MILOSAO

LUFTA DHE UNIVERSI

11:00 - 03.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Vladimir Majakovski*

 

Ju jeni mirë!
Për të vdekurit nuk ka çnderim.
Mbyt urrejtjen
për vrasësit e vdekur!
E lan uji më i pastër
mëkatin e shpirtit që ngrihet fluturim.

Ju jeni mirë!
Po unë,
mes mizërisë,
mes rropamës,
si do t’ia çoj të gjallit dashurinë?
Do të pengohem:
dhe thërrimja e dashurisë së fundit
përgjithmonë ajo do të shkrijë në një shtjellë tymi që nxin.

Ç’iu intereson atyre,
atij që u kthye,
nga trishtimet tuaja?
Ç’iu intereson atyre,
një thek me vargje?
Ata
mbi një palë këmbë druri
do t’u duhet të çapiten çdo ditë.

Ke frikë!
Frikacak!

Do të të vrasin!
Dhe kështu,
për pesë vite të tjera, skllav, do mund të vegjetosh.
Gënjeshtër!
E di,
në llavën e mësymjeve,
do të jem i pari
për heroizëm
dhe guxim.

Oh! por kush
para thirrjes së kambanës me çekan
të viteve të ardhshëm
s’do të dojë të bëhet i gjallë?
Të gjithë!
Dhe unë
mbi tokë
do të jem
i vetmi lajmëtar i së vërtetave të ardhshme.

Sot gëzoj!
Pa e cirkosur
shpirtin
kam ditur,
kam ditur ta çoj deri në fund.
Njerëzori i vetëm,
mes britmave,
klithjeve,
unë ngre tani
zërin.

Dhe pastaj
pushkatomëni,
lidhmëni në shtyllë!
S’do të jem unë ai që ta çngjyros!
Doni
që një as
të më godasë në ballë,
që më e kthjellët të shndrisë shënja?

Kushtuar Lilias

1915.
Datat
e kohës,
që ka parë ritin
e konsakrimit tim ushtar.

«Dëgjoni!
Cilido,
që është i padobishëm, madje,
duhet të jetojë;
por nuk munde,
s’mundet
në varret e transheve dhe strehimeve
ta varrosim të gjallë:
vrasës! ».

Nuk dëgjojnë.
Një nënoficer njëqind kilësh shtyp si një shtrydhëse.
Nga një vesh në tjetrin më qethën me kujdes.
Si shenjë,
në ballë
fiksuan kryqin
e rekrutit.

Edhe unë tani do duhet të shkoj në perëndim!
Do të vazhdoj të eci atje poshtë,
gjersa sytë e tu do të më qajnë
në rubrikën
e të «vdekurve»,
i përbërë je në trup.

1.

Dhe ja
Mbi skenë,
i tronditur nga zjarr’i madh i orkestrës,
kërceu një bark.
Dhe filloi!
U rrit në sytë, si në mijëra lente.
Gjarpëroi.
Shkëlqente djersa si llak.
Befas
u ndal kërthiza dridhëse,
duke fërfëllirë si një fugë.

Ç’ndodh!
Kokat tullace u shkrinë në një hënë të vetme.
Dhe sytë, duke u shqyer, u lyrosën.
Deri dhe plazhi,
Duke çarë shkumën e kripur,
hapi nofullën mbushur me shtëpi.

Gumëzhinte.
Gojët,
si korrent elektik,
përdrodhi një «bravo».
Bravo!
Bra-vo!
Br-a-vo!
Bra-a-a-vo!
Bra-a-a-a-avo!
Kush është,
kush?
Kjo fundërrinë me turinj bualli
kjo masë mishi?

Nuk do të fusësh bashkë me vargjet në volume të qeta
britmën e inatit.
Këta janë nipat e Kolombit,
pasardhësit e Galileut,
që hingëllijnë të ngatërruar në rrjetën e meteorëve!

 

Por atje poshtë,
duke murmuritur në mbrëmjen elegante,
gratë
dallgëzonin në një kapele të madhe me njëqind pupla
Dhe burrat trokisnin mbi tastat e trotuareve,
pianistë të dërrmuar nga epshi trivial.

