Show-Bizz

Rudina Dembacaj: Bashkëshorti im ka një xhelozi shumë seksi, më pëlqen ta provokoj

09:48 - 22.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela ALIAJ




 

Atë e kemi parë shpesh të jetë pjesë e roleve të ndryshme humoristike, në fillim në “Portokalli” e më pas në “Al Pazar”, ku ka spikatur më tepër me rolin e ish-kryeparlamentares, Jozefina Topalli. Kësaj radhe ajo vjen ndryshe. Aktorja e njohur e humorit, Rudina Dembacaj është pjesë e show-t të mirënjohur televiziv “Dance with me”. Në një intervistë ekskluzive për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”, Rudina ka folur lidhur me këtë eksperiencë të re të saj, ku ka bërë batuta edhe lidhur me “xhelozinë” që ka bashkëshorti i saj për të. Aktorja ka folur edhe për marrëdhëniet që ka me konkurrentët, me jurinë e sidomos me Robert Aliajn, ku e kemi parë që “konfliktohet” shpesh me ta. Gjithashtu, ajo ka zbuluar se së fundmi do të jetë sërish pjesë e ekranit me një projekt ku është shprehur se do të punojë me ajkën e Shqipërisë.

Është hera e parë që merrni pjesë në një show të tillë. Si është të jesh pjesë e “Dance with me”?
Për mua DWM është një argëtim i jashtëzakonshëm dhe gjëja më e bukur është që unë filloj ditën me kërcimin. Gjëja e parë që bëj, janë dy orë prova kërcimi dhe kjo më ka dhënë një energji të jashtëzakonshme për të gjithë angazhimet e tjera që kam. Në DWM kam njohur shumë njerëz të bukur dhe po kaloj ditë të mrekullueshme edhe pse është edhe e lodhshme.
Keni pasur kontradikta apo diskutime me Robert Aliajn? Si mendoni, pse pothuajse gjithë konkurrentet zihen me të?
Nuk kam pasur kurrë kontradikta me Robert Aliajn, as gjatë spektaklit. Unë e vlerësoj shumë si artist Robertin dhe më pëlqen mënyra e tij e të bërit televizion. Sepse atë qëndrim që mban ai nuk e bën dot çdo njeri, dhe atij i shkojnë shumë.
Si do të reagonit ju në rastin e Fiori Dardhës me Robertin? Do largoheshit nga DWM?
Nuk e di si do të reagoja në rastin e Fiorit. Çdo njeri ka marrëdhëniet e veta personale me këdo. Për sa i përket marrëdhënies me Robertin, kam një marrëdhënie të shkëlqyer.


Ju kemi parë shumë sensuale në kërcimet e “Dance with me”. A është paksa xheloz bashkëshorti juaj?
Ma kanë thënë edhe të tjerë që kam dalë sensuale, nuk ka qenë qëllimi im. Falënderoj Albi Nakon që ka nxjerrë një anë tjetër timen, megjithatë pika ime e fortë është humori. Nëse unë kam nxjerr në pah sensualitetin tim, mendoj se kjo e plotëson figurën time. Bashkëshorti ka një xhelozi shumë seksi. Unë ingranohem që ta bëj atë sa më shpesh xheloz, sepse kur ai bëhet xheloz, më pëlqen shumë.
Ju kanë propozuar ndonjë format tjetër ku mund t’ju shohim së shpejti?
Më kanë propozuar një superformat dhe unë e kam nder të jem pjesë e një formati të tillë. Nëse realizohet, unë do të punoj me ajkën e Shqipërisë.
Jeni një mami i një vogëlusheje të bukur tashmë 10 muajsh. Si keni arritur të keni një trup kaq në formë?
Trupi im nuk është akoma në formën e duhur, por këtë e kam arritur me vullnet. Kam dhënë prova që e kam gjithnjë nën kontroll peshën. Humb kile kur të dua dhe sa herë të dua. (qesh). Gjatë shtatzënisë mora më shumë kile seç duhet, por arrita t’i humbja me vullnet. Nuk është një gjë e lehtë, por as e jashtëzakonshme.
Jeni edhe një nënë e përkushtuar edhe një femër në karrierë. Si ia arrini që i bëni të dyja?
Në përkushtimin tim, ndaj kam gjetur një harmoni, sepse kam një bashkëshort që më ndihmon jashtëzakonisht shumë, më jep kurajë më shtyn të pranoj projekte të ndryshme dhe më ndihmon dhe fizikisht me gocën. Është edhe nëna ime që vjen nga Lezha për të më ndihmuar me gocën.
Viktoria është një nga gëzimet më të mëdha të jetës tuaj. A keni menduar që të sillni edhe një tjetër gëzim në jetë së shpejti?
Ajo është gëzimi më i madh i jetës sime. Çfarëdolloj gjëje të jem duke bërë dhe sado e stresuar të jem, nëse mendoj për Viktorian unë buzëqesh direkt. Në momentin që kam atë çdo gjë më zvogëlohet. Sigurisht që shpresoj që ajo të ketë shumë motra e vëllezër, por për momentin nuk e imagjinoj fare.


A ju është ofruar ndonjë rol në teatër që e keni refuzuar?
Është hera e parë për mua që luaj në teatër. Nesër do të jem 3 ditë me shfaqjen “Boing Boing”, me regji të Kiço Londos. Unë vij nga show humoristik televiziv dhe jo nga Akademia e Arteve, nuk kam pasur rast të luaj më parë teatër. Nuk do ta refuzoja kurrë një rol, edhe pse pagesat janë të vogla, por është një pasion që më lindi që në kontaktin e parë me të dhe shumë vështirë të refuzoja një rol në teatër.
Cili është roli që do ta quanit roli i jetës suaj?
Nuk e di kush është roli i jetës sime. Unë do punoj pafund, do krijoj personazhe e do luaj për sa kohë të jem e kërkuar nga publiku. Duhet të jem e madhe në moshë që të kthej kokën pas e të them se kush ka qenë roli i jetës sime. Unë mendoj se akoma nuk e kam arritur kulmin e karrierës.
Aspironi të jeni pjesë e botës së filmit? Ju është bërë ndonjë propozim?
Këto ditë më është bërë një propozim për film, për herë të parë. Pres të më japin skenarin, shpresoj të më përshtatet dhe do ta pranoj me kënaqësi. Po nuk punova sot kur do të punoj?
Në “taksinë” tuaj keni ftuar shumë personazhe. Cili është i preferuari juaj që do donit të ftonit?
Mendoj se është vetë format i emisionit, “taksia” të jep një lloj komoditeti ku nuk ka kamera me stativ, studio, nuk ka njerëz të tjerë. Në momentin që je vetëm, duket një intimitet dhe të gjithë rehatohen e flasin lirshëm. Nuk kam një të preferuar, jam kënaqur me të gjithë. Madje më është dhënë mundësia të njoh nga afër njerëz të cilët vërtet më kanë surprizuar dhe të ndihem mirë. Nga “taksia” kam krijuar miq të veçantë dhe të vërtetë.
Në një nga intervistat tuaja të mëparshme keni thënë se personazhi juaj i preferuar është Jozefina Topalli. Nëse do ta ftonit në “Mos i fol shoferit”, cila është pyetja më pikante që do t’i bënit?
Nëse do kisha znj. Topalli në “Taksinë time” nuk do ta pyesja fare për politikën apo karrierën e saj. Do të doja të flisja anën njerëzore, intelektuale, familjare, private të saj dhe jam shumë e bindur se ajo ka shumë për të thënë për këtë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.