EKONOMI

Tryeza e diskutimit/ Studentët: Tarifa të papërballueshme studimi, sidomos në nivelin master

09:41 - 18.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Voltiza DURO

 

Tarifat e papërballueshme të studimit, veçanërisht në nivelin master dhe ngacmimet seksuale në universitete ishin dy nga pikat që u diskutuan nga studentët në ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale. Në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve, Lëvizja “Për Universitetin” në bashkëpunim me studentë e pedagogë nga fakultetet e Universitetit të Tiranës organizuan dje tryezën e diskutimit për gjendjen e universitetit publik. Studentët njëzëri u shprehën se tarifat e programeve të studimit janë të papërballueshme financiarisht dhe se do të kërkojnë fuqimisht uljen e tyre sa më shpejt të jetë e mundur. “Unë vij nga Kosova dhe kam filluar vitin e parë master në Shqipëri. Gjëja e parë që jam përballur kanë qenë tarifat e larta. Universiteti i Tiranës është rankuar më poshtë Universitetit të Prishtinës. Por tarifa në bachelor në Prishtinë është vetëm 25 euro, ndërsa masteri 150 euro. Për masterin që do paguaj në Shqipëri kalon 1000 euro. Pra, tarifat janë absurde, pavarësisht standardeve e kualitetit të fakultetit ku bëjmë pjesë”, – u shpreh studenti nga trojet, që ndjek studimet në UT. Studentët thanë se tarifat e larta, përpos jetesës e qirasë që duhet të paguajnë, i kanë detyruar shumë prej tyre që të punojnë njëkohësisht në vende ku më tepër shfrytëzohen sesa paguhen. Më tej studentët diskutuan edhe mbi ngacmimet seksuale që hasin në auditorët e universitetit. Sipas tyre, në shumë raste nuk mungon presioni e sjelljet e patolerueshme në ambientet e shkollës, por kjo temë jo vetëm që nuk denoncohet, por edhe nuk diskutohet e kalon në heshtje. Një shqetësim tjetër që u prek nga të pranishmit gjatë diskutimit ishte edhe pagesat që duhet të bëjnë studentët për të marrë vërtetimet, si dhe procedurat e tejzgjatura për t’i tërhequr pranë sekretarive mësimore. Më tej, ata kërkuan edhe që të mos penalizohen nga provimet studentët që nuk kanë mundësi të paguajnë në kohë dhe të ofrohet për ta një zgjidhje më lehtësuese. Edhe pedagogë të pranishëm në këtë tryezë diskutimi iu bashkuan studentëve dhe theksuan se së shpejti do të hartojnë një peticion me pikat më të rëndësishme për t’ua paraqitur instancave përkatëse. Ata bënë me dije se nëse nuk marrin një përgjigje pozitive, do të ndjekin çdo rrugë të mundshme për të realizuar kërkesat në ndihmë të studentëve, përfshirë këtu edhe protestat. Pedagogia e Fakultetit të Shkencave Sociale, Orinda Malltezi, diskutoi edhe mbi çështjen e akreditimit të Universitetit të Tiranës. “Ne kemi probleme, por realiteti nuk është aq i zi sa u paraqit nga agjencia britanike. Ne na kërkohet që të bëjmë një studim tregu, në një kohë që asnjë universitet s’e ka bërë një studim të mirëfilltë tregu, pasi kjo kërkon fonde të mëdha dhe duhet të jetë pjesë e strategjisë së vetë shtetit. Ne kemi reputacionin e më të vjetrit me studentët, më të mirë. Por s’besoj se jemi mjaftueshëm të aftë për t’u bashkuar e për të mbrojtur veten”, – u shpreh pedagogia. Gjatë këtij takimi u propozua njëzëri që pedagogët duhet të ngrihen dhe të organizohen bashkë me studentët për zgjidhjen e problematikave dhe plotësimin e kërkesave. Ndërkohë, u theksua fakti që nuk mund t’i mbajnë shpresat te këshillat studentorë, pasi janë inekzistentë.

