SPORT

“Furtuna” te Kukësi, zbardhet debati i presidentit Gjici me skuadrën: Jemi bërë për turp! Pse jeni kaq të pafytyrë?

11:37 - 22.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjobë dy rroga, prishje kontrate me Hair Zeqirin dhe kërcënim për largime të tjera në vijim. Humbja me Partizanin ka shkaktuar një “furtunë” të vërtetë te Kukësi, me stafin teknik dhe lojtarët që dje kanë dhënë llogari para presidentit Safet Gjici që në orën 09:00. Pasi rikonfirmoi trajnerin Mlladen Milinkoviç, “inati” i kreut të klubit ishte me futbollistët.




Gjici kritikoi ashpër Albi Allën për gabimin ndaj Partizanit, ndërsa i komunikoi largimin mesfushorit Zeqiri. Pas ecurisë negative me tre barazime radhazi dhe një humbje, ultimatumi i klubit është dy fitore, ndaj Laçit dhe Skënderbeut në transfertë. Gjasat janë që nëse merren tri pikë në Laç dhe një barazim në Korçë, klubi mund të falë lojtarët duke hequr në këtë mënyrë penalizimet.

BISEDA – “Panorama Sport” zbardh pjesë të rëndësishme të bisedimeve mes palëve në mbledhje. Fillimisht presidenti ka kritikuar futbollistët duke u thënë se ata nuk meritojnë të mbajnë veshur fanellën e Kukësit. “Çfarë ishte kjo humbje, si ka mundësi që jeni kaq të pafytyrë dhe më vini këtu. Është turp që mbani veshur fanellën e Kukësit. Jemi bërë për turp për fajin tuaj”, u është drejtuar Gjici lojtarëve. Pas 5 minutash nga fillimi i mbledhjes, presidenti ka vërejtur praninë e mesfushorit Hair Zeqiri duke iu drejtuar ashpër me këto fjalë: “Po ti Zeqir çfarë do këtu, je i përjashtuar dhe duhet të largohesh”.

Menjëherë vlonjati nuk ia ka bërë fjalën dysh. “Po, patjetër. Nëse mendon ti se është faji im, iki direkt”, iu përgjigj Zeqiri. Më pas Gjici vijon me kritikat për skuadrën. “Është totalisht faji juaj që ne ndodhemi në këtë gjendje. Nuk ka faj trajneri, ai e ka bërë punën e vet sepse është profesionist, ndërsa ju jo. Po ju them që keni dy rroga gjobë, të gjithë pa përjashtim! Do e shikoni ju që paguheni kot dhe talleni me lekët e mia.

Po i marrim gjërat një e nga një, shumë prej jush do ikin nga Kukësi nëse nuk fitoni dy ndeshjet e radhës. Mund të ketë nga ju që nuk është impenjuar maksimalisht, por mjerë ai nëse e ka bërë këtë”, kërcënon kreu i klubit, për të vazhduar me mbrojtësin Albi Alla. “Po ti çfarë e kishe atë gol të falur, si e bën atë gabim. Kush janë arsyet, për çfarë të kam marrë unë ty dhe të paguaj gjithë ato lekë, ma thuaj? Ke kaq ndeshje që vetëm bën gabime…”.

Lojtari merr përsipër përgjegjësitë dhe kërkon ndjesë. “Ishte gabimi im, gjëra që ndodhin në futboll. Ishte pa dashje, por unë ju kërkoj falje”. Sakaq, numri një i klubit vijon me tone të larta duke shprehur hapur zhgënjimin e tij. “Jam shumë i zhgënjyer nga i gjithë ekipi, pasi kështu siç po vazhdoni nuk marrim dot jo titull, por nuk e di ku mund të përfundojmë. Por, unë s’do e lejoj këtë gjë sepse nuk mund të hedhë dot valle asnjë mbi kurrizin tim. Ju nëse vazhdoni kështu, do të ketë për të gjithë rishikime pagash”.

TRAJNERI – Menjëherë pas humbjes ndaj Partizanit, Milinkoviç u fut në dhomat e zhveshjes dhe iu komunikoi lojtarëve se nuk do të ishte më trajner i Kukësit. Gjithsesi, Gjici nuk ia pranoi dorëheqjen dhe në mbledhjen e djeshme, serbi i kërkoi ndjesë presidentit. Ai dhe stafi i tij kanë dhënë me detaje arsyet pse erdhi humbja ndaj të kuqve duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë. Gjatë mbledhjes, Milinkoviç ka thënë:

“Unë jam përgjegjës për rezultatet, por presidenti nuk ma pranoi dorëheqjen. Duhet të punojmë të gjithë së bashku për të dalë nga kjo gjendje. Nuk duhen bërë më gabime dhe secili prej nesh duhet të jap maksimumin”, mësohet të ketë thënë trajneri para skuadrës, ndërsa bëri më pas një analizë të detajuar të ndeshjes së fundit.

KLUBI – Në njoftimin për mediat, klubi i Kukësit bënte të ditur se çfarë ndodhi dje në analizën e humbjes me Partizanin. “Në analizën e parë dhe me prezencën e presidentit Safet Gjici, stafi teknik ka dhënë detaje rreth përgatitjes së ndeshjes duke u ndalur në të gjithë faktorët që çuan në këtë humbje. Presidenti ka qenë kritik me stafin dhe lojtarët duke kërkuar më shumë impenjim dhe rezultate, në mënyrë që ekipi të mos dalë nga rruga e titullit për këtë sezon.

‘Ju kam dhënë dhe do keni mbështetjen time maksimale, por nuk pajtohem me rezultatet e deritanishme, ndaj kërkoj reagim të menjëhershëm. Dua fitore ndaj Laçit dhe Skënderbeut. Nuk do ketë penalitete për askënd nëse i merrni pikët e radhës. Edhe stafi teknik do ketë mbështetjen dhe besimin tim sepse është staf profesionist dhe i ka mundësitë bashkë me ju që të rikthehemi te fitoret që me Laçin.

Unë kam qenë dhe do jem korrekt me ju, ndaj dhe ju duhet të arrini rezultate, të justifikoni besimin dhe investimin tim’, citohet të ketë thënë Gjici”, shkruhej ndër të tjera në komunikatën e klubit të Kukësit.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.