BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Mariza Ikonomi në kërkim të dashurisë: Dua një mashkull të gjatë dhe biond

16:00 - 18.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Mariza Ikonomi në kërkim të dashurisë: Dua një mashkull të gjatë dhe biond




E zhytur deri në fyt në punët rreth këngëve dhe klipeve të reja, si dhe angazhimeve në sezonin e verës, Mariza Ikonomi duket se nuk ka shumë kohë për dashurinë. Ajo ka lënë pak anash jetën private dhe është fokusuar shumë, që adhuruesve t’iu sjellë risi dhe t’i kënaqë ata me ndonjë hit të ri. “Për momentin nuk jam e dashuruar, sepse kam shumë pak kohë për jetën time private. Kaloj shumë kohë duke punuar rreth projekteve të reja, dhe po mundohem të jap maksimumin, në mënyrë që në këtë sezon vere të jem sa më afër publikut”, – thotë Mariza. Por, ajo nuk heziton të shfaqë preferencat e saj lidhur me atë se si duhet të duket një mashkull ideal për të. Çfarë look-u duhet të ketë, çfarë karakteri dhe çfarë duhet të bëjë, në mënyrë që me këngëtaren të kalojë një jetë të mirë. “Në mënyrë që të jetë ideal për mua, më duhet mbështetja maksimale. Pra dua që të kem dikë që më përkrah gjithmonë. Më pëlqen të jetë i sinqertë mbi të gjitha, por edhe simpatik. E dua një mashkull të gjatë dhe biond”. Mariza thotë se kohën e lirë e kalon në afërsi të njerëzve të saj më të dashur, si prindërit dhe motra, ndërsa nuk lë pas as daljen me shoqëri si gjatë ditës, ashtu edhe në mbrëmje. Ndërsa kur është në shtëpi, preferon të lexojë dhe të shikojë televizionin. Tashmë që sezoni i verës ka filluar, Mariza vështirë se do të mund të qëndrojë edhe aq gjatë me njerëzit që është mësuar t’i ketë afër. “Përveç projekteve të reja, tani gjatë ditëve të nxehta do të jem në vendet bregdetare këtu në Shqipëri, në mbrëmjet muzikore. Por nuk do të mungojnë mbrëmjet as jashtë vendit”. Mariza, e cila idhull ka Celine Dionin, thotë se nuk ka fare xhelozi ndaj konkurrentëve të saj, megjithëse thotë se xhelozia në estradë është shumë normale. Ajo ka besim të plotë në kapacitetin e saj vokal dhe për këtë arsye nuk heziton të thotë se mund t’i këndojë të gjitha zhanret muzikore, duke nisur nga muzika popullore e deri tek ‘Heavy Metali’, që konsiderohet si zhanri më i vështirë. “Unë preferoj të këndoj muzikë origjinale, që bëhet vetëm për mua. Nuk më pëlqejnë këngët e kopjuara që i ka kënduar dikush tjetër, sepse ato kurrë nuk mund të jenë hite”. Mariza, përveçse është e kënaqur me zërin, duket se nuk ka shumë komplekse as për pamjen e saj. Kjo për shkakun se ajo thotë se qëndron mjaft pak kohë para pasqyrës. “Kur dal në skenë, i kushtoj rëndësi të madhe si veshjes ashtu edhe gjërave të tjera. Por, në jetën e përditshme jam shumë e thjeshtë dhe mjaft pak rri pranë pasqyrës”. Sa i përket të ardhmes, Mariza nuk preferon të flasë shumë, por thotë se ka shumë projekte të cilat presin për t’u realizuar. Por tash për tash do të fokusohet në punët që kërkohen në sezonin veror; mbrëmjet argëtuese në baret e bregdetit.

Sezoni i verës
Si të gjithë këngëtarët e tjerë, edhe Mariza Ikonomi këtë sezon është mjaft e zënë. Sapo ka hyrë stina e verës dhe koncertet që organizohen në qytete të ndryshme, janë të shumta. Bregdeti shqiptar është ai, ku Mariza do të shkelë ngado këtë verë, e ftuar për të performuar live në koncerte me qëllim argëtimin e fansave. Kohëve të fundit, këngëtarja e re në moshë ka realizuar disa këngë, që në televizionet muzikore shqiptare transmetohen mjaft shpesh, shoqëruar me klipe të tendencave të fundit.
Ky shkrim është botuar më 7 qershor 2008


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.