OPINION

Nga një, në tre dhe rëndësia e marrëdhënieve SHBA-Rusi-Kinë

06:44 - 21.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Vasil KURETA

 

Që modeli i sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare ka ndryshuar që nga rrëzimi i komunizmit deri më sot e dëshmon edhe mbushja me intensitet të shtuar e marrëdhënies mes tre të mëdhenjve, sa i përket rolit të tyre në qeverisjen botërore. Pas rrëzimit të komunizmit, u konstatua se SHBA ishte superfuqia e vetme botërore, e cila realizoi përgjegjësitë e saj, sa i përket garantimit të sigurisë e stabilitetit të rendit botëror. Shpejt SHBA ndjeu nevojën e kontributit edhe të aktorëve të tjerë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, teksa u formulua në dy mandatet e presidentit të SHBA, Obama në formën se, SHBA është superfuqia e vetme botërore, por që ajo nuk mund të plotësonte e vetme përgjegjësitë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar e faktorëve të tjerë globalë kërcënues të tij, pa kontributin e bashkëpunimin me aktorët e tjerë të rëndësishëm.

Ishte kjo nevojë realiste, por edhe një vështrim konkret i zhvillimeve ndërkombëtare, ku konstatohej qartë zhvillimi me intensitet i ambicieve për superfuqi botërore e prirje për të ndarë fuqinë e rolin me SHBA, të dy aktorëve të tjerë si Rusia dhe Kina. SHBA me të drejtë insistoi në respektimin e ligjit të së drejtës ndërkombëtare në zhvillimin e ambicieve të superfuqisë së këtyre aktorëve, si në rastin e aneksimit të Krimesë dhe shpërthimi i konfliktit në Ukrainë etj., për Rusinë, por edhe me lëvizjet e Kinës me ishujt artificialë e forcimin e dispozitivit ushtarak në rajonin e Azisë, Paqësorit etj., por duke i mbajtur të hapura kanalet e dialogut e diskutimit me to drejtpërsëdrejti, por edhe në organizmat ndërkombëtarë si OKB e Këshilli i Sigurimit, por edhe në formate të tjera e samite me pjesëmarrje të gjerë.

Kur presidenti i ri amerikan, Tump bëri publik tezën “Amerika First”, analistë të ndryshëm nuk nxituan të bënin interpretime, edhe pse pati ndjeshmëri të lartë, si ndaj kritikave të presidentit amerikan për Aleancën Euroatlantike e BE, për marrëveshjen tregtare me Kinën, apo edhe për angazhimet konkrete të SHBA, siç ishte ai lidhur me krizën siriane, me marrëveshjen për klimën etj. Pati ndonjë analist që e interpretoi këtë tezë jo vetëm si një formë të nacionalizmit amerikan, por edhe si një lloj tërheqjeje apo lëshimi i disa përgjegjësive nga SHBA për zhvillimet botërore edhe si pasojë e efekteve të krizës botërore financiare etj. Disa menduan të presin, nëse ndodhemi përballë një doktrine të re amerikane, që do të shfaqë në proces elementët e saj. Shpejt u rrit interesimi për të kuptuar më shumë ndaj qëndrimit të SHBA në zhvillimet botërore dhe ndjeshmëria ndaj sjelljes së SHBA-ve ndaj këtyre zhvillimeve, teksa u panë deklarime që flisnin për pritshmëritë e takimeve direkte të presidentit Trump me Putin dhe Xi Jinping. SHBA, duke filluar që nga fundi i presidencës Obama, filloi një tërheqje nga angazhimi, apo sendërtimi i statusit si superfuqia e vetme, që linte të kuptoje se, e vlerësonte avancimin e statusit të superfuqisë nga Rusia dhe Kina në zhvillimet botërore, me të cilat duhej të dialogonte me to, sa i përket ndarjes së rolit e fuqisë. Ajo që lexohet në këtë fazë, sa i përket mbushjes së marrëdhënieve mes këtyre tre aktorëve kryesorë, tregon se po bëhet, apo është bërë kalimi nga një në tre superfuqi botërore në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Pritet të ketë në këtë zhvillim edhe kontradikta, dallime në interesa konkrete gjeostrategjike, edhe dialog, marrje e ndarje të përgjegjësive, apo edhe nxehje e tensionim të situatës mes tyre, por edhe detanta e kontribute, marrëveshje e traktate mes tyre apo me pjesëmarrje më të gjerë. Rëndësia, pritshmëria, dobishmëria e përmbajtjes dhe cilësisë së marrëdhënieve mes këtyre fuqive të mëdha është dhe do të bëhet më e madhe.

