Intervista

Topalli jashtë Kuvendit, Ulqinaku: I dobishëm ndryshimi i elitave në PD. Zgjedhja e Ruçit? E neveritshme

12:00 - 20.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina MADANI




Izmira Ulqinakun, jeta mes Tiranës dhe Shkodrës e ka afruar më shumë me njerëzit. Politikën e nisi kur ishte 18 vjeçe dhe jo rastësisht arkitektja që kishte punuar në Bashkinë e Shkodrës u gjend në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së. Por, befasitë ndodhën kur 26- vjeçarja hyri për herë të parë në Parlament. Mbesa e dëshmorit Nazmi Kryeziu, që mbeti i vrarë në masakrën e 2 prillit në Shkodër, nuk do ta mendonte kurrë që një ditë Parlamenti ku ajo tashmë bën pjesë do drejtohej nga ai që kishte qenë në krye të Ministrisë së Brendshme kur ndodhi vrasja e të afërmit të saj. Deputetja e PD-së tregon për “Gazeta Shqiptare” edhe për njohjet me ish-deputeten Jozefina Topalli, ndërsa vlerëson se “një ndër gjërat më të dobishme në një demokraci është ndryshimi i elitave, besoj se do të ketë Parlamenti dhe politika më shumë frymëmarrje”.

Nga arkitekte, në politikë. A ishte i vështirë ky kalim për Izmira Ulqinakun?

Për mua arkitektura dhe politika ecin paralelisht. Janë dy dashuri që s’mund t’i ndaj. E përbashkëta e tyre është planvendosja. Si qëndron objekti në zonë është ekuivalente me atë sesi politika duhet të përshtatet me qytetarët e vendit. Ndërtimi dhe vizioni janë elementet bazë të arkitekturës dhe politika mbi këto elemente ngrihet, ose duhet të ngrihet, ndërtim dhe vizion. Ndërsa të qënurit zëdhënëse më ka ndihmuar shumë, pasi ka qenë një lloj shkolle politike për mua.

Cilat janë lidhjet tuaja me Partinë Demokratike?

Unë kam lindur në 1991, viti kur u ndjenë hapat e para të Partisë Demokratike. E them këtë, pasi jam ndjerë gjithmonë pjesë e Partisë Demokratike. Kam lindur në një familje të djathtë historikisht, ish-të persekutuar. S’kishte si të isha ndryshe edhe unë. 18 vjeçe u bëra pjesë e strukturave të PD-së në Shkodër, me dëshirën e madhe që t’i bashkohem partisë së lirisë së individit.

Shumëkush ato ditë mendoi se ju e zëvendësuat Jozefina Topallin në Shkodër, pasi ajo mbeti jashtë listës së kandidatëve për deputetët. Ka diçka të vërtetë në këtë rast dhe cila është njohja juaj me Topallin?

Nuk besoj se votuesi demokrat në Shkodër të jetë i lidhur me emra të veçantë. Mjafton të kujtojmë se Partia Demokratike vazhdimisht ka pasur ndryshime të mëdha në listat e deputetëve, apo emrat e kryetarëve të bashkisë në Shkodër (besoj se më shumë se kudo tjetër) dhe ka fituar gjithmonë. Unë jam njohur me Znj.Topalli që kur kam qenë në forum rinor. Ajo ka sjellë një kontribut të madh në politikën shqiptare, por siç e përmenda, listat e deputetëve kanë pësuar çdo herë ndryshime. Një ndër gjërat më të dobishme në një demokraci është ndryshimi i elitave, besoj se do të ketë Parlamenti dhe politika më shumë frymëmarrje.

Cilët politikanë të PD-së i njihnit më tepër para së të hynit në Parlament dhe a jeni miqësuar me pjesën tjetër të deputetëve të djathtë?

Theksoj që në grupin parlamentar ndihem mjaft mirë. Ka  një frymë pozitive dhe jemi të gjithë në të njëjtën linjë, për një opozitë të fortë. Gjatë kohës që kam qenë zëdhënëse jam njohur me figurat kryesore të Partisë Demokratike, ndërsa tani të qënurit bashkë pothuajse gjatë gjithë javës në komisione dhe seanca parlamentare na bën që të miqësohemi më shumë me njëri-tjetrin dhe të ndajmë ide dhe mendime për një performancë sa më të mirë të grupit parlamentar.

Si ishte për ju, si mbesa e dëshmorit Nazmi Kryeziut, seanca e parë plenare kur u votua Gramoz Ruçi në krye të Kuvendit? Si e konsideroni emërimin e tij?

Zgjedhja në krye të Parlamentit shqiptar e një figure si ajo e Gramoz Ruçit është për mua shfaqja më e neveritshme dhe më e qartë sesi kjo mazhorancë ndihet si pasardhëse e drejtpërdrejtë, jo vetëm si bijtë e etërve, por edhe në mendësinë komuniste. Zgjedhja e Gramoz Ruçit ka qenë dhe mbetet përsa kohë që ai të jetë në krye të Parlamentit, një fyerje për qindra mijëra shqiptarët që kanë qenë viktima të luftës së klasave dhe të gjithë atyre që luftuan për përmbysjen e diktaturës hoxhiste në Shqipëri.

Çfarë u premtoni shkodranëve si zëri i tyre në Kuvend? A përbën problem për ju që jeni në opozitë, ndërkohë që Shkodra ka dy përfaqësues të tjerë në qeveri, zëvendëskryeministren Mesi dhe ministrin Bushati? 

Shpreh vendosmërinë time të palëkundur të jem zëri aktiv, gjithëpërfshirës dhe realizues i të rinjve, të rejave, grave e vajzave të Shkodrës. U kam premtuar që do të jem afër çdo nevoje e kërkese të çdonjërit. Do të punoj pareshtur, duke qenë gjithmonë në shërbimin të tyre, bashkë me ta dhe për ta. I premtoj e i garantoj përkrahje të pakushtëzuar nga ana ime. Si qytetare e Shkodrës, si bijë e këtij qyteti, si e re, me dëshirën e madhe për të ecur përpara dhe për të bërë ndryshimin e nevojshëm e të detyrueshëm. Do bëj të pamundurën që si ligjvënëse e re, të sjell risi në aspektin politik, por këtë le t’ia lëmë kohës.

 GSH.al


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.