DOSSIER

Dosja gjyqësore e Trebeshinës u akuzua për pikëpamje armiqësore

10:25 - 21.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Prof. asoc. dr. Anila Mullahi*

 

Kasëm Trebeshina filloj të shkruajë herët, që në 1951. Kemi një sërë poezish të tij të botuara në gazetën “Letrari ri” si dhe një sërë dramash “Heronjtë” në ’52 dhe “Shtrojnë malet” në ’53. Gjatë vitit 1953, në “Letërsia jonë”, organi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, në numrin 3, 5, 6, etj, u botuan nga Trebeshina, një sërë poezish, dhe në nr. 10 u botua një dramë me 5 akte, “Kruja e çliruar”. Botimet e krijimeve të tij në periodikët kryesorë letrarë të kohës, (prozë dhe poezi), tregojnë se kemi të bëjmë me një shkrimtar prodhimtar që ka nisur të njihet në radhët e shkrimtarëve dhe lexuesve. Trebeshina filloi të shkruante në një periudhë kohe kur goditjet e herëpashershme ndaj letërsisë dhe shkrimtarëve kishin ndikuar negativisht dukshëm në cilësinë e letërsisë, por kjo shfajësohej nëpërmjet argumenteve si “letërsia është çështje shtetërore”. Në një mbledhje të organizuar në Lidhje në vitin 1953, diskutimet rreth poezive të tij, ngjajnë të turpshme dhe qesharake. Dikujt nuk i pëlqen që ai bën “objekt të poezisë së tij vajzën syzezë”, si dikur Hajne, por që tashmë sipas tyre, objekte të tilla poezia e realizmit socialist i kishte tejkaluar kohë më parë. Dikush, në mënyrë gati naive, shpreh se “nuk e kuptojnë se çfarë thotë në shkrimet e tij”, “nuk e kuptojnë aspak filozofinë e tij të të shkruarit”, dikush e akuzon për anakronizëm, sepse është i paaftë të shkruajë për temat dhe optimizmin e kohës, por sepse shkruan vargje të tilla si “mërzi në errësirë”, “s’ka jetë për mua”. Sipas bashkëkohësve të tij, në momentin kur Trebeshinës iu ndaluan botimi i përmbledhjeve me poezi, në fund të mbledhjes ai dorëzoi letrën e dorëheqjes nga Partia dhe nga Lidhja. Pikërisht në këtë kohë, mendohet se shkroi promemorien aq shumë të diskutuar në lidhje me problemet e letërsisë.
Trebeshina, bashkë me disa shkrimtarë të tjerë, do të përjashtohen në vitin 1954 nga Lidhja e Shkrimtarëve. Trebeshina u kritikua për: “qëndrim nihilist kundrejt letërsisë së realizmit socialist”
– se shprehej se niveli i ulët i letërsisë shqipe vinte nga “fryma e partisë në letërsi”.
– se ai kërkonte të shkruante një letërsi “të përjetshme”, për tema të përjetshme e “të përgjithshme”
– u kritikuan se kishte një vlerësim shumë të lartë “vetëm për letrarët e mëdhenj t’epokave të kaluara” dhe se “ata mohonte letërsinë sovjetike, klasikët e saj”.
– akuza për kozmopolitizëm është një nga më të fortat që i janë bërë shkrimtarit,
– u kritikua për pikëpamjen e tij për një art “të pa kondicionuar”, “jashtë kohës e klasave”, si dhe për përpjekjes për të “fetishizuar formën”.
Trebeshina kishte studiuar jashtë dhe e njihte mirë letërsinë klasike, duke qenë në gjendje ndërkaq të kuptonte fare mirë nivelin e ulët të letërsisë që po krijohej, dhe sado që ngrihej në piedestal, ai nuk mund të mos kuptonte se letërsisë i kishte humbur poetizmi, Ai shpesh i kishte kritikuar veprat e dobëta si “artikull gazete” apo “traktat”.

