KULTURË

Stenda më origjinale e panairit dhe mesazhi i saj

10:51 - 17.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Fatmira NIKOLLI

 

Është stenda më origjinale e panairit, më e “varfra” në shpenzime dhe më e vyera në dije. Mban emrin e një dijetari të madh, që qe pinjolli i një dere të parë gjirokastrite, njëherit njeriut që çeli rrugë të reja të studimeve të shqipes, duke i kthyer dyert e mbyllura të albanologjisë në porta të mëdha të dijes dhe autoritetit shkencor, që krahasohej tanimë lirisht me katedrat simotra në vende të tjera.
Stenda është ndërtuar me lëndë druri gratis, paleta. Në hyrje të stendës qëndrojnë dy bimë papirusi të kultivuara enkas për ditë takimesh si këto! Bëhet fjalë për Shtëpinë Botuese “Çabej”, që zë një hapësirë modeste në metra katrorë, në “periferinë” e panairit, në kat të dytë, por aq sa e mënjanuar është, aq feks në madhështinë e modestisë së saj, me ngjyra vjeshte. Stenda duket sikur ndjek gjurmët e vetë Çabejt, që në të gjallë të vetë, madhështinë e kishte te thjeshtësia e urtësia, pa dashur asnjëherë të dilte në radhë të parë. Njësoj si ai, mesazhet i jep përmes punës, si murgjit e kahershëm, që ashtu në izolim lanë pas botime e studime madhore, pa dashur të merrnin pjesë në salltanete e shkëlqime të rrejshme që shuhen me ndriçimin fals.
Anna Shkreli, nga Shtëpia Botuese “Çabej” që drejtohet nga e bija e dijetarit, thotë se këtë vit kemi dashur ta shohim stendën e “Çabej” si një hapësirë komunikimi me lexuesin për të shprehur mesazhin tonë mbi vlerën e riciklimit dhe ripërdorjes. “Gjithashtu kjo stendë është dhe një qëndrim, jo vetëm ndaj çmimeve të panairit në Tiranë që janë në stratosferë, por edhe ndaj monopolizuesve të tregut libror, të cilët harxhojnë miliona në pode, lede dhe sensacione. Për hir të këtij misioni, kemi vendosur të ndërtojmë një stendë me paleta të ricikluara dhe me 0 shpenzim”, thotë Shkreli. Shton se është një punë e bërë prej tyre, me dorë, orë pas ore.


“Për të na mbështetur në idenë tonë do ta vlerësonim tej mase sikur të vinit qoftë dhe vetëm për të na përshëndetur, minimalisht do merrni një trëndafil”, thotë ajo.
Në fakt, veç stendës, “Çabej” ka gjithë punën që la pas Çabej, për të cilën kemi nevojë ditë pas dite, janë vepra të albanistit Eqrem Çabej, botuar në gjerdanin ‘Excipere’ ku përmendim “Hyrje në indoeuropianistikë”, “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, “Fjalor i gjuhës shqipe”, “Fonetikë historike e gjuhës shqipe”, “Elementë të gjuhësisë e të literaturës shqipe”, “Shumësi i singularizuar, “Diana dhe zana- Studime kulturhistorike”, “Në botën e arbëreshëve të Italisë”, etj. Janë po ashtu edhe gjerdanët “Kostelacione”, që përfshin pjalmin e letërsisë artistike, gjerdani “Llampa magjike” që përfshin krijimet e tregimtarëve më në zë nga bota të librave për fëmijë dhe gjerdani “Verba Mundi”, që përfshin eseistikë dhe vepra me karakter studimor nga disiplina të ndryshme.
Nga botimet e reja përmendim “Matilda” nga Roald Dahl përkthyer nga Beti Njuma, “Fjalë për fjalë” (Eksplorime nga hapësirat e shqipes) nga Ardian Vehbiu (botim për të cilin Vehbiu thotë se i detyrohet Çabejit për shumë nga çfarë ka mësuar, në vite, për gjuhën shqipe, gjuhësinë historike, albanologjinë dhe metodën e kërkimit shkencor në fushën tonë të dijes), një tirazh i ri i “Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe” të Gustav Meyer, novela “ANNA, SOROR…” nga autorja e jashtëzakonshme frënge Marguerite YOURCENAR, sjellë në shqip nga Brikena Çabej, “Kujtime 1939-‘44″ nga Mustafa Greblleshi, “Butrinti” nga Luigi Maria Ugolini, e jo vetëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.