DOSSIER

Ekskluzive/ Dokumenti sekret: Si u dënua Daut Gumeni me të vëllanë dhe kushëririn, të akuzuar për akte terrori

09:35 - 20.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Dashnor Kaloçi

 

Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, që nga viti 1945 e deri në vitin 1990-të, kur nisi dhe Lëvizja Studentore, në varësi të konjukturave e ngjarjeve politike që ndodhnin në arenën ndërkombëtare, Sigurimi i Shtetit nën udhëheqjen e PPSH-së ndërmerrte “zbulime”, arrestime dhe goditje “grupesh armiqësore”, të cilat pothuaj në më të shumtën e rasteve i inskenonte vetë, duke i paraqitur ato si mjaft të rrezikshme. Dhe si rezultat janë dënuar me ekzekutime, vite të gjata burgimi dhe internuar me qindra e qindra persona. Në këtë kontekst, për gati katër dekada me radhë janë “zbuluar” dhe goditur mjaft të ashtuquajtura “grupe armiqësore” si psh., grupi i sabotatorëve të Kënetës së Maliqit dhe grupi i deputetëve, në 1946-’47, grupi i Abedin Shehut, Shyqëri Kellëzit etj., në vitin 1950, grupi i Dali Ndreut, Liri Gegës e Petro Bullatit si dhe grupi i Konferencës së Tiranës në 1956-ën (me Iljaz Ahmetin, Vehip Demin, Vandush Vinçanin etj.), grupi i Teme Sejkos në 1960-ën, grupi i Stavri dhe Thoma Rafaelit në 1963-in (ku bënin pjesë edhe Trifon Xhagjika, Robert Vullkani etj.), grupi i ushtarakëve që kundërshtuan heqjen e gradave në Ushtri në 1967-ën (me gjeneral-major Halim Xhelon, kolonel, Dilaver Radëshi etj.), grupi i Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion në 1972-in (me Mihallaq Luarasin, Edi Luarasin, Minush Jeron, Justina Aliajn, Bujar Kapexhiun etj.), grupi i Todi Lubonjës e Fadil Paçramit në art-kulturë në 1974-ën, grupi puçist në Ushtri në 1974-ën, me Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon etj., grupi i arsimit në 1974-’75 me Thoma Deljanën, Mantho Balën, Hasan Dumën, etj., grupi i lopëve të Baldushkut në 1975-ën (Ndue Marashi, Rifat Daja, Agim Akçani etj.), grupi i sabotatorëve në ekonomi në 1975-’76-ën, me Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën, Vasil Katin etj., grupi i naftës në 1976-’77 me Koço Plakun, Lipe Nashin, Milto Gjikopullin etj., Grupi i Edip Ohrit, Sabri Pilkatit, Ali Kubatit etj. në 1980-ën, grupi i Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut etj. në 1981-’82-in. Grupi i kosovarëve në 1982-in (Namik Luca, Selim Kelmendi, Estref Kelmendi etj.), për të përfunduar në vitin 1986-’87-ën me grupin e Medi Çelikut, Bujar Jazexhiut etj. E gjitha kjo bëhej me qëllimin kryesor që ngjarjet apo konjukturat politike që ndodhnin kryesisht në arenën ndërkombëtare dhe në Shqipëri të parandaloheshin dhe të mos kishin ndikime e impaktin më të vogël tek të tjerët. Në këtë kontekst janë bërë arrestime, goditje dhe dënime edhe në vitin 1970-të, me të ashtuquajturin grupi terrorist i Kuksit (me Raif Elezin, Avdi dhe Bajram Gjanën etj.) dhe ai i Tepelenës (me Dervish, Izet dhe Daut Gumenin), për të cilat veç të tjerash bën fjalë edhe ky dokument arkivor që po publikojmë më poshtë në këtë shkrim ekskluzivisht për “Gazeta Shqiptare”. Ish-kryetari i Degës së V të Sigurimit të Shtetit, me anë të një buletini “Tepër Sekret” informon udhëheqjen e lartë të PPSH dhe personalisht Hysni Kapon për zbulimet, arrestimet dhe dënimet që janë bërë në vitin 1970.


REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVË TË BRENDSHME EKZEMPLAR NR. 1 DREJTORIA E PARË TIRANË MË 12.6.1970
NR. 2415
BULETINI Nr.1
– Në muajin dhjetor 1969 përfunduan hetimet në drejtim të grupit armiqësor të rrethit Kukës, që përbëhej nga 11 të pandehur. Në muajin mars 1970, çështja u gjykua nga gjykata e rrethit Kukës, e cila në seancë të hapur gjyqësore dhe me pjesëmarrjen e masave punonjëse, demaskoi veprimtarinë e tyre armiqësore, duke dënuar të pandehurit: Raif Elezi me 15 vjet heqje lirie, Bajram Gjanën me 13 vjet, Avdi Gjanën me 9 vjet, ndërsa të tjerët me afate të shkurtra burgimi. Gjykimi provoi plotësisht se të pandehurit në bashkëpunim me njëri- tjetrin kishin zhvilluar agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor, duke diskutuar edhe për organizimin e një kryengritje të armatosur në rrethin e Kukësit, ishin përgatitur për të kryer akte terrori kundër Udhëheqjes së Partisë dhe të Shtetit e mbanin armë zjarri e lëndë eksplozive.
-Në këtë proces u implikuan 27 persona ndaj të cilëve, paralelisht me hetimin, mbasi u bë diferencimi, u bë këshillimi, u pyetën si dëshmitarë, u demaskuan dhe masa të tjera operative.
-Në muajin prill 1970, Gjykata Popullore e rrethit të Tepelenës dënoi me 25 vjet heqje lirie të pandehurin Izet Gumenin nga katundi Gusmar, për arsye se në dhjetor 1945, në bashkëpunim me bandën e kriminelëve Lahe Nuro, Izet Vrazhdo dhe Ahmet Kuka kanë marrë pjesë në kryerjen e aktit të terrorit, duke vrarë Sekretarin e Partisë të Kurveleshit, Selman Lamen.
-Po kjo gjykatë dënoi me 15 dhe 8 vjet heqje lirie të pandehurit e tjerë, Dervish dhe Daut Gumenin, të cilët në bashkëpunim me të pandehurin Izet zhvillonin agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor dhe se nuk kishin treguar aktin e terrorit që kishte kryer ky i fundit, për të cilin ishin vënë në dijeni kohë më parë.


-Një nga dëshmitarët e akuzës për aktin e terrorit të kryer nga i pandehuri Izet Gumeni ishte dhe i riatdhesuari Mustafa Korocka, i cili gjithashtu u dënua nga Gjykata e rrethit të Vlorës me 25 vjet heqje lirie për tradhti ndaj atdheut dhe për një vrasje që kishte kryer në vitin 1948 në kohën e arratisjes së tij.
-Në muajin mars 1970 u dënuan nga Gjykata e rrethit të Tiranës për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, të përvetësimit të pasurisë socialiste dhe kontrabandës, grupi prej pesë vetash i përbërë nga Dhimitër Heqimi, Sofokli Heqimi, Gjergji Mole, Sami Gjyzeli dhe Shaqir Vorpsi.
-Dhimitër Heqimi, Gjergji Mole dhe Shaqir Vorpsi që ishin edhe më kryesorët në këtë grup, u dënuan me 8, 10, e 9 vjet ndërsa të tjerët me afate më të shkurtra privimi lirie.
-Nga 25 personat e implikuar në këtë proces për krime të ndryshme, duke pasur parasysh përbërjen politike të secilit dhe shkallën e kompromentimit në krim, një pjesë u pyetën me cilësinë e dëshmitarit, ndërsa për të tjerët u morën masa këshillimi, demaskimi dhe masa të tjera operative.
– Në muajin prill të vitit 1970, u dënuan nga Gjykata Popullore e rrethit të Tiranës, për përvetësimin e pasurisë socialiste në përpjesëtime të mëdha, të kontrabandës së cilësuar dhe të shkeljes së dispozitave në lidhje me veprimet e valutës dhe të arit, grupi prej 13 vetash i përbërë prej Haxhire dhe Zyber Zhegu, Mustafa Kallçiu, Lumturi Kaçini etj.