Djathtas,
majtas,
tërthoraz,
vëngër
duke ngushtuar prehrin e fushave ,
rrotulloheshin ngjitur në boshtin e tokës
karuzelë
Babilonikë
Babilonietësh,
Babiloni.

Sipër tyre
damixhanë
me gjatësi magjepsëse.
Nën to
krikëlla
si një gropë e dehur.
Njerëzit
kridheshin,
si një Noe xurxull,
ose në të qeshura ulëritëse
me turi prej mijëra Kamëve

Do të mbushen,
dhe pastaj,
brenda natës së verbër,
do të hedhin mishrat e tyre mbi pupla dhe pambuk,
do të zvarriten njeri mbi tjetrin me djersë
duke bërë që të dridhen qytetet me kërcitjen e krevateve.

Toka rrënohet
dritat e fenerëve
ju gërryejnë lëkurën me një mori puçrrash,
duke u dridhur nga agonia e qyteteve,
njerëzit gulçojnë
në një zgavër guri.
Mjekët
njërin prej tyre
e hoqën nga arkivoli,
për të kuptuar pakësimin e jashtëzakonshëm të njerëzve:
rubla sillej
në shpirtin e brejtur,
si një mikrob me putra ari.

Nga të gjitha anët
për të pezmatuar më shpejt
vdekjen,
duke bërë njerëzit të zienin gjer në buzë të çative,
zemrat, Diesel të fuqishëm të kapitaleve,
fusnin vagona gjaku të kontaminuar.

Dhe ju të qetët,
nuk mbetët për shumë kohë.
Shpejt
shina hekurudhore nëpër vena filtroi
infeksionin e qyteteve në rrezitje të fshatrave.
Ku zogjtë këndonin tani dhe sheshet zhurmonin.
Aty ku ishte pylli ka një shesh,
me një skëterrë me njëqind shtëpi.
Si faunë në gjashtë kate u hodhën në valle
një bordello, njëra pas tjetrës.

Dielli ngrinte kokën e kuqërremtë,
me shulin mpiksur mbi buzët e fryra,
dhe s’ka forcë të ngrejë kokën:
gati, gati
kthehet në furrikun e netëve.

Dhe ende s’arrin në kohë
nata e zezë,
e shitur,
të shtrihet,
të pushojë,
në gjysmë hije,
kur mbi të
ka hedhur skeletin përvëlues
një ditë e re e pangopur, e uritur.

Sipër çative të mbyllura!
Grusht yjesh,
uluri !
Vrapo e trembur, mbrëmje – murgeshë!
Shkojmë!
Mbi femrat fryhen
flegrat,
të brejtura nga dhëmbët e kokainës!

2.

Kjo ndodhi në një nga vjeshtat;
ishin
kova përvëluese
të gjitha.
Dielli trazohej,
bojaxhi i çmendur,

duke njollosur pluhurin me një ngjyrë portokalli.
S’ka rëndësi se diku
mbi tokë
rrodhën zëra.
Të dobët.
Lëvizën në majë të gishtave.

Pëshpëritja e tyre largoi ankthin nga gjoksi,
por frika
nën kafkën,
me dorë të kuqe
zgjidhi, zgjidhi, zgjidhi mendimet,
dhe bëri
padurimisht të qartë
që nëse nuk mblidheshin
njerëzit në tufa kompanish,
nëse nuk hapeshin venat e atyre,
vetë toka, e infektuar,
do të vdiste
do të vdisnin Parisët
Berlinët,
Vjenat!

Përse u mallëngjyet?
Është vonë për t’u qaravitur!
Në fillim, duhej të mendonit pendimin!
Mijëra duarve të mjekëve
u shpërndahet
arma e bisturisë nga magazinat.

Italia!
Është e qartë
për mbretin,
për berberin, mbase,
që nuk ka ku të përplas kokën!
Ende sot gjermanët
Fluturonin
mbi Venecie!

