SPORT

Pejiç lëshon “bombën”: Gati të kthehem në janar, ja si del Kukësi-Partizani

14:46 - 20.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kukësi ka sot mundësinë të shkurtojë diferencën me Skënderbeun, i cili barazoi dje 1-1 me Kamzën. Gjithsesi do të jetë e vështirë sot, sepse nuk është ai Kukësi i vitit të shkuar. Sezoni aktual nuk ka më bomberat e edicionit të kaluarit, pasi këtë verë u larguan nga Superiorja futbollistë me mjaft influencë në fushë.
Nga Kukësi u larguan Pejiç dhe Emini, nga Skënderbeu Salihi, ndërsa nga Partizani, Kaleb Ekuban. Është autori i 28 golave në sezonin që shkoi, Pero Pejiç, në një intervistë për “Panorama Sport” komenton supersfidën e kësaj jave, të cilën e shikon si ndeshje interesante, pasi të dyja ekipeve u nevojitet rezultati pozitiv, sidomos Kukësit.




Pejiç thotë se Milinkoviç është një trajner i mirë dhe se Kukësi vuan largimet e shtyllave të ekipit. Kukësi nëse do kishte ruajtur grupin dhe me ndonjë përforcim si Bakaj, kampionati nuk do diskutohej. Sakaq, kroati thotë se Kukësit i mungojnë golat e tij dhe me ata do ishte më i fortë. Pejiç nuk e ka harruar kampionatin që e bëri të famshëm, teksa lëshon “bombën” se ai është gati të rikthehet në Shqipëri, nëse i vjen një ofertë bindëse, madje që në janar.

Sipas Pejiçit, cilat janë arsyet që Kukësi ka çaluar këtë sezon?
Realisht nuk di ta them se kush janë arsyet e vërteta, pasi nuk jam më pjesë e Kukësit, por di që ata kanë një trajner të mirë si Milinkoviç, të cilin e kam parë sezonin e fundit që isha në Shqipëri. Ai ka bërë shumë mirë te Luftëtari, si në lojë dhe rezultate.

Kukësi ka 7 pikë më pak se Skënderbeu, si i shikoni shanset për titull?
Ata janë 7 pikë më pak se Skënderbeu dhe nuk janë pak, por ne ishim 8 pikë mbrapa sezonin që shkoi dhe u shpallëm kampion, por në ndryshim nga vjet, Skënderbeu është ekip më stabël. Nëse Kukësi do të kapë Korçën, atëherë do i duhet që mos të bëj më gabime dhe të fitojnë në çdo ndeshje.

E konsideroni gabim vendimin e drejtuesve duke “prishur” ekipin që fitoi titullin vetëm me një humbje?
Nuk e di ta them që bën mirë apo bën keq, por ne në sezonin e fundit ishim dhe u shpallëm kampion. Këto janë punët e drejtuesve dhe politikat e klubit. Bën apo jo gabim, e tregon koha dhe rezultati në fund.

Sa kane ndikuar largimet e 5 futbollistëve kryesorë te Kukësi?

Kanë ndikuar shumë sepse të pestë titullarët që u larguan ishin lojtarë kalibri, të cilët luajtën çdo ndeshje, e së bashku me pjesën tjetër sollën titullin në Kukës. 5 lojtarë janë gjysma e skuadrës dhe të largohen njëherësh, nuk është pak për një skuadër, pasi do duhet të marrësh 5 futbollistë të tjerë, por këtyre do t’iu duhet kohë që të adaptohen. Pra, ekipi ia nis nga fillimi, por e ritheksoj, ky ishte vendimi i drejtuesve dhe unë e respektoj.

Po në lojë si ju duket ky ekip, a bind?
Nuk e kam parë Kukësin në të gjitha ndeshjet, pasi kam preokupime dhe nuk kam mundur. Por, unë jam i mendimit që ky klub duhet të kishte mbajtur lojtarët kryesorë të tij, të bënte disa afrime të reja, përforcime, si Bakaj, që është një lojtar shumë i mirë dhe perfekt për lojën e ish-ekipit tonë, skuadrës së sezonit të shkuar dhe me siguri nuk do diskutohej kampionati.

Si e shikoni ndeshjen Kukësi-Partizani?
Do jetë një ndeshje e fortë, siç ka qenë gjithmonë, është ndeshje derbi. Kukësi ka më shumë pikë se Partizani. Të kuqtë nuk kanë luajtur mirë, por në një takim derbi, nuk ka vend për mendime sepse mund të ndodhë çdo gjë.

Kush mendoni se do e bëjë diferencën te kjo ndeshje?
Bakaj dhe Batha nuk luajnë, të cilët mund të bënin diferencën. Mendoj që Kukësi duhet të fitojë sepse u kërkohet me çdo kusht të ngushtojë diferencën me Skënderbeun dhe jo ta thellojnë. Partizanit i nevojitet rezultat pozitiv për t’u stabilizuar mbas disa ndeshjeve të këqija, ndaj ka për të qenë një sfidë shumë interesante.

Keni pasur kontakte me drejtuesit apo me lojtarët e ish-skuadrës tuaj?
Po, unë kam kontakte dhe flas gjithmonë me lojtarë të Kukësit për Kukësin dhe për gjithë kampionatin shqiptar.

A i mungon Kukësit Pejiçi?
Besoj se po, me golat e mi, Kukësi do ishte një ekip i fortë.

Mund të ktheheni sërish të luani në Shqipëri?
Nëse më vjen ndonjë ofertë e mirë nga ekipe të mëdha si Kukësi, Skënderbeu, Partizani apo Flamurtari, pse jo.

Mund të ndodh kjo që në merkaton e janarit?
Unë kam kontratë deri verë me ekipin tim këtu në Kroaci, por nëse vjen ndonjë ofertë që më bind, unë mund të flas me presidentin që të më lëri të lirë, është e mundur. Por, unë po luaj në të gjitha ndeshjet këtu dhe situata është shumë e mirë. /PanoramaSport

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.