Realizimi i rolit botëror do të mundësohet mbështetur në interesa konkrete gjeostrategjike, ku dallimet janë e do të jenë më të qarta. Kuptohet pesha e interesave konkrete, por këtu rëndësi të veçantë ka e do të ketë kontributi konkret e përgjegjshmëria e lartë ndaj zhvillimeve të qëndrueshme, ndaj sigurisë, paqes e stabilitetit. Në sendërtimin e marrëdhënies së re mes tyre, rol tepër të veçantë do të ketë nevoja e kuptimit, vlerësimit e materializimit të standardeve e principeve konkrete, ku përvoja e SHBA, përfshi edhe metodologjia e realizimit të rolit e përgjegjësive, ka vlerë të veçantë. SHBA e ka realizuar rolin dhe kontributin e saj duke u mbështetur në dy shtylla kryesore: mbrojtja e ligjit e të drejtës ndërkombëtare dhe referimi te sistemi i vlerave, shoqëruar me harmonizimin e bashkëpunimit me aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Raporti ndaj këtyre dy shtyllave do të ndikojë ndjeshëm në përcaktimin e cilësisë së marrëdhënie dhe do të evidentojë kontributin e tyre konkret në zhvillimet e qëndrueshme botërore. Nuk pritet një marrëdhënie e lehtë, prandaj dhe çdo lëvizje do të prodhojë lajm, pritshmëri e ndjeshmëri të lartë, lëndë konkrete zhvillimi dhe pasoja direkte në zhvillimet botërore.

Nuk ka dyshim se po ravijëzohet një ndryshim i madh, jo thjesht në formë, por në përmbajtje, që do të pasurojë cilësinë e modelit të ri të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare, në periudhën e re pas rrëzimit të komunizmit. Këtu vëmendje e rëndësi të veçantë ka fakti që SHBA, realizimin e saj të rolit të superfuqisë së vetme botërore, e ka mundësuar si Perëndim, përfshi, vendet e BE, aleatët euroatlantikë dhe NATO, duke qenë realisht udhëheqësja e Perëndimit. Për këtë arsye tërheqin vëmendjen marrëdhënia brenda hapësirës perëndimore dhe kritikat e presidentit Trump, si ndaj NATO-s, por edhe BE-së. Ka për to interpretime të ndryshme, që kanë brenda një shqetësim të drejtë, si për kontributin real të SHBA-ve, por edhe hapësira që mund të krijojë për aktorët e tjerë ndaj pjesës europiane të Perëndimit.

Ka tashmë edhe mendime se aleanca transatlantike, e cila për dekada me radhë ka mbështetur stabilitetin global, demokracinë dhe ka mbrojtur perëndimin, siç e njohim ne – është në një sforcim të madh dhe rrezikon të rrëzohet. Mendohet kështu se presidenti amerikan Trump po sfidon në mënyrë të përsëritur aleatët tradicionalë të Amerikës, përfshirë NATO-n. Sipas këtij opinioni, edhe Europa ka kontribuar vetë për këtë situatë. Për këto arsye dhe në kushtet e një ekonomie më të globalizuar që ekziston sot, mendohet se Perëndimi po duket si i lodhur dhe i dobësuar nga sfidat komplekse. Natyrisht, që ka një situatë e problematikë konkrete brenda Perëndimit, që ka ardhur edhe nga goditja e madhe e krizës botërore e financiare, që në hapësirën e BE ka ushqyer nacionalizmin e euroskepticizmin dhe e ka vënë në vështirësi reale avancimin e projektit europian. Natyrisht që ka dhe një mungesë të një vizioni të plotë apo program afatgjatë në BE, për të mundësuar një cilësi më të re të stabilitetit e të zhvillimit të projektit europian.

