EKONOMI

Udhëzimi: Do të regjistrohen të gjitha diplomat e certifikatat e arsimit të lartë. Procedura që ndiqet për aplikim

10:20 - 22.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Voltiza Duro

 

Tashmë të gjitha diplomat e certifikatat e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, do të regjistrohen në formë të shkruar apo elektronike në regjistrin shtetëror. Ky vendim është publikuar dje në Fletoren Zyrtare ku është firmosur nga ministrja e Arsimit, Sportit e Rinisë, Lindita Nikolla dhe ka hyrë në fuqi menjëherë pas botimit. Ky regjistër shtetëror është një bazë unike të dhënash e të gjitha formave të diplomave dhe certifikatave të lëshuara në përputhje me legjislacionin, ndërkohë Qendra e Shërbimeve Arsimore arkivon dokumentet shoqëruese të paraqitura nga IAL përkatëse. “Institucionet e Arsimit të Lartë (në vijim IAL) kanë detyrimin ligjor të regjistrojnë të gjitha format e diplomave dhe certifikatave në Regjistrin shtetëror përpara datës së lëshimit të tyre, në të kundërt ato nuk marrin vlerë ligjore.”-thuhet në udhëzim. Në këtë të fundit paraqitet edhe mënyra e aplikimit pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe theksohet se dokumentet e dorëzuara duhet të jenë të sakta e të plota, në të kundërt nuk pranohen. Regjistrimi fillestar, si dhe regjistrimi i mëvonshëm i nënshtrohet tarifës së regjistrimit, e cila do të jetë 3 mijë lekë për çdo formë diplome dhe certifikate të regjistruar.
Aplikimi
Dosja që dorëzohet pranë QSHA-së duhet të përmbajë kërkesën për regjistrim, aktin e hapjes dhe akreditimit të IAL-së, formën e diplomës apo certifikatës që do të regjistrohet, aktin e hapjes së programit të studimit për të cilin lëshohet diploma si dhe dokumentin e pagesës së tarifës për regjistrim. Këto dokumente nuk duhet të përmbajnë korrigjime apo fshirje e duhet të jenë në gjuhën shqipe apo të përkthyera dhe të vërtetuara në gjuhën shqipe dhe të legalizuara sipas legjislacionit në fuqi. Më tej, brenda një afati 30 ditor nga aplikimi, Qendra e Shërbimeve Arsimore do të kryejë shqyrtimin dhe verifikimin e dokumenteve të paraqitura në dosjen e aplikimit. Në rastet kur aplikimi është i plotë bazuar në kërkesat e kërkuara, atëherë QSHA miraton formën e diplomës apo certifikatës dhe kryhet regjistrimi i tyre në regjistrin shtetëror. Pas kësaj, brenda 2 muajsh nga data e paraqitjes së aplikimit, jepet vërtetimi i regjistrimit. Por në rastet që QSHA, pas verifikimeve konstaton se nuk janë përmbushur kërkesat e paracaktuara, atëherë ka të drejtë të bëjë pezullimin e aplikimit deri në plotësimin ose ndreqjen e elementeve që pengojnë regjistrimin e formës së diplomës apo certifikatës. Ndërsa kur aplikimi nuk është në përputhje me legjislacionin dhe dokumentet paraqiten ndryshe nga të dhënat që kërkohen, Qendra e Shërbimeve Arsimore refuzon regjistrimin dhe njofton Institucionin e Arsimit të Lartë përkatës mbi shkakun e këtij refuzimi. Ndërkaq çdo IAL e interesuar, së cilës i është refuzuar regjistrimi i formës së diplomës apo certifikatës, ka të drejtë të bëjë një ankimim brenda 30 ditësh në MASR. Në udhëzim bëhet me dije, gjithashtu, se çdo formë diplome apo certifikate, e regjistruar në regjistrin shtetëror, pajiset me një numër unik identifikimi, të cilin IAL-të janë të detyruara ta shënojnë në diplomat apo certifikatat e lëshuara.

Dokumentacioni për aplikim:

Kërkesa për regjistrim.
Vendimi i Senatit Akademik për miratimin e formës së diplomës, për çdo cikël dhe lloj programi studimi.
Akti i hapjes së IAL-së.
Akti i akreditimit të IAL-së.
Akti i hapjes së programit të studimit për të cilin lëshohet diploma.
Akti i akreditimit të programit të studimit për të cilin lëshohet diploma.
Forma e diplomës apo certifikatës që do të regjistrohet.
Dokumenti i pagesës së tarifës për regjistrim, në regjistrin shtetëror, për llogari të QSHA-së.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.