EKONOMI

Marshimi i “heshtur” i qindra fëmijëve në Kurbin Vlahutin: Ligjet në letër nuk mjaftojnë

09:46 - 21.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Voltiza DURO

 

Fëmijë e të rinj të Kurbinit, zgjodhën të marshojnë në mënyrë të “heshtur”, duke mbajtur në duar pankarta me mesazhe të forta sensibilizuese, për të gjitha të drejtat e mohuara. Në këtë protestë, të zhvilluar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, ishte e pranishme edhe ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, e cila tha se po bëhen ndryshime ligjore në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Por, sipas saj, ligjet e shkruara në letër nuk mjaftojnë për përmirësimin e situatës. “Ne e filluam vjet në Dibër këtë aktivitet, dhe po e vazhdojmë sivjet sërish këtu, pasi edhe zonat e tjera të Shqipërisë janë shumë të rëndësishme. Fakti që dikush nuk jeton në qytet të madh, nuk do të thotë që të mos gëzojë të njëjtat të drejta që i takojnë me ligj. Janë fëmijët ata që janë e ardhmja e vendit, prandaj duhet të investojmë në mënyrë që ata të përdorin çdo gjë që kanë, në mënyrë që e ardhmja të jetë më e mirë”,-u shpreh Vlahutin teksa po marshonte përkrah fëmijëve. Pas kësaj, të rinjtë e Kurbinit organizuan një aktivitet ndërgjegjësues, në bashkëpunim me organizatën World Vision, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në evidentimin e problematikave të tyre. Ata bënë thirrje kundër punësimit të fëmijëve, për shkak të kushteve të këqija ekonomike dhe kundër drogës në shkolla e formave të ndryshme të dhunës të hasura në familje apo komunitet.
Peticioni
Ndërkohë, fëmijët bënë me dije se kanë dorëzuar një peticion drejt Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë; Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale dhe Bashkisë së Kurbinit në të cilin kanë listuar pikat më të rëndësishme që mbrojnë të drejtat e tyre. Së pari, ata kanë kërkuar ndërtimin e një qendre rinore në qytet ku mund të zhvillojnë aktivitete për të kaluar kohën e lirë. Më tej kanë kërkuar rritjen e investimeve në institucionet arsimore, në mënyrë që ato të plotësojnë funksionin e tyre si qendra dijeje dhe komunitare për t’i përgatitur të rinjtë drejt profesioneve të së ardhmes. Madje, fëmijët në peticion kërkojnë që t’u sigurohet hapësira ku të mund të japin lirisht mendimin e tyre në lidhje me problematikat që shkelin të drejtat e tyre e t’u ofrohen shërbime të tilla që iu japin siguri e mbrojtje. Gjatë aktivitetit, të rinjtë e fëmijët e Kurbinit shfaqën video-dokumentarë me histori personale e mesazhe të forta ndërgjegjësimi, ku personazhe ishin vetë ata. Ndër to, trajtohej edhe problemi i trafikimit të qenieve njerëzore, në të cilën një e re kishte rënë pre e prostitucionit. Edhe dhuna në shkolla apo bullizmi ishte një tjetër shqetësim i të rinjve të Kurbinit. Ata kërkuan fuqishëm nga autoritetet përkatëse më shumë vëmendje dhe më shumë punë në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, jo vetëm në qendrat urbane, por edhe në zonat e thella rurale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.