OPINION

Nuk ka shpëtim për Edi Komikun

06:52 - 23.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Bardh SPAHIA

 

Nga java në javë dhe nga muaji në muaj, kjo qeveri e delegjitimuar po demonstron të gjitha plagët e lëngimit, kalbëzimit dhe rrëzimit gradual dhe të pandalshëm.

Çfarë ishte më parë një dramë e tragjedi për vendin, po kthehet me shpejtësi në një shfaqje komike, ku edhe Edi Komiku, nuk po arrin dot të tërheqë vëmendjen nga gjithë çfarë ka ndodhur.

Nga gjithë çfarë po ndodh. Dhe mbi të gjitha, për parashikimet e zymta të asaj që pritet të ndodhe në një të nesërme të shpejtë.

Nuk ka çitjanet që e shpëtojnë njeriun që kërkon të ngrejë një sulltanat në këtë skaj Evropë.

Nuk ka shpëtim për njeriun që kërkon të sillet si sulltan në Tiranë dhe që tiraninë e djeshme, kërkon ta zëvendësojnë me detyrimin që vjen nga paraja e zezë e drogës. Me ato para që ai bleu zgjedhjet dhe me zgjedhjen e tij që t’i pastrojë ato para për të qëndruar në pushtet, me qëllimin për ta përdorur pushtetin si një imunitet të fortë që do ta mbrojë nga zullumet e tij.

Litari këputet duke u holluar dhe zullumi duke u trashur.

Kur opozita dha alarmin se vendi po kanabizohej, shumëkush, i bërë dru nga propaganda qeveritare e hashashit, bënte fajtore ish-qeverinë demokratike.

Ju vendosët ta kontrollonit  këtë aktivitet në të gjithë Shqipërinë.

E filluat në disa zona pilot, për ta përhapur shumë shpejt në të gjithë vendin, më pas ju do të përfundonit me legalizimin e mbjelljes, kultivimit dhe trafikimit të kanabisit si një biznes shtetëror, i drejtuar nga një kupolë dhe me një organizim klasik të një strukture mafioze kriminale.

Ju doli nga duart. Sepse krimi bën pakt, por pakti me të është si shitja e shpirtit tek djalli. Dhe ju e bëtë këtë. Nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, Shqipëria antiekologjike e Edi Ramës u bë Shqipëria e drogës.

Për të mbërritur në një ditë si e sotmja.

Çfarë ka ndodhur me ju?

Në fillim nuk e pranonit fenomenin, sot e quani fitore tkurrjen e tij. Duke thënë si dhe herë të tjera një të vërtetë përgjysmë, e cila në thelb është një gënjeshtër e madhe.

Ju kapërcyet nga kanabisi te kokaina dhe heroina.

Nga cigarja e dredhur, tek këto droga të rënda. Nga shqetësimi lokal dhe rajonal, tek shndërrimi i vendit në një shqetësim të thellë ndërkombëtar. Shqipëria është kthyer përfundimisht në një nyje të rëndësishme të tranzitimit dhe magazinimit të këtyre drogave, që më pas depërtojnë në zemër të Evropës dhe madje kanë krijuar dhe një treg të konsoliduar përdoruesish vendës.

Kjo është fotografia e momentit, që dëshmon sesa dramatik do të jetë filmi i nesërm në Shqipërinë tonë.

Kjo është përgjigjja se pse partnerët tanë, ata amerikane dhe britanikë, gjermanë dhe italianë janë të shqetësuar për rritjen e frikshme të kriminalitetit shqiptar dhe rolin gjithmonë e më të fortë të tij në trafikun e drogave të renda.

Shqiptarët sot janë në Ekuador dhe në Kolumbi, në Peru e gjetkë në Amerikën Latine, tashmë jo si pengjet që garantojnë ardhjen e kokainës në Evropë, por si porositës të dorës së parë të saj. Si furnitorë të parë të saj, me sasi të mëdha paraje cash dhe me një infrastrukturë kriminale, që i bashkëngjitet edhe bashkëpunimi i strukturave të shtetit.

Ju duket i rëndë ky pohim? Shihni buxhetin, shihni statistikat.

Të gjithë sektorët e ekonomisë kanë shënuar rënie. Vetëm ndërtimi dhe sidomos ndërtimi i hoteleve dhe rezidencave luksoze kane njohur një boom të jashtëzakonshëm.

Lali Eri në Tiranë dhe pashallarët lokale në bregdet kanë dhënë leje të konsiderueshme ndërtimi, në këtë lavatriçe të madhe pastrimi parash. Shihni këtë detaj dhe mund të kuptoni se pse lehtësitë fiskale të qeverisë drejtohen pikërisht në këto sektorë. Nuk bëhen për shkak të një vizioni strategjik, por të një pragmatizmi okult, që kërkon të garantojë pastrimin e parave me një marzh sa më të vogël humbjeje.

Shpejt, është çështje ditësh kur do të nisim të diskutojmë edhe për import mbeturinash. Luftëtarët e djeshëm kundër kësaj nisme, sot e shohin një aspekt të tillë si mënyrën më të mirë për të nxjerrë nga kazanët e tyre paratë e lara të drogës.

Ka disa momente që ngrenë kokën dhe disa detaje në buxhetin që po diskutohet. Shihni Rrugën e Arbrit. Sipas qeverisë, kushton shumë më shumë se varianti që ofruan kinezët.

Shihni mënyrën e sjelljes ndaj biznesit të vogël. Qindra mijëra shqiptarë që jetojnë me një aktivitet të tillë dhe që qeveria e shitur si mbrojtëse e tyre dikur në opozitë, sot premton vetëm shtrëngimin e lakut.

Diskutimi i buxhetit duhet të jetë një ditë epike. Një ditë kur të gjithë bashkë, ligjvënësit të ndarë në ngjyra partiake, por të bashkuar nga shqetësimi për të ardhmen jo vetëm financiare të vendit, por edhe orientimin e tij.

Ne sot fatmirësisht jemi përballë jush. Ne do të ndeshemi me ju jo si në ndeshjen e zakonshme mes një qeverie dhe opozite, por me përplasjen mes shpresës dhe groposjes së saj përfundimtare.

Shqipëria nuk mund të jetë peng i çitjaneve dhe ëndrrave sulltanore të Edi Ramës. Dhe ai e di një gjë të tillë. E ka njohur shkëlqimin fals të tij dhe tani thjesht po shikon si gjithë shqiptarët, rënien e thellë në gremine. Por, pa Shqipërinë që t’i shkojë pas.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.