MILOSAO

Zbulohet dokumenti i Martin Camajt i vitit 1990 Pse nuk pëlqehet letërsia ime në Shqipëri, çfarë i duhet vendit tonë?!

11:00 - 03.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Martin CAMAJ

 

Tash afër një vjet ka nisë dhe në Kosovë një rëmim apo rikqyrje qëndrimesh e pratikash kundrejt kulturës e letërsisë shqiptare. Plogshtia mendore trashëgue nga struktura ideologjike staliniste e të kaluemes po bie si perde e errët prej syve të njerëzve. Shumicës së shkrimtarëve posaçe të gjeneratës së re, si munda me e vrejtë tash së fundi edhe nga vizita në Prishtinë, i duket sikur zgjohen nga një andërr e keqe. Pyetnin veten e mue, përse u ndaluen veprat e mia deri sot? “Në to s’ka gjana të këqia!” Sikur të doshin tërthoraz me përligjë qëndrimet e Partisë, apo ku ta di unë se paskan pasë shkaqe etike të ndalohet kontakti me popullin tim. Me fjalë të tjera njerëzit arsyetojnë ende dhe pa të keq mbas kategorive të vjetra, si forcë plogështie. “As me politikë nuk je marrë!”, më thonë.
Ndalimi i veprave të mia letrare e jo letrare në vendin tim nuk më ka befasue kurrë. Por së pari due të sqaroj një pikë: e kam pohue gjithmonë se nuk jam njeri i politikës, por nuk kam thanë se nuk jam njeri politik. Me fjalë tjera nuk jam vu kurrë në shërbim të një rryme politike, si vetje kam qenë gjithmonë në luftë (natyrisht me mjete të mia) kundër padrejtësisë së fatit të njeriut, sidomos i atij që vuen, më ka prekë. Për mue ashtë e logjikshme që nga fillimi u ndaluen veprat e mia në Shqipni e ma vonë dhe në Kosovë.
Të marrim një shkas të posaçëm: në veprat e mia letrare si në lirikë, ashtu në prozë instiktivisht, pa paragjykime ideologjike, kam marrë anën e individit, e njeriut kall i vetëm. Përkundër letërsia e realizmit socialist në Shqipni e hymnizon kolektivin dhe nga individi, përbamës i kolektivit, lyp nënshtrim, disiplinë, vetmohim etj. Nëse lexohen me vëmendje shkrimet që trajtojnë temën ‘kolektiv’ si në letërsi ashtu në traktate propagande, ke përshtypjen se flitet për një ‘mekanizëm’, jo për një tanësi njerëzish, që do përdorë si makinë për të krye një funksion prodhues për të mirën e një kolektivi tjetër joprodhues dhe shfrytëzues.
Në letërsinë time ka edhe elementa rrymash letrare që nuk pëlqehen në Shqipni, ndër to dhe liria e përdorimit të formave. Me ‘formë’ nënkuptoj dhe gjuhën sepse edhe fjalët që duhet të përdorë shkrimtari janë të caktueme në Tiranë: ka fjalë e forma ‘socialiste’ apo ‘kombëtare’ asosh ‘reaksionare’ të ndalueme.