Gjermania!
Mendime,
libra,
muzera
të zhdukur
në gojët e hapura të armëve!
Grykë të zjarreve kërcëllini dhëmbët !
Studentë,
galoponi me kalin e Kantit!
Thikën midis dhëmbëve!
Shpatat zhveshni !

Rusi!
Mos ka ngrirë vallë Azia kusare?
Në gjak dëshirat valojnë si një hordhi.
Zvarritini jashtë Tolstotë e përkulur nën Ungjill!
Për këmbët hollake !
Mjekra mbi gurë!
Francë !
Pusho pëshpëritjen e ëmbël nëpër rrugët!
Të rinjtë duhet t’i hedhësh në valle të reja!
Dëgjon, e dashur?
Është bukur
në zhurmën e mitralozit të djegësh e të përdhunosh!

Angli!
Turqi!
T-r-a-a-k !
Ç’ishte ?
Më duket se dëgjoj!
Mos u trembni!
Një marrëzi!
Tokë!
Shikoni,
Çfarë ka mbi flokë!
Iu shtrinë mbi ballë rrudha llogoresh!
T-s-s-s-s-s-s-s-s…
Një rropamë.
Tambure, muzikë?
Është e mundur vallë?
Është ajo,
pikërisht ajo?
Po!
Filloi.

3.

Neron!
Përshëndetje!
Të pëlqen?
Spektakli i teatrit më të madh.
Sot
kacafyten,
Shtet kundër Shtetit,
gjashtëmbëdhjetë gladiatorë të zgjedhur.

Ç’janë legjendat mbi masakrat e Cezarëve
para historisë
që është zhvilluar gjer tani!
Si një agim mbi një fytyrë fëminore,
është e ëmbël për atë
hiperbola më monstruoze.

Do të rrotullohesh si një ketër në rrotën e së qeshurës,
kur hiri yt do të dijë
se sot
bota
është e tëra një Kolose,
dhe dallgët e të gjitha deteve të saj
janë mbuluar me vello.

Tribuna janë shkëmbinjtë,
dhe mbi shkëmb atje,
sikur beteja t’i kishte thyer dhëmbët,
qiejt e katedraleve, skelet pas skeleti,
u ndezën,
duke u qarkuar nga kangjelat.

Sot
si një blic mbi tullacërinë tokësore,
duke përgjakur trazimin e turmave,
e tërë Evropa është në flakë
varur në qiell
si një llambadar.

Erdhën,
për të bujtur në luginat tokësore,
miq
me pamje të tmerrshme.
mbi qafat e gjata shkëndijojnë zymtësisht
gjerdanë topash prej hekuri.

Ari i sllavëve.
Mustaqet e zeza të maxharëve.

 

Njollat e zeza të zezakëve.
Radhët e të gjitha lartësive tokësore
ajo i ka mbledhur nga koka te këmbët.
Dhe atje,
ku Alpet,
duke e ngrohur në perëndim,
përkëdhelnin në qiell faqen prej akulli,
aviatorët depertues ngritën kreshtën
e galerive të reve.

Dhe kur mbi arenë
luftërat
erdhën
në çifte festive,
duke çuar me kilometra rropamën e dyfishuar nga teatri,
dhe gjëmimi i ushtrive prej miliona njerëzish,
globi tokësor
shtrëngoi polet
dhe u mpi në pritje.
Oqeanet e thinjur
zbritën nga brigjet,
duke futur në rërë sytë e turbullt.
Për pasarelat flakëruese
dielli perëndoi,
arbitër i rreptë
etern.
Duke u djegur prej kuriozitetit
zvarritën nga orbitat sytë e yjeve.

Por çasti nguron.
Është dembel.

Në fillim të lojërave të përgjakshme,
tendosur si një shoqërim,
çasti ndalet pa frymë.

Befas
çasti thyhet në mijëra copa.
Arena fundoset në një zgavër me tym.
Në qiell është errësirë e plotë.
Dhe çastet u ngutën, u ngutën:
gërmuan,
bërtitën,
shqyen.
Si shkumë njera pas tjetrës të shtënat
është në flakë në bastionin e përgjakshëm.

