KULTURË

Përmbyten monumentet, uji nxirret me pompë nga kishat e Voskopojës. Ministria nxjerr specialistët në terren

08:30 - 03.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira NIKOLLI

 

Imazhet që shihni janë të Kishës së Kryeengjëjve Mihal e Gabriel, në Voskopojë. Kisha është përmbytur nga reshjet e fundit dhe uji prej saj nxirret me pompë. Imazhet janë të Forumit të Trashëgimisë, por edhe vetë Ministria e Kulturës ka publikuar një foto që shihet pompa që tërheq ujin. Si rrallë herë, është vetë ministria që njofton për situatën e monumenteve. Në raste si ky i këtyre ditëve, janë mediat që raportojnë pa informacione zyrtare. Këtë herë, Ministria e Kulturës, përmes një materiali të detajuar, raporton për monumentet që rrezikojnë, nga jugu në veri. Deri tani, nga raportimet periodike nuk ka emergjenca në objektet e trashëgimisë, por situata të kontrollueshme në disa pika ku janë paraqitur probleme për shkak të përmbytjeve dhe reshjeve masive. Është duke u monitoruar me kujdes Ura e Golikut, e cila është nga më të rrezikuarat. Një grup pune po inspekton dhe monitoron objektin. Në qarkun e Durrësit paraqiten problematika për dy monumente: Kisha e Gjon Pagëzorit në Derven të Krujës Monument Kulture, është e përmbytur e gjithë zona dhe Forumi Bizantin (Macellum Forum), në Durrës për shkak të reshjeve ka rrëshqitje të dherave dhe disa gurëve të mbushjes së trotuarit. Sipas MK-së, janë marrë masat e menjëhershme për sistemimin dhe përforcimin e skarpatës nga punonjësit tanë. DRKK Gjirokastër nga monitorimet dhe kontaktet nga terreni nuk njofton për dëmtime apo ngjarje në objektet e trashëgimisë. Sa i takon Vlorës, janë bërë inspektime në: Manastiri i 40 Shenjtorëve, Manastiri i Mesopotamit, Kisha e Shën Premtes Lukovë, 3 Parqet Arkeologjike (Orikum, Amantia, Finiq), Kullat e Dervish Aliut dhe kanë pasur komunikime me banorët e zonës për monumentet Kisha e Shën Thanasit Leshnicë, Ujësjellësi i Vranishtit, Ura e Bratajt, Ura e Slapit, Ura e Frëngut duke bërë me dije se gjendja nuk shihet të përkeqësohet dhe është pa probleme. Në Shkodër nuk shfaqen problematika në objektet e trashëgimisë për shkak të motit të keq. Pas inspektimit të bërë në objektet me risk me të madh situata paraqitet normale. Në xhaminë e Plumbit ka pak ujëra, por ato vijnë si rezultat i ujërave nëntokësore pasi xhamia është nën nivelin e lumenjve Kir dhe Drin. Në kishën e Shirgjit situata paraqitet normale po ashtu edhe tek ura e Mesit prurjet e lumit Kir nuk janë intensive. Ministria bën me dije se janë duke u kryer monitorime të vazhdueshme në terren nga specialistët e DRKK Berat në “Qendrën Historike” të qytetit të Beratit, i cili nuk raporton probleme në monumente, veç qytetit, që pas shirave është mbytur në baltë për sistemimin dhe përforcimin e skarpatës nga punonjësit tanë.

Fier e Korça në rrezik

Në qarkun e Fierit, sipas Ministrisë së Kulturës, paraqiten problematika. Kisha e Shën Kollit në Vanaj, paraqet probleme në çatinë e saj, pasi nga shirat e tepërt rrezikon. Të njëjtin problem me çatinë ka edhe Kisha e Shën Gjergjit në Libofshë, sikundër edhe Kisha e Shën Marisë në Bishtqethëm. Ndërkaq, Kisha e Shën Gjergjit në Suk Strum, rrezikon pasi ndodhet në fushë. Drejtoria Rajonale e Korçës po monitoron Urën e Golikut, e cila është nga më të rrezikuarat, ndërsa në kishën e Shën Gjergjit në Shipskë ka pasur lëvizje të rasave nga stuhia dhe MK, premton që do të sistemohen sapo koha të jetë optimale. Po ashtu, në Vithkuq te Kisha e Shën Mëhillit ka pasur lëvizje të rasave në pjesën e hajatit ku po merren masa për t’i sistemuar, sikundër Kisha e Shën Gjergjit, të cilën e kanë izoluar me mjete provizore. Në Kishën e Ristozit në Mborje një pjesë e mbulesës provizore është shkëputur, por pa asnjë dëmtin serioz. Butrinti deri më tani, qyteti antik i Butrintit nuk ka pasur probleme, sipas MK-së. E qetë dhe pa probleme paraqitet situata edhe në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, si edhe në Parkun e Bylisit. Raportohet se te Muzeu i Pavarësisë në Vlorë, reshjet e dendura të shiut kishin përmbytur oborrin, por si rezultat i bashkëpunimit me Bashkinë Vlorë gjendja tani është normalizuar, ndërsa uji është larguar. Bëhet me dije se Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve dhe Drejtoritë Rajonale Kombëtare në të gjithë vendin janë duke monitoruar situatën e vështirë, shkaktuar nga reshje të dendura shiu dhe, gjithashtu, duke ndjekur orë pas ore situatën e objekteve të trashëgimisë në të gjithë vendin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.