OPINION

Linçimi serb i Izetbegoviçit dhe heshtja shqiptare

06:55 - 20.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Shaban MURATI

 

Sjellja skandaloze e Serbisë si shtet hegjemon në Ballkan demonstrohet jo vetëm nga përpjekja për të dalë si protektori i rajonit, por edhe si shteti që vendos të drejtën e fjalës të qytetarëve në shtetet e tjera ballkanike. Arroganca shtetërore serbe në shkeljen e të drejtave të lirisë së fjalës dhe të shprehjes në shtetet e tjera mori një përmasë të frikshme me fushatën zyrtare serbe të linçimit personal dhe politik të anëtarit të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç. Preteksti qe shprehja e një opinioni personal të anëtarit të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, i cili në një intervistë në “Dojçe Vele” në datën 13 nëntor deklaroi se “Bosnjë-Hercegovina duhet ta kishte njohur Kosovën deri tani, por kjo kërkon një konsensus në nivel shtetëror”. Pra, Bakir Izetbegoviç shprehu një opinion në një intervistë shtypi se shpresonte që Bosnjë-Hercegovina ta njohë Kosovën. Ai nuk tha se entiteti boshnjak do ta njohë në mënyrë të njëanshme Kosovën, nuk ndërmori ndonjë hap zyrtar apo nismë politike, juridike apo legjislative në Sarajevë për njohjen e Kosovës, por thjesht shprehu një opinion për qëndrimin që duhet të mbajë Bosnjë-Hercegovina ndaj Kosovës. Izetbegoviç e din më mirë se të tjerët dhe e shprehu qartë këtë në intervistë se njohja nuk mund të arrihet pa konsensusin e entiteteve të tjera përbërëse të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës.

Mjaftoi vetëm shprehja e opinionit të drejtë të Bakir Izetbegoviçit për nevojën e njohjes së Kosovës dhe Beogradi zyrtar shpërtheu një histeri të vërtetë politike, nacionaliste dhe antinjerëzore kundër të drejtës së shprehjes së lirë të mendimit nga një qytetar i një shteti tjetër. Ministri i Brendshëm dhe disa ministra të tjerë të kabinetit serb rinxorën nga arkivat fjalorin më të shëmtuar radikal të kohës së Millosheviçit për të sulmuar Izetbegoviçin dhe popullin boshnjak dhe për të kërcënuar për destabilizim të rajonit. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në 14 nëntor kërcënoi se deklarata e Izetbegoviçit “do të ketë pasoja afatgjata politike dhe juridike”. Dhe si për t’i vënë vulën ethes radikale nacionaliste, që ka kapluar mendjet e udhëheqësve serbë, presidenti Vuçiç mblodhi në datën 15 nëntor Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Serbisë për të shqyrtuar deklaratën e Izetbegoviçit për Kosovën.

Përtej faktit të mungesës së një shteti serioz, fushata e linçimit dhe e shkeljes së të drejtave të lirisë së shprehjes dhe të mendimit në shtetet e tjera ka një domethënie të rrezikshme për politikën rajonale të Serbisë, për dinamikën e bashkëpunimit rajonal dhe për zhvillimet e ardhme në Ballkan.

Serbia shfaqet si shteti që drejtohet nga udhëheqje dhe nga mentalitete nacionaliste dhe shoviniste, që i jep vetes tagrin të diktojë se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë duhet të thonë në vendet e tyre udhëheqësit e shteteve të tjera. Në këndvështrimin mbarëshqiptar çështja bëhet edhe më e rëndë, sepse anëtari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës po sulmohet e po linçohet, sepse deklaroi mendimin e tij që Bosnjë-Hercegovina duhet ta kishte njohur Kosovën dhe që ai shpresonte se do ta bënte këtë hap. Pra, udhëheqësi boshnjak shprehu dëshirën që Bosnjë-Hercegovina të bëjë atë që e kanë bërë Sllovenia, Kroacia, Maqedonia dhe Mali i ZI, që e kanë njohur të gjitha shtetin e Kosovës.

Me këtë fushatë linçimi kundër udhëheqësit boshnjak për Kosovën, presidenti dhe udhëheqja e sotme e Serbisë dëshmojnë se ata nuk janë shkëputur nga kursi i vjetër nacionalist dhe radikal, që i jep Serbisë të drejta ekskluzive mbi shtetet e dala nga ish-Jugosllavia. Nga kjo histeri e pashembullt kundër Kosovës dalin në dritë dy elemente të rëndësishme. Së pari, që i ashtuquajturi dialog i brendshëm i Presidentit të Serbisë për çështjen e Kosovës është një nismë demagogjike për të mashtruar BE-në, për të blerë kohë dhe për të mos pranuar shtetin e pavarur të Kosovës. Së dyti, që bisedimet, të cilat Serbia zhvillon me Kosovën në Bruksel me ndërmjetësimin e BE janë bisedime për hir të bisedimeve dhe një alibi e Serbisë për të shmangur kushtin e BE për njohjen e Kosovës përpara anëtarësimit.

