EKONOMI

Mjekja e familjes, Vjola Fera: Mos e neglizhoni check up-in, parandalon në kohë sëmundjet

09:48 - 27.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Voltiza DURO

 

Check-up është një paketë ekzaminuese e ofruar falas në vendin tonë për grup moshat 35-70 vjeç, e cila ndihmon në kontrollin, identifikimin dhe diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve. Por në Shqipëri, ende shumë pacientë nuk kanë besim mjaftueshëm te ky shërbim, e për pasojë ka raste kur pasi bëjnë kontrollin në shtet, i drejtohen edhe njëherë dyerve të privatit për siguri. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja e familjes, Vjola Fera tregon rëndësinë e kryerjes së këtij shërbimi mjekësor dhe përfitimet që vijnë prej tij duke theksuar se shëndeti është parësor dhe nuk duhet neglizhuar kurrsesi. Më tej ajo shpjegon të gjitha llojet e analizave dhe ekzaminimeve që përfshihen në check-up, dhe tregon për të gjitha kategoritë që e përfitojnë falas.

Çfarë është shërbimi i check-up?
Check-up është një paketë kontrolli mjekësor bazë për çdo person në grup moshën 35-70 vjeç në Republikën e Shqipërisë. Është një program i ofruar falas nga bërthama e sistemit shëndetësor të kujdesit parësor, siç është mjeku i familjes. Qytetarët janë të ftuar të kryejnë këtë paketë shërbimi me qëllimin e vetëm për kujdesin ndaj shëndetit, sepse kushton shumë më pak apo sëmundja mposhtet më lehtë nëse bëhet depistimi i hershëm dhe parandalimi në kohë, sigurisht dhe trajtimi dhe prognoza kanë rezultate pozitive në luftën me sëmundjet e sidomos ato jetëkërcënuese.
Cilat kategori e përfitojnë falas këtë shërbim?
Paketa e kontrollit mjekësor bazë është falas për grup moshën 35-70 vjeç pa dallim nëse je apo nuk je i siguruar, me ose pa kartë shëndeti, është gjithëpërfshirëse.
Cilat analiza përfshihen në check-up?
Në këtë paketë shëndetësore, analizat që kryhen përfshijnë elektrokardiogramën, e cila ka dhënë rezultate shumë të kënaqshme për prevalencën e sëmundjeve akute të zemrës apo gjetjen e rasteve me hipertension të stadit 1. Gjithashtu, check Up përfshin edhe analizën e gjakut komplet, ku nga puna ime si mjeke familje kam debistuar dhe kemi kapur raste dhe me Hb 7mg/dl që sigurisht i kemi filluar direkt pacientit mjekimin për aneminë dhe sot është shumë mirë nga ana shëndetësore pasi u diagnostikua në kohë. Më tej kjo paketë shëndetësore falas përfshin analizat biokimike, glicemia, bilanci lipidik, analiza urinës komplet dhe fece për gjak okult, dhe nga kjo analizë kam patur dy raste në praktikën time si mjeke që pasi kemi parë që ka dalë pozitive pacientët i janë nënshtruar egzaminimeve të tjera dhe e kemi kapur në kohe stadin e Tumorit në traktin intenstinal.

Pse duhet kryer check-up dhe cilat janë përfitimet prej tij?
Ky program nuk është detyrues, por duhet të bëhet e qartë se kontrolli i shëndetit është i rëndësishëm për cilindo prej nesh. Ne punojmë gjithë jetën për të fituar dhe në fund duhet të harxhojmë kursimet për t’u mjekuar ndërkohë që një jetë me kualitet përfshin kujdesin e vazhdueshëm ndaj vetes për të qenë mirë me shëndet, mirëqenie fizike dhe mendore. Check-up-i ka një rëndësi të madhe në parandalimin, diagnostikimin e hershëm, sidomos të sëmundjeve akute apo atyre me incidencë të lartë në popullatë si rezultat i stilit të jetesës ku mund të përmendim diabetin e hipertensionin. Por diagnostikimi i hershëm sjell në një trajtim më të shpejtë e efikas, veçanërisht të tumoreve.
Brenda sa kohësh dalin përgjigjet e analizave?
Marrja e analizave kryhet në kabinetet e kontrollit bazë, të ngritura pranë qendrave shëndetësore në të gjithë Republikën e Shqipërisë dhe në pikat më të largëta, ky shërbim ofrohet falas me makina lëvizëse. Përgjigjja e analizave jepet për një deri në dy javë. Programi mjekësor bazë ofrohet nga kujdesi parësor shëndetësor. Pjesë e rëndësishme në këtë proces është edhe mjeku i familjes dhe stafi infermieror që kryen procedurën e marrjes së analizave.
Sa besim kanë pacientet mbi kryerjen e check-up-it?
Në punën time të përditshme si mjeke ka pacientë që vijnë dhe vetë të kryejnë kontrollin, të kënaqur për shërbimin e ofruar dhe besimin tek analizat. Por ka dhe nga ata pacientë që bëjnë kontrollin dhe shkojnë i bëjnë dhe te një laborator tjetër dhe shohin që marrin të njëjtën përgjigje. Pacientët e vlerësojnë faktin që kjo paketë mbi të gjitha është falas, sepse po të shkojnë te privati duhet të paguajnë 8000 lekë. Përveç besimit mendoj se është thyer miti “kur të jem sëmurë, shkoj te mjeku”, pasi njerëzit janë më të ndërgjegjësuar për kujdesin ndaj shëndetit.
Sa interes kanë treguar shqiptarët për këtë shërbim?
Unë personalisht si mjeke mendoj se shqiptarët e kanë pranuar dhe i përgjigjen ftesës për të kontrolluar shëndetin e tyre. Përgjithësisht të sëmurët kronikë janë gjithmonë të shqetësuar se si janë me shëndet ndonëse janë nën mjekim për sëmundjen, duan të jenë nën kontroll me analizat. Vlen të theksoj faktin se kjo është një paketë që shtrihet në të gjithë Shqipërinë, pra në çdo skaj. Check-up përfshin një paketë analizash, të cilat i bën pa pasur nevojën për të zbatuar sistemin e referimit.
Cila është thirrja juaj për ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi kryerjen e check-up-it?
Ndërgjegjësimi i opinionit publik duhet të fillojë në ndryshimin e konceptit për shëndetin. Njerëzit duhet ta kuptojnë se është më e rëndësishme të kujdesesh, të jesh nën kontroll të vazhdueshëm për një jetë sa më të shëndetshme, një stil kualitativ. Gjithashtu, duhet të ndërgjegjësohen se duhet të rrinë pranë mjekut të familjes, e të kenë kujdes në parandalimin e diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.