Në këtë moment kanë ardhur edhe disa kritika nga SHBA, që realisht kanë sjellë dhe shqetësime. Në fakt, ky zhvillim është brenda natyrës së funksionimit të Perëndimit, që kritikon vazhdimisht vetveten. Në këtë situatë ku ndodhet BE, element shumë pozitiv është fakti, që del nga sondazhet, se projekti europian gëzon mbështetje të fuqishme nga qytetarët europianë, që do t’i shërbejë nxitjes së mëtejshme të lëvizjes së strukturave të BE, për të kapërcyer krizën dhe sfidat reale. Po kështu, BE po vepron drejt për mbrojtjen e sistemit të vlerave, siç dëshmoi dhe samiti i fundit i Goteborgut, modelit të ngritur mbi të dhe duke mbështetur globalizmin. Kjo filozofi europiane mundëson fokusimin në sigurimin e mundësive të barabarta dhe qasjen në tregun e punës, synon kushte të drejta të punës, si dhe mbrojtjen sociale. Këto hapa sfidojnë qartë dhe kritikat e atyre që mendojnë se BE përfaqëson një klub elitash kapitaliste neoliberale. Megjithatë, BE ka sfida të mëdha përpara, por ka një filozofi të drejtë të orientimit nga mbrojtja e sistemit të vlerave dhe elementëve thelbësore të aleancës euroatlantike. Sa më shpejt, BE të përballojë sfidat, aq më mirë do të jetë për realizimin prej saj të një kontributi konkret ndaj stabilitetit e sigurisë së rendit botëror dhe përballimit të synimeve e orekseve konkrete imperiale, apo objektivave gjeostrategjikë të të tjerëve ndaj saj. Stabiliteti, siguria dhe paqja në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë pasur dhe kërkojnë një cilësi e përmbajtje më të pasur edhe në kontributin e vendeve të BE.

Në këto kushte, kur dhe po kryhet procesi “Brexit” vjen një deklaratë e kryeministres britanike May, që akuzon Moskën për ndërhyrje në zgjedhje, se kryen spiunazh kibernetik dhe se përpiqet të dëmtojë shoqëritë e lira. Ajo i kërkon Putinit të respektojë sistemin e vlerave dhe ligjin ndërkombëtar. Kryeministrja britanike, duke iu referuar historisë së marrëdhënieve me Rusinë, pohon se rusët krijojnë histori të rreme për të shkaktuar mosmarrëveshje me Perëndimin. Ajo theksoi vendosmërinë për të mbrojtur interesat e vendit të saj, edhe pse nuk kërkon një përballje me Rusinë. Ajo, jo rastësisht i kujtoi Putinit aneksimin e Krimesë, nxitjen e konfliktit në Ukrainë, si dhe sulmet kibernetike ndaj qeverive e parlamenteve në Europë.

May përcolli mesazhin e qartë se, Britania nuk pajtohet me orekset imperiale të Rusisë dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar. “Unë kam një mesazh shumë të thjeshtë për Rusinë – ka nënvizuar ajo – e dimë se çfarë po bëni dhe nuk do të kini sukses. Ju nënvleftësoni rezistencën e demokracive tona, mbështetjen e fortë që kanë shoqëritë e hapura dhe angazhimin e vendeve perëndimore ndaj vlerave që na bashkojnë”. Duke shprehur angazhimin e plotë në NATO, mbështetjen e sistemit të vlerave e demokracisë liberale, kryeministrja britanike theksoi se, një partneritet i fortë ekonomik mes BE dhe Britanisë do të ishte një mburojë ndaj trazirave që Rusia shkakton në Europë. “Ne nuk duam të kthehemi në luftën e ftohtë”, ka saktësuar May. Është e kuptueshme që Rusia ka interesa gjeostrategjike ndaj hapësirës europiane, apo interesa imperiale, siç i kualifikojnë disa analistë. Këtë e dëshmojnë lëvizje komplekse në shumë fusha dhe një retorikë akuzuese e Rusisë ndaj NATO-s, që lëvizjet e saj në mbrojtje të aleatëve, që ndjehen të kërcënuar nga Rusia, i kualifikon si synime për të rrethuar Rusinë apo si shkelje të marrëveshjes NATO-Rusi etj. Kjo retorikë zhvillohet në një kohë kur është krijuar dyshimi ndaj SHBA, nisur nga kritikat e adresuara nga Trump ndaj BE-së edhe për çështje të sigurisë, që Rusia do të përpiqet ta ushqejë e të përfitojë sa më shumë. Jo rastësisht Rusia së fundi flet për politikë përjashtuese të NATO-s kundër Rusisë. Sipas Rusisë, vendet perëndimore kanë zgjedhur një politikë të sigurisë të mbyllur dhe të përqendruar në NATO, duke vazhduar në këtë mënyrë doktrinën “Truman” të përjashtimit. Moska akuzon NATO–n se vazhdon “mitin” e kërcënimit të ardhur nga lindja. Po kështu, duke iu referuar anëtarësimit në NATO të ish-vendeve socialiste, Rusia flet për pasoja të drejtpërdrejta të rritjes së konfliktualitetit në zonën euroatlantike. Madje, ka përpjekje për të përcjellë idenë se tash po kalohet nga një Perëndim i bashkuar, në një Perëndim të ndarë. Retorika e lëvizjet konkrete komplekse të Rusisë ndaj hapësirës së BE janë dëshmi e objektivave konkrete të Rusisë në funksion të mundësimit e të konsolidimit të statusit të superfuqisë botërore, ku një rol i saj në hapësirën europiane është element thelbësor. Pas kapërcimit të një krize reale që kalon BE, do të pritet dhe një qëndrim i unifikuar i BE ndaj synimeve reale të Rusisë.

