OPINION

“Kukulla” e Kadaresë, një roman që lexohet me një frymë

06:51 - 23.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Sulejman MATO

 

Romanin më të ri të shkrimtarit I. Kadare, “Kukulla”, e kam pritur me padurim, ashtu si çdo vepër të këtij shkrimtari, krijimtaria e të cilit ka disa dekada që i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë. Kjo gjë ka ndodhur me mua, qysh me “Ëndërrimet” (viti 1957) e gjer te ky roman i ri “Kukulla” (viti 2017). Ka gjashtëdhjetë vjet që Kadare nuk resht së sjelli një krijimtari unike për nga vlerat dhe unë kam gjashtëdhjetë vjet që i pres veprat e tij si të jetë një festë, nuk i lexoj, i përpij. Ka ndodhur që të blej një roman në librari dhe ta nis leximin qysh te stenda, pa u dhënë rëndësi personave që më shohin me çudi.

Kjo gjë ka ndodhur fillimisht dhe me librin poetik “Shekulli im” ( 1959) i cili i theu të gjitha klishetë e poezisë së kohës. Kjo gjë ndodh sot, pas 60 vjetëve,  me romanin e tij të fundit “Kukulla”. Tani që po hedh në letër këto shënime për këtë roman të mrekullueshëm, mendoj ftohtësisht se çfarë sekreti duhet të ketë një shkrimtar i vërtetë që të rrëmben qysh në faqen e parë dhe të detyron ta lexosh me një frymë. Kjo ndodh pasi, përveç stilit të tij brilant të rrëfimit, shkrimtari  di të prekë subjekte intriguese dhe tema të rëndësishme për njeriun dhe kombin.

Tema e romanit është tejet e thjeshtë dhe tejet personale. Sipas E. Muir. “Mendimet dhe ndjenjat e thjeshta nuk janë asnjëherë të thjeshta”.

Mënyra se si fillon romani, me një lajm të keq, që të mban qysh në fillim në suspansë. Në kapitullin vijues, autori i thyen të gjitha rregullat e rrëfimit, duke kaluar në një kohë para-Kadare, te fejesa e një vajze të familjes së njohur të Dobajve. Më pas ngjarjet zhvillohen në familjen Kadare, për të cilën kushdo që ka lexuar veprat e shumta të Kadaresë, do të ishte kureshtar të dinte diçka më shumë, mirëpo, autori dhe këtu jep aq sa duhet dhe aq sa duhet thënë, duke sjellë dhe ca imtësi tejet origjinale, të cilat vetëm një shkrimtar i vërtetë mund t’i konstatojë. Them me bindje se një roman të tillë të tipit “biografi familjare”, mund ta shkruante vetëm një shkrimtar me përvojë të gjatë si I.Kadare, duke nxjerrë “nga thesi i kujtimeve” ca imtësi që përbëjnë sekretin e letërsisë së vërtetë. Unë e kam kaluar fëmijërinë në sokakët e Gjirokastrës, shtëpinë e kemi pasur pranë Dobajve. Në oborrin e Dobajve loznim me Rexhepin. Më kujtohet se si aneja e Rexhepit na ndiqte pas me fetat e bukës, lyer me marmaladë. Pra, unë, lexues dhe dëshmitar njëkohësisht i atyre mjediseve dhe personazheve të një kohe të largët, sigurisht do ta shijoja dhe më shumë “Kukullën”  e Dobajve dhe çastin kur ajo niset në shtëpinë e madhe të Kadareve. Magjia e penës së Kadaresë më gjallëroi pamjet e viteve pesëdhjetë, Qafën e Pazarit, portën e madhe të shtëpisë së doktor Vasilit, shkollën “Drita”, gjimnazin “Asim Zeneli”, shtëpinë e rrënuar e Hoxhatëvë, shtëpinë aristokrate e Kokalarëve, gjer te legjendari “Sokak i të marrëve”, i njohur në të gjithë botën prej romanit të Kadaresë “Kronikë në gur”.

