht sigurinë tonë kombëtare. Lufta kundër kriminalitetit, veçanërisht në mënyrat dhe metodat e hetimit që ndiqen, kërkon edhe konfidencialitet që të mund të bëhet, kërkon përdorimin e burimeve që nuk mund të jenë të hapura për publikun, pikërisht se duke qenë të tilla të fshehta ato mund të japin atë informacion që  nevojitet për të çuar përpara këtë luftë. Kështu që nuk ka asgjë këtu për të vënë në dyshim nëse diçka përbën apo jo sekret. Shpesh herë në Komisionin e Sigurisë na është dashur të përballojmë debate të tipit nëse duhet të jenë të pranishme kamerat/ mediat ose jo në mbledhje të komisionit, dhe vendimmarrja jonë ka qenë e kushtëzuar nga ajo çfarë në kanë thënë drejtuesit e institucioneve që kanë ardhur për të raportuar, sepse janë ata personat e parë përgjegjës që njohin natyrën e informacionit që duan t’i bëjnë me dije Komisionit të Sigurisë. Përgjithësisht ky komision i është përmbajtur kërkesave të tyre. Por ka ndodhur që pasi jemi njohur me informacionet ka pasur edhe konsiderata të tipit “pse kjo ishte sekret?!”.

Po, pra ka gjëra që janë sekret dhe që nuk mund të ndahen me publikun, por duhet të përdoren për aq sa është e nevojshme dhe e domosdoshme në komisionin tonë. Në fund të fundit detyra jonë si ligjvënës nuk është të zëvendësojmë këto institucione. Ato kanë misionin dhe qëllimin e tyre. Detyra jonë është të mund të kuptojmë se çfarë ndodh në këto institucione, të kuptojmë nëse ligji është një instrument i mjaftueshëm, që ato të organizojnë veprimtarinë e tyre apo ligji ka mangësi të tilla, që ne pastaj si ligjvënës na duhet të ndërhyjmë ta përmirësojmë dhe ta bëjmë ligjin atë instrument për të cilin këto institucione kanë nevojë.

Ju kemi parë këto ditë që keni pasur debate të forta në komision me opozitën, me zotin Noka, për shembull. Ju si grua në drejtimin e këtij komisioni, ku mbizotërojnë burrat, si e keni ndier veten?

Është një komision që në shumicë përbëhet nga meshkuj. Personalisht nuk është se më bën përshtypje kjo pjesë, sepse vij nga një lloj përvojë pune ku shumica e njerëzve që punojnë janë meshkuj. Deri vonë, në fakt,  në prokurori kanë punuar më shumë meshkuj se sa femra. Megjithëse vitet e fundit realiteti edhe aty ka ndryshuar, sepse falë shkollës së magjistraturës është bërë e mundur që aty të vijnë edhe shumë femra prokurore si edhe shumë femra gjyqtare. Kështu që besoj nuk është më realiteti i viteve 2000, kur unë fillova punën si prokurore, gjërat kanë ndryshuar. Por nuk është kjo ajo që ka tërhequr vëmendjen time, unë nuk nisem nga përbërja gjinore e komisionit në punën time. Ajo që ka rëndësi është se çfarë përfaqësojnë njerëzit në komision, përgatitja e secilit, dëshira dhe vullneti për të bashkëpunuar, aftësia për të ndarë politikën nga puna e përditshme e këtij komisioni, ose më mirë ta them, aftësia për të bashkuar politikën me punën në masën që duhet, këto do të na ndihmonin vërtetë. Ndërkohë pastaj, shfaqjeve të tipit primitiv, unë nuk do të doja t’u rezervoj më shumë koment se sa kaq, sepse nuk janë më të reja, janë të vjetra dhe ndoshta në këtë pikë u takon partive politike që të kujdesen më shumë për njerëzit që ofrojnë në listat e tyre zgjedhor, sepse sjellje të tilla si ajo që ju më përmendët pak më parë nuk është që fyejnë Ermonelën kryetare të këtij komisioni apo anëtare nuk ka rëndësi. Unë besoj që ato fyejnë publikun që interesin e parë që ka është që njerëzit e zgjedhur të punojnë dhe të realizojnë interesat e tij dhe jo të përdorin vendin e anëtarit të komisionit dhe prezencën e kamerave për të bërë një show që është thjeshtë i neveritshëm. Deri këtu do ta çoja komentin tim, sepse nuk dua të bie në rrjetën që të merrem me sjellje të tilla. Nuk e kam aspak ndërmend. Rregullat e punës janë të normuara qartë në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Kushdo që di të lexojë dhe do të lexojë duhet të jetë në gjendje t’i zbatojë dhe të kuptojë se përse këto rregulla janë vënë. Natyrisht ne aty jemi përfaqësues të forcave të ndryshme politike. Por fakti pse jemi të ndryshëm, pse kemi qasje të ndryshme kjo nuk duhet të na pengojë që të shprehim qëndrimet tona me qytetari e respekt përkundrejt njëri-tjetrit, sepse nuk jemi në sallën e Kuvendit apo komisioneve si armiq, por jemi si kundërshtarë apo si njerëz që ruajmë pozicione të ndryshme për ligjin ose për çështje të tjera që na duhet të diskutojmë.