Përpara!

Nga britma u dridh gjoksi i divizioneve,
Përpara!
Shkuma në gojë.
Shën Gjergji që tronditet në lëvizjen e flamujve,
tambureve:

Mashtrues!
Përgatit katafalkun!
Vejusha në turmë.
Por janë ende pak.
Dhe në qiell
ngrihet
fishekzjarri i fakteve,
njëri më monstruoz se tjetri
Me sy të shqyer,
fari
prapa maleve
përmes oqeaneve qante;
dhe në oqeane
skuadrat përdridheshin
të ngulura në shtyllën e minierës.

Në një makth më të laturisur nga ferri dantesk,
tingujt e bronztë, rraskapitur me uturimën e hingëllimave
duke u dridhur për Paris,
Joffre
mbi Marna
mbrohet me çetën e fundit.

Në jug
Konstandinopojë,
xhamitë duke kërcëllitur,
volli
të masakruarit
në Bosfor.
Dallgë,
hidhini, me dhëmbë të futur
në mbeturinat e fundit të bukës së konsakruar.

Pylli.
As edhe një zë.
Një heshtje
që duket gjer e rreme.
Të tyrët dhe tanët u përzienë.
Dhe vetëm
korbat dhe netët kalojnë,
duke u veshur me të zeza, si një rresht murgjish.

Dhe rishmëzi,
gjoksi prej goditjeve duke u zhveshur,
duke pluskuar mbi pranverat,
duke kaluar nëpërmjet dimrit,
armatë pas armate
rresht pas rreshti,
përmbytin milje tokë.

Ndizet.
Një rresht me lisa të rinj.
Një pentagram zjarri mbi prag të livadhit.
Nga vetëtimat disa tela me gjemba
u copëtuan e u karbonizuan.

Bateritë e bënë inkandeshent zhegun.
Hidhen mbi kadavrat e qyteteve dhe fshatrave.
Me turinj të bronztë shqyejnë
gjithçka.

Zjarr shkatërrues!
Ku nuk do përplasesh, duke ndëshkuar!
Do të futem në një raketë,
në qiell do të arratisem duke vrapuar:
nga qielli,
i kuq,
mbi tokë duke u djegur,
gjaku i Pegut.

 

Dhe tokë
dhe ujë,
dhe ajër gërmon
Ku do ta drejtojë hapin e rrëmbyer ? Tashmë i çmendur,
tashmë duke qarë me furi
shpirti lutet duke vrapuar:

«Luftë !
Mjaft!
Qetësoi!
Është lakuriqe toka tashmë ».
Të vrarët u derdhën të yshtur nga hovi
dhe ende
për një çast
vrapojnë pa koka.

Por mbi krejt këtë
djalli
nxjerr një shkëlqim gogësimash.
Në konstelacionin e hekurudhave
është
qielli i Berlinit,
i shndritur nga fabrika e eksplozivit.

Askush s’e di
nëse cikle
apo vite
kanë kaluar që kur mbi fushën e luftës
gjakun e parë kanë dhënë në luftë
duke e pikuar pikë pikë në kupën e tokës.

Njëlloj:
dhe gurin
dhe moçalin
dhe fushën
kanë larë me gjak njerëzor.
Gjithandej
hapat
njëlloj kanë spërkatur
duke trazuar baltën tymosëse të botës.

Në Rostov
një punëtor
në pushim festiv
deshi
të shtrydhë ujin për samovar,
dhe bëri një kërcim prapa:
nga gjithë tubat pikonte
e njëjta çorbë e kuqërremtë.

Ndër telegraf rropateshin makinat Mors
Flisnin duke bërtitur disa të rinj qytetit.
Në ndonjë vend,
në Vagankov,
varrmihësi nisi të tundej.
U gjallëruan mbajtësit e pishtarëve në Monakon e trishtuar.
Në plagën e madhe të disfatës së regjimentit.
reflektorët futën putrën e skuqur.
Ngritën një prej tyre,
dhe e hodhën në transhe
atë
që ishte mbi thikë!
Biblikë në fytyrë,
nga gropa
një zhgun.
«Kujtoni!
Me ne!
Jam Ponc Pilati!»

