OPINION

Kurrikula dhe injoranca e ish-ministres teknike

07:30 - 17.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Prof. asc. dr. Pëllumb KARAMETA

 

Këto ditë, ish-ministrja teknike e arsimit, në një format të gjerë gazetaresk, kritikoi reformën kurrikulare në arsimin parauniversitar (APU). Në këtë kontekst, ajo konstatoi: “Fatkeqësisht reforma kurrikulare, e huazuar, e ka vendosur arsimin parauniversitar në një sfidë të vështirë dhe të pamundur – përballja me deformimin. E aplikuar në një model “alla shqiptar” ajo ka dëmtuar arsimin bazë. Arsimi parauniversitar, arsimi bazë, i cili përbën thelbin e formimit dhe të zhvillimit të individit, për interesa të ngushtë partiakë e kredo politike është në një kaos demagogjik, duke cenuar thelbin e tij”. Për të mbështetur këtë konstatim, ajo shtjellon këto ide kryesore: A) MAS-i hodhi poshtë draft kurrikulën e hartuar në vitin 2013 dhe aplikoi një kurrikul të huazuar nga Kosova”. B) Kjo kurrikul ishte e panjohur për mësuesit. Mësuesit janë të patrajnuar për këtë model. C) Përdorimi i teknologjisë në shkollë është i kufizuar. D) Fondet nga buxheti i shtetit për arsimin janë ulur; shkolla nuk ka buxhet për të përmbushur detyrimet e saj.

Sa i qasen të vërtetës dhe mundësive të shoqërisë shqiptare dhe a janë të mbështetura në fakte dhe të dhëna domethënëse konkluzionet e mësipërme?

  1. A. Model kurrikular i huazuar. Është fakt që reformimi i kurrikulës së APU-së është mbështetur në kurrikulën zyrtare që po zbatohet në Kosovë. Kjo, për dy arsye thelbësore. E para, për të jetësuar direktivën e çmuar të qeverisë shqiptare për unifikimin e sistemeve arsimore të dy vendeve. E dyta, sepse kurrikula i ri i Kosovës jetëson ndryshimet rrënjësore që po zhvillohen, kudo në botë, prej fillimit të këtij shekulli. Ndryshime këto që konceptohen si ‘thyerje’ të kornizave tradicionale në rrafshet epistemologjik, teorik dhe teknik. Zhvendosja nga frymëzimi bihejviorist drejt konstruktivizmit, socio-konstruktivizmit dhe kognitivizmi është një prej tyre. Konceptet e reja rreth kuptimeve kyçe (p.sh., çfarë janë dija/njohuria, si zhvillohen, si përdoren, për çfarë shërbejnë, kush i zotëron e zbaton ato? etj.); kalimi nga pedagogjia e objektivave në pedagogjinë e integrimit; shndërrimi i mësimdhënies transmetuese në nxënien bashkëpunuese; ndërtimi i kuptimit të ri për nxënien, e dallueshme nga nxënia e përmbajtjeve disiplinore të dekontekstualizuara etj., janë shembujt të tjerë të thyerjes së kornizave. Reformat që kombinojnë ‘thyerje’ të tilla janë komplekse dhe përfshijnë rregullime madhore në legjislacion, në kurrikulën zyrtare, apo në praktikën shkollore (kurrikula e zbatuar dhe ajo e përvetësuar). Modeli kurrikular i përzgjedhur bazohet në prurjet e reja të shkencave të nxënies, sipas të cilave mendjet nuk janë të afta vetëm të mbushen, por dhe të zgjerohen; se burimet e informacionit jashtë kontekstit shkollor janë më të rëndësishme se përmbajtjet e programeve mësimore; se krahas të veçantave të çdo fushe të nxëni, ekzistojnë mjaft elemente kryesore që u përkasin të gjitha fushave, kuptimi dhe përdorimi i të cilave ndikon procesin reformues. Për ta thënë ndryshe, nëse te draft kurrikula e vitit 2013 nxënia bazohej te dijet lëndore dhe te mësuesi që e transmetonte atë, sot, kurrikula e re me nxënësin në qendër, siguron nxënien që aftëson të njohësh, të dish të bësh si duhet dhe të shpjegosh përse e bëre ashtu. Është ky argumenti themelor që zhvlerësoi produktet e draftit të kurrikulës që përgatiti Ministria e Arsimit, në periudhën 2010-2013. [Për më shumë, lexuesi i interesuar mund të informohet te: http://gazeta-shqip.com/lajme/2012/10/01/reforma-kurrikulare-dhe-kerkimi-arsimor/; http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/03/24/reforma-anglo-saksone-e-ministrit-tafaj/].

