EKONOMI

Takimi me donatorët, Gjiknuri: Brenda vitit 2018, çdo konsumator me kontratë. Reforma e ujit, familjet pa matës të vetëdeklarojnë deri më 1 shkurt

11:09 - 24.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ornela MANJANI

 

Të gjitha familjet që nuk kanë matës për ujin duhet të vetëdeklarojnë deri në 1 shkurt të vitit të ardhshëm. Deri në fund të vitit 2018 do të përfundojë lidhja e kontratave me çdo abonent. Pas nisjes së fazës së parë të reformës së ujit në zyrat e ujësjellësve, është shënuar një fluks për të formalizuar lidhjet e paligjshme. Deklarata u bë nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, gjatë një takim me donatorët. Ai theksoi edhe një herë objektivin e qeverisë për këtë reformë. “Faza e parë 90-ditore përfundon në 1 shkurt 2018. Gjatë kësaj kohe, më lejoni t’u bëj thirrje qytetarëve të bëjnë vetëdeklarimin e lidhjeve të paligjshme. Objektiv kryesor është që brenda vitit 2018 çdo konsumator të pajiset me një kontratë, të paguajë rregullisht detyrimet”, – tha Gjiknuri. Ministri deklaroi se sfidë mbetet ulja e nivelit të humbjeve në rrjet, ndërsa nënvizoi se familjet në nevojë do të subvencionohen. “Është marrë angazhimi të subvencionohet minimumi i nevojshëm për këto shtresa, duke mundësuar ofrimin e një shërbimi jetik për qytetarët dhe duke hequr çdo justifikim nga kryetarët e bashkive apo drejtuesit e ujësjellësve, që nxjerrin si shkak mundësinë e ulët ekonomike të qytetarëve”, – tha ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë. Në takimin me donatorët, Gjiknuri kërkoi mbështetjen e tyre nga pikëpamja teknike, asistencë për legjislacionin e ri për ujësjellës-kanalizimet dhe ndihmë në aspektin menaxherial për sistemin e ndërmarrjeve.
Subvencionimi
“Qeveria shqiptare ka angazhimin maksimal për t’u mundësuar ofrimin e këtij shërbimi shtresave në nevojë. Në këtë kuadër është marrë angazhimi që të subvencionohet nga qeverisja qendrore, minimumi i nevojshëm për këto shtresa, duke mundësuar kështu ofrimin e këtij shërbimi jetik për qytetarët, por edhe duke hequr tashmë çdo justifikim për kryetarët e bashkive, drejtuesit e shoqërive dhe qytetarët për mosformalizimin e këtij sektori”, – tha dje Gjiknuri. Përsa i përket metodologjisë së programimit të investimeve, që prej vitit të ardhshëm buxhetor investimet do të shpërndahen së pari, duke u bazuar në prioritetet dhe metodologjinë e përcaktuar në masterplan, kombinuar kjo edhe me vlerësimin e performancës për secilën shoqëri. Përsa i përket krijimit të shoqërive të qëndrueshme dhe që rikuperojnë kostot, qeveria do të nxisë përdorimin e strategjisë së financimit të sektorit të ujësjellës kanalizimeve, si një instrument për të kuptuar nevojat për financim, si në nivel kombëtar, ashtu edhe për secilën bashki, si dhe do të kërkojë që brenda vitit të ardhshëm secila shoqëri të ketë biznes-planin përkatës 5-vjeçar, i cili do të udhëheqë punën e tyre. “Problemi i menaxhimit të ujësjellësve mbi të gjitha është një problem menaxharial dhe njerëzor. Kjo është domethënëse, sepse ndodh që në vende të ndryshme të Shqipërisë, në kushte të njëjta, madje edhe me vështirësi teknike shpesh drejtimi profesional ka bërë diferencën dhe këto janë mësime të nxjerra brenda vendit tonë. Ky është një parim i përgjithshëm, që ne duhet ta aplikojmë kudo. Kudo ku ka një menaxhim profesional dhe certifikim të këtyre stafeve dhe këto ndërmarrje nuk mund të përdoren më për interesa të ngushta politike, suksesi është i garantuar”, – tha Gjiknuri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.