Jemi në fazën, kur reforma në drejtësi është në pikun e saj, kanë filluar rezultatet e para dua t’ju pyes: Ju si ish-prokurore a keni ndonjë ndjesi në lidhje me prokurorët e gjyqtarët që presin të kalojnë vetingun për të mbajtur vendin e punës?

Unë mund t’jua them me shumë siguri, me sigurinë e një njeriu që vjen nga ai organ, me sigurinë e një njeriu që ruan ende lidhje të pastra shoqërore brenda këtij organi që një shumicë e njerëzish që punojnë në sistem, nuk janë të tillë, të pandershëm. Por janë njerëz të ndershëm që janë të dedikuar në profesionin e tyre dhe që natyrisht këto janë edhe pjesa më e pazëshme, por që në rastin e reformës në drejtësi janë pjesa që e duan më shumë. Sepse ka ardhur momentin që të ndodhë ajo që kryeministri e konsideron si pastrimi i pallatit të drejtësisë. Dhe mua më vjen mirë që, pavarësisht nga vonesat që u shkaktuan për ecurinë e reformës në drejtësi, më në fund organet e vetingut janë ngritur, po plotësohen dhe trupat ndihmëse dhe ka filluar edhe vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve të parë. Janë bërë publikë emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të parë që do të kalojnë vetingun. Është shumë e rëndësishme që vetingu të kryhet në kohë dhe të kryhet ashtu siç duhet, sepse nga kryerja e vetingut varet edhe ngritja e dy institucioneve kryesore për qeverisjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve, bëhet fjalë për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe pastaj edhe institucione të tjera, siç janë edhe Prokuroria e Gjykata e Posaçme, që do jenë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe Byroja e Hetimit. Pra, me të drejtë mund ta quajmë procesin e vetingut si “thembra e Akilit” të të gjithë reformës në drejtësi.

Më vjen mirë, po ashtu, që qeveria nga ana e vet u kujdes që të plotësoheshin maksimalisht kërkesat e komisioneve të vetingut.

A garantoni që Partia Socialiste dhe qeveria nuk do të ketë ndikim në përzgjedhjen e këtyre trupave?

