Intervista

Ambasadori Makoto Ito: Projektet që jemi duke realizuar në Shqipëri. Mbështesim përpjekjet për anëtarësim në BE

09:30 - 27.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Genc MLLOJA

 

Në prill të vitit 2017, Japonia ka në Tiranë diplomatët e saj, e hapja e Ambasadës i ka dhënë një impuls të re marrëdhënieve mes dy vendeve. Ambasadori japonez Makoto Ito, në këtë intervistë tregon se si e sheh Shqipërinë, ku janë fazat e projekteve të shtetit të tij në vendin tonë dhe detajet të tjera për marrëdhënien mes dy vendeve.
– Z. Ambasador, rritja e nivelit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Japonisë, e cila kulmoi me hapjen e ambasadës në prill të këtij viti dhe paraqitjen e letrave kredenciale nga ju më 6 qershor, kanë shënuar një etapë të re në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve tona. Si do t’i vlerësonit nivelin e tanishëm dhe perspektivën e marrëdhënieve shqiptaro-japoneze?
Shqipëria dhe Japonia janë partnerë të rëndësishëm, të cilët ndajnë vlera të përbashkëta themelore si demokracia, ekonomia e tregut të lirë, të drejtat e njeriut.
Për më tepër Japonia dhe Shqipëria kanë shumë ngjashmëri, njerëzit janë punëtorë të mirë, respektojnë vlerat e familjes, dhe të dy vendet janë të mirënjohur për karakterin e tyre miqësor, mikpritjen, natyrën e mrekullueshme, malet, bregdetin dhe lumenjtë.
Kësisoj është e natyrshme që vende të tilla të njëjta të vendosin lidhje miqësore dhe të ngushta.
– Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Japonisë kanë një histori të vjetër dhe ata karakterizohen edhe nga predispozicioni i vendit tuaj për të ndihmuar Shqipërinë, veçanërisht pas vendosjes së pluralizmit në fillim të viteve 90. Cilat janë disa nga momentet kryesore të ndihmës në rritje japoneze?
Deri tani nëpërmjet Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA) ose agjencive të tjera qeveritare, Japonia ka mbështetur zhvillimin e Shqipërisë. Projektet që janë duke u realizuar tashmë nëpërmjet ndihmës së Japonisë janë:
1. “Projekti i përmirësimit të sistemit të ujërave të zeza i Tiranës së madhe” është një projekt, i cili ka si qëllim përmirësimin e cilësisë si të ujërave nëntokësorë ashtu edhe të ujit të lumit duke ndërtuar impiante në zonën e Tiranës së Madhe.
2. “Projekti mbi informacionin gjeohapësiror” dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajonin Tiranë-Durrës, që ka filluar në janar 2017. Ai ka si objektiv forcimin e veprimtarisë së zhvillimeve shoqërore dhe ekonomike të kësaj zone duke përdorur harta topografike dixhitale të shkallës së lartë.
3. Ndihma në formë granti për projekte lokale në Shqipëri arrin një shumë vjetore prej afërsisht 75.000 dollarë çdo vit.
Dhe shpresojmë që projekte të tjera do të bëhen të mundur në të ardhmen.
– Ndërkohë janë ndërmarrë hapa për të forcuar dhe diversifikuar bashkëpunimin ekonomik midis Japonisë dhe Shqipërisë, dhe kjo e fundit është e etur për të thithur biznese nga vendi juaj për investime. Cilat janë disa nga potencialet që, sipas jush, mund të shfrytëzohen dhe cilat janë fushat më tërheqëse?
Krahas ndihmës eko-nomike, tani kompani japoneze kanë filluar të jenë më të interesuara për të investuar në Shqipëri në të ardhmen. Unë shpresoj që marrëdhëniet e biznesit do të forcohen dhe, si ambasador i Japonisë, u shpjegoj dhe njoftoj organet ekzekutive të bizneseve japoneze mbi ambientin pozitiv të tanishëm të biznesit në Shqipëri.
