BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Dinamo-Partizani, politikanë dhe tifozë kundërshtarë

15:35 - 22.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Dinamo-Partizani, politikanë dhe tifozë kundërshtarë




Topi-Harasani, “Fair Play” në tribunën VIP
Në politikë kanë qenë gjithnjë kundërshtarë për shkak të pozicionimit njëri te PD e tjetri te PS, por Presidenti Topi dhe deputeti Andis Harasani janë kundërshtarë edhe në futboll. Kreu i shtetit njihet si një tifoz i madh i Tiranës, ndërsa ish-drejtori i KESH është i njohur si fans i Partizanit. Megjithatë, ashtu si lojtarët në fushë, Topi e Harasani e kanë nisur “ndeshjen” me një “Fair Play” mes tyre. Një shtrëngim duarsh që i ka dhënë startin ndeshjes më të rëndësishme të sezonit.

Për Malajn, Dinamo ka më shumë shanse…
Ish-ministri i financave Arben Malaj është i fiksuar pas llogaritjeve dhe shkresurinave. Si një person i tillë, ndeshja për Malajn nis nga formacioni. Madje, pasi i ka parë mirë 22 njerëzit që do të zbrisnin në fushën e lojës, Malaj ka bindur edhe presidentin e Dinamos Besnik Sulaj se në fund trofeu ishte i tyre. Ndonëse, për një moment parashikimet duhet t’i jenë lëkundur, pasi Dinamo mbeti me 9 vetë.

Xhani i ankohet Paturrit për arbitrin italian
Në fillim të ndeshjes, arbitri italian Paolo Taljavento nuk ia ka mbushur aspak mendjen presidentit Xhani. Sidomos pasi gjyqtari dha një penallti pas vetëm 4 minutash lojë. Gjërat janë dukur serioze, pasi në krah të presidentit të Partizanit qëndronte një person shumë i “dashur” me arbitrat, si deputeti Hajrulla Paturri. Gjithsesi, për të qetësuar Xhanin më shumë ka menduar ish-presidenti i Tiranës Lutfi Nuri, për të cilin penalltia ishte e padiskutueshme.

Kristaq Mile, po ky për kë vuan në këtë ndeshje?
Ishte normale që tifozët e Dinamos dhe Partizanit të vuanin deri në minutat e fundit në një ndeshje të tillë, ku vendosej titulli kampion. Por gjëja më e habitshme ishte “vuajtja” e trajnerit të Teutës Kristaq Mile, i cili në ato momente duhet të ishte në stadium për ndeshjen me Besën e Kavajës. Mile më shumë duket i interesuar për takimin që do të vendosë titullin, atë mes Dinamos dhe Partizanit, duke “braktisur” skuadrën e tij. Gjithsesi ai e kishte arritur objektivin për të shkuar në plej-of me skuadrën e tij.

Celibashi i rikthehet skenës së futbollit
Nuk mund të mungonte ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një ndeshje të tillë. Vendosej titulli kampion dhe për më tepër, luante skuadra e tij e zemrës, Partizani. Në fund, ashtu si shumë tifozë të tjerë të kuq, Celibashi ka mbetur i zhgënjyer, pasi goli i të riut Ferraj në shtesë ka përmbysur ëndrrat për një titull kampion pas 15 vjetësh për Partizanin. E të mendosh që të kuqtë luajtën për 35 minuta me dy persona më shumë.

Ky shkrim është botuar më 24 maj 2008


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.