MILOSAO

“Komunistët” dhe Dritëro Agolli

11:28 - 22.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Shpëtim Çuçka

23.
Në vitin 1971 doli në dritë poema “Komunistët”. D. Agolli ishte dyzet vjeç. Nuk ishte shkrimtar në profesion të lirë, siç edhe mund të kishte qenë me plot të drejtë për meritat e tij jo të zakonshme letrare. Nuk ishte as kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Punonte si gazetar dhe gjente kohën, në orët e ditës të pazëna nga veprimtari të tjera, të merrej edhe me krijimtarinë letrare, pasionin e jetës së tij.
Përse është e nevojshme të vihen në dukje këto të dhëna të thjeshta, kur vjen çështja te poema “Komunistët”? E vërteta është që një ndër temat më delikate të marrëdhënieve shoqërore, temë që nuk para trajtohet as në rrafshin studimor, jo më në publicistikë, por që në mënyrë të thjeshtë ndeshet shpesh në jetën e në bisedat tona të përditshme, është tema e marrëdhënieve shoqëri-individ. Përgjithësisht trajtimi i kësaj teme merr formën: sa i jep individi shoqërisë dhe sa merr prej saj. Me fjalë të tjera, marrëdhënia shoqëri-individ shihet kryesisht në dritën e një materializmi të rëndomtë, vulgar.
Nuk mund të thuhet se shoqëria jonë është shumë më e prekur se shoqëritë e tjera nga ky lloj këndvështrimi, nga kjo lloj trajtese me doza ku më pak e ku më shumë egoiste. Në të gjitha shoqëritë, edhe ato që mbahen si më të zhvilluarat, rastet e nisjes së qytetarëve nga parimi “merr sa më shumë dhe jep sa më pak” janë ndër më të përhapurit dhe më tipikët. Një ndër këto raste, ai më i popullarizuari dhe – ndryshe nga sa lihet të kuptohet! – jo më i rrezikshmi, jo më i rëndi, është edhe i famshmi dhe famëkeqi korrupsion, prapa të cilit fshihen trajta të tjera edhe më të rënda e më të rrezikshme të zbatimit të parimit të përmendur më lart.
Pa bërë këtu një analizë të mëtejshme të kësaj çështjeje por duke e marrë atë, si edhe botimin e poemës “Komunistët” në vitin 1971, si pikënisje dhe si një këndvështrim të caktuar për ta parë jetën dhe veprën konkrete të poetit në marrëdhëniet e tij me shoqërinë, mund të thuhet pa mëdyshje se Dritëro Agolli ia shpërbleu me sa mundi shoqërisë çdo të mirë që ai pati në jetën e tij të gjatë. Ia shpërbleu pa kursim dhe pa parë majtas e djathtas se ç’merrnin të tjerët. Dritëro Agolli me jetën dhe veprën e tij tregoi se i ishte mirënjohës atdheut e shoqërisë për mundësinë që iu dha të bënte një jetë të ndershme dhe të pastër, të mbështetur te puna dhe krijimtaria letrare.
Poema “Komunistët” është pikërisht një ndër ato krijime, ku poeti dëshmoi qartazi pjekurinë e tij qytetare, atë pjekuri, që te ne nuk e gjen dendur ndër njerëzit e letërsisë dhe arteve, nuk e gjen dendur as ndër specialistët me kualifikim të lartë të fushave të tjera, atë pjekuri qytetare që nuk ndeshet dendur në përgjithësi në historinë tonë.
Ja ç’shkruan D. Agolli në poemën e tij:

Kalon një kohë
e duke udhëtuar
Mes vargjeve e këngëve të mia,
Tek ju
qëndroj
i heshtur,
i menduar,
Si udhëtar
i kthyer
tek shtëpia.
Dhe ndjej
se ju
kudo
më mbani vesh:
Se ç’këngë ngriti shoku juaj, vallë,
Tek brodhi
mal më mal
e shesh më shesh…

