KULTURË

Gazeta franceze: Roli i Xhuvanit, nëna e dëshpëruar e historia personale

10:00 - 24.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Teatri Kombëtar merr pjesë për herë të parë në festivalin “Mettre en scène” në Renne të Francës me shfaqjen “Lukrecia Borxhia”. Trupa e Teatrit Kombëtar e përbërë nga aktorët Luiza Xhuvani, Artan Imami, Xhino Musallari, Vasjan Lami, Indrit Çobani, Lulzim Zeqja, Genti Deçka, Gent Hazizi, Marsel Rupi, u nis nga Tirana për në Rennë, më 7 Nëntor dhe pas 2 ditësh intensive provash ishte gati të jepte shfaqjen në datat 10, 11 dhe 12 nëntor 2017. Interesi i publikut francez sipas njoftimit të Teatrit Kombëtar ishte shumë i lartë për këtë shfaqje dhe duartrokitje dhe ovacione të shumta shoqëruan trupën shqiptare pas përfundimit të çdo shfaqjeje. Gazeta prestigjioze “Libèration” i kushton asaj një analizë të plotë dhe të detajuar duke dërguar gazetarët e tyre në Tiranë për të intervistuar ata që bënë të mundur realizimin e këtij projekti teatror.




Nga Frédérique Roussel*

Në maj Teatri Kombëtar, një vend i pasur me histori do të shkatërrohet. Eric Vigner zgjodhi të ngjisë në skenë në shqip pjesën e Viktor Hygosë. Ai i ka ofruar rolin kryesor aktores së njohur Luiza Xhuvanit, djali i së cilës është aktualisht në burg. Gjashtë shkronja u sollën në skenë nga aktorët: B,O,R,G,I,A. Janë të mëdha dhe të bardha. Në qendër qëndron kolona pa fund e Bankusit dhe këto përbëjnë thelbin e dekorit. Eric Vigner ka realizuar një skenografi fine dhe të stilizuar të veprës së Viktor Hygosw. Ai ka shfrytëzuar thellësinë brutale të skenës, duke patur parasysh përshtatjen e Antoine Vitez, në 1985: një skenë boshe, e pushtuar nga errësira, e skalitur nga zëri dhe lëvizjet e aktorëve. Çdo gjë luhet në tragjizmin e brendshëm të personazheve, në veçanti të Lukrecias, nënës incestuale, e cila do të donte të fshinte me dashurinë e saj krimet e klaneve tiranike.
Për herë të parë në datë 12 Maj, “Lukrecia Borxhia”, një pjesë mbi pushtetin (repriza në nëntor në Festivalin “Mettre en scene” në Rennes) u soll në skenë në Tiranë. Kjo nuk është hera e parë që e shohim Eric Vigner-n në Tiranë, drejtor i teatrit CCCB- Teatri i Lorient prej 1996 deri më 2015. Në 2007, ai vjen në Shqipëri, me ftesë të drejtorit të Teatrit Kombëtar në Tiranë, Kristaq Skrami me pjesën “Berberi i Seviljes” të Beaumarchais duke pasur në vëmendje historinë politike dhe kulturore të vendit. Asnjëherë më parë një regjisor francez nuk kishte drejtuar një trupë shqiptare brenda mureve të saj dhe në gjuhën e saj. Dhjetë vjet më vonë, është pikërisht “Lukrecia Borxhia”, vepra e përkthyer për këtë rast, e cila shumëfishon ekot e situatës politike të këtij vendi në Ballkan.
“Kisha marrë me vete në avion një pjesë të Koltès dhe Lukrecia Borxhia-n”, tregon Eric Vigner. “Kisha ruajtur një kujtim të vagët të pjesës së Viktor Hygosë, të cilën nuk e kisha lexuar më që prej njëzet e pesë vjetësh”. Regjisori, menjëherë pa një projekt që i përshtatej kulturës shqiptare, e identifikuar ndër shekuj nga ligji sy për sy dhe dhëmb për dhëmb, “Kanuni” një lloj drejtësie e zakoneve, që na çon drejt formës së Vendetas (gjakmarrjes) ende në jetë në malet e veriut të Shqipërisë. Hakmarrja dhe korrupsioni ushqejnë familjen Borxhia. “Lukrecia mendon se dashuria do të heqë cenet e trashëguara të familjes Borxhia”,-vazhdon artisti Breton. Është një pjesë e mbushur me paradokse dhe paradokset janë pjesë e kulturës shqiptare, e në të njëjtën kohë familja për ta është shumë e rëndësishme”.
KARRIERA
NDËRKOMBËTARE
Një telefonatë Luiza Xhuvanit, aktores së njohur shqiptare, e cila luante rolin e Rozinës te Berberi i Seviljes. “Në shfaqjen Lukrecia Borxhia, është gjithmonë aktorja që jep një atmosferë të veçantë, shpjegon ajo. Është një heroinë tragjike”. Në interpretimin e Luiza Xhuvanit, 53 vjeç, është dhimbja e brendshme dhe brishtësia që të tërheq dhe jo histeria.
