EKONOMI

ISHP: Cilat janë mënyrat për parandalimin e HIV/AIDS

10:02 - 04.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në ditën ndërkombëtare në luftën kundër HIV/AIDS, Instituti i Shëndetit Publik bën thirrje për më tepër sensibilizim dhe thekson masat parandaluese për të mos u prekur nga kjo sëmundje vdekjeprurëse. HIV vazhdon të mbetet një problem i madh i shëndetit publik në nivel global, duke marrë më shumë se 35 milionë jetë njerëzish deri tani. Në fund të vitit 2016, globalisht pati përafërsisht 36.7 milionë njerëz që jetonin me HIV, ku 1.8 milionë prej tyre u infektuan vetëm në vitin 2016. 54% e të rriturve dhe 43% e fëmijëve që jetojnë aktualisht me HIV marrin terapinë gjithëpërfshirëse antiretrovirale (ART).
Infeksioni HIV shpesh diagnostikohet nëpërmjet testeve të shpejta diagnostike, që zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave HIV. Shumica e këtyre testeve japin rezultate brenda ditës, gjë që është thelbësore për vendosjen e diagnozës në të njëjtën ditë, si dhe për trajtimin dhe kujdesin e hershëm.




Çfarë është HIV
HIV (Virusi i Imunodeficiencës Njerëzore) është virusi i cili prek dhe dobëson sistemin imunitar të organizmit të njeriut, duke e lënë atë të pambrojtur nga infeksionet dhe nga disa lloje kanceri. Shkatërrimi dhe dëmtimi gradual i funksionit të qelizave të imunitetit i bën gradualisht individët e infektuar pacientë imunodeficient, të ndjeshëm për një gamë të gjerë infeksionesh, lloje kanceri dhe sëmundjesh të tjera që njerëzit me sisteme të shëndetshme të imunitetit mund të luftojnë. Funksioni imun i organizmit matet nëpërmjet numërimit të qelizave të quajtura CD4.

Kategoritë e predispozuara
Grupet që janë në rrezik të lartë për t’u infektuar me HIV përfshijnë: burrat që kanë marrëdhënie seksuale me burra, ata që injektojnë droga, të burgosurit dhe personat që jetojnë në mjedise të tjera të mbyllura, punonjësit e seksit e klientët e tyre dhe transgjinorët. Popullatat kyçe shpesh kanë sjellje që rrisin vulnerabilitetin ndaj HIV dhe zvogëlojnë aksesin në programet e testimit dhe trajtimit. Për infeksionin HIV nuk ka shërim. Megjithatë, medikamentet efektive antiretrovirale (ARV) ndihmojnë për të kontrolluar virusin dhe për të parandaluar transmetimin, në mënyrë që njerëzit me HIV si dhe ata në rrezik të madh për t’u infektuar, të mund të gëzojnë jetë të shëndetshme dhe produktive. Faza më e avancuar e infeksionit HIV është AIDS, i cili mund të zgjasë nga 2 deri në 15 vjet për t’u zhvilluar, në varësi të individit.

Shenjat e AIDS
Megjithëse njerëzit që jetojnë me HIV priren të jenë më infektues në muajt e parë, shumë prej tyre nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre HIV pozitiv deri në fazat e mëvonshme. Javët e para pas infeksionit fillestar, këta persona mund të mos kenë asnjë shenjë ose mund të shfaqin shenja të ngjashme me gripin si ethe, dhimbje koke, skuqje apo dhimbje të fytit. Me dobësimin progresiv të sistemit imunitar, infeksioni përparon dhe një person mund të zhvillojë edhe shenja të tjera të cilat ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit si: fryrje e nyjave limfatike, humbje e madhe në peshë, ethe/temperaturë, diarre e vazhdueshme, kollë.

Transmetimi i HIV
Transmetimi i HIV mund të ndodhë nëpërmjet shkëmbimit të një shumëllojshmërie lëngjesh të infektuara të trupit të njeriut si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale. Disa nga sjelljet dhe kushtet që vënë individët në rrezik më të madh për t’u infektuar me HIV përfshijnë: marrëdhëniet seksuale vaginale ose anale të pambrojtura; pasja e një infeksioni tjetër seksualisht të transmetueshëm si sifilizi, herpesi, klamidia, gonorrea dhe vaginosa bakterore; shkëmbimi i mjeteve të kontaminuara si gjilpëra, shiringa e pajisje të tjera gjatë injektimit të drogës; marrja e injeksioneve apo transfuzioneve të gjakut të pasigurta, transplanti i organeve, si dhe procedurat mjekësore me instrumente të mprehta të kontaminuara; shpimet aksidentale me gjilpërë. Individët nuk mund të infektohen me HIV nëpërmjet kontaktit të zakonshëm të përditshëm si puthjet, përqafimet, takimi i duarve, ose ndarja e objekteve personale, ushqimit apo ujit, etj.

Parandalimi i HIV
Individët mund të zvogëlojnë rrezikun e infektimit me HIV duke kufizuar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut. Mënyrat kryesore për parandalimin e HIV, të cilat shpesh përdoren në kombinim me njëra-tjetrën përfshijnë: përdorimin e prezervativit, testimin dhe këshillimin për HIV dhe IST të tjera, rrethprerjen mashkullore mjekësore vullnetare (syneti), përdorimin e terapisë antiretrovirale (ARV) për parandalim, reduktimin e dëmit për përdoruesit e drogave intravenoze, eliminimin e transmetimit të HIV nga nëna tek fëmija.

Trajtimi i AIDS
Sot infeksioni HIV mund të kontrollohet nëpërmjet përdorimit të terapisë antiretrovirale të kombinuar, e cila përbëhet nga 3 ose më shumë barna antiretrovirale. Barnat antiretrovirale nuk kurojnë infeksionin HIV, por kontrollojnë shumimin e virusit brenda trupit të një personi dhe i mundësojnë sistemit imunitar të individit të fuqizojë kapacitetin për të luftuar infeksionet.
Mjekimi me ARV zgjat jetën e të sëmurëve dhe rrit cilësinë e saj, duke e shndërruar AIDS-in në një sëmundje kronike.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.