ç’kuptojmë me pjekuri qytetare? Pikërisht marrjet dhe dhëniet ndërmjet shoqërisë dhe individit. Veprimet dhe qëndrimet e individit që ka arritur shkallën e pjekurisë qytetare udhëhiqen nga dy parime: i pari, që pa shoqëri nuk ka jetë të individit; i dyti, që individi duhet t’i shpërblejë shoqërisë gjithë përpjekjet e kryera prej kësaj për ngritjen e individit në lartësinë e qenies që punon, që krijon.
Vargjet e mësipërme, ashtu si dhe gjithë poema “Komunistët”, përbëjnë një dëshmi poetike të bindjes dhe mesazhit të poetit se në jetë nuk ka vetëm të drejta, por edhe detyra, madje detyrat vijnë më përpara në radhë se të drejtat; nuk ka thjesht detyra dhe të drejta vetjake, por detyrat dhe të drejtat janë shoqërore, realizohen në shoqëri. Në poemën “Komunistët” detyrat dhe të drejtat përjetohen jo thjesht si pjesë e marrëdhënieve shoqërore, por si thelbi i tyre. Ato janë jo thjesht pjesë e jetës, por janë thelbi i veprimtarisë shoqërore, thelbi i jetës. Krejt ndryshe nga ç’ndodh në një shoqëri të shpartalluar, ku sistemi i detyrave dhe të drejtave shoqërore është gjithashtu i shkatërruar dhe paraqitet në trajtën: vetëm të drejta për një pakicë dhe vetëm detyrime për shumicën. Detyrimet për pakicën dhe të drejtat për shumicën janë thjesht deklarime boshe.
Për banorët e sotëm të Shqipërisë edhe këto vargje – ashtu si mjaft vargje të poemave të tjera, që janë sjellë më sipër – ndoshta tingëllojnë të pakuptueshme e të pabesueshme. Madje edhe ata, që e kanë jetuar periudhën, kur shkruante këto vargje D. Agolli, sot ndoshta janë çmësuar nga mbresat dhe mësimet e vyera të asaj epoke. Jeta e sotme ua ka fshirë dhe vazhdon t’ua fshijë përditë çdo gjurmë të punës dhe jetës së dikurshme. Praktikisht po ua fshin çdo kuptim të asaj historie, që është historia e tyre.
Ja disa pamje të kësaj historie:

Nga dolët ju,
tregojnë
vetë
malet,
Tregojnë
rrugët,
sheshet e qyteteve,
Ku bridhnin
varfëritë edhe hallet,
Ku shtypte
shpinat
peshë e rëndë e derteve,
Ku shkelte
çizme e huaj
në kalldrëme…
……………………………………………….
Nga dolët ju?
Ju s’mbitë
nga mërzitë
Mes ballosh
në sallone a bankete,
Siç mbijnë
nga mërzitë
sot
hipitë,
Që fryjnë
nëpër ishuj
e qytete.
Një vëzhgim: sot hipitë janë harruar dhe brezi i ri ndoshta as që e di kuptimin e kësaj fjale. E ndoshta dikush megjithatë nuk i jep këtu të drejtë poetit, pasi, ndryshe prej tij, ai mund të ketë mendimin se hipitë nuk mbinë ashtu thjesht nga mërzitë…
Sot shumëkush mund ta qortojë poetin për poemën e tij “Komunistët”. Mund ta qortojë, por mund edhe ta dënojë. Mund ta qortojë për himnizim, mund ta dënojë për këtë qëndrim të hapur politik. Mund ta dënojë për shumëçka. Poeti përgjigjen e ka dhënë në vargjet e tij:

Kur qeverisnin
mbretrit
Shqipërinë,
S’kam qenë
as artist,
as vjershëtar;
Sikur të kisha qenë,
poezinë
S’ua kisha falur
kurrë,
gjer në varr…
Më mirë
trupin
baltrash
ta zvarrisja,
I lodhur,
i munduar
dhe ulok,
Më mirë
krahët
gjer në bërryl
t’i prisja,
Sesa të belbëzoja:
“Rrofsh,
o Zog!”

Vijon


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Mund t’i kemi nderuar e dashur,
    njerezisht, te vazhdojme t’i permendim
    se te gjithe nga ajo kohe kemi ardhur
    por jo, te gjithe njeheresh nuk vdesim…

    Ishim shtepi e mbyllur, pa dritare, pa sy
    dhe baballaret vendosnin per gjithcka
    packa se ndaluam e shanim mbreteri
    dhe tallnim private, bej e aga…

    Tani, u hape shtepia, dhe korentet fryjne
    Klasiket, edhe te botes, sikur ndjehen teper
    Na fal, Drit, t’i ishe lindur lirik
    Por te citojme tani dhe shfaqesh i tjeter…

    Neve, te tere, c’te benim, Zylo u beme
    Per mbi lirikat fluturuat shqiponja
    Akoma me Zylot ne krye ne vend
    gjer te ngrihen lexuesit te shembin ikonat?!

    Përgjigju ↓