KULTURË

Akademikët e rinj “pajtojnë” qeverinë me Akademinë nënë

09:20 - 05.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira NIKOLLI

 

Mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe qeverisë, prej shtatorit lufta vazhdon herë në heshtje e herë publikisht. Ndërsa kryeministri u ka lënë afat akademikëve që të reformohen duke kërkuar rithemelim të Akademisë, dje një flamur i bardhë paqeje u valëvit, ose u duk si i tillë. Teksa mbahej konferenca e parë mbarëkombëtare shkencore e Akademisë së të Rinjve, organizëm i krijuar nga Akademia e Shkencave, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla mori pjesë në nisjen e takimit, duke ofruar mbështetjet e ekzekutivit për ta. “Lejomëni që jo vetëm t’ju përgëzoj, por edhe t’ju shpreh gjithë mbështetjen edhe të kryeministrit të Shqipërisë për këtë nismë tejet me vlerë, të shkëlqyer që do të shënjojë një ecuri të re për gjithë atë që ne bashkërisht po zhvillojmë, si një reformë që ka përfshirë të gjithë sistemin e shkencës në vend”, deklaroi para akademikëve të rinj, ministrja Nikolla. Akademia e të Rinjve pranë Akademisë së Shkencave u ngrit në qershor të këtij viti, me cilësinë e një komisioni të përhershëm novacioni, me kërkues të rinj të vlerësuar në një proces konkurrimi. Shkencëtarët e rinj kanë aderuar edhe në Akademinë Botërore të të Rinjve. Të suksesshëm e të spikatur në fushat e tyre, 16 janë anëtarët e saj: Andi Rëmbeci (Universiteti i Tiranës, Belfjore Qose (Univ., i Tiranës), Edelaida Cenaj-Cepa (Univ. “A. Xhuvani”), Erida Gjini (Instituto Gulbenkian de Ciencia, Portugali) Eris Rusi (Univ. “Fan Noli”), Ilda Kazani (Univ. Politeknik i Tiranës), Mentor Beqa (UET), Mikaela Minga (QSA), Nebi Bardhoshi(QSA), Rigers Bakiu (Univ. Bujqësor i Tiranës), Shaniko Allajbeu (Univ. “Ismail Qemali”), Sokol Çunga (Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave), Teuta Toska (U. “Aleksandër Xhuvani”), Thomas Frashëri (Kabineti i kryeministrit), Valbona Sota (Univ. Tiranës) dhe Xhaklina Cani (Univ. Tiranës).


KONFERENCA
Konferenca e kërkuesve të rinj, “Metodologjia dhe kërkimi shkencor: traditë dhe risi” u organizua me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në kuadër të veprimtarive për promovimin e Akademisë së të Rinjve, si organizëm i ri shkencor në Shqipëri. Sekretari Shkencor i ASH-së, Vasil S.Tole, e cilësoi atë një ngjarje shkencore e kulturore. “E përqendruar në problematikën bashkëkohore për metodologjitë e kërkimit shkencor, kjo konferencë provon para së gjithash se Akademia e të Rinjve nuk është një ide e bukur, apo një zgjatim i inkurajimeve europiane për afrimin e organizuar të breznive të reja të studiuesve, por një nismë që po funksionon dhe po i jep gjallëri edhe vetë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”.
Tole vlerësoi faktin që të rinjtë iu bashkuan akademizmit shqiptar në një moment jo aq inkurajues, për shkak të problemeve të njohura për kuptimet shpesh kontroverse rreth rolit të Akademisë së Shkencave sot. “Dhe kjo për ne është akt intelektual dhe moral. Mendimi ynë është se themelimi i Akademisë së të Rinjve, themelimi i çmimeve kombëtare vjetore akademike, fillimi i punës për një hapje të gjerë ndaj publikut me botimin online të bibliografive shkencore, janë shprehje e një mendimi reformues brenda Akademisë sonë të përbashkët, e cila është në një proces reformimi në bashkëpunim me qeverinë dhe institucionet e vendit”, tha sekretari shkencor. Me pritshmërinë që konferenca të ndikojë për mirë edhe në metodologjitë e kërkimit shkencor të brezave paraprirës, Tole ftoi senatet e universiteteve që të propozojnë kandidatë potencialë për të qenë anëtarë të Akademisë së të Rinjve. Në konferencë dje ishte edhe dr. Connie Nshemereiwe, përfaqësuese e Akademisë Botërore të të Rinjve (Global Youth Academy-GYA). Ajo tha se, “përfitimet nga Akademia e të Rinjve janë disa, pasi bëhet pjesë e shkëmbimit të ideve midis shkencëtarëve, bashkëpunon me ta për projekte të ndryshme”. Bashkëkryetari i Akademisë së Shkencëtarëve të Rinj, Andi Rëmbeci, tha dje se kjo nismë, “një pjesë e kërkimeve ende realizohen me metoda dhe qasje interpretuese tradicionale, edhe pse prirja mbizotëruese është ‘reformimi’ metodologjik”. Sipas Rëmbecit, “vërshimi” i lirë i metodave kërkon më së pari edhe një diskutim në lidhje me to, për të qartësuar, përzgjedhur e braktisur metoda të caktuara, që nuk i përgjigjen realitetit të zhvillimit në Shqipëri. Përmes prurjeve shkencore, propozimeve dhe diskutimeve, konferenca synon të çojë përpara debatin shkencor për një çështje kaq gjithëpërfshirëse dhe aktuale për studimin shkencor.