Frikë nga moskuptimi

Mbetet e paharrueshme për mue diskutimi me autorët kosovarë prej 24-29 gusht 1990 në Prishtinë, sidomos me autorë të rij, temperamentesh të ndryshme. Kosova ka edhe kritikë letrarë të hollë; disa ndër ta janë përgatitë në Francë e Gjermani. Mbas largimit, mbetet dyshimi: a jemi kuptue? Nuk ashtë, e lehtë të jesh i kuptuem kur vjen prej një bote tjetër, me përvoja fare të ndryshme jetësore e kulturore, me tjetër shije sidomos për sa i përket formës, të gjykohesh si ‘pedant’, alergjik kundrejt çdo kakofonie…
Njerëzit e kulturës e të arteve shqiptare janë të ndamë tash 45 vjet në tri degë: Shqipni, Kosovë dhe Perëndim.
a) Në Shqipni sistemi stalinist ia doli që mes këtyne tri grupeve mos të ketë kontakt të natyrshëm kështu që secila degë autorësh u zhvillue në kushte specifike të ndryshme. Në Shqipni u pengue edhe ndërlidhja mes autorëve të vjetër e të rij; bile u shkaktue nga mbrendë dhe rivaliteti artificial mes të ‘rijve’ e të ‘vjetërve’: këto ndër tjera kushte demokratike, ta thomi gzhatjet mes të resë e së vjetrës do të kishte qenë dhe frytdhanëse. Disa nga të rijtë që sot qëndrojnë në krye të grupit kaluen do kohë dhe në Bashkimin Sovjetik: do pranue, ky kontakt me letërsinë ruse me traditë ndikoi pozitivisht sidomos në prozën shqiptare mbas 1960 në Tiranë. Mbas kësaj periudhe letërsia e realizmit socialist në Shqipni u zhvillue në një situatë shtet-rrethimi apo ‘getto’. Simbas pragmatikës staliniste në art e letërsi u zhvillue një model edukues e kontrollues mbrenda të cilit individualiteti i autorit nuk del në pah. Si pasojë e byrokratizimit të autorëve, bahet kronik ‘stagnacioni’ dhe qet krye diletantizmi, mosdallimi i talentit nga autorë të patalentuem, numri i të cilëve shtohet prej pesëvjeçari në pesëvjeçar.
b) Letërsia kosovare ka pasë një zhvillim jashtzakonisht specifik: lindi në kushte jonormale, iu desht të çohet në kambë me fuqi të veta fill mbas lindjes… Kjo ka pasë përparësi, por dhe kushte të vështira zhvillimi. Kritika letrare ka një punë të madhe përpara të cilësojë si poezinë ashtu prozën në Kosovë. Sot, për ata që e kundrojnë për, së largu me simpati e çmim (natyrisht kritikë të shquem letrarë), shohin një zjarm të madh që ia përngjet ‘kaosit’. Sikur t’i aviten do të zbulojnë fije të ndryshme aq sa janë letrarë që sosin në një pikë. Andaj letërsia kosovare ka nevojë për studiues të hollë që jam i bindun se i ka mbrendë, në plangun e vet.
Autorët kosovarë, si vetje të pavaruna, kanë kërkue gjithnjë kontakte edhe me shkrimtarë shqiptarë në Perëndim; ndërsa ata si grup zyrtarisht deri tash vonë kanë qëndrue larg autorëve të mërgatës, por jo atyne arbëreshë, me të cilët u zhvillue një bashkëpunim i ngrohtë e frytdhanës, sidomos me shtypin e poezisë arbëreshe nga Shtëpia botuese “Rilindja”.


c) Letërsia jonë, tue nisë te ajo ma e vjetra, ka lindë në Perëndim. Edhe një pjesë e veprave letrare të Rilindjes u shtypën në mërgim. Në këtë traditë përfshihet edhe krijimi poetik arbëresh, i cili mbas vdekjes së Zef Sqiroit pati, mbas 1930, një pauzë sa që u fol edhe për sosje të kësaj letërsie. Kah fundi i vjeteve 50’ letërsia arbëreshe pati një ringjallje, tue nisë me poezitë e tregimet e Dushko Vetmos në një tribunë të përbashkët që ishte revista “Shêjzat” (1957-1974) me letërsinë e mërgatës. Ndërkohë hyni në përdorim një emërtim i ri “letërsia e diasporës”, nga i cili u hoq dorë ose nuk u theksue sepse neve s’na shkonte ndërmend të përdorej shumësi (letërsi kosovare, letërsi e realizmit socialist, letërsi arbëreshe dhe e mërgatës) për një letërsi si kjo e jona që lindi në periudhën e Rilindjes kombëtare pothuejse njëkohësisht në trajta e kategori përmbajtëse moderne. Pati një kohë kur autorët e mërgimit ranë fare në heshtje; ndoshta as nuk do të kishte shkrue kush ma nëse një pjesë e autorëve të mos kish gjetë strehim ndër disa universitete të Evropës e Amerikës Veriore, në një ambient të ngritun, ku mund të lërvroheshin edhe gjuha shqipe e kultura kombëtare. Tek disa ma të rij ndikuen dhe rrymat e letërsive moderne ku vlerësoheshin këto rryma, d.m.th. ndër universitete. Specifike për letërsinë shqipe në këto kushte ashtë se një pjesë e autorëve janë profesora universitarë, si shumë autorë emigrantë të kombeve të Evropës Lindore, rusë, polakë, romanë etj. Ndër ta donë përmendë, Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Bardhyl Pogoni etj. Këtu marr shkas t’u qes gjeneratave të reja ndërmend edhe kontributin e albanologëve tjerë që nuk ishin poetë, Namik Resuli, Stavro Skendi, Jakob Marlekaj e sa tjerë, të cilët gjithë së bashku dhanë një kontribut të madh për afirmimin e kulturës shqiptare ndër universitete të mëdha (në Romë, në Columbia University, Mynih, Mineapolis), ku gjuha e letërsia shqipe u ngrit si landë studimore universitare në një rangë me gjuhët e letërsitë botnore.
Me emigracionin e ri të vjetit 1990 e me daljen në mërgim të Ismail Kadares nis një tjetër fazë e letërsisë shqipe në mërgim: për t’u qamë me lot puna se edhe në mbarimin e këtij shekulli letërsia jonë për të qenë e lirë merr rrugët e mërgimit, në një kohë kur letrarët e mërguem nga Evropa Lindore e Juglindore kthejnë në vendlindjet e tyne.


