Kryesore

Nënkryetarja e Kuvendit rrëfen për reformën në drejtësi, Hysi: Ishte universitet i dytë

09:26 - 03.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Darina TANUSHI




 

Nënkryetarja socialiste e Kuvendit, Vasilika Hysi ka pranuar të flasë për herë të parë, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” për propozimin që iu bë për të qenë numri “dy” i Kuvendit. Ajo shprehet se tashmë seancat parlamentare, nën drejtimin e Gramoz Ruçit janë më të disiplinuara.

Znj. Hysi jeni prej gati tre muajsh në postin e nënkryetares së Kuvendit. Si e pritët kur jua propozuan këtë detyrë?
Propozimi u bë në mble-dhjen e kryesisë së Partisë Socialiste nga z. Gramoz Ruçi dhe u miratua nga kryesia. E mirëprita, pasi së pari është vlerësim për kontributin e dhënë, por edhe mundësi për të pasur një përvojë pune në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë. Isha kurioze të punoja me z. Ruçi. E kam vlerësuar si sekretar të Përgjithshëm të partisë dhe kryetar grupi. Gjithnjë e kam vlerësuar z. Ruçi për faktin se nuk ka fjalë të shumta, është i prerë në marrjen e vendimeve, i qartë, i saktë, vlerësues për punën që bën, i jep drejtim shpejt dhe me pjekuri, pa lënduar, çështjeve paksa delikate, mbështetës për gratë në politikë. Dhe një aspekt i veçantë, që shumë pak vetë e njohin, është natyra njerëzore e tij, shpesh e palexuar në pamjen e jashtme dhe mes ekranit, por kush punon me të e vë re menjëherë. Mos harroj të them që është një njeri që i gjendet pranë njerëzve në shqetësimet dhe hallet e tyre. Besoj se do të jetë një përvojë e bukur në karrierën time në politikë.

Ju, për disa kohë, në fund të legjislaturës së shkuar, drejtuat Komisionin e Ligjeve. A do të donit të vazhdonit në këtë detyrë?
Unë vazhdoj të jem anëtare e Komisionit të Ligjeve dhe jam e kënaqur me detyrën e re që më është besuar. Megjithatë, ishte një përvojë e bukur dhe shumë profesionale, ndonëse jo e lehtë, nëse mban parasysh që zëvendësoja kolegun tim, z. Fatmir Xhafaj që kishte krijuar profilin e vet të gjatë si kryetar komisioni dhe njeri me kontribute dhe reputacion në parti dhe në drejtimin e komisionit.

Përveç angazhimit politik, ju jeni edhe pjesë e universitetit. A do preferonit të riktheheshit me kohë të plotë në auditore?
Nuk e përjashtoj si mundësi në një moment të karrierës sime. Nuk jam shkëputur nga jeta akademike, pasi ajo është shumë e bukur dhe aty unë fillova rrugëtimin e karrierës profesionale, 32 vjet më parë. Prej vitit 2009, jam angazhuar me kohë të pjesshme dhe dy vitet e fundit, më pak, për shkak të angazhimeve me reformën në drejtësi dhe punën si e zgjedhur. Përpiqem të gjej kohë nga koha ime private dhe familjare, të ndjek zhvillimet e fundit në fushë, të lexoj, të shkruaj artikuj ose kumtesa shkencore, të drejtoj ndonjë punim shkencor të studentëve në programin e doktoraturës. Të qënit në auditor me studentë/et dhe diskutimet me ta për çështje të caktuara profesionale është një adrenalinë e vërtetë.

Sa ka ndryshuar parlamenti nën drejtimin e Gramoz Ruçit? A është bërë më autoritar ky drejtim, krahasuar me drejtimin e zotit Meta, kur koha që i linte për të folur ish-kryeministrit Sali Berisha ishte më e gjatë?
Seancat plenare kanë ndryshuar. Rregullorja e Kuvendit zbatohet më mirë ndaj cilitdo, ish- kryeministër ose kryeministër, deputet i mazhorancës apo i opozitës. Nuk mund të them se është me autoritar, por rregullorja respektohet dhe seancat janë më të disiplinuara. Autoritar ka kuptim shpesh negativ dhe që përjashton diskutimin dhe konsensusin në vendimmarrje. Z Ruçi drejton Këshillin e Rregullores dhe atë të Legjislacionit, mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, mbledhjet e Byrosë. Shpesh është më tolerant dhe krijon hapësira për konsensus me shumë sesa vetë anëtarët e këtyre organeve. Pa dyshim, kjo është edhe shprehje e pjekurisë politike dhe përvojës së gjatë të tij. Tashmë, mund të thuhet se të gjithë jemi familjarizuar me zbatimin e Rregullores, më të vetmin përjashtim që ka deputetë që flasin për gjithçka, por jo për përmbajtjen e projektligjit që është në rend të ditës. Besoj shumë shpejt do zbatohet edhe kjo pikë e rregullores që për çështjet jashtë rendit të ditës të flitet në kohën prej 60 minuta që parashikon rregullorja e Kuvendit.