Formula e zgjedhur dhe e shprehur qartësisht në ligj përjashton në maksimum ndikimin e partive politike. Sepse përzgjedhjet janë me shumicë të cilësuar, kështu që është shumë e vështirë të flasësh për përdorim politik të komisioneve të vetingut apo institucioneve që do të krijohen në vijim. Nuk ka ndodhur kjo deri më sot dhe nuk e shoh të ndodhë. Në gjykimin tim ecuria e deritanishme e procesit të vetingut është e mirë dhe këtu kam parasysh faktin që në procesin e vetingut janë të përfshirë edhe disa institucione të tjerë: bëhet fjalë për Drejtorinë e Pastrimit të Parave, për Inspektoratin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Shërbimin e Çështjeve të Brendshme që ka Policia e Shtetit dhe Drejtoria për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar. Në 3 prej këtyre institucioneve ne si komision kemi qenë, jeni njohur  me punën që bëjnë  dhe në mënyrë të veçantë jemi njohur lidhur me çfarë ato kanë bërë në kuadër të procesit të vetingut. Që gjatë verës këto institucione kanë punuar me deklarata të dorëzuara për shkak të ligjit të vetingut nga gjyqtarët dhe prokurorët dhe kanë përpunuar një numër jo të vogël deklaratash. Janë të paktën 3 mijë deklarata me të cilat është marrë secili institucion dhe kjo është një punë paraprake shumë e rëndësishme e kryer tanimë. Nëpërmjet vetingut bëhet e mundur që të kontrollohet figura e çdo gjyqtari dhe çdo prokurori sa i përket lidhjeve të tyre shoqërore, me qëllim identifikimin e lidhjeve që janë të papërshtatshme për t’i pasur një gjyqtar ose një prokuror, kontrollohet pasuria e tyre po ashtu për të identifikuar nëse pasuritë e tyre janë vendosur mbi të ardhura që rrjedhin nga puna apo për burime të tjera jo të ligjshme.

Ndërkohë kontrolli i vendimmarrjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve është po ashtu një aspekt tjetër i vetingut më qëllimin për të parë nëse vendimet janë dhënë konform ligjit apo janë vendimmarrje që paraprihen nga lidhje me natyrë të dyshimtë, lidhje korruptive.

 A mund të themi që rezultatet e para kanë filluar që me arrestimin e gjyqtarit Shkëlqim Miri apo pritet ende?

Unë e shoh si një lëvizje të mirë brenda sistemit, në kuptimin që ka reagim, por njëkohësisht e shoh edhe si mënyrë për të parandaluar sjellje të natyrës së tillë. Sigurisht gjëja nuk erdhi në kuadër të vetingut, por në kuadër të një pune policore dhe të prokurorisë për të mbledhur ato prova që çuan deri në arrestimin e gjyqtarit në fjalë. Besoj që kjo punë duhet të fuqizohet dhe tanimë që Ministria e Brendshme shpalli krijimin e Task Forcës që do të kryejë edhe operacionin “Forca e ligjit”. Qëllimi i  Task Forcës që përfshin në vetvete punonjës të të gjitha këtyre institucioneve që përmendëm është pikërisht që të përqendrojë luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.

Po diskutohet çdo ditë çështja e drogës. Kemi pasur edhe deklarata të forta nga ambasadori amerikan Donald Lu për 4 familjet mafioze. Ju si komision, në këtë periudhë kohe keni pasur informacione, në lidhje me këtë problem gjatë këtyre muajve që ju e drejtoni. Si është situata aktuale?