DËBIMI NGA LIDHJA
E SHKRIMTARËVE
Në mbledhjen e 24 shkurtit të vitit 1954, Kasëm Trebeshina u vendos që të dëbohej nga Lidhja e Shkrimtarëve. Në revistën letrare-artistike, shoqërore-politike “Nëntori”, të vitit 1954, për Trebeshinën i cili po vuante dënimin e parë, shkruhet:
“Partia jonë zbuloi dhe demaskoi pikëpamjet antipatriotike në letërsi të Kasëm Trebeshinës me shokë, të cilët mohonin në mënyrë të hapët realizimet dhe sukseset e letërsisë sonë të re, fetishizonin të kaluarën, shtrembëronin vlerat edukuese të klasikëve, nënçmonin rëndësinë revolucionare të realizmit socialist dhe të letërsisë sovjetike dhe përpiqeshin në këtë mënyrë të godisnin në këtë mënyrë fuqinë krijuese të popullit tonë, mundësitë dhe besimin e tij në ndërtimin e të sotmes heroike dhe të së ardhmes së lumtur. Këto pikëpamje janë shprehur edhe në veprat e tyre, disa prej të cilave janë të ngjeshura me frymë kozmopolitizmi, subjektivizmi të theksuar, megalomanie dhe narcizizmi”.
Në 1954 Trebeshina dënohet me 3 vjet burg me akuzën për agjitacion dhe propagande kundër pushtetit, ai u dënua sepse në biseda me “persona të rrethit të tij shoqëror ose letrar ai ka folur se donte të largohej nga atdheu i tij dhe të shkonte në një shtet borgjez si në Zvicër ku të zhvillonte talentet e tij letrare më të mira. Ai kërkon të shkojë në Zvicër që është simbol i lirisë, i të drejtave të njeriut, i asnjanësisë etj. Ky është një fakt jetësor të cilin ai ka shndërruar në një fakt letrar në veprën Odin Mondvalsen”.
Trebeshina ishte një shkrimtar që u dënua edhe për veprat e pabotuara, ato në dorëshkrim. Në vendimin e gjykatës së lartë në prill të 1981, për dënimin tij merren parasysh “ekspertiza” e veprave të tij në dorëshkrim (rreth 120), të cilat i morën gjatë arrestimit në shtëpinë e tij, këto recenca shkruajnë që dorëshkrimet “pasqyrojnë rryma të ndryshme ultrareaksionare që karakterizojnë letërsinë dhe artin dekadent” në to u “gjenden pikëpamje armiqësore”.
Në këtë vendim përmenden edhe një sërë titujsh, librash-dorëshkrime, të cilat na japin ndihmesë për të vërtetuar edhe njëherë kohën e shkrimit të librave të ndryshëm të Trebeshinës, shumë kohë më parë se koha e botimit që është pas viteve ’90.
Dosjet hetimore të Trebeshinës na ndihmojnë për të kuptuar faktin sesi ky shkrimtar, ndonëse ishte i bindur që nuk do të botohej në atë sistem, ku burgosej e përndiqej sistematikisht, vazhdonte të shkruante pa ndalim.
Hetuesi i çështjes së tij, në 13.11.1980, kërkon që: t’i bashkëngjisë dosjes hetimore numër 257 këto vepra: “Rokoko”, “Kasetë e mrekullueshme”, “Kejstudi”, “Meteorit i Mbretit Budurr”, “Trokitja”, “Ujërat dhe Brigjet”, “Gjyqi”, “Udhëtime fantastike”, “Tiranozauri”, si dhe shkrimet e përkthyera nga anglishtja: “Një ditë në një luftë të çuditshme”, “Gjeneralët e shpirtrave të vdekur”, të cilët kanë një përmbajtje të lartë armiqësore”.