Keni qenë një nga njerëzit që e ndoqët nga afër hartimin e ligjeve të reformës në drejtësi. Sot që ka kaluar kohë, që prej natës së 21-22 korrikut, kur kjo reformë u miratua, si ju duket se po ecën?
Po më ktheni në një periudhë që nuk do ta harroj gjatë gjithë jetës sime. Në një moshë të pjekur dhe me përvojë pune, mu desh të bëja një universitet të dytë. Kohë të bukura, mes njerëzve profesionistë, ekspertë vendas dhe të huaj, punë pa njohur ditë pushimi dhe orare zyrtare. Me stres, tensione, të papritura, diskutime dhe nevoja për të gjetur konsensus herë pas here. Dhe gjithë kjo punë prodhoi shumë produkte. U diskutuan dhe u hartuan shumë ligje që përmbajnë risi. Kuptimi dhe zbatimi i tyre do kohën e vet. Me gjithë pengesat dhe vënien në provë të reformës në drejtësi, herë me dërgimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese dhe herë me rishpalljen disa herë të thirrjeve për shprehje interesi nga kandidatët jogjyqtarë dhe joprokurorë për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, më së fundi procesi po ecën. Si çdo gjë e re ka edhe vështirësi. Të mos harrojmë që bojkoti i opozitës për më shumë se tre muaj e pezulloi procesi i ngritjes së organeve të vetingut. Shpërndarja e parlamentit për shkak të zgjedhjeve pati ndikimin e vet. Mund të them se zbatimi i reformës është në rrugë të mbarë.

Procesi i vetingut është një nga kushtet që ka vënë edhe Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Kur mund të quhet ky proces i përfunduar?
Bashkimi Europian ka vënë si kusht fillimin e procesit dhe rezultatet e para. Unë jam optimiste se do kemi rezultatet e para në fillimin e vitit. Për sa ju thoni për përfundimin e tij, mund të them se tashmë që ky proces ka filluar, besoj se afatet e përcaktuara në Kushtetutë dhe në ligj do të mund të zbatohen. Konkretisht, organet e vetingut kanë disa përparësi në fillimin e procesit. Kështu, rivlerësohen me përparësi kandidatët gjyqtarë dhe prokurorë për Këshillat emrat e të cilëve janë depozituar, Prokurori i Përgjithshëm, Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykata së Lartë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Rrethi i personave që i nënshtrohet vetingut është i gjerë, jo vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe këshilltarët ligjorë të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, ndihmësit ligjorë pranë gjykatave administrative, ndihmësit ligjorë pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe me kërkesë ish- gjyqtarë, ish-prokurorë, ish- këshilltarët ligjorë të Gjykatës së Lartë, dhe të Gjykatës Kushtetuese që kanë punuar në këto pozicione të paktën tre vjet.
Kushtetuta cakton dy afate për punën e organeve të rivlerësimit, 5 vjet për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerët Publikë dhe 9 vjet për Kolegjin e Apelimit. Përmbyllja e procesit varet nga çështjet që mund të dalin gjatë rivlerësimit, kompleksiteti i tyre, numri i ankimimeve etj. Nëse ky proces nuk përfundon nga këto organe brenda afateve kushtetuese vazhdimin e çështjeve të pa trajtuara e bëjnë respektivisht Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjyqtarët, Këshilli i Lartë i Prokurorisë për prokurorët, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme do vazhdojë të ushtrojë kompetencat e komisionerëve publikë dhe Gjykata Kushtetuese do të ndjekë ankimet ndaj vendimeve të Komisionit ende të papërfunduara.

Ambasadori i SHBA-së Donald Lu ka folur për “peshq të mëdhenj” që do të kapen në fillim të vitit që vjen. Cilët mund të jenë këta?
Krimi i organizuar dhe korrupsioni kryhet nga “peshq të vegjël”, por edhe “të mëdhenj” ose me në bashkëpunim me njëri-tjetrin. “Peshqit e mëdhenj” edhe nëse nuk janë direkt të përfshirë, ata me vendimet e tyre, mbështetjen mund të krijojnë lehtësira. Pa dashur të interpretoj fjalët e ambasadorit Lu, “peshqit e mëdhenj” janë ose kanë qenë jo vetëm në administratë, në nivele politike dhe në sistemin e drejtësisë, polici etj., por edhe në sektorin privat dhe mes njerëzve që drejtojnë ose financojnë krimin e organizuar, janë koka e organizatave ose rrjeteve kriminale. Statistikat e politikës penale tregojnë se shumica e të dënuarve deri me sot, janë “peshq të vegjël”. Kam besim se profili i personave të proceduar dhe dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar do ndryshojë nga ai që kemi sot.
Sipas jush a bën pjesë në këtë term të përdorur nga ambasadori i SHBA-së edhe ish-ministri i Brendshëm?
Lidhur me çështjen në fjalë nuk mund të prononcohem. Kjo çështje tashmë është në proces hetimi dhe tashmë fjalën e ka drejtësia. Le të presim çfarë do të rezultojë nga hetimi.

