OPINION

“Shqyptarija”, liria e shqipja në jetën e Dom Ndre Mjedës

06:50 - 20.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Gjovalin SHKURTAJ

 

Më 18 nëntor, në fshatin Kukël të Zadrimës, pikërisht në mjediset ngrehinës që ka qenë shtëpia e Mjedës, tashmë e kthyer në Qendrën Muzeore “Dom Ndre Mjeda” u bë një veprimtari e bukur shkencore e kulturore artistike, e cila kishte si temë bosht 100-vjetorin e botimit të vëllimit poetik “Juvenilia”. Në vitin 1917, në Vjenë të Austrisë, poeti botoi librin e tij të parë dhe të fundit të jetës, të quajtur me një titull latin, vezullues dhe të përjetshëm “Juvenilia”. Ky libër është padyshim një nga librat më të rëndësishëm të poezisë shqipe në 5 shekuj të ekzistencës së saj të shkruar, që nga Gjon Buzuku e deri më sot. Kjo ditë, e cila ka hyrë tashmë në listën e veprimtarive të përvitshme, që bëhen në atë mjedis, sivjet përkonte edhe me ditëlindjen e poetit tonë kombëtar Dom Ndre Mjeda (20 nëntori 1866), prandaj drejtuesi i qendrës, dr.Dom Nikë Ukgjini, në bashkëpunim e me mbështetjen e ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, bëri edhe përurimin e ribotimit të veprës “Juvenilia”, botim anastatik nga Botime “Gj.Fishta”, Lezhë. Ishte një veprimtari e bukur, sa e thjeshtë, aq edhe me përmbajtje e vlera të shënueshme shkencore, kulturore dhe artistike, me pjesëmarrje të një numri të mirë personalitetesh zyrtare e studiuesish të njohur, midis të cilëve edhe zëvendëskryeministrja, Senida Mesi, ministrja e Kulturës, prof. Mirela Kumbaro, konsulli nderit të Austrisë Gjergj Leqejza, akademikë nga Tirana dhe profesorë e studiues nga Universiteti i Shkodrës “L.Gurakuqi”, si dhe dashamirë të Dom Ndreut. Ndër ta, edhe skulptori i njohur, prof. Sadik Spahiu, realizues i shtatores madhështore të Dom Ndre Mjedës, që është vendosur në oborrin e Qendrës Muzeore kushtuar poetit të shquar kombëtar, priftit dhe veprimtarit shoqëror e atdhetarit të flaktë Dom Ndre Mjedës. Veprimtaria ishte nyjëtuar si një “meshë” artistike dhe kulturore shkencore, një gjë sa e re, aq edhe origjinale, përderisa salla ku u organizua, ka qenë kisha e famullitare e Kuklit, ku Mjeda jetoi e meshoi për shumë vjet.

Na uroi mirëseardhjen drejtori i qendrës muzeore Dom Nikë Ukgjini, pastaj, në shoqërimin e këndshëm të një tresheje orkestrale dhe interpretime të poezive të Mjedës nga një grup nxënësesh të gjimnazit “Jordan Misja” të veshura me kostumin tradicional të Zadrimës. E merrnin fjalën të ftuarit, duke sjellë secili mesazhe të formuluara shkurt që synonin vlerësimin e jetësimin e asaj pune madhështore, që është bërë në atë fshat të vogël për Mjedën e Madh. Përpos pohimeve me karakter zyrtar e sidokudo edhe solemn, nga përfaqësuesit e shtetit e Bashkisë të Vaut të Dejës, u mbajtën edhe kumtesa shkencore rreth veprës “Juvenilia” dhe krejt shkrimtarisë e veprimtarisë së Ndre Mjedës, nga studiues, shkrimtarë, poetë dhe arsimtarë të pranishëm. Përmendim referimet e prof. dr.Tomor Osmani “Mjeshtër i Madh”, i cili vlerësoi ndihmesat e Mjedës si anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës dhe si gjuhëtar i dalluar; prof.dr Alfred Çapaliku, i cili u ndal në vlerat artistike të poezive të Mjedës në përgjithësi e të “Juvenilies” në mënyrë të veçantë. Kumtuan edhe studiues nga Kosova, Zija Vukaj dhe prof.dr.Agim Vinca, kumtesën e të cilit kushtuar artit të Mjedës si poet i veçantë e lexoi Erlinda Ramadani.