Gresa Hasa, studente
“Ngacmimet seksuale në
universitete nuk denoncohen”
Dua të ngre një problem të rëndësishëm dhe jo fort të ndjekur, që është ngacmimi seksual në universitete. Ditët e sotme një sërë studentesh ballafaqohen me presionin, me sjellje që janë krejtësisht të papranueshme në mjedisin universitar. Ndërkohë që ky i fundit supozohet të jetë një vend ku studenti të vijë dhe të ndihet i mbrojtur, i sigurt, pra të jetë si në ‘shtëpinë’ e tij. Ka shumë raste që jo vetëm nuk denoncohen, por nuk trajtohen fare dhe kalojnë në heshtje, nuk janë temë diskutimi. Kjo është një thirrje që u bëj jo vetëm vajzave, por edhe djemve studentë, pasi mendoj se dhuna gjinore që manifestohet edhe me ngacmimin seksual është një çështje që na përket të gjithëve. Në universitet edhe vajzat, edhe djemtë duhet të jenë të sigurt dhe të qetë, psikologjikisht dhe fizikisht”, – u shpreh Gresa Hasa, studente e UT-së.

Arlind Qori, pedagog
“Do të përshkallëzojmë
veprimin në protesta”
Pasi ne të ngremë problematikat, duhet të hartojmë një listë me 5, 6 apo 7 pika që janë ‘ulëritëse’, pra më të rëndësishmet e këtë listë ta drejtojmë të te gjitha autoritetet që janë përgjegjëse, që nga rektorati deri te qeveria. Por të firmosësh peticionin do të thotë që të angazhoheni edhe që të bëjmë diçka nëse kërkesat tona nuk plotësohen, pra të bëjmë ç’është e mundur që të arrijmë plotësimin e objektivave e të drejtave tona. Shumë shpejt do të shkojmë në çdo fakultet, do sintetizojmë kërkesat bazike, ta dorëzojmë te autoritetet e t’u japim këtyre të fundit një afat racional për përgjigje. Në rast të një përgjigjeje negative, duhet të përshkallëzojmë veprimin dhe të organizojmë protesta ose në akte të tjera të rezistencës. Koha kur paguhen tarifat është janari, e në rast se ne e çojmë zërin tonë, mund të arrihet të ulen tarifat”, – tha aktivisti Arlind Qori.

Klodi Leka, student në UT
“Paguajmë para për vërtetimet,
ndeshemi me burokraci”
Studentët tani fillojnë të punojnë që në vitin e parë universitet, pra nuk kanë kohë të lexojnë, të studiojnë, të ndjekin të gjitha leksionet. Janë shkatërruar mendërisht, pasi dhe në vendet e punës paguhen keq, shfrytëzohen. Studentët kanë frikë të hyjnë në fakultet, pasi duket sikur do i gjobisin për çdo vërtetim, për çdo libër, për çdo akt shumë të thjeshtë kërkojnë lekë. Gjithashtu, studentët që të marrin një vërtetim, një listë notash, duhet të ndeshen me burokraci nga më të ndryshmet dhe të përballen edhe me tarifat që duhet t’i paguajnë për t’i tërhequr, kanë apo s’kanë lekë. Kjo është një kosto e tepërt për studentët. Gjithashtu, kërkojmë që për studentët që nuk paguajnë dot në kohë, të krijohen lehtësira e të mos nxirren me shkelma nga fakulteti, pra të gjendet një zgjidhje”, – u shpreh Klodi Leka, student i UT-së.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. “Ngacmimet seksuale në
    universitete nuk denoncohen”, pupupuuuu, s’ka asnje rast dmth?!!! Hahahaahaa, grabitqaret seksuale punojne ne eresire, nderkohe qe z. Lindita Nikolla fle gjume…nuk keni ide se cfare po ndodh brenda fakulteteve, kryesisht ne UPT, do te keni shume surpriza…

    Përgjigju ↓