Në optikën bashkëkohore, reformat kurrikulare orientohen nga shndërrimet e shoqërive të sotme dhe evolucioni i dijeve që janë madhështore dhe pështjellojnë vazhdimisht përmbajtjet e nxënies në shkolla. Ndaj, për të parë tablonë arsimore, ne kemi nevojë për metafora të reja – për lente të reja – të dallueshme nga ato të dekadave të shkuara apo ato partiake. Të tilla lente të reja duket i mungojnë ish- ministres teknike. Ndaj, ajo nuk arrin të kuptojë që sistemet arsimore janë sisteme komplekse dhe tejet konservatore, nga vetë natyra, të cilët nuk mund t’i drejtosh me manovrime të shpejta dhe të sakta, si të ishin makina garash. Ajo duket nuk e di që edhe kurrikulës tradicionale të konceptuar sipas pedagogjisë me objektiva, iu desh një shekull i tërë për t’u zhvilluar dhe përsosur. Ajo duket nuk e di që, në Kanada, reforma kurrikulare bazuar në kompetenca, ka filluar në vitin 2000. Dhe, që nga ajo kohë, asaj i janë bërë mjaft ndryshime, për të lehtësuar zbatimin e kuptimeve të reja dhe përdorimin e burimeve të nevojshme që përdorin mësuesit dhe nxënësit në procesin e nxënies. Kujtojmë, gjithashtu, përpjekjet e nisura që në vitin 2005, në Francë, për përsosjen e kurrikulës që zhvillon kompetencat (Le socle commun des connaissances et des compétences)  Ndaj, është utopi të kërkosh që kurrikula e re, e bazuar mbi idetë revolucionare për mendjen, dijen, nxënien, inteligjencën etj., të mund të përvetësohet menjëherë. Çka, gjithsesi, nuk përjashton aspak përpjekjet sistematike të institucioneve, specialistëve dhe mësuesve për të përmirësuar çdo ditë njohuritë dhe kompetencat e tyre profesionale.

Ndërkaq, nuk është e vërtetë që kurrikula e Kosovës është ndërtuar sipas modelit skocez, sikundër pohon znj. ish-ministre. Ajo është konceptuar dhe mbështetur nga ekspertë të BE-së dhe të UNESKOS-s. Duke qenë, njëherazi, e ngjashme me kurrikulat e të gjitha vendeve të BE-së, Amerikës së Veriut e më gjerë. Si përfundim: Gjithë sa pohon ish-ministrja teknike në kritikën e saj për pikën A dëshmon, në rastin më të mirë, padije të plotë.

  1. Kurrikula është e panjohur nga mësuesit, sepse ata janë të patrajnuar. I përgjithësuar kësisoj, ky është një pohim i rremë. Është fakt që ka mësues të shumtë që nuk kanë arritur të kuptojnë sa e si duhet ndryshimet e sjella nga kurrikula e re. Fillimisht, këtu ndikon vështirësia që përshkruam në pikën A. Kësaj i shtohen investimet e gabuara në vite në sistemin arsimor nga qeveritë e radhës. Përmendim, p.sh., sistemin e korruptuar të trajnimit nga agjenci të ndryshme (i njohur ndryshe edhe si shitblerja e certifikatave) apo punësimin e 1984 mësues pa arsim përkatës dhe 2065 mësues jashtë profilit. Nga ana tjetër, në funksion të përvetësimit të elementeve të brendisë, strukturës dhe të formës së kurrikulës së re kanë qenë 400 tryeza diskutimi, 5 konferenca kombëtare për reformën kurrikulare dhe 80 programe të reja, të bazuara në kompetencat kyçe europiane, çka po lehtëson ngarkesën mësimore për rreth 400 mijë nxënës. Për herë të parë në Shqipëri, kurrikula u pilotua në 26 shkolla të vendit, përpara se të zbatohet në sistem dhe, vetëm në 2015-2016, u trajnuan 27.258 mësues dhe drejtues. Këto fakte flasin vetë.

Kompetencat e pamjaftueshme profesionale të mjaft mësuesve janë kushtëzuar fort edhe nga shpërpjesëtimet që kanë ekzistuar ndërmjet katër sistemeve, që vitet e tranzicionit vetëm i thelluan: 1) formimi fillestar i mësuesit, 2) punësimi dhe promovimi, 3) zhvillimi profesional i vazhduar, 4) vlerësimi i performancës. Në gjendjen siç ishin, këtyre sistemeve, u mungonte bazamenti teorik, koherenca dhe mbështetja në përvoja të mira botërore. Ndaj, reformimi i tyre ka nisur me ndërtimin e politikës së re, të dakordësuar edhe me aktorë të tjerë të rëndësishëm, politikë arsimore që orientohet, si kudo në botë, nga standardet profesionale të mësuesisë (të përmbajtjes dhe të performancës).