Me këtë rast, në vargun e kumtuesve, unë lexova një pjesë të kumtesës sime me titullin “Shqyptarija” dhe përbashkësia e gjuhës si dëshmi e njësisë së kombit shqiptar në veprat e Ndre Mjedës. Rasti e donte që, të ritheksoja disa vlerësime, që i kam shprehur edhe më parë në disa shkrime për Mjedën, duke përforcuar mendimin se Ndre Mjeda, qoftë në vjersha e poema, qoftë edhe në krejt veprimtarinë e tij shkencore, atdhetare, politike, arsimore etj. mbetet një nga prijësit dhe luftëtarët më të zjarrtë që përbashkësia e gjuhës të ishte mjeti kryesor i njësimit e përparimit të kombit shqipt. Tehun e asaj që mund të themi e kemi nyjëtuar në këto tri fjalë çelës: Shqyptarija, lirija dhe gjuha shqipe. Ato ishin, janë dhe mbeten leksemat jo vetëm më të shpeshta, por edhe më të dashurat, më atdhetaripohueset në veprimtarinë e shkrimtarinë e Ndre Mjedës. Vjershëria e Ndre Mjedës ka “vulë” të dukshme e të theksuar atdhetarie, duke dalë, ashtu si bashkëkohësi e bashkëvendasi tjetër zadrimor, Atë Fishta, ideator dhe mëtues i pamposhtur i pohimit:

Kjoftë mallkue, kush qet ngatrrime,/Nder kta vllazën shoq me shoq/kush e dan me fjalë e shkrime,/ Ça natyra vetë përpoq!”

“Shqyptarija”, të cilën Mjeda e shkruan gjithmonë me shkronjë të madhe, te Mjeda, kjo fjalë është zgjedhur si figurë e gjallë, e shenjtëruar, e shpirtëzuar, sikundër shihet, mbi të gjitha,te soneti “Andërr”, personifikimi me vlerë madhore dhe absolute kombëtare, simbol i devotshmërisë, i përkushtimit dhe virtyteve që përbëjnë identitetin shpirtëror të njeriut, të atij që i thotë vetes shqiptar. “Shqyptarija” ka qenë te Mjeda motërzim i vetë qenies së tij, prandaj, edhe kur botoi “Andërr”, sikundër e ka përmendur edhe studiuesi Sabri Hamiti, ai nënshkroi me pseudonimin “Shqyptari”. Vetë lokja, nëna a tij, e kishte ushqyer që në moshë të njomë duke i thënë: ”Nji nanë tjetër, thoshte ke,/ Bir, n’ket dhe,/ Nana jote asht Shqyptarija”. Vjershat dhe poemat e Ndre Mjedës janë kushtrim për ruajtjen dhe mbrojtjen e tërësisë truallësore të kombit e popullit shqiptar, duke u shprehur qartë e katërcipërisht edhe nëpërmjet toponimisë që përmend e shtie në vargjet e veta, si p.sh.:

Prej Tivarit e n’Prevezë,/ Nji â giuha e kombi nji,/ Ku lëshon dielli njato rreze/ Qi veç toka jote i di”.

Askush më bukur, po edhe aq me forcë e ndikim në thelb të zemrës së popullit, nuk i ka kënduar njësisë dhe përbashkësisë së dy dialekteve të shqipes, sa Ndre Mjeda, kur thotë: “Geg’e Toskë, Malci, jallija,/ Jan nji komb, m’u da s’duron/ Fund e maje nji â Shqypnija,/ E nji gjihë t’gjith’ na bashkon”.

Kësaj ideje madhore (të njësisë dhe përbashkësisë së shqiptarëve, të lidhur me një gjuhë “shejte“ e të vetme) Mjeda i është qasur e rikthyer disa herë e gjithmonë me theksim e ton kushtrimues, si p.sh. te vjersha “Bashkonju“, ku ai thërret: “Mblidhn’ju vllazen, e bashkon’ju/ Nen flamur të Shqyptaris:/ Prej nji gjaku, nji gjinis/

  shqyptari kand e kand./ Nji gjuhe shejte t’gjith kuvêsim/ Nji istori, nji atdhe ne kemi,/ Geg’ e Toskë nji zemre jemi/ Me ndjekë Shqype hovin tand.“

Mjeda ishte teolog, shkrimtar, gjuhëtar, deputet, themelues i shoqërisë kulturore “Agimi”, hartues i alfabetit shqip. Ka qenë një punë shumë e vlefshme e me rëndësi të madhe kombëtare krijimi i Qendrës Muzeore “Dom Ndre Mjeda”, pikërisht në shtëpinë e kishën ku ka vepruar poeti ynë i madh dhe për hir të punës së madhe të Dom Nik Ukgjinit, së bashku me institucionet e larta të shtetit, me donatorë e dashamirës të kulturës janë përvijuar realizuar projektet e njëpasnjëshme pranë kësaj qendre dhe sot është krenari, që kjo qendër kulturore funksionon dhe tërheq njerëz elitarë nga Shqipëria e më gjerë. Këtë qendër e kanë vizituar dhe kane marrë pjesë në aktivitete të përvitshme që nga viti 2012 një numër i konsiderueshëm përfaqësuesish të trupit diplomatik në Shqipëri, udhëheqës e politikanë nga Shqipëria dhe nga Kosova, akademikë, studiues, shkrimtarë, poetë, pedagogë, mësues, studentë, nxënës shkollash etj.

Ja pse, edhe në veprimtarinë e djeshme, mora pjesë më kënaqësi dhe, në paça jetë e shëndet, përsëri do të marr pjesë e do të kumtoj për vlerat e pavdira të poetit, gjuhëtarit, atdhetarit dhe njeriut të shquar, Dom Ndre Mjeda.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.