Ne në Komisionin e Sigurisë kemi marrë informacione për kriminalitetin nga nivele të ndryshme. Kemi marrë statistika për kriminalitetin nga Policia e Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme dhe padyshim kemi marrë edhe nga Ministria e Drejtësisë. Ajo që vërej unë edhe si juriste, edhe si prokurore është fakti që  koeficienti i kriminalitetit, të paktën këto vitet e fundit ka ardhur duke u ulur në mënyrë të ndjeshme. Koeficienti i kriminalitetit tregon ndodhshmërinë e veprave penale për 100 mijë banorë. Dhe në këtë rast po të nisesh nga totali i të dhënave për vepra penale do të vëresh që ky koeficient ka ardhur duke u ulur.. për shembull ne kemi numrin më të ulët të vrasjeve që është shënuar ndonjëherë. Po t’i shikosh si vepra penale vihet re që më e përhapura është vjedhja. Ka një rritje te trafiqet, sigurisht, por kjo nuk zbeh dhe nuk mund të mohohet puna që është bërë, sepse veçanërisht verën e këtij viti ka pasur një shtim të jashtëzakonshëm të luftës kundër  narkotikëve, gjë e cila u konfirmua edhe në raportin e shpallur nga Guardia di Finanza. Shqipëria nuk është më një vend i kultivimit. Kuptohet që problemet e trafikimit nuk janë një problem i ri që ndodhi sot. Janë një problem i hershëm në Shqipëri, janë fenomen në vende të tjera, janë sfida që na duhet t’i përballojmë ne, i përballojnë edhe të tjerët. Ajo që ka ndryshuar është fakti që është kuptuar që këto lloj krimesh nuk mund të luftohen të vetëm. Këto kërkojnë bashkëpunim në nivel ndërkombëtar, sepse trafikimi nuk është se bëhet brenda territorit të një vendi. Ato kalojnë nga një territor në një tjetër ose nganjëherë përfshijnë më shumë se sa dy territore. Ndaj është shumë e rëndësishme që puna të jetë e përbashkët mes vendeve e po kështu informacioni të ndahet në kohë reale. Task Forca që u shpall së fundi  i reflekton të gjitha këto nevoja, po t’i referohesh mënyrës sesi është konceptuar të funksionojë kjo Task Forcë.

Meqë jemi duke folur për drogën, një nga çështjet që u bë temë e ditëve të fundit ishin përgjimet e bandës së Habilajve, ku u përmend edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Sigurisht do të jetë gjykata që do e vendosë, por sa besoni ju në pafajësinë e kolegut tuaj?

Nuk e shoh këtë çështje si çështje të vënit bast. E shoh si një çështje që është detyrim i organeve të drejtësisë për ta zbardhur. Nga ana tjetër Partia Socialiste, grupi parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë ka mbajtur një qëndrim të qartë në lidhje me këtë çështje. Saimir Tahiri është nën hetim dhe natyrisht i takon prokurorisë dhe gjykatës që të shpallin para publikut të vërtetën për çështjen në fjalë, e vetmja gjë për të cilën ne nuk ishim dakord me kërkesën e prokurorisë ishte kërkesa për të vendosur masën e arrestit me burg ndaj tij dhe konsiderata jonë për të mos e pranuar këtë çështje lidhet thjeshtë dhe vetëm me faktin që ne nuk mund të lejojmë që precedentë të tillë  nuk ngrihen dhe bazohen në prova të mund të bëhen shkas pastaj për t’u përdorur për raste të tjera. Dhe qëllimi që në Kushtetutën tonë kemi një dispozitë të tillë që e lejon organin e prokurorisë të hetojë çdo lloj vepre penale ndaj deputetëve, por e kufizon në momentin kur duhet të marrë masa që i heqin lirinë deputetëve, nga ky qëllim është nisur që të mos lejojë përdorimin politik të çështjeve të ndryshëm. Dhe nuk është një gjë që e kemi vetëm ne. Të gjitha legjislacionet e vendeve që janë më demokratike se ne e kanë të njëjtin parashikim në Kushtetutat e tyre, dhe jo më kot. Deputetët janë figura publike dhe si të tillë ata janë në qendër të kritikave të publikut dhe nganjëherë lehtësisht mund të bëhen shënjestra. Kështu që në këtë kuptim i takon parlamentit të mbrojë trupën e vet dhe të mos lejojë goditjen e trupës së vet, kushdo qoftë, për qëllime mirëfilli të luftës politike. Kjo ka qenë konsiderata e vetme që ne e kemi shprehur publikisht. Nga ana tjetër, është e qartë që qeveria në ndryshim nga ajo që ndodhte në të shkuarën as nuk ka linçuar ndonjë nga trupa e prokurorisë, as nuk ka krijuar për shkak të fuqisë e kompetencave të veta ndonjë pengesë në hetimin e çështjes në fjalë apo edhe çështjeve të tjera. Nuk besoj që do të dëgjoni ndonjëherë ndonjë prononcim nga ana e prokurorisë dhe gjykatës që kjo po ndodh në maxhorancën tonë.