  1. C. Përdorimi i teknologjisë në shkollë është i kufizuar. Ky është konstatim pjesërisht i vërtetë. Dhe, nëse shumë nga shkollat tona nuk kanë arritur të bëjnë funksionale përdorimin e teknologjive të informimit dhe të komunikimit (TIK), shkaqet duhen kërkuar në mbrapshtitë e periudhës 2006-2013. Strategjia e zbatuar dhe financimet e përdorura bënë të kundërtën e asaj që ishte provuar si funksionale në vende të tjera. Estonia e vogël, të themi si ilustrim, që në vitin 1997, pajisi fillimisht familjet me kompjuterë; krijoi qendrat e mirëmbajtjes dhe ndihmoi përdorimin e Internetit nga mbarë shoqëria. Estonia, e integruar prej kohësh në Europë, përpara se të dërgonte kompjuterët nëpër shkolla, krijoi bazën e duhur që ndihmoi zbatimin e politikës së re. Sa i takon politikës që zbatoi qeveria jonë për E-nxënien, vendin e argumentit profesional e zuri babëzia për fitim të paligjshëm dhe diletantizmi. Sipas kontratës me vlerën 10 milionë dollarë, firmat serbe “MpSoft Grup” dhe “CT Computers”, duhej të siguronin 10 mijë kompjuterë, printerë, skanerë etj., për laboratorët e 665 shkollave. Sakaq, u dorëzuan 46 laboratorë më pak nga vlera e kontraktuar, pa përmendur një numër të konsiderueshëm aksesorësh si kufje, karta kompjuteri etj. Nga ana tjetër, u shpërfytyrua trajnimi i mësuesve për përdorimin e TIK, proces ky që u mbulua nga propaganda. Rezultati: Pas mburrjeve për E-shkollat, më vitin 2012, UNICEF konstatonte se rreth 80% e fëmijëve të mostrës në studim nuk e njihnin Internetin.

Nisur nga një gjendje e tillë, ish-ministrja teknike mund të përmendte projektin për digjitalizimin e shkollave nëpërmjet integrimit të TIK-ut në arsimin e mesëm, si një nga përpjekjet për të përballur sfidat e mëdha. Fillimisht, 60 shkolla të mesme të përgjithshme u bënë pjesë e projektit të digjitalizimit të nxënies me tableta. Përmes tij po krijohet një raport i ri mësues-nxënës, të cilët ndërveprojnë nëpërmjet teknologjisë me njëri-tjetrin me mjetet që kanë në duar. Ndërkaq, ministrja teknike mund të dijë për marrëveshjet me partnerë ndërkombëtarë që ofrojnë asistencën e tyre, si për bursa, ashtu dhe për kualifikimin e stafit pedagogjik, si Intel, Google, Microsoft, Samsung etj.

Si ish ministre, atë do duhet ta kishin informuar, gjithashtu, për zhvillimin e kurrikulës dixhitale (me theks tekstet shkollore dixhitale). Këto të fundit, mund të përkufizohen si tekste bazë për nxënësit dhe studentët, me të cilat mund të nxënë përmbajtjet e përshtatura për aftësitë dhe interesat e tyre. Përmes teksteve dixhitale, nxënësit mund të krijojnë tekstet e tyre, duke nënvizuar pjesët e rëndësishme, duke marrë shënime dhe, së fundmi, duke kombinuar përmbajtjet që ofrojnë burimet e informacionit dixhital, me njohuritë cilësore dhe kompetencat e ndërtuara tashmë prej tyre. Zhvendosja nga tekstet shkollore tradicionale te tekstet digjitale do t’i lejojë subjektet të zëvendësojnë gradualisht tekstet e tyre të rënda dhe të eksplorojnë botën përtej mureve të klasës.

 

  1. D. Financimi për arsimin është ulur. Edhe ky është një pohim i pasaktë që reflekton padije të plotë. Fillimisht, ish ministrja teknike nuk ka të qartë se, pas vitit 2013, shifrat që paraqesin financimin e APU-së nuk përfshijnë financimin e arsimit profesional. Nga ana tjetër, totali i fondeve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), në programin buxhetor afatmesëm, për vitin 2018, arrin shifrën e 38 miliard e 374 milion lekëve, i përafërt me financimin e APU-së dhe atij profesional së bashku, në vitin 2013. Buxheti i MASR-it për vitin 2018, krahasuar me planin fillestar të vitit 2017, është rritur dukshëm, me 3.6 miliardë lekë ose 10,52% më shumë sesa viti që po lëmë pas. Për ta plotësuar tablonë, po shtojmë se rritja nëAPUreflektohet konkretisht në rritjen e shpenzimeve korrente, që janë shtuar me 2.040 miliardë lekë ose me 5.6%. Shpenzimet kapitale / investimet janë shtuar në total me 1.2 miliardë lekë më shumë se buxheti i rishikuar 2017 ose 48% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Nga sa parashtruam, shpresojmë që ish ministrja teknike të bindet për nevojën e horizonteve të rejat që mund ta ndihmojnë të gjejë shtegun për të ecur përpara. “Duke e pasqyruara këtë në mendjen tonë – thotë filozofi gjerman Gadamer – ne kuptojmë ngushtësinë e horizontit, por dhe nevojën për zgjerimin tij, ose hapjen e horizonteve të reja”. Kjo mund ta zhvendosë kontributin e kujtdo nga dëshirë e ligjshme, retorikë politike apo predikim vetjak, në investim efikas që u shërben specialistëve, mësuesve dhe shkollave.

 

Tiranë, më 16/11/2017


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.