EKONOMI

Këshilli bashkiak, pse u përplasën PS, PD e LSI. Cilat janë shtresat sociale që do të përfitojnë

10:02 - 24.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Voltiza DURO

 

Gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak të zhvilluar ditën e djeshme janë miratuar disa vendime të rëndësishme që do t’u vijnë në ndihmë shtresave sociale dhe nxënësve. Por jo të pakta kanë qenë dhe reagimet e debatet gjatë mbledhjes, ku në seancën e dytë anëtarët e Partisë Demokratike nuk morën pjesë. Ky vendim për të braktisur mbledhjen nga ana e PD-së erdhi pasi sipas tyre, grupi i mazhorancës po tentonte të impononte dy vendime, për të cilat vetëm anëtarët e PS-së ishin në dijeni. Ndërkaq, gjatë mbledhjes u vendos që nga viti 2018 do vihet në jetë një projekt pilot, në mënyrë që nxënësit t’i bëjnë detyrat e shtëpisë në shkollë. Gjithashtu, një tjetër vendim i marrë lidhet me trajtimin me ndihmë ekonomike për disa kategori të caktuara, të cilat nuk e kanë përfituar më parë. Ndërkaq, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj theksoi se do të rriten edhe pagat e shërbimit zjarrfikës në masën 1-2%. Me polemika të forta u shoqërua edhe miratimi i projektit për mbjelljen e pishave në autostradën Tiranë-Durrës, në të cilin do të investohen 2.5 milionë euro. Në mbledhjen e djeshme u miratua edhe vendimi mbi shtimin e punonjësve të Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve me 46 punonjës të rinj, duke e çuar numrin total në 717 vetë. Kjo shtesë e numrit të punonjësve vjen pasi ka pasur një kërkesë të lartë për frekuentimin e çerdheve dhe kopshteve publike. Kryebashkiaku gjithashtu bëri me dije për këshillin edhe dy propozime, që janë në fazë diskutimi e që priten të prezantohen për miratim në mbledhjet e ardhshme. Vendimi i parë ka të bëjë me krijimin e një Qendre Kulturore Shqiptaro-Hebraike, e cila mund të ngrihet tek Teatri i Kukullave, pas një rikonstruksioni dhe zgjerimi të ambienteve. Ndërsa propozimi i dytë parashikon ndërtimin e një teatri të ri kombëtar. Këshilli bashkiak miratoi edhe vendimin për “Miratimin e rregullores për organizimin dhe funksionimin e shërbimit taksi në qytetin e Tiranës”, për të cilin kreu i këshilltarëve të PD, Kreshnik Çollaku, pas largimit nga salla me pretendimin se po diskutoheshin çështje jashtë rendit të ditës, u shpreh se ky projektvendim është në favor të ndonjë biznesi taksish me të cilin është lidhur marrëveshje. “Një nga këto projektvendime është aferë e pastër, një shërbim dhe favorizim që i bëhet një biznesi taksish në kryeqytet në kundërshtim dhe në dhunim me normat normale të konkurrencës dhe respektit të bizneseve të tjera”, – u shpreh Çollaku.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.