Tri apo një letërsi?
Natyrisht, një!
Në këtë syzim u fol për strukturat e jashtme të letërsisë shqiptare gjatë pjesës së dytë të shekullit tonë. Ndamja në tri degë nuk përligjet me ligjet e normat e mirëfillta të mbrendshme të artit letrar të cilat janë në kundërshtim dhe i qesin poshtë kriteret politike. Edhe kufijtë politikë nuk mund t’i ndajnë kulturat nacionale. Kusht për kapërcimin e ndasive apo dallimeve përçase ka me qenë ‘harmonizimi’ i ndryshmënisë në përmbajtje e forma edhe në letërsi. Dijekëqijtë, sigurisht edhe në të ardhmen kanë me i ra gjithnjë hafazit të vjetër, tue përfitue nga plogshtia mendore e njerëzve, që ndryshmënitë e trashëgueme mes formave gjuhësore, për shembull, ose zakoneve e besojmave, do t’i përdorin si mjete përçase. Por s’do t’ia dalin sepse qysh tash gjeneratat e reja të shkrimtarëve e kanë kuptue se e posaçmja e ndryshmënia në art e në jetë e pasunon njerinë dhe se ushtrimi i një arti të tillë ashtë e drejtë njerëzore.
Pranimi i autorëve të ndaluem në letërsinë shqipe
Kthimi i autorëve të ndaluem mbrenda letërsisë; në vendin që u përkiste po kuptohet si imperativ i kohës. Ribotimi i klasikëve si i Fishtës, Konicës, Koliqit, Zef Sqiroit etj. etj. do të bjerë freskim ndër lexues. Përmes leximit cilësor që ashtë akt i përjetimit artistik, pa të cilën s’ka letërsi do të përtrihen edhe veprat e autorëve të ndaluem. Ky proces receptimi nuk do të jetë i lehtë as për lexuesin shqiptar, por shqiptari – si e pata ndëgjue nga një letrar i vjetër para shumë kohe – ashtë i squet e di ta ndajë shapin prej sheqerit. Kuptimi i tanësisë letrare që u përshkue nëpër faza të ndryshme të historisë së popullit tonë, do të japë shkas ndër lexues të kuptohet edhe periudha e 40 vjetëve të fundit, koha e krijimeve të miteve të rrejshëm që s’ka të bajë me realizëm, skajim përcaktues i ‘realizmit socialist’. Ky shpërpjestim në paraqitjen e letërsisë sonë në 40 vjetët e fundit u shpjegue me saktësi në një intervistë me Ismail Kadare, dhanë “Zërit të rinisë” pak muej ma parë në Tiranë.
E dija se vjen kjo kohë me shansën që shqiptari të gjejë vetveten si pjesëtar i shoqnisë së përparueme, por se edhe unë do ta përjetoja këtë kohë, këtë nuk e kam besue!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.