VEPRA, GJYQ E DËSHMI
Përtej gjyqit, si një proces juridik, ne shohim faktet letrare, dhe Trebeshina, u dënua edhe për dorëshkrimet e tij letrare. Nga akuzat, zbulojmë se dorëshkrimet e tij nuk janë larg strukturave letrare që ne i gjejmë edhe në botimin e tyre pas viteve ’90, duke vërtetuar edhe njëherë fjalët e autorit për mos ndryshim të dorëshkrimeve dhe pas botimit të tyre. Menjëherë pas ’90 fillon dhe botimi i dorëshkrimeve të tij. Përmbledhja “Stina e stinëve” do të botohet në 1991 në fillim në Prishtinë e më pas me emrin “Legjenda e asaj që iku”, në 1992 në Tiranë. Në këtë përmbledhje do të jetë edhe Odin Mondvalsen. Kjo vepër, nxiti interesimin e kritikës, jo vetëm për faktin se erdhi nga një shkrimtar i ndaluar, por mbi të gjitha për veçantinë e formës së tij. Për mënyrën e ndërtimit të veçantë të fabulës të çkronologjizuar, për specifikën e rrëfimit, për problemet e receptimit, për lojën me kohën etj.
Një roman i tillë e ka zhvlerësuar modelin e endjes së subjektit në kuptimin tradicional, kryesisht të njohur në letërsinë shqipe. Teksti shfaq shenja të forta të modernizmit dhe portmodernizmit. Romanin “Odin Mondvalsen”, që në fillim, menjëherë pas botimit, nxituan ta quanin një pasqyrë të diktaturës shqiptare. Ky roman, për hir të endjes së konfliktit të tij si strukturë e hapur, merr një karakter më të përgjithshëm dhe më universal. Ai nuk kushtëzohet në kufijtë e një realiteti konkret dhe të vetëm. Ky roman u vlerësuar si një roman që “artistikisht arrin të shpjegojë dukurinë e totalitarizmit komunist” në përgjithësi në të tëra vendet, “dëshmitar i përvojës së vrazhdë, tragjike të regjimeve totalitare” në të gjitha kohërat. Trebeshina ka shkruar edhe romanin epope me 5 vëllime Kënga shqiptare. Vëllimi i I-rë i romanit, sipas shënimeve të shkrimtarit, përfundoi në vitin 1951, ndërsa i fundit më 1966. Duke u kthyer pas në kohë dhe duke analizuar zhvillimin letrar të kësaj periudhe, bindemi plotësisht se vepra është shkruar në ato dhjetëvjeçar, sepse mban brenda vetes prirjen letrare të saj.
“Kënga shqiptare” është kënga e bukurisë së natyrës dhe e bukurisë së shpirtit njerëzor. Ajo, gjithashtu, është kënga e mbijetesës ekonomike, e punimit të tokës dhe mos prodhimit, ca nga prapambetja teknike, e ca nga fatalizmi i natyrës mes thatësirës e përmbysjeve, por është dhe kënga e mbijetesës në një vend ku paragjykimet e tradita nuk e lënë shpirtin e lirë të zgjedhë lirisht.
Pas viteve ’90, filloj dhe botimi e vënia në skenë e dramave të Trebeshinës. Dramaturgjia e Trebeshinës, duke u nisur nga struktura formale dhe tematike, shfaq elementë të qartë ngjashmërie me dramën e absurdit dhe paradoksit zhvilluar në Evropë veçanërisht në vitet 50-60 të shekullit XX me përfaqësues Beketin, Joneskon, Pirandelon, por që nuk njiheshin në Shqipëri gjer vonë. Trebeshina, është një nga themeluesit e dramës moderne shqiptare, duke u nisur jo vetëm për nga dallueshmëria me traditën shqiptare, por edhe krahasuar me përfaqësuesit kryesorë të dramës moderne botërore. Ai tashmë është pjesë e padiskutueshme e traditës më të mirë letrare në shqip. Ndonëse mbetet akoma, i parealizuar amaneti i shkrimtarit, botimi i plotë i dorëshkrimeve të tij.
*Titujt janë redaksionalë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.