Avantazhet e Shqipërisë përfshijnë forcë punëtore tepër të kualifikuar, që është e përafërt me tregjet europiane. Nga ana tjetër, fushat më tërheqëse janë ata të manifakturës, turizmit dhe të tjera.
– Shteti ligjor, demokracia, dhe mirëqenia e popullit, ndër të tjera, përcaktojnë suksesin e një qeverie, por mbi të gjitha kjo është detyra e saj. Duke ndjekur funksionimin e sistemit demokratik në Japoni, vërej se shpesh ju zhvilloni zgjedhje edhe të parakohshme. Në tetor të këtij viti kryeministri Shinzo Abe fitoi një mandat tjetër. Z. Ambasador, si mund të jepni përvojën tuaj në këtë fushë në Shqipëri?
Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, qeveria e kryeministrit Abe siguroi një mbështetje më të madhe të popullsisë. Unë mendoj se qeveria Abe duhet të vazhdojë të zhvillojë më tepër politika të brendshme dhe diplomatike.
Qeveria japoneze mbështet fort përpjekjet shqiptare për reformim, duke përfshirë reformën në sistemin e drejtësisë.
– Duke folur për politikën e jashtme të qeverisë së re, cilat janë disa nga objektivat kryesore në rajon, por edhe në shkallë botërore?
Aktualisht, diplomacia e jashtme e qeverisë japoneze ka tri shtylla kryesore. Një shtyllë kryesore për qeverinë e Japonisë është të ruajë aleancën e fortë politike, ekonomike dhe të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara.
Qeveria jonë, gjithashtu, i kushton përparësi ruajtjes dhe forcimit të marrëdhënieve miqësore dhe paqësore me vendet fqinjë si dhe me Bashkimin Europian dhe vende të tjera europiane.
Një përparësi tjetër është të forcojë bashkëpunimin shumëpalësh dhe të kontribuojë në fushën e çarmatimit, sigurimit njerëzor, dhe bashkëpunimi ekonomik është, gjithashtu, një shtyllë e diplomacisë së jashtme të Japonisë.
– Shkëlqesia Juaj, karriera e juaj diplomatike është në një mënyrë e lidhur me Ballkanin edhe më parë para se të caktoheshit si ambasador në Tiranë. Duke pasur parasysh përvojën tuaj si i vlerësoni zhvillimet më të fundit në rajon, veçanërisht sa i përket aspiratës se vendeve të rajonit për t’u anëtarësuar në BE?
Shumë e natyrshme është që vendet e Ballkanit të kenë si aspiratë të tyre anëtarësimin ne Bashkimin Europian, t’i bashkohen një organizate rajonale më të madhe, e cila ndan vlera dhe burime të përbashkëta në fushat e politikës, ekonomisë dhe mbrojtjes.
Si qeveri japoneze ne i mbështesim këto aspirata dhe përpjekje.
– Megjithëse nuk ka shumë kohë që ju jeni në Shqipëri, por duke ndjekur veprimtarinë tuaj është e dukshme që keni vizituar një pjesë të madhe të vendit. Cilat janë përshtypjet tuaj duke i parë gjërat jashtë kryeqytetit, duke takuar njerëz të zakonshëm në pjesë të ndryshme të Shqipërisë?
Gjatë kësaj vere, në mënyrë intensive unë kam bërë vizita në qytete të ndryshme si Kukës, Shkodër, Tropojë, Durrës, Berat, Gjirokastër, Korçë. Kam pasur mundësinë të takoj kryetarë bashkish, përfaqësues të ekonomisë dhe kulturës.
Gjatë këtyre takimeve, kam pasur rastin të diskutoj mbi marrëdhëniet dypalëshe. Ndërkohë ata kanë shprehur interesin e madh për të forcuar bashkëpunimin me Japoninë, veçanërisht në fushën e shkëmbimeve kulturore dhe investimet të kompanive japoneze dhe bashkëpunimin ekonomik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.