Ka pasur një kërkesë nga opozita drejtuar Presidentit për deklasifikimin e diskutimit që është bërë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, ku është folur për drogën dhe ka qenë i pranishëm edhe ish-ministri Saimir Tahiri. Presidenti ktheu një përgjigje negative për këtë. Çfarë shërbimi do të sillte nëse deklasifikohej kjo mbledhje?

Unë besoj se kjo pyetje na rikthen në fillim të bisedës, që për shkak se këtu përhapja e sekreteve në publik është bërë modë, edhe nga fakti se askush nuk është ndëshkuar, nga fakti që ka lejuar përhapjen e një sekreti, duket sikur nuk ka më asnjë sekret. Dhe imagjino arrihet në kërkesa të tilla absurde që kur mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare kërkohet që informacionet që ndahen aty brenda, të bëhen publike. Nuk mund të ngrihej në asnjë mënyrë një kërkesë e tillë dhe natyrisht është i drejtë edhe qëndrimi i Presidentit të Republikës. Është një qëndrim konform ligjit për informacionin e klasifikuar. Po ta lexoni atë ligj, që është një ligj i thjeshtë dhe çdo qytetar mund ta kuptojë lehtësisht, do të arrini në konkluzionin që informacione të natyrës sekrete janë sekrete dhe duhet të ruhen si të tilla deri në afatin që imponon ligji. Nuk mundet që të ndahen me publikun.

Po afron fundi i mandatit të kryeprokurorit Llalla, ndërsa patëm edhe lëvizjen e kreut të SHISH-it, Visho Ajazi. A kanë qenë dhe janë këto lëvizje të ndikuara nga qëllimi që ka Partia Socialiste për të bërë një reformë të thellë në drejtësi?

Sa i takon lëvizjes së kreut të SHISH-it besoj që kryeministri ka qenë shumë i qartë në deklarimet që ka ndarë  me publikun.  Nuk kam ndonjë koment për këtë. Është e drejtë e kryeministrit, e drejtë e  që të propozojë kreun e ri të SHISH. Në ligj thuhet qartë që kreu i SHISH varet nga kryeministri. Pra, nuk ka asnjë lidhje me komisionin e sigurisë propozimi në fjalë.

Sa i takon pyetjes tjetër për kryeprokurorin, sigurisht nuk është e re, sepse e ka ligji që Prokurori i Përgjithshëm i një vendi ka një mandat të qëndrimit në detyrë që është i njohur. Në momentin që ky mandat përfundon, Kushtetuta ka edhe një zgjidhje të përshkruar qartë se çfarë duhet të vijojë më vonë, e kam fjalën deri në momentin e krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kushtetuta e përshkruan qartë se kush duhet t’i ushtrojë funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, sepse në momentin që do të krijohet Këshilli i Përgjithshëm i Prokurorisë, ai do të zgjidhet nga trupa e prokurorëve.

Normalisht i bie që kryeprokurori do ta vijojë punën deri në krijimin e Këshillit?

Është përshkruar qartë në Kushtetutë se çfarë do ndodhë. Le të zbatojmë atë që thuhet në Kushtetutë, pa bërë aludime që nuk i përmban Kushtetuta. Ndryshimet kushtetuese i kemi votuar me unanimitet. Janë 140 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë që kanë votuar. Kështu që nuk besoj që na nxjerrim interpretime pas interpretimesh, komente pas komentesh, rri apo nuk rri. Është e qartë, mandatet janë këto që përcaktohen në ligj, në momentin që përfundojnë s’ka asgjë për të diskutuar për askënd që largohet nga një detyrë në të cilën është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë.

 GSH.al

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.