Roli i një nëne në dëshpërim kryqëzohet me historinë e saj personale; kanë kaluar disa vite që kur djali i saj është dënuar me 30 vite heqje lirie. Shqipëria, është një shoqëri e vogël prej 3 milion banorësh. 800 000 janë vetëm në kryeqytet, e aty ku të gjithë e njohin situatën tragjike në të cilën është përfshirë ajo dhe familja e saj, ngjallet dashamirësi për të. Ndërkohë, Luiza është një figurë publike e njohur në Shqipëri, që ka ndërmarrë një karrierë ndërkombëtare dhe ka spikatur në filmin “Slogani” (2011), një film franko-shqiptar nga Gjergj Xhuvani, i cili fitoi çmimin si filmi më i mirë i huaj në Festivalin e Kanës. Që prej tre vjetësh Luiza jeton në Greqi. “I thashë: “Lexoje pjesën”,-thotë Eric Vigner. Ajo e lexoi në greqisht dhe e pranoi rolin pas dy ditësh”. Ky projekt teatral, provat e të cilit zgjatën dy muaj e gjysmë, shënojnë hyrjen e Viktor Hygosë në repertorin e Teatrit Kombëtar Shqiptar, por edhe i bien kambanës së një salle historike. Në fakt, ndërtesa me vendndodhje në zemër të qytetit, shumë afër me sheshin Skënderbej, së shpejti do të shkatërrohet.
Që kur është ndërtuar, është menduar të mos rezistojë shumë. Inauguruar nga Musolini më 1940, kjo sallë italiane (megjithëse me kënde të drejta) është përdorur në fillim si kinema para se të përdorej si teatër. “Topaze” nga Marcel Pagnol ishte premiera që preku skenën e saj më 1945. “Para kësaj, kishte vetëm teatro amatore në Shqipëri”, shpjegon Hervin Çuli, 46 vjeç, drejtori aktual i teatrit. Historia e teatrit profesional të këtij vendi filloi atë vit. Ai thotë se ashtu siç e tregon edhe historia, vitet e arta të teatrit ishin vitet ‘60 dhe ’70, me aktorë të njohur si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka ose Violeta Manushi. Kjo, ndodhi para se censura dhe kërcënimet për burgim të pengonin zhvillimin e një kreativiteti më të madh. Gjithashtu, u ndaluan të viheshin në skenë vepra të Çehovit, autor i konsideruar atëherë si pesimist dhe dekadent.
“GJENERATA AMBICIOZE”
Ky vend që deri dje ishte totalisht i mbyllur, u hap në vitin 1991. Si bishti i bllokut lindor, ka pasur mundësi të eksperimentojë mjaft gjëra. Por edhe kultura ka marrë disa goditje. Teatri Kombëtar ekuivalent me Komedinë Franceze me një trupë artistike permanente, pa të ndryshonte numri i aktorëve të përhershëm nga 60 veta në periudhën e regjimit komunist, në 28 sot, madje edhe me kontrata afatshkurtra. Në fillim të viteve ’90, politika ka dominuar ndjeshëm dhe shumë artistë u bënë pjesë e parlamentit të Shqipërisë, tregon Hervin Çuli, i shkolluar në Rumani në fillim të viteve ’90. Ai ka vënë në skenë vepra nga Çehovi dhe Goldoni. “Kemi jetuar njëzet e pesë vjet tranzicion dhe sot mund të themi se gjenerata e re është ambicioze”.
Tregues i një kohe inkurajuese, vendi po njeh një bum teatrosh dhe të kompanish teatrore. Publiku i Teatrit Kombëtar është shumëfishuar këto katër a pesë vitet e fundit dhe numri i shfaqjeve është trefishuar.
Në 2016-ën, të gjitha biletat e shfaqjes “Zbutja e kryeneçes” nga Shakespeare-it, “Tri Motrat” nga Çehovi dhe “Tartufi” nga Molieri janë shitur paraprakisht. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, një grua e letrave dhe përkthyese, është mbështetëse e artit.
Që prej një viti, kryeministri Edi Rama, ka shpallur hapjen e një teatri të ri në një uzinë të vjetër të pashfrytëzuar, “Turbina”. E megjithatë, ndërtesa e Teatrit Kombëtar, e destinuar për të qenë provizore, ka mbijetuar shtatëdhjetë vjet. Gjendja e saj ka degraduar në mënyrë të konsiderueshme, ka krisje, rrjedhje, shkallë që rrezikojnë të bien, mungesë ngrohjeje dhe ajri të kondicionuar. Edhe materialet brenda, lënë për të dëshiruar. Është dashur të sillen prozhektorë nga Franca për të ndriçuar ashtu si duhet “Lukrecia Borxhian”.
Në lozha, pas shfaqjes, Luiza Xhuvani, që nuk kishte shkelur në këtë skenë që prej katër vitesh, rrëfeu për rolin: “Më mundësoi të them gjëra që nuk do t’i kisha thënë dot kurrë” .
Dhe shton: “Teatri është një katarsis, Eric Vigner është një regjisor që bën teatër si të ishte film. Ai është kineast”,-përfundon Luiza Xhuvani, e cila pritet të sjellë në Greqi, rolin e Medeas.
(*I dërguar special në Tiranë (Albanie)— 26 Tetor 2017)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.