Në media ka nisur debati për Prokurorin e Përgji-thshëm. Ndërkohë ju, si deputetë të Komisionit të Ligjeve, keni pasur javën që shkoi një takim me kryeministrin Edi Rama. A do të nisë mazhoranca procedurat e zgjedhjes së drejtuesit të ri? Po diskutohen emra aktualisht?
Gjithnjë media nis debate për çështje politike me shpejt sesa, në fakt, i vjen koha diskutimit. Për sa i përket takimit, po ka pasur një takim të anëtarëve të Komisionit të Ligjeve me ftesë të kryeministrit. Unë nuk kam qenë për shkak të një angazhimi parlamentar jashtë vendit. Këto takime, kryeministri i zhvillon rregullisht, jo vetëm me Komisionin e Ligjeve. Lidhur me Prokurorin e Përgjithshëm, Komisioni i Ligjeve do të miratojë kalendarin 3-javor të tij dhe do ta shohin nëse do jetë parashikuar në kalendarin e ri, që miratohet të martën, kjo çështje. Nuk kam dijeni për diskutim të emrave.

Opozita në deklaratat e saj ka ngritur alarmin për një përkeqësim të gjendjes ekonomike në vend dhe një reagim popullor që mund t’i vijë kësaj qeverie. A i “trembeni” një shpërthimi të mundshëm protestash?
Në çdo vend, opozita ka vetëm fjalën dhe gjithnjë kritikon programin e qeverisë, sidomos atë pjesë që është me e ndjeshme për qytetarët: ekonominë, punësimin, shërbimet shëndetësore, arsimin. Kuvendi sapo miratoi nen për nen dhe në tërësi buxhetin për vitin 2018. Ky buxhet nuk është ai që do dëshiroja edhe unë, dhe që mund të zgjidhte brenda një viti gjithë problemet e pazgjidhura në 25 vjet. Por, ky është buxheti më i mirë dhe më i madh në këto 25 vjet që mundëson zhvillimin e zona rurale, rritjen ekonomike, lehtësi për biznesit, nxitje të investimeve vendase dhe të huaja, ulje të borxhit etj. Lexova dhe dëgjova me vëmendje propozimet e opozitës lidhur me projektbuxhetin. Vlerësoj faktin që opozita që ofroi disa alternativa, ndonëse jo realiste, por shumë populiste, pa fatura financiare dhe pa shpjegime, se ku do t’i gjente lekët, kur nga njëra anë, propozonte taksën e sheshtë dhe nga ana tjetër, propozonte rritje jorealiste të disa treguesve të buxhetit. Një gjë duhet të kemi të qartë të gjithë ne politikëbërësit: sot nuk ka njerëz që nuk kuptojnë se çdo vend mbahet me taksa dhe se taksat duhet të rishpërndahen në të mira publike sipas përparësive. Rëndësi ka të analizojnë nëse rishpërndarja e të ardhura dhe të mirave publike është në përputhje me prioritetet që kanë njerëzit dhe me programin e qeverisë që është miratuar në Kuvend dhe nëse shpenzimet janë transparente dhe përdoren me efektivitet. Këtu, opozita mund të flasë dhe të shprehë alternativat e saj. Lidhur me protestat, tashmë jemi mësuar. Opozita ka qeverisur 8 vjet dhe la aq shumë borxhe për të paguar sa nuk mund të flasë sot. Ato u paguan nga qeveria “Rama 1”. Të mos flasim për informalitetin në sektorin privat, pabarazinë dhe klimën jo të mirë biznesit, për gjendjen e kopshteve dhe shkollave, për punën e zezë, nivelin e ulët të pagave, taksimin e njëjtë si atyre që kishin paga të ulta dhe atyre që kishin paga të larta etj., gjendjen e sistemit energjetik, ndërtimet pa leje, abuzimet me pronat publike etj. Çfarë ka bërë opozita të zbusë këto probleme të krijuara ose të mbartura dhe që i rëndoi më shumë gjatë qeverisjes së saj!? Asgjë. Kjo mazhorancë dhe kjo opozitë kanë disa detyra dhe përgjegjësi përtej ndasive politike: kryerja e reformave që integrojnë shqiptarët në familjen e madhe europiane; kryerjen e reformës zgjedhore tani dhe jo pak para se të ofrohen zgjedhjet; bashkëpunimi për çështje me interes kombëtar. Nëse nuk duan të kontribuojnë në këto çështje me interes jopartiak, njerëzit nuk do t’i falin ata dhe këdo tjetër që pengon procese të tilla.
Uroj dhe shpresoj se opozita do të jetë konstruktive dhe do ushtrojë detyrat e saj mes mekanizmave demokratikë dhe parlamentarë. Ky është një shans që i është dhënë asaj dhe kryetarit të saj dhe që nuk duhet ta humbasë. Në pushtet vihet mes zgje-dhjeve të lira dhe të ndershme. Ndaj është koha për të bashkëpunuar për reformat dhe në veçanti për reformën zgjedhore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.