Samitet e fundit të APEC dhe të ASEAN sollën argumente më shumë në favor të tezës se tash do të ketë një raport tjetër mes SHBA, Kinës dhe Rusisë, sa i përket rolit të kësaj tresheje në qeverisjen botërore. Problemet ekonomike e tregtare, por edhe tri krizat aktuale si ajo e Ukrainës, kriza siriane e më gjerë në Lindjen e Mesme dhe kriza e Koresë së Veriut do të shërbejnë si guri i provës së cilësisë së marrëdhënies së re, midis tri fuqive të mëdha, ku do të shfaqet edhe përplasja e interesave gjeostrategjike e politike, për zonat e influencës, por edhe fushat e mundësitë e bashkëpunimit, edhe dialogu, por edhe rivaliteti e tensionet. Në fjalën e tij në samitin e APEC, presidenti Trump përcolli atë që cilësohet një politikë e re në Azi, teksa nënvizoi tezën “një rajon i lirë dhe i hapur në Azi-Paqësor”, që ka tash edhe kritikët konkretë dhe që pritet të konkretizohet e se si do të funksionojë në raport me partnershipin Trans-Pacifik (TPP), pra në një rajon që siguron 40% të GDP botërore.

Në samitin e ASEAN-it, presidenti Trump shpalosi vizionin e SHBA në këtë rajon, që merr në konsideratë problematikën kontradiktore, por edhe të ardhmen, në kushtet e ndryshimeve të rëndësishme në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Si pjesë e këtij vizioni, Trump nënvizoi se SHBA dhe Kina janë dy ekonomitë më të mëdha dhe kontribuuese kryesore në rritjen ekonomike globale dhe për këtë arsye është e nevojshme të punojmë së bashku për të ndihmuar zgjidhjet e problemeve botërore. Edhe një version i ri i TPP bëhet kështu dëshmi e vizionit të ri amerikan. Pritet një marrëdhënie e re, që do të përfshijë bashkëpunimin dhe konkurrencën, që disa analistë e vlerësojnë si një model i ri bashkëpunimi SHBA-Kinë, mjaft pozitive, jo vetëm në Azi-Paqësor, por edhe në rang botëror. Siç pritej, Trump iu referua dhe marrëdhënies me Rusinë dhe rolit të saj në zhvillimet botërore. Ai ka theksuar se Moska mund të ndihmojë në zgjidhjen e krizave në botë dhe se raportet pozitive me Rusinë janë një gjë e mirë. Në formë pyetjeje, ai përcolli mesazhin se, “kur do ta kuptojnë kundërshtarët tanë, se të pasurit e marrëdhënieve të mira me Rusinë është një gjë e mirë?”. Madje, në mënyrë autokritike ka pohuar se Rusia është sanksionuar shumë dhe se tani është koha të shërojmë një botë të shembur dhe të thyer.

Duhet pritur e nuk duhet nxituar e paragjykuar. Ka kaq shumë probleme e kriza të rënda, që rrezikojnë maksimalisht sigurinë e paqen në botë, që rrezikojnë ekzistencën e njerëzimit. Papa Françesku, i shqetësuar për këtë situatë, ka deklaruar: “Bota po i drejtohet një lufte edhe më të madhe se ato të mëparshmet… Sot bota është në luftë dhe po bëhet gati të hyjë edhe më e fuqishme në luftë… Me luftën humbet gjithçka”. Ky shqetësim është më se i drejtë, se një luftë e mundshme botërore do të lërë pas vetëm “kufoma në kalbëzim” e “gërmadha në tym”, do të lërë vend ndoshta vetëm për milingonat, se njerëzimi në tokë kështu zhduket.

Më 19 nëntor 2017

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.