KULTURË

E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit, gruaja që u vra shtatzënë

09:56 - 21.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Institutin e Historisë dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike organizon takimin “E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit”. Takimi mbahet sot në sallën e konferencave të Fakultetit së Inxhinierisë të Ndërtimit. Aktiviteti përkujton të dënuarit që punuan për tharjen e kënetës të Maliqit, në përvjetorin e ekzekutimit të tyre pas gjyqit të hapur në nëntor të 1946.
Takimi çelet me fjalën e mirëseardhjes së Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë, asoc. prof. Gëzim Hasko. Kryetarja e AIDSSH, Gentiana Sula, mban fjalën e rastit mbi nismën e Autoritetit në organizimin e takimeve përkujtimore që hedhin dritë mbi të shkuarën, duke ridimensionuar raportin tonë dhe të shoqërisë me të vërtetën. Takimi dhe diskutimet, theksojnë nevojën për t’u përballur me transparencë me të shkuarën, duke konsoliduar demokracinë.
Në vijim prezantohen punimet shkencore të përfaqësuesve të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike. Familjarë të të ekzekutuarve përshëndesin të ftuarit, trashëgimtarë të të dënuarve, historianë e studentë, përfaqësues të institucioneve publike e joqeveritare, organizatave kombëtare e ndërkombëtare. Për takimin përkujtimor, AIDSSH ka zbardhur materialet arkivore që gjenden për këtë gjyq, përmes një CD me materialet e dixhitalizuara dhe zotëron një dosje të plotë me lëndë arkivore, foto, studime për ngjarjen dhe pjesë filmike për të.
E ashtuquajtura “organizatë tekniko-sabotatore” përbëhej nga Abdyl Sharra, 35 vjeç, kryeinxhinier në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit, i akuzuar si “iniciatori kryesor i sabotimeve në stil të gjerë për ndërmarrjet e mëdha që bënte pushteti popullor”; Kujtim Beqiri, 30 vjeç, bir i një familjeje patriotike, medalje e artë në inxhinieri civile në Universitetin e Vjenës, drejtor në punimet e Maliqit; Vasil Mano, inxhinier në kënetë, i akuzuar bashkë me të shoqen Zyrikën (e cila u pushkatua shtatzënë), për lidhje dhe kontakte të herëpashershme me agjentët e UNRRA-s; Pandeli Zografi dhe Mario Guarnieri, gjeometra në kënetën e Maliqit; Eugenio Scaturro, italian, llogaritar në Maliq; Mihal Stratobërdha, Anastas Risto dhe Jani Vasili.
Proceset gjyqësore të të pandehurve filluan më 8 nëntor 1946 dhe përfunduan pas 10 ditësh. Gjatë asaj periudhe, lajmi kryesor në vend ishte gjyqi ndaj të bujshmit “grupi i sabotatorëve të kënetës së Maliqit”. Procesi, që transmetohej publikisht me altoparlant, u zhvillua në kinema “Nacional”, me skenar të parapërgatitur në detajet më të vogla. Pas shpalljes së vendimit, ku u goditën disa nga figurat e shquara atdhetare e intelektuale të Shqipërisë, grupi i dënuar me vdekje u ekzekutua në Maliq, më 19 nëntor 1946. Menjëherë vijuan arrestimet në masë të rreth 80 ish-nxënësve të shkollës teknike të Harry Fulzit dhe u arrit në shkëputjen e marrëdhënieve me SHBA-në e Britaninë e Madhe, për t’u bërë pjesë aktive e kampit të Lindjes komuniste.
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.




1946/Dekreti i vdekjes për grupin
e parë të inxhinierëve të Maliqit

Kastriot DERVISHI

Në mbledhjen nr.59, datë 19.11.1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi refuzimin e kërkesave për faljen e jetës së bërë nga të dënuarit e procesit të parë të “Maliqit” dhe familjarët e tyre, duke urdhëruar ekzekutimin me varje në litar të Abdyl Sharrës, Kujtim Beqiri dhe me pushkatim të Vasil Manos, Zorika Manos dhe Eugenio Scaturos.
Këneta e Maliqit nisi të thahej më 5 maj 1946. Punimet e saj duhej të mbaronin më 28 nëntor 1946, kurse, në fakt, në fazën kryesore mbaruan në vitin 1951. Drejtues të punimeve ishin Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri. Proceset ndaj teknikëve për gjoja “sabotime” ishin kombinacione dhe legjendime të përpiluara nga teknikët jugosllavë të Maliqit dhe regjimi komunist për të përligjur largimin e misionit amerikan në Tiranë. Dosjet hetimore-gjyqësore të këtyre proceseve janë tërësisht të manipuluara nga regjimi, sepse janë marrë dhe zhvilluar në kushtet më të rënda të torturës psikike dhe fizike. Procesi i parë i Maliqit dhe proceset e tjera vijuese, synonin të implikonin qeverinë amerikane dhe diplomatin e saj Fultz. Sipas informacioneve të siguruara, Fultzi, vetëm nga zhvillimi i gjyqit e kuptoi kush i kishte drejtuar punimet në Maliq.
Nga maji 1945 e deri nëntor 1946, ngjarjet janë zhvilluar kështu:
– 8 maj 1945 misioni diplomatik amerikan mbërrin në Tiranë
– 10 nëntor 1945 qeveria amerikane njohu qeverinë komuniste me kusht deri në plotësimin e kushteve, e deri në këtë kohë nuk do kishte nivel të lartë diplomatik. Dy ditë më vonë, Hoxha deklaroi se ishin djegur arkivat e nuk i njihte traktatet me SHBA-në (si injorant i politikës nuk e dinte që traktatet hartohen në disa ekzemplarë)
– 13 gusht 1946, Enver Hoxha i deklaroi shefit të misionit diplomatik amerikan se qeveria e tij do njohë disa traktate me karakter dypalësh, vetëm pas njohjes së Shqipërisë nga SHBA.
– 20 shtator 1946, sekretari i shtetit, udhëzoi mosnjohjen e qeverisë komuniste të Hoxhës.
– 28 shtator 1946 nisin arrestimet në Maliq.
– 8 deri më 18 nëntor 1946 zhvillohet procesi i parë kundër “sabotatorëve”.
– 15 nëntor 1946 misioni amerikan largohet nga Shqipëria.
– 19 nëntor 1946 ekzekutimi në Maliq i grupit të parë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.