Nuk mund të mos habisë heshtja, që po mban BE dhe diplomacia e saj për këtë ndërhyrje flagrante të Serbisë në punët e brendshme të Bosnjë-Hercegovinës dhe për këtë rol prej protektori që Beogradi shpall ndaj Sarajevës. Kjo don të thotë që Beogradi po shkel marrëveshjet e arritura në Dejton në bazë të të cilave Serbia e njohu shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Kjo don të thotë që për Serbinë, sovraniteti dhe integriteti i Bosnjë-Hercegovinës është formal dhe i përkohshëm, përderisa ajo i jep vetes të drejtën të lejojë apo të ndalojë udhëheqësit boshnjakë të shprehin opinionet e tyre. BE shikon edhe hesht ndaj këtij zhvillimi negativ serb dhe ndaj shkeljes së normave të fqinjësisë së mirë nga Serbia. Histeria zyrtare serbe ndaj udhëheqësit boshnjak inkurajon kursin separatist të të ashtuquajturës “serpska republika” drejt prishjes së shtetit të Bosnjë- Hercegovinës, shkëputjes së “serpska republikës” dhe bashkimit të saj me Serbinë. Heshtja e Brukselit inkurajon presidentin separatist të “serpska republikës”, Milorad Dodik, i cili në datën 13 nëntor, në kulmin e fushatës serbe kundër Izetbegoviçit, deklaron përsëri: “Unë dua që ‘serpska republika’ të shkëputet. ‘Serpska republika’ është çështja më e rëndësishme kombëtare e Serbisë”.

Heshtja e Brukselit për fushatën e linçimit të udhëheqësit boshnjak nga Serbia për çështjen e Kosovës mund të kuptohet si vazhdim i politikës së gabuar të indulgjencave që BE ka ndjekur dhe po ndjek ndaj Serbisë, sipas mendimit të gabuar europian se me lëshimet ndaj udhëheqjes serbe, ajo do të bëhet më europiane.

Por, ajo që për mendimin tim është e paqartë dhe e pakuptueshme është heshtja e Kosovës dhe e Shqipërisë ndaj këtij zhvillimi negativ dhe më konkretisht ndaj linçimit të udhëheqësit boshnjak nga Serbia për shkak të Kosovës. Pra, në mes është çështja e Kosovës dhe qoftë Prishtina, qoftë Tirana, duhet ta kishin përshëndetur udhëheqësin boshnjak për deklaratën e tij pozitive në favor të njohjes së shtetit të Kosovës. Bakir Izetbegoviç është anëtar i Presidencës trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës, është udhëheqësi dhe zyrtari më i lartë i popullit boshnjak, që është populli shumicë në shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Deklarata e tij në favor të njohjes së Kosovës duhet vlerësuar si ndihmë ndaj Serbisë që të reflektojë mbi një realitet, të cilin e kanë njohur të gjitha shtetet, që kanë dalë nga ish-Jugosllavia. Kosova dhe Shqipëria duhet ta kishin përshëndetur dhe duhet të ishin prononcuar në favor të tij dhe të nevojës për njohjen e Kosovës nga Bosnjë-Hercegovina dhe nga Serbia. Heshtja e Prishtinës dhe e Tiranës për fushatën antiboshnjake janë pika diplomatikë në dobi të Serbisë. Dhe është e mjerë pozita e mediave të Tiranës, të cilat nuk e zunë fare në gojë deklaratën e udhëheqësit boshnjak për njohjen e Kosovës, fakt ky që dëshmon influencën e lobit serb në mediat e Shqipërisë.

Është një rast i shkëlqyer diplomatik dhe politik që Kosova dhe Shqipëria t’i tregojnë Serbisë se njohja e Kosovës është një interes jetik qoftë i Kosovës, qoftë i Shqipërisë. Është rast i përshtatshëm që Kosova dhe Shqipëria t’i tregojnë Serbisë se ajo nuk mund të ndërhyjë në punët e brendshme të shteteve të tjera dhe të ndalojë njohjen e Kosovës. Prishtina e Tirana duhet t’ia bëjnë të qartë jo vetëm Serbisë, por edhe shteteve të tjera në fund të botës si Surinami apo Guine Bissau, që po luajnë me njohjen e Kosovës.

Kosova dhe Shqipëria kanë bërë gabimin e madh, që nuk kanë reaguar asnjëherë për veprimtarinë e pandërprerë të Serbisë dhe të diplomacisë së saj nëpër botë për mosnjohjen e Kosovës. Kosova dhe Shqipëria kanë bërë gabim të madh që nuk kanë reaguar asnjëherë në BE për këtë veprimtari të Serbisë nëpër botë kundër njohjes së Kosovës. Ka qenë i papranueshëm mosreagimi shqiptar në shkallë ndërkombëtare, por është dy herë më i papranueshëm kur është fjala për rajonin tonë. Çfarë shprese dhe iluzioni ka Kosova se do ta njohë Serbia, kur udhëheqësit serbë kanë brenda mendjes dhe shpirtit të tyre një urrejtje kaq të madh nacionaliste ndaj Kosovës. Çfarë shprese dhe iluzioni ka Shqipëria se do të ndërtojë vëllazërimin serbo-shqiptar apo vëllazërimin ballkanik me ahengje ballkaniko-perëndimore, kur udhëheqësit serbë kanë një urrejtje nacionaliste ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve.

Nuk mund të imagjinohet se çfarë shpresohet se arrihet me këtë memecllëk shtetëror dhe diplomatik: a do të bëhet Serbia më e dashur apo do të merret ndonjë fletë lavdërimi për “moderim”. Në të dyja rastet Kosova dhe Shqipëria dalin të humbur. Nuk duhet harruar se në qoftë se në marrëdhëniet rajonale dhe ndërkombëtare Kosova dhe Shqipëria nuk mbrojnë udhëheqësit miq dhe shtetet mike, që njohin Kosovën, të mos shpresojnë për forcimin e pozitave ndërkombëtare të Kosovës, të Shqipërisë dhe të faktorit shqiptar. Nëse Shqipëria dhe Kosova nuk flasin në rajon, për çfarë mendojnë se do t’u dëgjohet zëri, për Korenë e Veriut apo për Iranin? Miq të Kosovës dhe të Shqipërisë janë ata që e njohin dhe duan të njohin Kosovën dhe jo ata që dua ta varrosin Kosovën me temjanin e Millosheviçit.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.