KULTURË

KËNETA E MALIQIT – Dëshmitë e firmosura nën torturë: Vepruam me urdhër të Harry Fultz-it

10:28 - 22.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Institutin e Historisë dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike organizoi dje takimin “E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit”. Mes të tjerash, Autoriteti ka zbardhur edhe disa të dhëna mbi dosjet e të dënuarve.
Në nëntorin e 1946, lajmi më i madh në Tiranë ishte gjyqi ndaj atij që u quajt me bujë “grupi i sabotatorëve të kënetës së Maliqit”. Procesi, që transmetohej me altoparlant publikisht, u zhvillua në kinema “Nacional”, në atë që më pas do të merrte emrin “17 Nëntori”.
Qëllimi i këtij gjyqi ishte, në radhë të parë vijimi i politikës së asgjësimit të intelektualëve të edukuar në shkolla perëndimore, për shkak të kundërshtive që kishin këta të fundit ndaj regjimit të asaj kohe. Qeveria e Tiranës, donte t’i shkëpuste e t’i prishte përfundimisht marrëdhëniet me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, për t’u kyçur përfundimisht në perandorinë e kuqe komuniste, si një vend satelit i BS dhe si një shtojcë e Jugosllavisë. Për të justifikuar mostharjen e kënetës në afatin e caktuar (1 Tetor 1946), realizuar me punën e të burgosurve politikë, si edhe me mjete primitive të punës dhe për të ushtruar e përhapur terror e frikë në popull, në mënyrë të veçantë te klasat e përmbysura borgjeze e demokrate.
GRUPI E KËNETËS
SË MALIQIT
Përbëhej nga disa emra. Abdyl Sharra, ishte një 35-vjeçar nga Vlora, që kishte kryer shkollën teknike të “Robert Kolegjit” në Stamboll dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Romë. U emërua kryeinxhinier në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit dhe pas tre muajsh arrestohet si “armik i popullit, si iniciatori kryesor i sabotimeve në stil të gjerë për ndërmarrjet e mëdha që bënte pushteti popullor”.
Kujtim Beqiri, 30 vjeç nga Velça e Vlorës, bir i një familjeje patriotike (i ati pjesëmarrës aktiv në ngritjen e flamurit më 1912 dhe në luftën e Vlorës më 1920). Në vitin 1932 kryen Shkollën Teknike (dega elektrike). Në vitin 1940 përfundon me medalje të artë inxhinierinë civile, rruga-ura në Universitetin e Vjenës. Në korrik 1946 dërgohet si drejtor në punimet e Maliqit.
Vasil Mano, inxhinier në Kënetë, u akuzua bashkë me të shoqen Zyrakën(me kombësi jugosllave) për lidhje dhe kontakte të herë pas hershme me agjentët e UNRRA-s. Zyraka sipas dokumenteve ishte e martuar 2 herë, me burrin e parë priftin Pandi Popoviç ka 2 fëmijë.
Pandeli Zografi dhe Mario Guernieri, të cilët ishin gjeometër në kënetën e Maliqit. Eugjenio Skaturio, i cili kishte detyrën e llogaritarit në Maliq, si edhe Mihal Stratobërdha, Hans Vala, Mirush Përmeti dhe Jani Vasili.





DOSJA ME
DËSHMITË E
INXHINIERËVE
Ajo që mund të shihet më së shumti nga dosja është se narrativa e përgjithshme e ndjekur nga Sigurimi ishte dhënia e përmasave të gjera ngjarjes, duke e quajtur grupin e inxhinierëve “organizatë tekniko-sabotatore”. Gjithashtu, në terminologjinë e përdorur në shkrimin e procesverbaleve nga ana e Sigurimit, vihet re edhe përdorimi i shpeshtë i fjalëve si “tekniko-kriminale”, “organizatë agjenturorë”, etj, si formë propagande. Një tjetër element i “shpikur” nga Sigurimi për t’i dhënë grupit karakteristikat e një organizate kriminale është pasja e një simboli dallues ndërmjet tyre, që të bënte të mundur, gjithashtu, marrjen vesh mes tyre dhe agjentëve të UNRRA-s (në dosje përmendet vendosja në krah e një trekëndëshi me një pikë të bardhë në mes).
Të gjitha dëshmitë e të pandehurve, të marra në kushte presioni dhe torturash, përshkruajnë se sabotimi i tharjes së kënetës ishte kryer me qëllim shkaktimin e dëmeve të mëdha ekonomike vendit, për qëllime politike e për llogari të Harry Fultz-it, i cili përpiqej të rrëzonte regjimin komunist të sapovendosur. Në këto dëshmi të pandehurit përmendin se me urdhër të Harry Fultz-it dhe sipas përgjegjësive përkatëse që mbanin në kryerjen e veprës, detyrat sabotuese ishin të ndara ku përkatësisht: “Abdyl Sharra duhet të sabotonte krejt punët në kanal”, duke e paraqitur këtë të fundit si organizator të sabotimeve. Ndërsa, “Aleks Vasili duhej të sabotonte në gurore dhe të ngjallte pakënaqësira te punëtorët. Eugenio Scaturro do të sabotonte në sektorin e punës së tij duke sjellë pakënaqësira në mensë, ose duke lënë qëllimisht pa ndrequr një vegël për 2-3 ditë” (marrë nga procesverbali i dëshmisë së Vasil Manos). Edhe dëshmitë e marra nga Kujtim Beqiri, Zyraka Mano, e cila në dosje akuzohet si përgjegjëse për kryerjen e ndërlidhjes e komunikimit ndërmjet grupit të inxhinierëve në Maliq dhe Harry Fultz-it, ripohojnë të njëjtat fakte. Sipas procesverbaleve të mbajtura, janë zhvilluar gjithsej 3 takime midis inxhinierëve dhe të dërguarit e misionit amerikan UNRRA, ku në këmbim të kryerjes së sabotimit, këta të dërguar kanë ofruar shpërblime në sterlina dhe monedha floriri.
AKT – AKUZA
Akt-akuza e ngritur nga Prokurori vijon si më poshtë:
“Grupi tekniko-sabotator ka kryer (që në vere të 1945):
I. Vepra sabotazhi me stil të gjerë dhe në mënyrë sistematike
II. Vepra spiunazhi në favor të agjenteve të huaj
III. Kanë formuar një grup tekniko-profesional për të sabotuar rindërtimin, fuqinë ekonomike të vendit dhe si pasojë për të përmbysur gjendjen e stabilizuar në vendin tonë, në lidhje me monarko-fashistët grekë dhe me reaksionin e jashtëm.
Një tjetër element interesant në dosje lidhet pikërisht më dëshmitë e shkruara dhe te firmosura nga ana e dëshmitarëve qe ishin punonjës në Maliq, të cilët akuzojnë grupin e inxhinierëve për sabotim të veprës. Proceset gjyqësorë të të pandehurve filluan në datën 8 nëntor 1946 dhe përfunduan pas 10 ditësh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.