Show-Bizz

Evi Reçi: Kënga “Dorëzohu”, ju rrëfej cili është burimi i frymëzimit tim

10:17 - 29.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Pamela ALIAJ

 

Pas një shkëputjeje prej 8 vitesh nga skena e “Këngës Magjike”, ajo është rikthyer sërish. Kësaj radhe akoma edhe më e pjekur artistikisht, duke ardhur me një baladë me tinguj indianë. Po flasim për këngëtaren simpatike, Evi Reçi, e cila në një intervistë ekskluzive për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare” ka thënë se pse kjo shkëputje kaq e gjatë si dhe për projektet që pret të nxjerrë tani afër në fushën e muzikës. Evi gjithashtu ka zbuluar në profesionin e saj si gazetare në Itali dhe marrëdhëniet që ka me “VIP”-at italianë. Ndër të tjera, ajo nuk ka ngurruar të na zbulojmë edhe se kujt ia dedikon baladën e saj “Dorëzohu” në festival.

Jeni rikthyer me një këngë shumë të veçantë (baladë) pas 8 vitesh në “Këngën Magjike”. Pse gjithë kjo pauzë e gjatë?
Besoj se pjekuria ime artistike tashmë më bën ta përballoj skenën e “Këngës Magjike” më mirë se herën e fundit, që isha 19 vjeç ndaj dhe u riktheva kësaj radhe me më shumë emocione dhe përgjegjësi. “Kënga Magjike” është një festival që i jep krah çdo kënge që konkurron, duke i dhënë shikueshmërinë e duhur.


Kënga “Dorëzohu” i përshtatet stilit të këngëve të tjera të Evit. Nga erdhi frymëzimi?
Tek frymëzimi besoj qëndron magjia e kësaj kënge. Tingujt që kam dashur të përdor janë tinguj që i përshtaten shumë karakterit tim dhe ndikimeve që kam pasur që kur fillova të merresha me muzikë. Kjo këngë bashkon shumë botën perëndimore me atë të lindjes dhe akoma më shumë periudhën bizantine. Kjo gjë u vu re tek performanca ime, por do e theksoj akoma më shumë tek performanca tek Pallati i Kongreseve. Për sa i përket pastaj tekstit, bëhet fjalë për një kërkesë për të pasur përgjigjet e një ndjenje të pashprehur, pra të guxosh të shprehesh edhe me frikën e rrezikut.
Përveç jush, shumë këngëtarë të tjerë janë paraqitur këtë vit me balada. Kë do të veçonit që ju pëlqen më tepër?
Këngëtarë të mirë ka plot sivjet me materiale shumë të fuqishme, por prezantimi i të gjithëve nuk ka përfunduar dhe do të ishte nxitim nga ana ime të veçoj dikë para se të performojnë të gjithë konkurrentët.


Ju zgjodhët sërish “Këngën Magjike” edhe pas 8 vitesh shkëputje. Pse nuk konkurruat në festivalin e TVSH këtë vit?
Është një pyetje që më bëhet çdo vit pothuajse dhe akoma s’e kam vendosur ta bëj këtë hap. Por besoj nga viti tjetër duhet ta mendoj më shumë dhe të guxoj edhe këtë festival. Por s’kam asgjë në plan.
Jeni duke punuar për ndonjë projekt muzikor për momentin? Presim ndonjë këngë të re nga Evi?
Jam gjithmonë duke punuar me demo të reja, me bashkëpunëtorë të ndryshëm, por besoj do dalin pas festivalit.
Kënga juaj e mëparshme “Si Limonadë” solli shumë sukses. Keni menduar ndonjë bashkëpunim në nxjerrjen e një formati të tille kënge?
Bashkëpunimet variojnë. Mund të jenë me një kompozitor apo me këngëtar, kompozitor të ndryshëm. Por kënga “Si Limonadë” nuk pati një qëllim të tillë, por vetëm për të risjellë tingujt veror e viteve ’90, duke ndjekur rrymën retro që prej shumë kohësh punoj!
Ju pamë në një bashkëpunim me Flori Mumajesin para 7 vitesh me këngën “I ngjan asaj”. Pse përfundoi ky bashkëpunim?
Ne këngëtarët jemi si elektrone të lira, që lëvizim nga një studio tek një studio tjetër, duke dëgjuar demo të ndryshme. Ne jemi ende miq dhe gëzojmë një respekt reciprok për njëri-tjetrin.


A është kënga “Dorëzohu” pjesë e repertorit tuaj të këngëve dedikuar njeriut të zemrës?
Jo të gjitha këngët janë përjetime personale, por një ndjenjë të vërtetë e përmbajnë, pasi përndryshe nuk arrijmë t’i interpretojmë siç duhet.
Përveç pasionit për këngën, me çfarë merret Evi jashtë skenës?
Dihet tashmë, pasi e kam publikuar shumë herë, angazhimin tim si gazetare dhe spikere në “Radio Fiesole” në Firenze të Italisë dhe si bashkëpunëtore te “La Repubblica” në Firenze.
Para disa kohësh thatë se punonit në një gazetë italiane, ku intervistonit personazhe të fushave të ndryshme. Përveç Anna Oxa-s, kë tjetër synoni më tepër të intervistoni?
Lista është vërtetë e gjatë, por deri më tani ia kam lënë fatit, për sa u përket takimeve me personazhet, pasi ato na vizitojnë tek redaksia për t’i intervistuar, sipas koncerteve apo albumeve që kanë për të promovuar.

Sa e vështirë është të arrish të intervistosh një VIP në Itali? Keni ndonjë rast të veçantë, që tregon vështirësitë që kalon gazetar për të marrë një intervistë?
Siç thash edhe më sipër, duke u bërë pjesë e një redaksie gazete edhe një radioje, mundësitë për t’i takuar janë shumë dhe janë ata që vijnë tek ne për promovim, ose si të ftuar në studio. Megjithatë, për të qenë e sinqertë me artistët italianë nuk kam pasur asnjë problem për t’i marrë një intervistë, pasi janë treguar vërtetë të sjellshëm dhe të gatshëm, gjë që më bën t’i vlerësoj akoma më shumë për modestinë që tregojnë.
Jetoni mes Italisë dhe Shqipërisë. Ndonjë projekt për t’u rikthyer në vendlindje?
Mundësitë i kam lënë gjithmonë të hapura me Shqipërinë, pasi shumë shpesh e mendoj unë dhe bashkëpunëtorët e mi, por kur të kem diçka, do jem shumë e lumtur ta anonçoj.
Në emision radiofonik të Firences, ku dhe ishit ftuar, folët për një bashkëpunim muzikor që lidhte Italinë me Shqipërinë. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?
S’e mbaj mend çfarë ishte kjo.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.