E ARDHMJA E SHKENCËS, MUZIKA, HISTORIA E MË TEJ
Akademia e të Rinjve mbajti dje konferencën e saj të parë. Secili anëtar, mbajti një kumtesë mbi fushën e vet studimore, që nga biokimia e deri te albanologjia.
Edelajda Çepa (“Aleksandër Xhuvani”) duke kumtuar trajtesën me temë: “Metoda të kërkimit shkencor në filologji. Lef Nosi si studiues dhe objekt studimi”, tha se filologjia shqiptare dhe metodat e kërkimit shkencor në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore iu qasën totalisht shkollës së Lindjes, ndikuar dhe prej kushteve social-kulturore e ideologjike. Metoda ishte krejt e kontrolluar nga dialektika e shkencës, pra si të ishte objekti, do të ishte edhe metoda. Objekti përcaktonte metodat, duke i vënë ato “në shërbim” të tij, madje edhe mënyra e përdorimit të këtyre metodave shpesh dilte jashtë etikës së kërkimit shkencor, pasi mjaft materiale burimore ishin të koduara dhe kriptuara dhe referimi ishte krejt hermetik, apo mungonte fare.
Mikaela Minga (Instituti i Antropologjisë Kulturore) me punimin me temë “Etnomuzikologjia dhe kënga urbane në Shqipëri” vuri në dukje se dukuritë muzikore urbane kanë zënë një vend të reduktuar në traditën e studimeve në Shqipëri. Duke filluar nga vitet ’50, kohë kur u institucionalizuan disiplina të tilla si etnomuzikologjia dhe muzikologjia, studiuesit treguan një interes të posaçëm për praktikat muzikore të zonave rurale. Krahas interesit studimor, këto konsideroheshin edhe si bartëse të “autenticitetit” dhe “pastërtisë” së nevojshme për të identifikuar nëpërmjet tyre përkatësitë dhe cilësitë kombëtare të kësaj kulture muzikore. Përkundër, muzika e qytetit kishte një reputacion të dyshimtë, për shkak të natyrës së saj hibride dhe ndikimeve të ardhura nga jashtë. Ardian Muhaj (Instituti i Historisë) tha se historiografia shqiptare e dy dekadave të para të shek. XXI duhet kuptuar në kuadrin e përgjithshëm të shoqërisë në tërësi, e cila përballet me problemet e një tranzicioni të zgjatur. Për të, tkurrja e burimeve ekonomike dhe njerëzore në komunitetin e historianëve ka sjellë një konservatorizëm të dukshëm në tërësinë metodologjike, që njëkohësisht i përshtatet trendit të përgjithshëm të inercisë shoqërore.
Andi Rëmbeci dhe Sokol Çunga për temën “Studimet në fushën e paleografisë bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri: vlerësime për të shkuarën dhe të tashmen, perspektivat dhe sfidat e së ardhmes” u morën me fondin e kodikëve. Sipas tyre, një nga çështjet që nuk është prekur në një studim të veçantë është historia e këtyre dorëshkrimeve, si dolën nga dora e përdoruesve të tyre, deri tek strehimi i tyre i sotëm në raftet e arkivave. Gjurmimi i tyre në kohë nëpër shekuj nuk është një detyrë e lehtë, për shkak të mungesës së informacionit. Megjithatë, një përpjekje në këtë fushë mund të bëhet.
Odeta Manahasa (Departamenti i Arkitekturës i Univ. “Epoka”) kumtoi trajtesën me temë: “Dija nëpërmjet shikimit, shikimi nëpërmjet dijes”. “Duke u ndalur në pikturën e Pablo Picasso-s ‘Ma Jolie’, e dhënë si një ushtrim fillestar në kompozimet dydimensionale studentëve të arkitekturës, ky punim përpiqet të japë një pikëpamje kritike mbi fuqinë e imazheve, të cilat janë mjet dijeje dhe që u japin liri hartuesve të mendimit”, tha ajo.
Epidamn Zeqo (kërkues i pavarur shkencor) teksa kumtoi për “Teorinë e zgjedhjes racionale – themeli qëllimisht i gabuar i sjelljes i neoliberalizmit?” tha: “Kohët e fundit shkencëtarët socialë, si Thomas Piketty – i cili përdor metoda ndërdisiplinore – po dëshmojnë, se politikat neoliberale janë problematike dhe se ndihmojnë ata të paktët që zotërojnë kapitalin, jo shumicën rrogëtare”.
Arta Xhika (“Aleksandër Xhuvani”) duke folur për “Dy metoda në përqasjeje: nga shkolla e Romës në ato të Kalabrisë dhe Palermos”, tha se Shkolla filologjike e Giuseppe Gradilone-s, që ka bartur peshën më të madhe në tejkalimin e shkollës kulturologjike të Koliqit, vjen në letrat shqipe si forma më e mirëkonturuar e filologjizmit klasik. Nga ana tjetër, me ndërmjetësinë e Solanos dhe të Pipës, shkolla filologjike e arbëreshëve të Jugut, sidomos Altimarit dhe Mandalasë, propozoi një filologjizëm modern, në përputhje me natyrën e traditës letrare shqiptare, të lindur drejtpërdrejt nga mekanizmi i gjallë i gjuhës popullore.
Eris Rusi (Univ. “Fan S. Noli”) duke kumtuar për “Kompetencat letrare në letërsinë fantastike shqipe të shek. XX”, synoi të eksploronte dimensionet e fantastikes në letërsinë shqipe, duke bërë një pasqyrë të përgjithshme të perspektivave të prozës fantastike dhe kuptimeve të shumta të saj në këtë literaturë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.