-Mustafa Kallçiu, Haxhire Zhegu dhe Lumturi Kaçini që ishin dhe kryesorët në këtë grup, u dënuan respektivisht me nga 15, 11 dhe 9 vjet heqje lirie, ndërsa të tjerët me afate më të shkurtra burgimi.
– Gjykimi i të pandehurve u bë në N.T.L.F.Z. Tiranë, ku këta kishin kryer krimet dhe zhvillimi i gjyqit luajti një rol mjaft edukativ me masat.
-Në drejtim të 20 personave të implikuar në këtë proces për krime të ndryshme, u morën masa këshillimi, demaskimi dhe masa të tjera operative.
-Të pandehurit, Kujtim dhe Durim Veledi që në bashkëpunim me njëri-tjetrin zhvillonin agjitacion e propagandë edhe në formën e bisedave për arratisje jashtë shtetit e të dëshirës për të kryer akte terrori në drejtim të udhëheqjes së partisë e të shtetit si dhe për armën që mbanin pa leje, u gjykuan dhe u dënuan me nga 10 dhe 3 vjet heqje lirie.
-Kohët e fundit përfunduan hetimet kundër të pandehurve Pashko dhe Gjin Mrruku, kushërinj të parë nga rrethi i Mirditës. Të pandehurit akuzohen se në vitin 1951, në bashkëpunim me njëri-tjetrin për motive të dobëta dhe nën ndikimin e dajës së tyre, kriminelit Marka Doda, arratisur jashtë shtetit, kanë vrarë të pandehurit Pashko, në rrethin e Matit.


-Më datën 30 maj 1970, organet e punëve të brendshme të rrethit të Korçës kapën në flagrancë duke tentuar për t’u arratisur jashtë shtetit në Greqi, të rinjtë 18- vjeçarë, Edmond Naumi, Ilija Stojani dhe Kastriot Peçi, që të tre nga qyteti i Tiranës.
-Hetimet në drejtim të të pandehurve vazhdojnë me qëllim që të zbulohen shkaqet që i çuan këtë të rinj në kryerjen e këtij krimi.
-I dënuari Niko Pandi Sholla, më datën 21 maj 1970 mundi të arratisej nga kampi i riedukimit Bulqizë, më datën 29 maj 1970, mbasi u plagos rëndë në të dyja këmbët nga populli dhe forcat që ishin vënë në ndjekje të tij, u kap prej tyre në sektorin Suç të rrethit të Matit dhe është shtruar në spital për t’u mjekuar.
-Gjatë tremujorit të dytë të vitit 1970, me sanksionim të Prokurorisë së Përgjithshme, në rrethe të ndryshme, për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor janë arrestuar gjithsej 16 persona, nga të cilët 6 janë të shtresës së pasur dhe kulakë. Ndërmjet këtyre është dhe kulaku Petrit Allamani nga rrethi i Matit, i cili në deponimet e deritanishme për krimin e agjitacionit e propagandës, implikon rreth 15 persona me përbërje të keqe dhe kulakë.
-Paralelisht në hetimin në drejtim të këtyre implikimeve janë marrë masat e nevojshme për verifikim.
-Gjatë këtij 5-mujori nëpërmjet komisionit të incidenteve kufitare u kthyen në Jugosllavi 12 kosovarë të ardhur ilegalisht në vendin tonë me pretekst për të vazhduar shkollën. Theksojmë se me ta është bërë një punë sqaruese e bindëse për kthim (jo operative) dhe si rezultat i kësaj, ata nuk kanë pasur kundërshtim për t’u kthyer në Jugosllavi.
-Po kështu, më datën 26 maj 1970, organet tona, me kërkesën e tyre dhe meqenëse paraqitnin dyshime, nxorën jashtë kufirit shtetëror, duke i nisur për në Gjermaninë Perëndimore, shtetasit grekë, Paskal Nikolla Sokolaqis dhe Jorgo Dhimitër Jogridhis.
KRYETAR I DEGËS SË V
(KAPLLAN SAKO)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.