“Çdo autor nxjerr ujë nga pusi i vet”, – thotë shkrimtari Milan Kundera. ‘Pusi’ i Ismailit është Gjirokastra. Kadare ka kohë që hedh ‘kovat’ në atë ‘pus’ të thellë me ujë qelibar. Hidh ‘kovën’ e nxirr nga një roman. Kujtimet e mia përzihen me kujtimet e autorit, pasi autori jo vetëm në këtë roman, por edhe në romanet e tjera si “Qyteti pa reklama”, “Kronikë në Gur”, “Çështje të marrëzisë”, “Darka e gabuar” etj. përshkruan episode, personazhe, rrugë, zakone dhe mjedise nga qyteti i gurtë, por nuk shkruan kujtime, ai  na shfaq artistikisht shkumën e kujtimeve. Dhe në këtë roman të ri, autori edhe pse më së fundi i afrohet me dinjitet përshkrimit surealist të nënës së tij, nuk ka  ndërmend të sajojë një nënë kukull, as të trillojë ngjarje befasuese, as të fantazojë një qytet të pa qenë. Ajo është Gjirokastra, me personazhet e saj realë, me rrugët e saj reale, me zakonet, bisedat, legjendat, tipat realë. Ky realitet jo i shpikur, ose me pak shpikje, futet me guxim në letërsi dhe me një siguri të papërballueshme, duke i thënë jo vetëm lexuesit që i njeh mirë ato ambiente, por edhe lexuesit tjetër, të madh, se kjo është nëna e tij reale, ky është qyteti ku u rrit ajo dhe ai, dhe kjo është letërsia.

Lexon romanin dhe vëren me kënaqësi se është po ai stil psikologjik i të treguarit, është po ajo letërsi që I.Kadare ka dhe te romanet e tjerë… Një realizëm i thellë, përzier me pak magji trillimi.

Kështu nisi “Kronika”…, “Gjenerali”. Kështu nisi edhe “Dasma”, e cila fillimisht u quajt nga Ll.Siliqi në diskutimin e tij të gjatë “himn për klasën punëtore”. “Problemi që një shkrimtar kërkon të zgjidhë në punën e tij është një problem që u takon të gjithëve”, – thotë  J.P.Sartre.

Atëherë unë jetoja në Berat, arsimtar. Fati im që ishte edhe Ismaili në Berat dhe munda ta ndjek me kujdes jetën e tij dhe krijimtarinë e tij. Të prekje një temë të tillë aq aktuale, të futje në letërsi për herë të parë klasën punëtore, aksionet, rindërtimin e hekurudhave; të kapje temën e ditës ishte një risi që nuk mund ta bënte kushdo. Duhet të shqetësoheshe vërtetë për fatet e vendit tënd, që të shkruaje “Dimrin e vetmisë së madhe”, duke futur personazhe dhe njerëz realë, ngjarje reale, madje si personazh dhe E.Hoxhën, një gjë tepër e frikshme dhe e guximshme në ato vite…  “Eksperimentimi që nuk thellohet në problemet themelore të shoqërisë sjell rënie të publikut”, thotë nobelisti Pessoa. Kjo gjë nuk ka ndodhur me poezitë e Kadaresë si “Fillrojtësi”. “Njeriu me shat”, “Mësueset e fshatit”, ku thyheshin klishetë e një poezie të vjetruar, duke futur me guxim heronj të gjallë dhe temat e kohës. Kjo gjë ka ndodhur me 20 romanet e tij, gjer sa erdhi tek ky roman intim, njerëzor, human tepër i veçantë, tepër i thjeshtë në stil, tepër muzikal në frazë, tepër poetik në ngjarjen që trajton.