Por era e predhave
në copa shqeu
mish dhe veshje.

U shqit nga tymi një skuadron kokash.
Hiç sy lotues!
U veshën
nga gazi.

Krahë të bardhë u rritën në shpirt;
grahma e ushtarëve arrin në fushqetë.
« Ti që fluturon në qiell,
mbyt,
mbyte
fitimtarin».

Gjoksi rreh jo rregullisht…
Një shaka?
Në shtëpinë e Zotit?
Portën e parajsës së blinduar prej reve,
çaj me një shqelm.

Tranden engjëjt.
Kam deri mëshirë për ta.
Ovalen e fytyrës e kanë më të bardhë se puplat.
Ku janë,
zotat!
«Ia kanë mbathur,
ia mbathën të gjithë:
Sabaoth,
Bud,
Allah,
Jehova»

Një gjëmim.
Një ah!
Një uh!
Por kaloi rrahja me top: smorzata
vetëm psherëtiti
dhe u shua.
E u zvarritën jashtë me të bardhë.
U lutën:
«Nuk duhet!»

Askush nuk kërkoi
që fitorja
t’i atribuohej atdheut.
Por ç’djall shërben
eshtra pa krahë e drekës së gjakut?
I fundit u ngul mbi bajonetë.
Tanët shuhen në Kovnol .
në dy metra
mish njerëzor i copëtuar.

Dhe kur u qetësuan
të gjitha ato që ngjanë,
duke u shtrirë
batalion pas batalioni
vrapoi vdekja jashtë
dhe mbi kufoma filloi të vallëzojë,
Taglioni pa hundë i baletit të skeleteve.

Kërcim.
Era nën majë të këmbës.
Shpupurisi qimet e kolbakeve,
Përkëdheli dy fije floku mbi një të vdekur.
dhe kaloi përtej,
duke fryrë lehtë.

Të pestën ditë
në kokën e shpuar
i zbërthyen trenat udhëtim pas udhëtimi.
Në vagonin që kalbet
mbi dyzetë njerëz
katër këmbë.

vijon

*Përktheu Faslli Haliti


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Si e lexoj une Faslline?
    Duke e cituar ne perkthimin e tij!
    Se Fasllia nuk e ka gjuhen e Tij. Ia ka marre gojen Ujku!
    Kush eshte Ujku?!

    “Ju jeni mirë!
    Po unë,
    mes mizërisë,
    mes rropamës,
    si do t’ia çoj të gjallit dashurinë?”

    Ky qe citova ishte Majakovski. Perkthyer nga Faslli Haliti.
    Majakovski qe nuk perkthehej keshtu, ose se paku nuk lecohej keshtu vite me pare. Kur te tere i luteshin Diellit t’i meshironte Rrekete!
    Kush ishte Dielli dhe cilat rrekete?!

    Njera nga rrekete, me afer diellit, evangjeliste tipike, mund ta quanim ne vijesjelljen ne art- se realisht tere keta ishin nje tufe ateistesh- eksperimentonte me Faslline e shkrete.

    Pastaj, Faslline e nisnin per ne Bujqesi Blegtori dhe vete ata niseshin per Paris!
    A e mendonte Fasllia kete?!
    Fasllia nuk ishte bidalle, por…ishte …ushnjar!

    Citojme, me mire:

    “Ke frikë!
    Frikacak!

    Do të të vrasin!
    Dhe kështu,
    për pesë vite të tjera, skllav, do mund të vegjetosh.”

    Dhe kthehemi, ne fund te jete-vegjetimit
    ne fillim te ciklit…

    Citojme serish:

    “Ku janë,
    zotat!
    «Ia kanë mbathur,
    ia mbathën të gjithë?!”

    Faslliu eshte ketu, ne mes te fushes se Lushnjes.
    Po ai.

    Përgjigju ↓