Gjatë gjithë këtyre viteve romanet e I.Kadaresë i kam pritur me emocion dhe i kam lexuar me një frymë. Nuk kam shkruar për to. Kam heshtur? Po. Kam heshtur modestisht, siç hesht një mik për mikun, kur të tjerët  e lavdërojnë në sy. Më janë dukur gjithmonë natyrale sukseset e tij. ‘Është detyrë e kritikës’, – thosha. Ndërkohë që vëreja rreth e rrotull që kritikë nuk kishte. Kritikët dhe studiuesit e letërsisë kishin nisur të vdisnin, njeri pas tjetrit. U desh ky libër, i lehtë si lehtësia e Kukullës, që hyri si një hije në familjen e madhe të Kadareve e që lindi tre fëmijë, më i madhi do të bëhej edhe më i madhi i letrave shqipe që unë të ulesha e të shkruaja. Por edhe autorit iu deshën tetëdhjetë vjet jetë kur të sigurohej nga Zoti se do të jetonte shumë gjatë, të ulej e të shkruante një libër si ky, për nënën dhe për jetën e vet. Nëna të tilla, të heshtura dhe të pa peshë në familjen e prindërve, por edhe pas lindjes së tre fëmijëve janë shumë të dhembshura. Ishte “Kukulla”, ajo që kishte lindur atë, që më vonë do të quhej “gjeniu i letrave shqipe”. Shkrimtari Kadare, pas krijimit të qindra personazheve realë e gjysmërealë, një ditë do të kujtohej se kishte  harruar pa përmendur një grua që e priste pas dere. Ishte ajo, Shën Mëria e autorit, e cila u ngjante “maskave të teatrit japonez”, apo heshtjes sublime të Mona Lizës. E lehtë si ajri, e rëndë si kujtimet… Priste që të futej në një libër. Ky roman s’mund të shkruhej më parë. Më pas, jo e jo. Mjeshtër në dhënien e atmosferës së kohës dhe nxjerrjen në dritë të disa imtësive, të cilat përbëjnë bërthamën e letërsisë. “Shkrimtari ruan artin e të gjeturit të fjalëve plot shkëlqim”, – thoshte Sartre. Për një lexues serioz, Kadareja është një shkrimtar që duhet lexuar me laps në dorë për të kapur fjalë të humbura dhe të reja, shprehje filozofike, psikologjike dhe humoristike. Edhe pse në qendër të romanit autori vendos nënën, është një fëmijë inteligjent, që vëzhgon imtësitë e asaj familjeje. “Gjithçka në atë shtëpi ishte ndërtuar enkas për të ruajtur sa më gjatë ftohtësinë dhe moskuptimin”, – shkruan autori për familjen e vet. Personazhet si Xhexheja, Izmini Kokobobo, gjyshja, Shahini, Helena janë personazhe reale. Në atë shtëpi të madhe, me mëri të fshehura duhet të ishe vërtet një qenie e heshtur “kukull” “me naivitetin e saj të papëlqyer” në kuptimin e një “përzierje bardhësore dhe gipsi, enigmë, si në ato maskat e teatrit japonez, për të përballuar denjësisht konfliktet e zgjatura përtej kufirit të tejzgjatjes”.

Në këtë roman në pjesën e parë gjen atmosferën e një kohe kur edhe pse hynte një nuse e re në shtëpi, kyçet e dollapëve duhet t’i mbante nënëmadhja. Në pjesën e dytë, autori bën një truk tjetër. Historinë e nuses së vjetër të Kadareve e zëvendëson me historinë e nuses së re të Kadareve, shoqja jone e kursit, shkrimtarja e njohur, Helena Gusho. Edhe pse në pjesën e dytë të romanit ka më shumë jetë dhe atmosferë tiranase, unë do të doja të dija diçka më shumë për “Kukullën”. Biseda e fundit me të ishte një çast para nisjes së familjes Kadare në Paris. Ajo i kishte bërë një pyetje të çuditshme, të cilën duhet ta kishte menduar gjatë: “Francez je tani?”, një pyetje e cila sado për të qeshur të ishte, më pëlqeu shumë. Mund ta kisha bërë edhe unë.

Do të doja të shkruaja edhe më gjatë për këtë roman të ri kaq mbresëlënës dhe për ta ilustruar më konkretisht me thënie të spikatura, me figura dhe shprehje inteligjence dhe humori, njëkohësisht, duke treguar edhe një farë pendese për atë që unë për vite me radhë, edhe pse i kam lexuar me padurim të gjitha veprat e Kadaresë, nuk kam shkruar asnjë fjalë në shtyp, mirëpo, çfarë t’u themi botuesve tanë që kanë filluar t’u vënë limite shkrimeve tona. Një arsye tjetër është edhe  përshtypja e keqe e disa “titullarëve të letrave shqipe”, të cilët ashtu si unë, gjatë gjithë këtyre viteve kanë treguar një heshtje fyese ndaj krijimtarisë së Kadaresë. Mund të kenë pasur arsye. Si për shembull: “Ismaili i arriti të gjitha ato që donte edhe në sajë të ndihmës së shtetit”, ose “Ismaili nuk ka bërë asgjë për mbrojtjen e Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Artistëve, “Se po të donte ai dhe Dritëroi…”, ose “Ismaili dhe Dritëroi pas krijimit të kultit të vet, nuk bënë asgjë për të tjerët”. Mund të jenë të pranueshme të gjitha, mirëpo unë që s’kam pasur kurrë ndonjëherë xhelozi për të tjerët, arsyetoj me mendje të qetë. Të krijojmë veprën tonë. Të bëjmë atë që bëri Ismaili, që bëri dikur Jeronimi, Migjeni, Noli, Mjeda etj.. “Një shkrimtar – thotë diku Ismaili – lë lëkurën si gjarpri”. Kadareja e krijoi veprën e vet. Sikur ta bënte çdo shkrimtar këtë gjë, Shqipëria do të kishte edhe shumë shkrimtarë të njohur në botë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.